Alex Seitaj: S’quhet përparim kur një kanibal mëson të përdorë thikë e pirun

Publicitet
Publicitet
Alex Seitaj: S’quhet përparim kur një kanibal mëson të përdorë thikë e pirun
Intervista/ Flet për Albanian Free Press, aktori i ri i talentuar, Alex Seitaj: Muzika është pëlqim për mua, kurse aktrimi është dashuri absolute

Aktori i talentuar Alex Seitaj vjen në këtë intervistë shumë të sinqertë dhe ekskluzive, me shpirt të hapur, mendje e vizion të guximshëm, ide të qarta mbi veten dhe atë që do e pëlqen, me dilemat e një të riu në karrierë, me shijen e hidhur të një vendi në tranzicion, ku arti, në këtë rast aktrimi, është një pasion por edhe një shpëtim.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Pse zgjodhe të jesh aktor? Si erdhi ky pasion tek ti?

Ka ndodhur në shkollën e mesme. Deri atëherë nuk e kisha imagjinuar që do të merresha me art. Ndodhi deri diku aksidentalisht dhe që në momentin e parë, kuptova që kisha rënë në dashuri me këtë profesion. Çuditërisht, herën e parë, më shumë më ka pëlqyer puna, analiza dhe eksperimentet që kemi bërë me personazhin, sesa vetë shfaqja apo duartrokitja e publikut. Shfaqja është derivati i një periudhë të gjatë pune dhe mua, pikërisht kjo periudhë pune më bëri për vete.

Nga fëmijëria jote, kur ndalesh, cilat janë kujtimet që të bëjnë të qeshësh dhe ato që të bëjnë melankolik?

Kujtimet më të bukura janë me familjen time, mbaj mend që tezja ime kishte një bibliotekë gjigante dhe kur më lejonte të merrja librat e saj, më dukej sikur kisha fituar lotarinë. Që i vogël kisha krijuar një personalitet të veçantë, mendjehapur dhe individualist, gjë që nuk u prit mirë në ambientet sociale si kopshti. Aty besoj, ishte hera e parë që u përballa me faktin që shoqëria nuk është fushë me lule dhe jo çdokush është miku yt.

Mes teatrit dhe filmit, ku anon më shumë dëshira jote?

Do të zgjidhja teatrin, për vërtetësinë ndjesore që ka. Por duke njohur tipin tim perfeksionist, filmi të jep mundësi të përpiqesh deri në momentin që nxjerr më të mirën tënde. Plus ka një audiencë më të madhe se teatri.

Në një moment të jetës tënde dhe karrierës, ja behu muzika. Pse nuk fitoi ajo ndaj aktrimit?

Muzika është pëlqim për mua, kurse aktrimi është dashuri absolute. Megjithatë më pëlqen fakti që muzika nuk më kushtëzon. Nëse do të isha këngëtar, do më duhej të nxirrja disa këngë në vit, por unë jam aktor kështu që më mjafton të bëj këngë për qejf, një herë në disa vjet, ashtu si unë dua.

Çfarë zhanri muzikor pëlqen dhe vetë ti, çfarë muzike dëgjon?

Më pëlqen muzika e mirë, çdo zhanër qoftë. Pastaj varet edhe nga gjendja ime emocionale. Disa herë më pëlqen të dëgjoj këngë të komplikuara me tekste poetike e disa herë të tjera më pëlqen të dëgjoj këngë të thjeshta me tekste idiote por të lezetshme.

Si i zgjedh miqtë që mban afër?

Pak e saktë, shprehja e bukur popullore. Më pëlqen të shoqërohem me njerëz mendje hapur, individualistë, që kanë mendime personale e jo të marra borxh. Nuk është e thënë të pëlqejmë të njëjtat gjëra apo të jemi dakord në çdo aspekt. Më pëlqejnë njerëzit që kanë jetën e tyre që ndoshta nuk ka lidhje me time. Njerëzit mendjembyllur dhe mediokër nuk hyjnë në pëlqimet e mia.

Je ironik më shumë apo autoironik?

Nuk kam qenë ndonjëherë i dhunshëm, kështu që e vetmja armë që më mbetej ishte ironia dhe sarkazma. Disa herë më thonë që kam "gjuhë të helmuar" por më beso, para se të thumboj të tjerët, i bëj njëherë një dush ironie vetes sime sigurisht.

Nga ato pak informacione që jep përmes rrjeteve sociale, pashë që je dhe kritik dhe ndjekës i zhvillimeve. Sot që bisedojmë, si është Shqipëria për ty?

Është pak si pa qejf, do të thosha. Vazhdojmë të jetojmë në një vend ku njerëzit mendojnë "komunistçe". Ku politikanët kanë fuqi absolute. Është në leverdi të qeveritarëve që shoqëria shqiptare të mbetet injorante dhe në këtë epokë informacioni, është e dhimbshme të shohësh se si vazhdojmë të mendojmë të njëjtat gjëra si më parë. Nuk mund të quhet përparim kur një kanibal mëson të përdorë thikë dhe pirun. Dhe fatkeqësisht duhet të them që kemi ende shumë rrugë për të bërë.

Do të zgjidhje të vazhdoje karrierën jashtë, pas një propozimi të mirë?

Sigurisht që po. Në fund të fundit mbetem aktor, një njeri i thjeshtë. Nuk jam shpëtimtari i madh që do "flijohet" për të ndryshuar gjërat. Un mbaj përgjegjësi vetëm për veten time, jo për gjithë popullin shqiptar.

Është e lehtë të thyesh mentalitetin shqiptar? Ti vetë ke tabu ose paragjykime?

Jo nuk është e lehtë. Unë jam përpjekur me artin tim jo të thyej mentalitetin, por ta përdor si një pikë mbështetje për ata shqiptarë, që si unë, nuk janë pjesë e këtij mentaliteti. Sigurisht që edhe unë kam tabu dhe paragjykime. Por përpara se të hap gojën dhe të akuzoj apo të lëndoj njerëz, përpiqem të shoh jo vetëm nga këndvështrimi im. Të punoj me veten për të pare se mbase mund ta kem edhe unë gabim. Thonë që liria e mendjes është të vësh në pikëpyetje edhe gjërat që ti beson verbërisht.

E shikon përsëri si mundësi pjesëmarrjen në një festival kënge?

Jo. Pjesëmarrjet e mia tek "Kënga Magjike" kane qenë thjesht një mundësi promovimi. Tani nuk kam më nevojë për këtë gjë fatmirësisht. Nëse dua të bëj një projekt muzikor, thjesht e ndaj direkt me fansat e mi që do të dinë ta kuptojnë dhe ta pëlqejnë.

Për ty që je jashtë gardheve, nuk të duket izoluese një festival?

Do të gënjeja, të thosha që tek "Kënga Magjike" nuk kam pasur liri. Përkundrazi, idetë e mia aspak konvencionale janë përkrahur dhe vlerësuar.  Por që në fund të fundit, mbetet një festival, një mish-mash me këngë të çdo rryme dhe cilësie. Nejse, të paktën e kemi dhe këtë.

Përsa i përket një tjetër pasioni që ke, të shkruarën, qoftë në seriale qoftë në tekste, mendon se një ditë do të shkruash dramë ose komedi, ose edhe një skenar filmi të mirëfilltë?

Kam shkruar shumë prej tyre. Por disa nuk janë për publikun shqiptar e disa të tjera duan fonde për t’u realizuar. Do më pëlqente të realizoja një serial te zhanrit "fantazi" që kam shkruar, por besoj që edhe për atë do pak kohë. Në Shqipëri shprehja "s'bëhet dot" është tepër e përdorur, por kjo nuk më ka ndalur ndonjëherë.

Ambienti që të rrethon të furnizon me ide?

Ne shqiptarëve mund të na mungojnë shumë gjëra, por fatmirësisht ka shumë burime frymëzimi. Jemi një popull i vuajtur dhe i vjetër, të mbushur me histori dhe ngjarje që janë flori për çdo krijues. Por fatmirësisht edhe jeta ime nuk ka qenë asnjëherë e mërzitshme dhe ngjarjet që mua personalisht më kanë ndodhur, janë frymëzimi i shumë prej krijimeve që unë bëj.

Më tregon një ves dhe një virtyt që ke?

Vesi më i keq që po përpiqem ta mënjanoj është duhani, kurse virtyti besoj është fakti që respektoj çdo qenie njerëzore. Jo se është mashkull, femër, i varfër, i pasur por thjesht sepse është njeri.

Nuk po të pyes për vajzat, e as për dashurinë, por po të pyes se çfarë mendon ti se pëlqehet tek ti, pra ajo që ngjit tek të tjerët?

Nuk po e fut fare anën profesionale. Besoj personaliteti im i veçante është pjesa që bën shumë njerëz të më kenë qejf apo inat. Gjithsesi për personat e afërm kam një instikt mbrojtës shumë të fuqishëm. Nuk dua që njerëzit që dua të lëndohen.

Këto kohë pranvere, ku kullot fantazia jote?

E dashuroj stinën e pranverës edhe pse jam alergjik. Automatikisht edhe krijimtaria ime bëhet më e çiltër dhe pozitive. Kështu që besoj fantazia dhe mendja ime kullot në fusha mirënjohjeje, rizgjimi. Është koha të lemë mbrapa tonet gotike të dimrit dhe të shohim ngjyrat e romancës së pranverës.

Më tregon dot një plan që ke në duar?

Është një projekt muzikor, personal që nuk ka shumë që ka lindur. Është shumë i rëndësishëm për mua dhe kam nisur punën për ta realizuar, që më pas ta bëj publik për të gjitha ata që duan ta dëgjojnë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: