“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Damian Gjiknuri: Si e vodha kriporen në restorant

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Damian Gjiknuri: Si e vodha kriporen në restorant
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Kryeministri ynë, shoku Edi Rama foli vendosmërisht se tarifa prej 5 euro, vendosur për t'u paguar me qëllim që të kalohet me automjet në Rrugën e Kombit, (i ka vdekur mami atij muhabeti), do të mbetet e pabisedueshme, apo siç i themi neve në gazetari, e panegociueshme. Themi lajm i mirë, pasi vendosmëria e shefit të qeverisë tregon se gjithçka rreth kësaj tarife ka qenë e mirëmenduar dhe se kemi të bëjmë me një drejtues që nuk ndryshon mendim, kur bëhet llaf për të mirën e rrugës.

E meqë ra llafi te rruga, po sjellim një lajm të mirë. Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin e disa personave që morën pjesë në protestën për vendosjen e tarifës, për makinat  dhe kamionët që do kalojnë aty.

Themi lajm i mirë, pasi vërejmë faktin se policia vazhdon të punojë. Pas kapjes së një shoferi dhe një menaxheri të një firme që sillte banane, ne si rubrikë mendojmë se ky është aksioni më i rëndësishëm policor. Në mos më i rëndësishmi, pasi me ç'morëm vesh, në këtë rastin e dytë, ishin kapur natën në shtëpitë e tyre, disa shoferë, midis tyre edhe kamionësh.

Ndërkohë që në rastin e bananeve, fatkeqësisht vetëm një shofer fatkeq u kap... E meqë ra llafi te shoferët. Ne takuam dhe biseduam me shokun Damian Gjiknuri, që është ministri që merret me rrugët.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Damian! Lidhur me tarifën, apo siç i thotë populli me pa të drejtë, taksën e Rrugës së Kombit, deshëm të dinim. Ju si ministër, a jeni dakord me...?

Damian Gjiknuri: Hë mo, mos u tall! Ka vënë Rama taksë për Rrugën e Kombit?

Antena: Nuk e dini ju?! U bë gjullurdi për këtë taksë. Dolën njerëzit afër tunelit dhe dogjën kioskat, ku do paguhej haraçi. Plasi keq zënka me policinë e pavarur.

Damian Gjiknuri: Dogjën kioskat?!

Antena: Ju nuk e dinit për këtë taksë? E çuditshme!

Damian Gjiknuri: Për kokë të kripës, që hidhet në rrugë, nuk e dija. Ndaj pashë unë në televizor, gjithë atë tym të zi afër tunelit, d.m.th. Unë mendova se po digjej nafta e përzier me mazut, e ndonjë automjeti.

Antena: A mund të më thoni ju lutem, se përse bëtë be’ për kokën e kripës?!

Damian Gjiknuri: Po për kë të bëj? Vetëm atë kam në dorë. Të tjerat i ka vetë Rama.

Antena: E di që jam aguridhe në këto çështjet politiko-rrugore, por a mund të na i sqaroni pak më shumë, ju lutem.

Damian Gjiknuri: Gëzoj kur bie borë, se fitoj në tenderat për mirëmbajtjen e rrugëve, ndonjë kamion me kripë. Kaq. Tenderat e tjera të rrugëve, i merr direkt shefi im që është lart.

Antena: Si i merr shefi?

Damian Gjiknuri: Ai i bën muhabetet vetë me ndërtuesit e rrugëve. Mua s'ma var fare.

Antena: Juve, a ju ka marrë ndonjëherë në takime, kur ka biseduar me ta?

Damian Gjiknuri: Me thënë të drejtën, më ka marrë nga dy herë. Kemi ngrënë peshk grek me limon qipriot, në restorant.

Antena: Peshk grek? E përse jo shqiptar?

Damian Gjiknuri: Po ku ka peshk shqiptar, ore trupeshk! Kur e kujtoj atë peshk, më lëshon akoma goja lëng. Ç'të haje! Lëviste peshku mbi pjatë, se aq i freskët ishte. Njëherë që isha unë në tavolinë, i doli peshku Ramës.

Antena: I doli peshku?! Si i doli? Kur doli, ç'bëri?

Damain Gjiknuri: I doli nga pjata, pra. Ne që ishim aty u lëshuam që ta kapnim. Bënim garë kush ta kapte peshkun e Ramës më parë.

Antena: Si përfundim, kush e kapi peshkun e Ramës?

Damian Gjiknuri: E kapi një ndërtues rrugësh. Janë të shkathët ata. Në një drekë të tillë, e prisha fare.

Antena: Pse ç'ndodhi? A mund të na e thoni edhe neve, ju lutem!

Damian Gjiknuri: Mora kriporen që ishte mbi tavolinë. E futa në xhep.

Antena: Morët kriporen?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po përse e morët?

Damian Gjiknuri: Më është bërë ves, ndaj. Sa shikoj kripë, e marr për vete. Kripa është e vetmja gjë që marr, tani që jam ministër i rrugëve. Gjërat e tjera si bitumi, hekuri, s'i marr dot, se ato i merr vetë shefi i madh.

Antena: Faleminderit shoku Damian për sinqeritetin dhe bisedën!

Damian Gjiknuri: Më falni që nuk po ua jap dorën, por e kam me kripë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: