“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Me televizionet, për të mos tallur lali Erin, merrem vetë

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Me televizionet, për të mos tallur lali Erin, merrem vetë
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Shpikësi Elon Musk do të fillojë të ndërtojë një satelit si Hëna. Themi lajm i mirë për disa arsye: E para, se tashmë romantikët do të kenë mundësi që të shikojnë ndriçimin e një tjetër Hënë, nëse nuk mund të shikojnë Hënën që kanë parë deri më tani. Ne si rubrikë që jemi kundër konflikteve, urojmë që çiftet mos të zihen me njëri-tjetrin. Se mund të ndodhë që njëri të shikojë një Hënë dhe tjetri të shikojë Hënën e krijuar nga shpikësi Musk. Një tjetër anë pozitive e këtij lajmi është se tashmë që do ndërtohet kjo Hëna e re, banorët e Tiranës do të kenë mundësi ta shikojnë atë, pavarësisht kullave që po ngrihen në kryeqytet dhe po zënë pamjen e maleve po e po, por tani edhe të arrijnë pak qiell që ka mbetur.

Me ç'morëm vesh nga ky shpikësi, Hëna e re do të jetë në pozicion vertikal mbi Tokën, e kjo do të bëjë që të shikohet nga kushdo që nuk ka probleme me qafën, mjafton që të ngrejë kokën lart.

E meqë ra llafi te Tirana. Shoku Erion Veliaj, para tre, apo dy ditësh, mori pjesë me garuzhde në dorë, në shpërndarjen e ushqimit për më të varfrit e kryeqytetit. Kjo ndodhi në një nga qendrat shoqërore, apo siç i themi neve në shqip, qendrat sociale.

Themi lajm i mirë, pasi siç e tha edhe shoku Erion në fjalën e vet, kjo qendër, më tepër se për të ngrënë, është kthyer në vend ku të vobektët "gjejnë një vesh që t'u dëgjojë hallin".

Edhe ne mendojmë se e rëndësishme për fukarenjtë është që halli i tyre të dëgjohet, pastaj të mbushin barkun. Ky i fundit, në fakt mbushet vetëm gjatë drekës, pasi qendrat në mëngjes dhe në darkë, nuk shërbejnë ushqim për këta njerëz.

Ne si rubrikë i dërguam Bashkisë një shkresë me numër 99/9. Në të, ne shkruam pyetjen: Përse nuk shërbehet ushqim për fukarenjtë edhe në mëngjes, edhe në darkë?

Pyetjes sonë iu përgjigj menjëherë, pa patur fatin që të prisnim 45 ditë, shoku Arbjan, Arbër Mazniku, nënkryetar i Bashkisë, i pazgjedhur, por i përzgjedhur nga vetë shoku Erion Veliaj.

Ai kërkoi që të shkonim ta takonim, për hir të tejdukshmërisë, apo siç vazhdojmë t'i themi neve në gazetari, transparencës me Median e (jo) Kazanit. Ne shkuam në godinën e Bashkisë, e biseduam me vetë shokun Arbjan:

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Arbjan!

Arbjan Mazniku: Nuk kam shumë kohë, se po merrem me punë dhe nuk do të qëndroj gjatë.

Antena: I paskeni duart me baltë. Ç'punë po bënit tani?

Arbjan Mazniku: Po pastroja lopatën që përdor lali Eri kur mbjell pemë. E kishte bërë pis. Ai s'para e bën pis, se nuk e ngul thellë, por siç duket do ketë qenë tokë shumë e butë.

Antena: Po pastronit lopatën e shokut Erion?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për ne. Lidhur me pyetjen që shkruam në letër, donim të dinim...

Arbjan Mazniku: Për vaktin e darkës nuk është shumë problem që të shërbehet për të vobektët, pasi ushqimi i mbrëmjes mezi tretet, e ai më shumë dëmton, sesa ndihmon te mirëshëndeti i njerëzve.

Antena: Përgëzime që shfrytëzoni çdo moment për punë, e nuk më lini të mbaroj as pyetjen.

Arbjan Mazniku: Boll kohë kam humbur në jetën time kur isha më i ri. Shkollën e lartë mezi e mbarova për shtatë vjet. Është koha për punë tani.

Antena: Meqë ra llafi te puna. Me ç'punë tjetër merreni në Bashki?

Arbjan Mazniku: Unë jam truri i saj. Jam si ai që lëviz fijet. E ke vënë re besoj që disa programe televizive me humor, nuk e vënë në lojë lali Erin?

Antena: Po, po, e kam vënë re një gjë të tillë dhe më është dukur çudi. Kjo nuk ka ndodhur kur Rama ishte kryetar i Bashkisë.

Arbjan Mazniku: E pra, me këto punë merrem unë. Kujdesem që asnjë program televiziv me humor, apo jo, të mos ma tallë shefin tim. Ndryshe, i gjen belaja. Asnjë tender, apo kullë nuk u japim.

Antena: Lidhur me vaktin e mëngjesit për të vobektit, deshëm të dinim. Përse mensat janë të mbyllura në orët e para të ditës?

Arbjan Mazniku: Sepse të varfrit çohen vonë nga gjumi, e nuk shkojnë të hanë fare mëngjes.

Antena: Kush ju ka thënë që çohen vonë nga gjumi?!

Arbjan Mazniku: Si kush?! Këtë e ka zbuluar më së pari Kryeministri ynë. Janë dembelë e nuk duan ta prishin herët gjumin, se nuk duan të shkojnë të gjejnë punë. Rrinë e presin të hanë drekën qyl...hi.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: