“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Pallatet tek Ali Demi, do “mbillen” për nder të Krishtit

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Pallatet tek Ali Demi, do “mbillen” për nder të Krishtit
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen nesër me një lajm të mirë. Një, në tre persona në Memaliaj, luajnë baste sportive. Themi lajm i mirë, pasi ky ish-qytet, përditë e më shumë, po zbrazet nga njerëzit e, rrjedhimisht, numri total i atyre që luajnë baste, po ulet.

Mendojmë se shkaku i zbrazjes është, sepse njerëzit e kanë kuptuar që, aty ku jetojnë, nuk kanë fat të fitojnë, ndaj shkojnë për të luajtur në Greqi. Një pjesë e mirë e tyre, vijnë në Tiranë për të provuar fatin, në pikat e shumta të basteve në kryeqytet, që la pa mbyllur ish-ministri, Saimiri.

E meqë ra llafi te kryeqyteti. Ne zhvilluam një bisedë me shokun Arbion Mazniku, zëvendësin e shokut Erion.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Arbër! Para dy ditësh, pashë të përvëlohej një qendër riqarkullimi mbetjesh plastike. Në vendngjarje shkuan edhe disa zjarrfikëse, nga ato që kemi parë në filmat me Pitkinin. Nuk keni mjete të reja, që përdorni akoma ato aq të vjetra?

Arbër Mazniku: I mbajmë për nostalgji. Pitkini është një figurë mjaft popullore për qytetarët mbi 45 vjeç. Duhet ta dish që, bashkia e Tiranës kujdeset për çdo moshë...

Antena: Si është e mundur që një fabrikë e tillë gjendet në zonë të banuar?

Arbër Mazniku: Me qëllim që mos të lodhen ata që transportojnë këto plastika, drejt këtyre pikave. Imagjino sikur fabrika të tilla të ishin larg! Ne duhet të kujdesemi edhe për këtë kategori njerëzish, se këtë detyrë kemi!

Antena: Ka disa muaj që vazhdojnë punimet e ndërtimit të rrethrrotullimit te Zogu i Zi. Kam parë punëtorë që i bien rrotull, pa bërë asgjë. Nuk ju duket se po punohet ngadalë?

Arbër Mazniku: Aspak! Është menduar largpamësisht nga ne, që të vazhdojë rrotullimi i punëtorëve në këtë rrethrrotullim deri vitin tjetër, kur do kemi zgjedhjet vendore.

Antena: Meqë ra llafi te kujdesia. Kolegët tanë të TPZ-së, kishin nxjerrë që në fushat e Ali Demit, do bëhen 33 pallate. Deshëm të dinim se si...?

Arbër Mazniku: Që do bëhen, i ka vdekur mami atij muhabeti! Për të mirë të komunitetit do bëhen edhe këto. Ne sapo mbollëm 70 pemë për nder të 70-vjetorit të Pavarësisë së Izraelit. Besoj se e keni dëgjuar këtë lajm.

Antena: Po, e mora vesh, e mirë bëtë! Do të qe mirë që, Izraeli të festonte pavarësinë e njëmijtë, që me këtë rast edhe ju si bashki të mbillnit 1 mijë pemë. Po pallatet te...?

Arbër Mazniku: Ato 33 pallatet për të cilat më pyete, do ngulen aty, për hir të Jezu Krishtit.

Antena: Më falni, shoku Arbër, por si aguridhe që jam, këto çështjet politiko-historike, nuk i kuptoj dot lehtë! Si do u ndërtuakan për nder të Jezusit?!

Arbër Mazniku: Ti e di besoj që, Jezusi jetoi 33 vjet.

Antena: Po, kështu thonë disa shkrime të ndjekësve të tij.

Arbër Mazniku: E pra, për nder të 33 viteve të jetës së tij të vuajtur, që jetoi si socialist i vërtetë, do ndërtojmë 33 pallate. "Më vjen keq që iku aq i ri." Kështu tha edhe Erioni...

Antena: Eh, s'pati as ai i gjori fat, të jetonte 100! S'pati as Tirana, se ashtu do të ndërtoheshin 100 pallate...

Arbër Mazniku: As mavriu Krisht, e as neve nuk e patëm atë fat, vërtet! Aty tek Ali Demi nuk mund ta linim zonën pa zhvilluar, ndaj menduam që aty të "mbillnim" pallate. Siç e ka thënë edhe Erioni. "A nuk është më inteligjente që të ndërtojmë në lartësi, e të...

Antena: Vallahi, s'themi dot jo, se pastaj do dukemi që nuk jam inteligjent, o shoku Arbër!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: