XHAFAJ-RAMA, BETEJA E NXEHTË QË PO TRAZON QEVERINË – OPINION NGA ROLAND QAFOKU

Publicitet
XHAFAJ-RAMA, BETEJA E NXEHTË QË PO TRAZON QEVERINË – OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

I kishim harruar konfliktet brenda PS-së, si ato gjatë kohës së Fatos Nanos. Se këto të kohës së Edi Ramës, janë amatore, kur kujton përplasjet spektakolare, Nano-Meta, Majko-Meta, Nano-Rama, Rama-Meta, e të tjera e të tjera. Debatet e Ramës me Ben Blushin, ishin tamam si në ishullin e romanit të tij dhe kishte kohë që ne gazetarëve na kishte marrë malli për “një çikë sherr”. Por ja që rregulli se, e majta zien dhe gëlon nga energjitë e debateve, nuk u prish as në qeverinë e Ramës. Në horizont, ka muaj që është shfaqur krisja mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ajo që doli pak muaj më parë me video, ku Xhafaj i kujtoi Ramës se, “ai nuk ishte Saimir Tahiri”, nuk është asgjë në raport me atë që po ndodh këto ditë. Por çfarë ndodhi që, mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Xhafaj, nisi përplasja? Si ka mundësi që ministri i cili u rikthye sërish në të njëjtin post nga kryeministri “për rezultate të larta në luftë ndaj krimit”, të kthehej befas në një kockë të fortë, për të cilën Ramës i duhen dhëmbë të çeliktë ta përtypë? Në fakt, kishte kohë që nën zë thuhej se, ndërkombëtarët duket se kishin gjetur te Xhafaj partnerin e tyre të përshtatshëm. Pas zhgënjimit që morën nga Saimir Tahiri, Xhafaj ishte një nga politikanët më të besueshëm në shumicë, më të ndershëm dhe më të vendosur për të luftuar krimin, sidomos trafikun e drogës. Natyrisht që, në këtë dashuri, kryeministri Rama ndjehej keq dhe gojët e liga shkuan deri aty sa, xhelozia ishte shumë pak për të thënë se, shefi i qeverisë ndjeu ndaj vartësit të vet. Kulmi mbërriti kur nisën pëshpëritjet se, Xhafaj mund të ishte kryeministër në një skenar, që për disa ishte e vërtetë dhe për disa fantazi, kur Edi Rama mund të largohej nga posti i kryeministrit. Por për Ramën ky ishte gongu pas të cilit duhet të vepronte. Rasti e deshi që përplasja të bëhej e thellë në operacionin e policisë, për kapjen e 613 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit, më 28 shkurt. Nuk është zbulim që të kuptoje që ministri dhe kryeministri, jo vetëm që nuk ishin në një “sweet harmony”, por mes tyre kishte një krisje të fortë. T’i marrim deklaratat me radhë.

Shkroi Fatmir Xhafaj më 28 shkurt, në Facebook:

“Një super aksion i Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës! Hetimi vazhdon! Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron!”

Shkroi Edi Rama më 28 shkurt, në Facebook:

“Fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore. Puna e madhe që është bërë për të vendosur nën një kontroll rigoroz pikat doganore, duke filluar nga porti i Durrësit, ku edhe është krijuar një rrjetë efikase kontrolli mbi bazë risku, ka dhënë rezultate të vazhdueshme në aspektin doganor. Por në këtë rast ka mundësuar edhe zanafillën e këtij operacioni spektakolar. Po ashtu, me marrjen e sinjalizimit të parë nga Hetimi Doganor, Policia e Shtetit është vënë menjëherë në lëvizje, falë pikërisht bazës së punës së përbashkët që është ndërtuar në funksion të garantimit të kontrollit rigoroz të portit të Durrësit, mes strukturave policore dhe hetimore. I menjëhershëm dhe efikas ka qenë edhe ndërveprimi mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, çka ka siguruar përfundimin me sukses të plotë të operacionit”.

Shkroi Fatmir Xhafaj në Twitter, më 28 shkurt 2018:

“Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM, për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: Identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta.”

Tha Fatmir Xhafaj në Parlament, 5 mars 2018:

“Operacioni, meritë e policisë shqiptare! Në operacion u përfshi dhe prokuroria. Po vazhdon puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale. Policia ka rigjetur besimin te partnerët. Si rezultat i tij aktualisht,  policia është e përfshirë në disa operacione të rëndësishme antikriminale, me partnerë të rëndësishëm, si FBI dhe DEA, GdF, Europol dhe agjenci homologe të vendeve anëtare të BE-së, rezultatet e të cilave shumë shpejt do të jenë publike”.

Mjaftojnë këto pasazhe për të kuptuar jo vetëm se mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka një problem kardinal. Nëse i besojmë ish-kryeministrit Berisha, i cili ka dhënë një version edhe më radikal, çështja është shumë më e koklavitur. Ka përplasje, por ka edhe tërheqje. Ka dyshime, por ka edhe kundërshtime. Gjithsesi, janë disa fakte që besojmë se të gjithë jemi të sigurt:

  1. Fatmir Xhafaj, si ministër i Brendshëm, është njeriu që ka më shumë informacion, njeh më shumë situatat, di më shumë edhe se kryeministri dhe njeh më shumë edhe situatat kriminale në vend.
  2. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka një mbështetje të dukshme ndërkombëtare. Kjo lidhet me dëshirën e tij për të luftuar krimin. Disa ambasadorë dhe drejtues të institucioneve të huaja, e kanë shprehur hapur këtë.
  3. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është personi më pak i lëkundur për të qenë vasal i kryeministrit Rama. Xhafaj është nga ata që del nga rreshti, nëse Rama e kërkon ta fusë në rresht me metodat e tij. Dhe ai i ka dhënë provat.
  4. Fatmir Xhafaj është nga personat nga të pashntazhueshëm. Edhe pse ish-kryeministri Berisha e vlerëson si një shantazh të Ramës për çështjen e të vëllait, besohet se Xhafaj nuk e vendosi këtë në kandar me pozitën e vet.

ÇFARË PRITET TË NDODHË

Askush nuk mund ta thotë me siguri çdo të ndodhë në të ardhmen. Edi Rama duket se e ka rrugën e shtruar përgjatë mandatit të dytë dhe shumëkush mendon se, pak janë gjasat që ai të tronditet. “Armiqtë” e tij janë vetëm ndërkombëtarët dhe Rama e di mirë këtë. E përzgjedhin ose jo Fatmir Xhafën, për Ramën rëndësi ka shumë të forcojë marrëdhëniet me ta pa i rrëshqitur këmba. Partia Socialiste ka një eksperiencë të keqe në këtë drejtim saqë në dy mandatet 1997-2005 pati 3 kryeministra, nga të cilët Fatos Nano dhe Pandeli Majko dy herë. A mund të përsëritet kjo? Pak gjasa ka, por Edi Rama tashmë është një politikan me luspa të trasha, i njeh mirë lëvizjet dhe nuhat gjithçka që ndodh rreth tij. Megjithatë në politikën shqiptare gjithçka mund të ndodhë. Ashtu si me Fatos Nanon që në atë qershor 1997, mori mbështetje plebishitare, por vetëm 1 vit e gjysmë më vonë u largua, natyrisht nga ndërkombëtarët.

SINDROMA E MINISTRIT TË BRENDSHËM

Ka një rregull të pashkruar në historinë e Shqipërisë. Mund të jetë edhe në shtete të tjera, por në Shqipërinë tonë shumë më e theksuar. Ministri i Brendshëm ka qenë përherë një nga figurat më të rëndësishme të shtetit, më të pushtetshme dhe më të fuqishme.

Kështu, Ahmet Zogu, politikani që e mbizotëroi politikën nga vitit 1920 deri në 1939, e nisi karrierën si ministër i Brendshëm. Duke qenë i tillë, më pas u bë kryeministër, pastaj president dhe në fund të karrierës, mbret. Ishte ministër i Brendshëm në qeverinë e Xhafer Ypit, por ajo qeveri kishte si njeriun më të pushtetshëm Ahmet Zogun, si ministër i Brendshëm. Ja një pasazh që ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, iu drejtua në një fjalim në Parlament, në maj të vitit 1922 deputetit Luigj Gurakuqi:

“Zoti Gurakuqi, kemi nome e kemi gjyqe që i zbatojmë, e nuk jemi Afganistan. Jemi në Shqipëri, ku gjyqi do të përdorë mjetet më të forta kundër atyre njerëzve që veprojnë kësisoj”.

Vetëm 10 muaj pas kësaj deklarate, Ahmet Zogu u bë kryeministër. Rasti tjetër tipik ishte pas Luftës së Dytë Botërore. Koçi Xoxe ishte ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të komunistëve. Debatet dhe lufta me Enver Hoxhën, ishte për jetë a vdekje. Ishte një moment që Xoxe, i mbështetur edhe nga jugosllavët, gati e rrëzoi Enver Hoxhën. Madje, plani i tyre ishte që Xoxe të bëhej kryeministër. Nuk u arrit, falë ndërhyrjes së sovjetikëve dhe Xoxe u përjashtua pikërisht me arsyen se donte të eliminonte Enver Hoxhën dhe t’i zinte vendin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm. kur mori frenat e pushtetit ekzekutiv në dorë. Aty spikati dhe aty e pa fuqinë e vetë, teksa ishte edhe kryeministër. Ai u vra në vilën qeveritare ku banonte, më 18 dhjetor 1981dhe pas kësaj u shpall. Kështu përfundoi edhe ministri i Brendshëm më jetëgjatë në komunizëm, Kadri Hazbiu.

Por edhe ministrat pas rrëzimit të komunizmit, kanë ndjekur pothuajse këtë rregull. Tashmë janë të njohura betejat e kryeministrit, Aleksandër Meksi, me ministrin e Brendshëm, Bashkim Kopliku, në vitin 1993 dhe 1994. Tashmë janë të njohura debatet dhe konfliktet e kryeministrit Fatos Nano, me ministrin e Brendshëm, Neritan Ceka dhe Perikli Teta në vitin 1998. Tashmë janë të njohura konfliktet e kryeministrit Pandeli Majko, me ministrit e Brendshëm Petro Koçi, të cilin Majko e shkarkoi. Por duket se personazhi që e ndihmoi shumë në detyrën e ministrit të Brendshëm, ka qenë Sokol Olldashi. Figura e tij u rrit aq shumë, pikërisht në këtë post, dhe ai aspiroi më vonë për të qenë kryetar i bashkisë së Tiranës; më pas akoma, si kryetar i Partisë Demokratike. Sot gati e harrojmë se kandidati për kryeministër, Lulzim Basha, ka qenë ministër i Brendshëm dhe ndoshta në krye të atij dikasteri, ai u farkëtua më shumë se në çdo post tjetër, si një pasardhës i Sali Berishës, në krye të Partisë Demokratike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: