3 VITE PA MET BEGËN/ Matilda Bega: Pushtetarët s’firmosnin pensionin, erdhën të shkruanin në librin e ngushëllimeve

3 VITE PA MET BEGËN/ Matilda Bega: Pushtetarët s’firmosnin pensionin, erdhën të shkruanin në librin e ngushëllimeve
Flet bija e aktorit të madh të humorit, Met Bega në tre vjetorin e ndarjes së tij nga jeta: “Ai bënte shumë për të tjerët, për këdo që mund t’i kërkonte një favor, qoftë edhe pa e njohur fare personin dhe në shkëmbim të asgjëje, i mjaftonte një ‘faleminderit’!”

Për të gjithë brezin tim, por edhe për më të rinjtë, Met Bega do të mbetet aktori i humorit, me humor e për humorin që nga roli i tij i parë në filmin “Dy herë mat” në vitin 1986 e në vijim me role të tjera te spikatura. Meti i dhjetëra roleve karakter, që e nisi me filma të suksesshëm, me role episodikë ose të dytë, por që mbetën në kujtesën e të gjithëve, si role të spikatura dhe që na bëjnë t’u rikthehemi sërish atyre filmave, pa ndjerë monotoni. Në një vend si ky yni, me shumë halle të pazgjidhura ende, Met Bega mbajti ndezur sensin e të qeshurit dhe ironisë e autoironisë, por duke prekur tema sociale ose vese e dobësi të shoqërisë tonë, gjithmonë me delikatesë e duke respektuar tabanin kombëtar. Ishte polici, fshatari, hokatari, gangsteri, pijaneci e shumë karaktere të tjera që janë mes nesh edhe sot. Riktheu fuqishëm e me sukses skeçet, në binom me aktoren e mirënjohur Mariana Kondi e disa aktorë të tjerë, si një rifreskim i skeçeve të estradës tipike shqiptare. Në moshë ende aktive për të na sjell të tjera role të bukura, nga një sëmundje tradhtare, më 21 prill të vitit 2015 u nda nga jeta, me lavde të sinqerta nga publiku që e deshi dhe e ndoqi me fanatizëm, por edhe me lavde konjukturale nga institucionet, të cilat e braktisën, edhe pse i kishte dhënë artit dhe humorit plot 40 vite nga jeta e tij. Askush më mirë se e bija e tij, debolesa e tij, nuk mund ta kujtonte aktorin e madh në këtë trevjetor të ndarjes së tij nga jeta përmes këtij rrëfimi posaçërisht për Albanian Free Press. Gërvishta një plagë të hapur, por duke qenë se kam pasur privilegjin ta njoh vetë e të bashkëpunoj me të, ishte një detyrim për mua që sot figura e tij të vinte sa më reale e mundshme.  

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Lexova një meditim të ndjerë nga ty, jam nënë me dy fëmijë por jam vajza e Met Begës...ma përshkruaj krenarinë tënde

Besoj se krenaria për babain tim do të më shoqërojë deri në fund të jetës sime, kjo është pak por e sigurt. Kudo ku shkoj, kudo ku jam, dëgjoj refrenin më të bukur të jetës teksa më thonë: Më duket ju jeni vajza e të madhit Met Bega. Kaq mjafton që mua të më vijë direkt buzëqeshja, teksa u them, po po unë jam. Po prej disa vitesh kanë filluar t’u thonë edhe dy fëmijëve të mi, Rea dhe Geldi, këta janë nipi dhe mbesa e Metit, apo i pyesin a i ngjani gjyshit, a do të bëheni si gjyshi??

Si na kanë mësuar, aktrimi në humor është shumë i vështirë se në dramë. Pse shkëlqeu babai yt, sipas mendimit tënd?

Aktrimi ne humor, edhe në këndvështrimin tim, është më i vështiri, sigurisht që më e vështirë është të bësh njerëzit të qeshin dhe jo të qajnë. Aktorët e humorit janë kolosë të mendjes kudo në botë por këtu tek ne pak vlerësohen.

Mendoj se babai im vlerësohej shumë nga të gjithë dhe shkëlqeu në zhanrin e tij, pasi ai shkruante vetë edhe tekstet e materialeve të tij, pra ishte vetë autor.

Një aktor, një artist, fundja vlen aq sa popullaritet ka. Pse mendon se e deshën aq shumë njerëzit e thjeshtë?

Në monologët apo dialogët e tij ai arrinte të bënte humor me tematikat më të mprehta që shqetësonin popullin, në kohën kur ai ishte në skenë, dhe arrinte t’u sillte pak buzëqeshje edhe atyre njerëzve që ishin plot me halle. Ai bënte shumë për të tjerët, për këdo që mund t’i kërkonte një favor, qoftë edhe pa e njohur fare personin  dhe në shkëmbim të asgjëje, i mjaftonte një ‘faleminderit’.

Kam pasur fatin ta njoh personalisht ikonën e humorit shqiptar. Ishte një tirons babaxhan. Ashtu ishte edhe në familje?

Këtu me këtë pyetje ke prekur një tel shumë sensibël të familjes sonë, ne jemi të tërë tironca babaxhanë, madje edhe mamaja ime, e cila është nga Vlora thotë, jam tironce. Të qenit tironce për mua do të thotë shumë, e them me mburrje kudo ku shkoj “jam tironce 200 karat”. Babai në familje ishe shumë babaxhan ashtu si jashtë saj, tek ai ne të dy, unë edhe im vëlla, Rezarti, i cili punon sot si pedagog në “George Toën University” në SHBA, gjenim mbështetje totale. Në tërë jetën e tij ai asnjëherë nuk ka ngritur zërin me ne të dy dhe jo më shumë. Ka qenë shumë tolerant me ne, shumë i ndjeshëm, shumë i dashur, shumë bujar, të gjitha me shumë, ashtu siç janë tironcit babaxhanë, në fakt.

Si ka qenë fëmijëria jote pranë tij?

Fëmijëria ime ka qenë shumë e lumtur dhe e bukur, e rritur në një lagje tipike tiranase ku të gjithë njihnin të gjithë dhe ku unë isha e përkëdhelura e të gjithëve sepse isha goca e Metit, që i sillte humorin të gjithëve. Edhe sot që kam ndërruar banesë, mundohem që herë pas here të kaloj tek lagja e vjetër, tek Mëhalla e Shebegeve, mëhallë në të cilën kalova 23 vjet të jetës sime. Ato rrugica më duket sikur mbajnë emrin dhe kujtimet e babait tim edhe sot.

Tani që je nënë dhe intelektuale, kur ulesh e kujton, çfarë të vjen menjëherë në mendje?

Në mendjen time direkt me emrin e babait më vijnë njerëzit që flasin për të me superlativa, të gjithë, si ata që janë dikushi në jetë dhe kanë emër dhe famë, si ata njerëzit e thjeshtë, bashkëqytetarët e babait tim.

Të pyesin fëmijët për gjyshin e tyre aq të famshëm e të talentuar?

Më pyesin shumë shpesh, e para, në shtëpinë time kam disa foto të babait në kornizë, dhe e dyta, më pyesin sepse përveçse ua thonë të tjerët që kanë pasur një gjysh model, e shohin edhe në tTV, e shohin në emisione satirike të ndryshme ku batutat e tij i përdorin si xhingëll, kënaqen teksa u tregoj për gjyshin e tyre dhe teksa shohin ndonjë film apo humor të tij në YouTube. Madje im bir Geldi që është 6 vjeç, një ylli në qiell që shkëlqen më shumë se të tërë i ka vënë emrin “gjyshi Meti” dhe e përshëndet çdo natë para se të flejë.

Met Bega pati disa role në filma por të gjithë të goditur. Ai kapte karakterin, e përshkruante me figurë e zë dhe të gjithë e donim. Sa i mungon kjo gjë sot humorit shqiptar?

Mendoj se sot kjo gjë i mungon humorit shqiptar, edhe pse nuk mund të mohoj faktin se ka shumë artistë të talentuar por jo të kalibrit të brezit të humoristëve të babait tim, batutat me fjalë banale tashmë janë kthyer në kryefjalë të humorit shqiptar .

3 vite pa Met Begën. Çfarë mendon se i ka lënë trashëgimi aktrimit dhe humorit shqiptar?

Mendoj se i ka lënë artin e tij të thjeshtë por plot talent dhe pasion, art që depërtonte tek të tërë dhe çonte mesazhin që duhej, edhe pse nëpërmjet humorit apo në ndonjë rast, sarkazmës me fenomenet e shoqërisë shqiptare. Të besh monologë apo koncerte recitale personale, siç bënte im atë mendoj se janë të paktë ata që i bëjnë, besoj se Met Bega vuri themelet e asaj që sot quhet “one man show”.

Nuk pati një periudhë të fundit të lehtë, pasi sëmundja ishte në progres. Por institucionet e harruan njeriun që na bënte të harronim hallet me humorin e tij. Pas tre vitesh, tashmë që punon në një televizion kombëtar, a e has përsëri këtë harresë institucionale?

Unë kam 10 vite që punoj në televizionin kombëtar Top Channel” në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke qenë se punoj në televizion e kam ndjekur nga afër kalvarin e gjatë të vuajtjeve të babait në rrugët institucionale, pasi pas 40 vitesh karrierë ai u la në harresë nga shteti, pasi u sëmur me parkinson, sëmundje që e shkëputi para kohe nga jeta dhe nga skena. Ai nuk u harrua vetëm nga institucionet, ai u harrua edhe nga miqtë e tij të cilët papritur u dukën në ceremoninë e varrimit, në homazhe dhanë intervista ashtu siç ndodh rëndom në Shqipëri. Ata pushtetarë që nuk i firmosnin një titull apo pension të veçantë për kontributin e tij, në homazhe erdhën, madje edhe vunë shënime në librin e ngushëllimeve, m’u kujtua shprehja “vdis pa të të dua”. Megjithatë çdo ditë e më tepër mendoj se artisti nuk njeh vdekje, ai jeton me artin e tij, ashtu siç im atë do të jetojë përherë edhe pas shumë brezash.

Çfarë do të thotë pra të jesh e bija e Met Begës? Çfarë testamenti artistik e njerëzor të ka lënë ai?

Të jesh e bija e Met Begës do të thotë gjithçka, nuk gjej dot fjalë në fjalorin e gjuhës shqipe që ta përshkruaj këtë ndjesi, jam krenare që jam dhe do jem edhe kur të plakem e të jem në pension, një pensioniste tironce që baba kam Met Begën. Testamenti  i tij është puna dhe vetëm puna, me punën e tij ai arriti aty ku donte, po ashtu besimin në Zot, humanizmin dhe bujarinë, ai mundohej të na e përcillte edhe ne fëmijëve të tij. Në 3 vjetorin e vdekjes së tij më duket sikur ai është më pranë meje, sikur më ndjek në çdo ditë timen, ndjej prezencën e tij kudo, edhe kur jam keq, madje shumë shpesh e shoh në ëndërr dhe kënaqem shume sepse më duket sikur më heq mallin që ndjej për të. Do të doja shumë të ishte gjallë, ashtu sëmurë siç ishte, por të ishte gjallë të më fliste ashtu butë dhe ëmbël, me ata sytë që i ndrinin ashtu siç vetëm ai dinte të bënte.....

Çmimet

Aktori Met Bega është nderuar me disa çmime në karrierën e tij, ai më i fundit, i akorduar nga Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi në vitin 2010,  ishte Urdhëri “Naim Frashëri” i Artë me motivacionin: “Për interpretim me nivel të lartë artistik, si në skenë ashtu edhe në kinematografi.”

Rolet në filma

“Edhe ashtu edhe kështu”-1989

“Stolat në park”-1988

“Tela për violinë”-1987

“Dy herë mat”-1986

Biografi

Met Bega lindi më 7 gusht 1946 në Tiranë dhe për 40 vite ju kushtua artit dhe skenës shqiptare. Pjesën më të madhe të karrierës së tij Met Bega e kaloi në Estradën e Tiranës ndërsa debutimin e tij të parë e shënoi në skenën amatore të shkollës dhe artit në Teatrin e Tiranës. Pas aktivitetit me filmin artistik me metrazh të gjatë e të shkurtër si dhe në filma televizivë, Met Bega u bë pjesë e një formati humoristik në televizionin “Tirana Tv” si dhe interpretoi shumë role në spektakle të humorit, vente artistike dhe festivale, brenda e jashtë vendit.

Vlerësimi i kolegëve

Luftar Paja: “Ishte një artist me një plastikë të shkëlqyer, një artist që e donte humorin, e donte vente spektatori, sidomos spektatori i Shqipërisë së Mesme që ishte i dashuruar pas Met Begës. Ditën që vdesin njerëzit ne u thurim lavditë e dynjasë, ndërsa sa janë gjallë i kalojmë në mënyrë të rëndomtë. Ndaj nuk më vjen mirë që nuk kishte pse të mbetej i harruar Met Bega e të tjerë aktorë si ai.”

Marjana Kondi: “Kanë qenë vetëm dy vite në skenë me Met Begën por dy vite me shumë role që mbahen mend nga të gjithë. Meti e meritonte miqësinë sepse ishte një njeri shumë korrekt, Një njeri shumë i dashur. Met Bega shkruante vetë pjesët që interpretonte, edhe pasi nuk interpretonte më vetë, kur rrinim bashkë, ai merrte lapsin e letrën dhe shkruante diçka të re e më thoshte se unë mund ta interpretoja në spektaklet e humorit ku dilja në skenë. Ai ishte një njeri shumë familjar, do e quaja një familjar i shkëlqyer, bënte shumë humor edhe në jetën e përditshme. Meti ka pasur një natyrë shumë sociale, edhe kur shkruante për politikën shkruante me shumë finesë, mënyra se si shkruante i godiste të dyja palët, por me shumë lezet, me humor e kulturë. Ishte shumë fin. Këta aktorë që ikën, janë specie që nuk i vinë më shoqërisë tonë.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: