“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Ne 99-shat, jemi për barazi...

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Ne 99-shat, jemi për barazi...
Satirë

Antena Jashtë Familjes vjen sot me një lajm të mirë. Shoku Lulzim Basha, një nga krerët e Opozitës së Përbashkuar, ka mundur që të sigurojë që të rrijë në pushtet disa vite, pavarësisht se do i humbasë zgjedhjet. Themi lajm i mirë, pasi stabiliteti në drejtim, i bën mirë një force politike. Edhe neve mendojmë se, nuk ka se përse ai, të paguajë politikisht me dorëheqje vetjake, kur të tjerët e partisë së tij, nuk e bëjnë mirë punën.

E meqë ra llafi te pagesa. Gazetarja jonë simpatike Sonila, e cila merret me çështjet shoqërore, na spiunoi se bashkia e Tiranës ka vendosur që të barazojë pagesat për fëmijët që shkojnë në çerdhe dhe kopsht. Kujtojmë se, familja, për fëmijën e dytë që çonte në këto vende, paguante gjysmën e çmimit, që paguante për fëmijën e parë, ndërsa për fëmijën e tretë nuk paguante asnjë kokërr leku.

Për këtë probllem, ne biseduam me nënkryetarin e bashkisë, shokun Arbër Mazniku, i cili është përherë i gjindshëm të përgjigjet për median.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Shoku Arbër, përse e morët këtë vendim?

Arbër Mazniku: Kjo është një masë që tregon kujdesin e veçantë të bashkisë për barazi.

Antena: Në ç'kuptim, shoku Arbër?

Arbër Mazniku: Nuk na ka hije neve si 99-sha, që të diskriminojmë anëtarët e vegjël të një familjeje. Imagjinoni si do ndihet fëmija i parë kur të rritet dhe të mësojë se prindërit e tij paguanin dyfishin e lekëve, kur ishte në kopsht. Si mendon ti, a nuk është më inteligjente se t'i trajtojmë të gjithë fëmijët njëlloj?

Antena: Unë mendoj se...

Arbër Mazniku: Nëse dikush thotë jo, sigurisht që vazhdon mos të jetë inteligjent. Edhe prindi vetë kur e mendon që për fëmijën e parë paguan më shumë lekë se fëmijët ë tjerë pas tij, sigurisht që do ndihet keq...

Antena: Në ç'kuptim do ndihet keq?

Arbër Mazniku: Do fillojë të mendojë se, ç'ka të veçantë ky fëmijë, për të cilin po paguan më shumë në çerdhe, apo kopsht, sesa fëmijët e tjerë pas tij. Mendimet e shumta shkaktojnë stres, ndaj për të shmangur stresin ose siç i themi ne të diplomuarit në gazetari, për të evituar stresin, morëm masën e barazimit të pagesës.

Antena: Edhe për fëmijën e tretë vendosët pagesë, mora vesh. A do ketë mundësi një familje me tre fëmijë, që të paguajë...?

Arbër Mazniku: Familjet moderne, bëjnë asnjë, një, ose e shumta dy fëmijë. Ne jemi për modernizimin e familjeve, ndaj nuk ka kuptim në kohën që jetojmë, shqiptarët të bëjnë disa fëmijë.

Antena: Shumë faleminderit për sqarimet, shoku Arbër!

Arbër Mazniku: Nuk ka gjë! Dhe mos harroni të thoni "po", për atë që ka thënë shoku Erion! A nuk është më inteligjente që të ndërtojmë në lartësi...?

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: