Alarmi: Pas një dekade, në Shqipëri do të mungojë uji!

Alarmi: Pas një dekade, në Shqipëri do të mungojë uji!
Strategjia Kombëtare e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, 2018-2027 paralajmëron për situatën e pritshme

Shqipëria sot është një vend me burime të mjaftueshme ujore. Por duhet patur kujdes, sepse kjo situatë mund të ndryshojë me kalimin e viteve, duke bërë që pas një dekade, në territorin e saj të mungojë uji. Ky alarm jepet nga ekspertët e qeverisë në Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, 2018-2027. Dokument ky, i cili jep në mënyrë të detajuar fakte sesi për shkak të ndryshimeve klimatike, por edhe të shtimit të numrit të popullsisë, për disa vite, Shqipëria të përballet me një mungesë serioze të ujit të pijshëm.

“Për më tepër, që 1/3-ta e burimeve ujore është nga vendet fqinje dhe e bën disponimin e tyre të pasigurt në vitet që vijnë”, sqarojnë ekspertët e qeverisë lidhur me një fakt të tillë. “Por të mos harrojmë as faktin se 626 digat në rang vendi, vlerësohet se 410 prej tyre kanë dëme të konsiderueshme teknike. Dhe nëse nuk riparohen, ato mund të shkaktojnë dëme në lëshimin e ujit, si edhe në vaditje”, është një alarm tjetër që ngrejnë ekspertët, duke e kthyer kështu vëmendjen tek një element mjaft i rëndësishëm, me të cilin lidhen edhe përmbytjet e mëdha të viteve të fundit. Lidhur me to, ata parashikojnë gjithashtu një shtim të madh të tyre, e kjo, edhe falë keqmenaxhimit të mirëmbajtjes së territorit.

“Sa u përket ndryshimeve klimaterike, parashikohet se brenda një dekade, prurjet e ujit do të bien deri në nivelin prej 20% në basenet e Drinit, Matit dhe Vjosës”, thuhet më tej në dokumentin e qeverisë. Duke apeluar kështu, për një pakësim të ujit dhe rrjedhimisht, edhe kursim të tij, ndryshe nga sa është bërë deri më tani. “Rrjedha e mbetur e ujit gjatë stinës së verës, për pak vite do të jetë 2-4 herë më e pakët, çka do të vërë në rrezik edhe rrjedhën natyrore hidro-dinamike të ujit”, cilësojnë gjithashtu ekspertët.

20%

Është niveli maksimal që parashikohet për rënien e prurjeve të ujit në basenet e Drinit, Matit dhe Vjosës, gjatë viteve të ardhshme, duke ndikuar kështu në pakësimin e burimeve ujore të Shqipërisë

Gjatë 10 viteve të ardhshme, Shqipërisë i duhet të financojë mbi 1.6 miliardë euro për siguruar ujë të pijshëm për popullatën, bujqësinë dhe industrinë. Ku 50% e kësaj shume duhet investuar vetëm në pesë vitet e para. Ndërsa për të përballuar përmbytjet duhen 49 milionë euro; për ngritjen e kapaciteteve administruese, 64 milionë euro të tjera; kurse për cilësinë e ujit, 24 milionë euro.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: