Të gjithë fajin e ka nafta... A do të hiqen makinat e vjetra?

Publicitet
Të gjithë fajin e ka nafta... A do të hiqen makinat e vjetra?
Qeveria kërkon të ndalë makinat e prodhuara para vitit 2009, duke turbulluar qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit, më shumë se makinave, ia hedhin fajin karburantit për ndotjen që ato shkaktojnë. Kësisoj, kërkojnë që më mirë të shtohen kontrollet ndaj cilësisë së tij, sesa të merret masa e ndalimit të importit të makinave

Ka vite që jeton duke shitur makina që i sjell nga jashtë. Dhe padyshim që lajmi se qeveria do të ndalojë futjen në Shqipëri të makinave të prodhuara para vitit 2009, e ka turbulluar disi.

“Nuk mendoj se e kanë fajin makinat. Të gjithë fajin e ka nafta...”, thotë Altini, 31 vjeç, pranë zonës së Freskut në kryeqytet. Teksa shton i irrituar se “ku e kemi ne atë gjendje ekonomike të përballojmë makina të viteve të fundit”. “Nuk është kjo zgjidhja. Më mirë do ishte të merreshin me naftën. Nëse ajo do ishte e mirë, edhe makinat nuk do ta ndotnin kaq shumë ambientin”, sqaron gjithashtu ai për “Albanian Free Press”.

Por duket se nuk mendon fiks si ai, një koleg i tij, edhe ai prej shumë vitesh me eksperiencë në tregun e shitblerjeve të makinave. “Edhe makina ka kusuret e veta, o burrë”, - ia kthen ai. “Sa më e vjetër që të jetë, aq më shumë gazra lëshon. Harrove sa probleme na kanë nxjerrë motorrët e disa makinave, vetëm se ishin të viteve ‘2000?...”, e vijon ai debatin me mikun e vet në tavolinë, pikërisht mbi “hallin” e ri që do t’i zërë së shpejti, nëse drafti i parashikuar nga qeveria do të vihet vërtet në zbatim.

Kujtojmë sakaq, se një i tillë ishte parashikuar të aplikohej që pas datës 1 janar të vitit të kaluar. Por kjo nuk u bë e mundur dhe mesa duket, këtë vit mund të kthehet në realitet, siç ka pohuar edhe vetë ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.

Saktësisht, përmes këtij drafti parashikohej që të lejoheshin në Shqipëri vetëm mjetet motorike të kategorisë M1, M2 dhe N1, N2 të reja dhe të përdorura, që plotësojnë standardet Euro 5 të shkarkimeve në ajër. Ku mjafton të kujtojmë se standardi Euro 1 i përket prodhimit të vitit 1993-1994 dhe Euro 2 atij 1997.

Gjithçka, nën argumentin se do të pakësohet niveli i ndotjes mjedisore në vend. Por ja që jo të gjithë janë dakord rreth kësaj. Edhe përfaqësues të botës së biznesit japin argumentat e tyre kundër.

Kështu, Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i “Konfindustria”-s shpreh shqetësimin për ato që ai i cilëson si “pasoja ekonomike për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare, nga zbatimi i masës për ndalimin e importit në Shqipëri të makinave të prodhuara para vitit 2009”. “Sipas të gjitha studimeve del që jo më pak e 87% e ndotjes mjedisore të karburanteve vjen nga cilësia jashtë çdo standardi të lejueshëm në qarkullim dhe më pak se 13% vjen nga teknologjia e mjeteve motorike”, sqaron ai. Duke shtuar se “ulja e nivelit shqetësues së ndotjes mjedisore, sidomos në Tiranë dhe qendrat e mëdha urbane të vendit, duhet të fillojë nga përmirësimi me dorë të hekurt dhe sa më shpejt i cilësisë së standardit të cilësisë së karburanteve”.

Një standard ky që për Buxhukun, është krejtësisht i papranueshëm dhe kësisoj, duke u bashkuar edhe me mendimin e mjaft qytetarëve se “të gjithë fajin e ka nafta...”.

 

KOSTOJA

“Masa e qeverisë, pasoja negative prej dhjetëra milionë eurosh në vit”

 “Në kushtet e Shqipërisë, vendime të tilla të rëndësishme sikurse është përcaktimi i afatit kohor 10-vjeçar të ndalimit të importit të makinave, jo vetëm nuk japin zgjidhje për ndotjen mjedisore, por mund të prodhojnë pasoja negative prej dhjetëra milionë eurosh në vit kosto shtesë të papranueshme për qytetaret, biznesin. Sikundër, prekin edhe më tej shkallën e ulët të motorizimit krahasues të vendit, duke goditur drejtpërdrejt fuqinë konkurruese rajonale të ekonomisë kombëtare”, pohon mes të tjerash Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustria-s, për “Albanian Free Press”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: