10 SULMET E SAMIR TAHIRIT – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

10 SULMET E SAMIR TAHIRIT – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Më gjuhë të kujdesshme dhe përmes fjalëve me nënkuptim, Saimir Tahiri po tregon se, nuk është thjesht ish-ministri i Brendshëm, që hyri në histori si më jetëgjati në detyrë pas vitit 1990, por di të japë mesazhe sipas një mënyre kripto, e denjë për godinën e rëndë që e drejtoi për 3 vjet e 8 muaj. Që nga 19 tetori i vitit 2017 kur bëri deklaratën e parë, e deri më sot, çdo shqiptar e dëgjon ndryshe, por e kupton ndryshe atë që ai thotë. Dhe ka të drejtë. Janë të paktën 10 deklarata publike të bëra prej tij që, në fakt, e kanë trazuar shumicën, por edhe të gjithë politikën shqiptare, me nënkuptimet që lënë pas.

Ti marrim me radhë.

DEKLARATA 1

“Nuk kam gjë për të thënë. Nuk keni parë gjë akoma”.

(Deklaratë e bërë për gazetarët më 19 tetor 2017, pasi doli nga shtëpia e tij te Kodra e Diellit, në çastin kur prokuroria i kërkoi Parlamentit heqjen e mandatit të tij dhe lejen për arrestimin).

Janë dy fjali, të dyja mohore, që në fakt kundërshtojnë njëra-tjetrën. E para që, sipas Saimir Tahirit, ai nuk ka gjë për të thënë dhe e dyta duke deklaruar se, “nuk keni parë gjë akoma”, rezulton dhe do të thotë që, ka shumë për të thënë. Fraza “nuk keni parë gjë akoma”, e dalë nga goja e kryeministrit Rama në Parlament në vitin 2013, kur sapo kishte marrë mandatin e parë qeverisës, u bë e famshme, sepse opozita e mori si kërcënim. Në rastin që Tahiri e artikuloi, shumëkush e mori dhe ka të drejtë ta marrë si kërcënim të Tahirit për Ramën. Një kërcënim që nënkuptonte se, nëse procesi ndaj tij do shoqërohej me arrestim, Tahiri do nxirrte sekrete të marrëdhënies së tij me kryeministrin dhe më shumë se kaq, sekrete të Ramës që do ta vendosnin pozitën e tij në vështirësi.

 

DEKLARATA 2

“Unë besoj që ju jeni të gjithë të qartë, se ishit aty bashkë me mua dhe e dëgjuat me veshët tuaj. Por gjithsesi, le të presim deri në momentin e fundit, kurdo qoftë momenti i fundit, pa lënë asnjë hallkë, për të bërë drejtësi deri në fund. Unë ju thashë nuk keni parë gjë akoma, po ua them prapë; nuk keni parë gjë akoma”.

(Deklaratë e bërë më 20 tetor 2017, pasi doli nga mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve te kryesia e Kuvendit, teksa një turmë simpatizantësh e prisnin përpara kësaj godine.)

Për të dytën herë, Saimir Tahiri artikulon frazën “nuk keni parë gjë akoma. Statusi i tij juridik në këtë moment, duket i rënduar dhe opinioni është i bindur se ai do arrestohet, ndërkohë që Saimir Tahiri vetë, duket i vendosur për të sinjalizuar kërcënimet me fjalët, “nuk keni parë gjë akoma”. Nuk kishin kaluar 24 orë dhe ai e përdori këtë për herë të dytë.

 

DEKLARATA 3

“Unë jua thashë, bëni durim, siç po bëj unë durim. Unë barrën e kam shumë më të madhe se ju, por bëni durim! E vërteta nuk do vonojë shumë, unë nuk do lë rast pa zbardhur gjithë të vërtetën! Unë do jem i kënaqur, derisa e vërteta të dalë përballë gjithë shqiptarëve”.

(Deklaratë e bërë më 20 tetor 2017, pasi doli nga mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve te kryesia e Kuvendit, teksa një turmë simpatizantësh e prisnin përpara kësaj godine)

Në të njëjtin moment, ai flet për zbardhjen e të vërtetës. Por cila është e vërteta? Derisa Parlamenti po i hap rrugën një hetimi, e vërteta është vetëm ajo e drejtësisë dhe jo ajo çka kërkon ai që akuzohet. Prandaj edhe deshifrimi i deklaratës, është vazhdimi i dy deklaratave të mësipërme. Pra, e vërteta e Tahirit është vazhdim i deklaratës “nuk keni parë gjë akoma”. Kërcënimi ndaj Ramës, vazhdon.

 

DEKLARATA 4

“Unë do bëj luftën time, edhe ndaj gjyqit juridik dhe ndaj gjyqit politik e publik. Banda e kriminelëve të arrestuar, është amatore, krahasuar me bandën politike që ka sajuar gjithë këtë. Ka disa ditë që ndaj meje, bëhet paralelisht gjyqi juridik, me një kërkesë të prokurorisë që ka për qëllim arrestimin tim dhe gjyqi politik e publik, ku politikanë, deputetë, analistë, gazetarë, kanë marrë një pushkë e hedhin baltë mbi mua duke më bërë herë fajtor ose herë viktimë. Sepse për mua sot, nuk ka rëndësi asnjë debat politik i çfarëdolloj. Për mua ka rëndësi vetëm një gjë, e vërteta. E për çmimin e të vërtetës, jam i gatshëm të paguaj gjithçka jam e kam. As dua të ma fali kush të drejtën time, as dua të jem peng i askujt për të vërtetën që dua ta gjej vetë, pa ndihmë e pa mbështetje politike të cilësdo lloji. Unë tashmë jam një qytetar, pa asnjë pushtet. E si i tillë, brenda 48 orëve, sigurova këtë përgjigje nga Prokuroria e Katanias. Prokuroria e Katanias që ka hetuar 4 vjet një grup kriminal, e thotë shumë qartë, që nuk ka asnjë lidhje me mua. E kur është kështu, si ka mundësi që prokuroria jonë, brenda 48 orëve, me letra që i morën në redaksi gazetash, kërkuan arrestimin tim? Por ju siguroj se, cilado bandë kriminelësh qoftë, jo më kjo për të cilën flasim, ngjan tërësisht amatore, krahasuar me bandën që ka orkestruar këtë histori, duke hedhur nga zyra partie e redaksi lajmesh, bomba për publikun, fijet e së cilës sigurisht, lëvizin edhe leva të tëra institucionesh, që sot nuk janë betuar para ligjit, por para pushtetit politik. Unë i kuptoj qëllimet e gjithsecilit, por unë nuk do bëj asnjë ditë luftë politike për këtë çështje. Kam kërkuar mos fshihen as pas partisë, as pas imunitetit tim, as pas pushtetit, as pas ndereve e marrëveshjeve politike të cilitdo lloji”.

(Deklaratë në Facebook më 24 tetor 2017).

Është një deklaratë e gjatë shteruese dhe sqaruese, për atë situatë që ai ndodhet. Por fraza, “banda e kriminelëve është amatore përballë bandës politike”, është një bombë e lëshuar prej tij. Për kë e ka fjalën Tahiri? Cilët janë politikanët, pjesë e bandës politike? Tahiri vazhdon me kërcënim ndaj të vërtetës, por ai këtu bën edhe një betim, duke shkruar se do bëjë gjithçka për të mos mbetur peng i dikujt. Dhe përfundimisht, tërheqja që Rama bëri në Kuvend, duke mos ia hequr imunitetin, konfirmojnë kërcënimet e Tahirit ndaj tij.

 

DEKLARATA 5

“Kjo është një mollë. Disa njerëz mund t’ju thonë se është banane. Ata mund të bërtasin banane, banane, banane, pa pushim. Ata mund ta shkruajnë këtë fjalë më germa të mëdha BANANE. Ti edhe mund të fillosh të besosh se, kjo është banane. Por ajo nuk është banane. Kjo është vetëm mollë. Mbi të gjitha faktet”.

(Status në Facebook më 30 tetor 2017, në ditëlindjen e tij).

Ditën e ditëlindjes, Saimir Tahiri ka zgjedhur një nga sloganet e famshme të televizionit CNN, për të falënderuar ata që e uruan. Në fakt, ai, edhe në këtë rast, ka artikuluar në formë të koduar se, cili është mendimi i tij ndaj asaj që po ndodh rreth tij. Fjalët se, më të rëndësishme se asgjë tjetër janë faktet, për Tahirin është një mesazh që ia dërgon politikanëve. Natyrisht, kryeministrit Rama më së shumti, që edhe pse u tërhoq nga imunitetit i Tahirit, duket se do ta lëshojë vartësin e vet në një moment që do vihet nën presion ndërkombëtar.

 

DEKLARATA 6

“Çdo ditë e vështirë e këtij viti, është një mundësi më shumë për vitin tjetër. Faleminderit nga zemra të gjithëve dhe forca për vitin që vjen! Ka ende rrugë përpara”.

(Deklaratë urim e bërë në Facebook më 31 dhjetor 2017).

Kur të gjithë uronin gëzuar vitin e ri, Saimir Tahiri uronte në formën e tij. Nëpërmjet statusit në facebook, ai e shikon vitin 2018, si një zgjidhje duke përdorur si në një lojë sporti fjalën forca. Rruga përpara është ajo që ai shpreson dhe beson.

 

DEKLARATA 7

“Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë askush që nuk mund ose mund të më pengojë në rrugën time, për të bërë drejtësi. Nuk e besoj që do ketë bir nëne dhe bir kurve, që do të më pengojë”.

(Deklaratë për gazetarët 19 prill 2018, pas daljes nga Parlamenti)

Kur gati ishte harruar, Saimir Tahiri zgjodhi seancën e 19 prillit të ishte i pranishëm në Parlament. Kjo ishte edhe dita që skadonte qëndrimi i tij 6-mujor, pa shkuar në Parlament. Por edhe pse kishte kërkuar fjalën, ai nuk e mori atë. Seanca u shoqërua edhe me një incident, kur ish-kryeministri Berisha, e filmoi praninë e tij në seancë dhe, pothuajse gjithë grupi parlamentar i PD-së, kërkoi nxjerrjen tij jashtë dhe arrestimin. Në dalje të Parlamentit, Tahiri u tha gazetarëve mes të tjerave, një frazë që u bë sërish lajm i parë në media. Duke përdorur fjalët: “s’ka bir nëne dhe bir kurve, të më ndalë për të vërtetën!”, ai përsëriti atë që Rama kishte thënë kur vetë ishte në hetim në vitin 2002. Padyshim, nuk ka naivë që të mos e marrin këtë si një lidhje dhe një kërcënim. Por gjithçka më pas, u duk sikur u sfumua.

 

DEKLARATA 8

“Kur gjyqin ta bën djalli... Ky që fshiu kamerat e kryeministrisë në 21 janar e nuk u dënua, sot më filmonte mua”

(Deklaratë më 19 prill 2018, pas seancës parlamentare në pjesëmarrje pas 6 muaj mungesë).

Por Tahiri nuk e kishte vetëm me Ramën. Përpara gazetarëve, ai sulmoi edhe Berishën, sipas të gjitha gjasave njeriu që ka bërë presionin më të madh për arrestimin e Tahirit. Dhe ky ishte rasti.

 

DEKLARATA 9

“Kur gjyqin moral ta bën djalli... Kështu quhet ajo që dëgjoj çdo ditë nga goja e kujt ka qeverisur 25 vjet, duke vrarë e duke vjedhur për pushtet. Pas thuajse 6 muajsh, shkova në Parlament. Kush e ka marrë heshtjen time për dorëzim, është gabuar. Është vetëm respekt për drejtësinë. Këtë rrugë do ndjek me durim. Ndërsa me këtë historinë e mesazheve te koduara, që lëshuakam unë, bjerini shkurt. As më duhet t’i çoj mesazh njeriu. Dhe po të kem, jam nga ata që i bën drejtpërdrejtë. Më intereson vetëm e vërteta dhe drejtësia, askush e asgjë tjetër. E nuk do ndalem”!

(Deklaratë më 19 prill 2018 në Facebook, pas seancës parlamentare ).

Nga kryeministri Rama tek ish-kryeministri Berisha, Tahiri në shumë pak minuta, bëri dy dedikime. Të parit, Ramës në mikrofonat e zërave dhe të dytin Berishës në facebook. Mohoi se ka folur me kode, por në fakt gjithçka ka qenë e koduar. Dhe në këtë rast, duke u përpjekur ta mohojë, e ka përforcuar më shumë.

 

DEKLARATA 10

“Nuk besoj se Rama ka ndikim të prokuroria dhe gjykatat”. Nëse Qemali nuk e dinte nga i erdhi, unë e di nga e kam. Nuk ka shanse dhe nuk mendoj se do ta kem nga Edi Rama. Unë nuk do ta kisha thënë që Tahiri është rritur nën hijen e Ramës. Në fund të fundit, jemi rritur të dy nën të njëjtin diell”.

(Gjatë intervistës për gazetarin Arjan Çani, në emisionin “Zonë e lirë” në TV Klan)

Në fakt, intervista për gazetarin Arjan Çani, ishte finalja e të gjitha deklaratave të marra së bashku. I larguar nga Parlamenti dhe nga syri i ciklonit të medias, Tahiri nuk kishte dhënë një intervistë prej shumë kohësh. Edhe pse një natë më parë ndërhyri në disa studio gjatë emisioneve politike, në emisionin e Artur Zhejit dhe Blendi Fevziut, ai dha një intervistë të plotë te Çani. Ishte më shumë një sqarim i të gjithë kodeve. Por në fakt, ajo që tha aty solli edhe më shumë pështjellim, që detyroi vetë kryeministrin Rama të sqarojë sqarimin e Tahirit, duke thënë se nuk mund ta kërcënonte kush. Në fakt nuk pritej ndryshe. Fjalët me kode të Saimir Tahirit, u bënë aq të shpeshta sa të gjithë pyesin: Kur do jetë kodi i ri?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: