“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Ja ç'më ndodhi kur bojkotova prodhimet e oligarkëve!

Publicitet
Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Ja ç'më ndodhi kur bojkotova prodhimet e oligarkëve!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen me një lajm të mirë. Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur që pallatet poshtë digës së Liqenit Artificial, të vazhdojnë të ndërtohen.

Themi lajm i mirë, pasi tashmë rritet numri i njerëzve që do ta kenë afër Liqenin, të vetmen zonë me pemë e aq më tepër, që tani aty do të ndërtohet një zonë lundrimi me varka. Tani, shumë të pasur të vendit, do kenë mundësi që të jetojnë pranë kësaj zone. E meqë ra llafi te të pasurit. Këto ditë, shumë vetë hodhën idenë që njerëzit të heqin dorë nga blerja e mallrave dhe shërbimeve, që zotërohen nga oligarkët. Për këtë propozim, ne pyetëm analistin e rubrikës sonë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku analist! E keni marrë vesh besoj propozimin...

Analisti: Po, po e lexova. Mirë bëri që e propozoi tani, pasi edhe koha po hapet.

Antena: Më falni, shoku analist, por ç'lidhje ka koha, me propozimin?!

Analisti: Pas çdo propozimi vjen martesa. Nuk ka më mire se kjo gjë të bëhet në muajt e verës, që tashmë më duket se po vjen.

Antena: Më falni shoku analist, por unë e kisha llafin te propozimi që njerëzit të mos blejnë prodhimet dhe shërbimet e oligarkëve. Ju ç'me...?

Analisti: Kujtova se e kishe llafin te propozimi që i bëri ai këngëtari, të dashurës së tij. Unë merrem edhe me këto lloj lajmesh, aty ku punoj.

Antena: Ku jeni tani, se s'po ju dëgjoj mirë?

Analisti: Jam mbi një mushkë.

Antena: Mbi mushkë? Po ç'bëni mbi të?

Analisti: U nisa për në Tepelenë me të.

Antena: U nisët për në Tepelenë me mushkë?! Po ky qenka lajm i thënë eksluzivisht për mua. Po përse me mushkë, e jo me automjet.

Analisti: Meqë nuk doja që të përdorja karburant të sjellë dhe të shitur nga oligarkët, ndaj.

Antena: Kujdes se mos është mushkë xanxare dhe ju hedh gjëkundi!

Analisti: Kam tre ditë me të, jemi bërë miq tani dhe nuk më hedh. Ditën e parë më hodhi disa herë, por tani më mban plot kujdes vetë ajo, e jo unë. Ç'bëhet andej nga ju?

Antena: Të zakonshmet. Nuk keni radio, apo televizor që të shikoni se ç'bëhet?

Analisti: Jo, nuk kam. Nuk mora asnjë radio me vete, se shumicën e stacioneve të radiove, i kanë oligarkët. As televizor nuk kam parë, se stacionet televizive i kanë po ata.

Antena: Qenke rehat. Po për të ngrënë si ia bëni?

Analisti: Kam tre ditë që ha vetëm lakra. Nuk ha asnjë ushqim të blerë në dyqan, sepse shumicën e tyre i importojnë nga jashtë oligarkët.

Antena: Lum si ju, jeni bërë fin, jeni dobësuar. Po për të pirë, si ja keni bërë?

Analisti: Lëre mos ma kujto, se më është tharë buza për një pikë ujë.

Antena: Nuk keni gjetur ndonjë burim rrugës? Pini ujë lumi, siç pinim në fëmijëri, atëherë!

Analisti: Ku të gjej burim uji?! I kanë zëmë oligarkët, po i bëjnë hidrocentrale. Po më çahet hunda për një cigare. A kokë, a kokë që nuk e le duhanin!

Antena: Nuk keni marrë cigare me vete, kur u nisët për rrugë?

Analisti: I hodha poshtë, se edhe ato i sjellin nga jashtë oligarkët. Po pi bar.

Antena: Ju lutem, mos pini bar, se drogoheni!

Analisti: Nuk po pi bar nga ai që mendon ti, jo. Shkul bar të tharë dhe e ndez si cigare. Për letër përdor gjethe. Si thua, ta hedh poshtë?

Antena: Kë të hidhni poshtë?

Analisti: Më ka mbetur pak sallam në çantë. Të pyeta, a ta hedh poshtë meqë edhe mishin me të cilin bëhet sallami, e sjellin oligarkët. A ta hedh?

Antena: Nuk di çfarë t'ju them. Ju e dini vetë...

Analisti: Po të më shikosh, nuk do më njohësh fare. Më është bërë mjekra dy pëllëmbë.

Antena: Ju qenka rritur një pëllëmbë, nga ajo që e keni pasur më parë. Nuk keni ndonjë brisk me vete, që të rruheni?

Analisti: Kam, por nuk dua që ta përdor, se edhe brisqet në vendin tonë i sjell një oligarke. Mos u largo, mos ki frikë!

Antena: Nuk largohem, jo. Këtu jam.

Analisti: Nuk të thashë ty, mor jo. I thashë një qeni që m'u afrua. Iku me vrap, nga aroma e keqe që mbaj. As qentë nuk më afrohen.

Antena: Hidhni parfum, nëse keni me vete!

Analisti: Kam, por nuk dua që ta përdor, se edhe parfumet, një oligarke i sjell. Po më dhemb koka, po më plas.

Antena: Po përdorni ndonjë paracetamol, se mbase ju pushon!

Analisti: Ç'a thua o derman?! Në Shqipëri edhe paracetamolët, një oligark i ka...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: