Tsipras urdhëron pezullimin e kampionatit grek, presidenti i PAOK u fut me armë në fushë

Publicitet
Tsipras urdhëron pezullimin e kampionatit grek, presidenti i PAOK u fut me armë në fushë
Super League greke është pezulluar pasi presidenti i PAOK-ut të Selanikut hyri të djelën në fushë me armë.

Ivan Savvidis u përpoq të konfliktohej me gjyqtarin teksa mbante një armë në brez, gjatë ndeshjes ndaj AEK Athinë, pasi në minutat e fundit skuadrës së tij iu anulua një gol.

Lojtarët e AEK e lanë fushën të shqetësuar për kushte sigurie.

Ndeshja u ndërpre zyrtarisht dy orë më vonë ndërsa policia kërkoi të arrestonte Savvidis.

Zv.ministri i sporteve Giorgos Vasiliadis dha lajmin e pezullimit të ndeshjeve të së hënës në elitën e futbollit grek, pas një takimi që ai pati me kryeministrin e vendit, Alexis Tsipras.

FIFA dhe UEFA dënuan gjithashtu incidentin dhe kërkuan që të merren masa disiplinore.

Savvidis, një nga njerëzit më të pasur të Greqisë, ka lindur në Gjeorgji por me origjinë greke, madje ka qenë edhe pjesë e parlamentit rus. Ai urdhëroi ekipin të lërë fushën e lojës pas minutës së 89’ dhe u nis drejt gjyqtarit që u rrethua më pas nga dy truproje të sigurisë.

PAOK mban vendin e tretë në kampionatin grek, por mund të afrohej dy pikë pas kryesuesve të AEK, në rast fitoreje. Klubi i Selanikut qe penalizuar më herët me tre pikë, pasi trajneri i Olympiakos Pireut, Oscar Garcia, u godit nga tifozët e PAOK.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: