Sporti zhvillohet prej pasionit, për shtetin ekziston në sirtar, kuqezinjtë nuk njohin as buxhetin

Sporti zhvillohet prej pasionit, për shtetin ekziston në sirtar, kuqezinjtë nuk njohin as buxhetin
Analizë mbi vëmendjen e shtetit ndaj sportit, si sektor që duhet zhvilluar si të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe kontinentit tonë. Flasin për “Albanian Free Press” basketbollisti Endrit Hysenagolli dhe volejbollistja Ergysa Blloku

Nga Aranit Muraçi

Më mirë të shpenzohen dy lekë për sportin, sesa një lek për shëndetësinë, sepse më mirë është të investosh për një të ardhme më të shëndetshme nesër, sesa të përgatitesh që sot për sëmundjen. Mjeku i njohur sportiv, Lluka Heqimi, e përsërit shpesh këtë shprehje, si një studiues dhe njohës i mirë i mjekësisë sportive, duke ditur rolin e veçantë që kanë aktivitetet sportive qoftish edhe amatore, për shëndetin e njeriut.

Duket sikur sporti pas rënies së komunizmit, vuan nga politikat shterpë të shtetit, të të gjitha qeverive. Nga gjendja ku ndodhet aktualisht, rinia dhe sporti, pranohet gjerësisht se, ky sektor nuk është parë asnjëherë si prioritet. Rreth 15 vjet më parë, Gjermania investoi 540 milionë euro për të zhvilluar akademitë e futbollit, me qëllim që të kishte klube sa më të konsoliduar dhe ekip kombëtar të denjë për të fituar Kupën e Botës. I njëjti shtet investon edhe për sportet masive dhe individuale, duke nxjerrë kampionë më shumë se çdo vend tjetër i Europës.

Vendet e tjera e ndjekin si model, duke investuar dhe promovuar sportistët më të mirë në sportet tradicionale me popullaritet apo që kanë njohur sukses ndërkombëtar. Infrastruktura sportive dhe sukseset e ekipeve kombëtareve të sporteve masive si futboll, volejboll e basketboll, në gati të gjitha vendet e rajonit tonë, e lënë shumë pas Shqipërinë. Edhe në sportet individuale, në gjithë historinë deri më sot, jemi ndoshta kombi i vetëm me mbi 3 milionë banorë, pa asnjë medalje nëpër olimpiada. Shqipëria ka futbollin sportin më popullor, për të cilin shteti nuk investon asgjë. Pasi FSHF-ja funksionon si shoqatë dhe vetadministrohet. Suksesi historik i kualifikimit në “Euro 2016” i falet disa lojtarëve, shumë prej të cilëve janë rritur dhe luajnë në Europë, dhe stafit që i përzgjodhi.

Sportet e tjera masive si basketbolli dhe volejbolli në Shqipëri, nuk kanë më suksesin dhe as masivitetin e dikurshëm, ndërsa disa nga sportet individuale me të cilat vendi ka arritur suksese ndërkombëtare, si Peshëngritja dhe Mundja, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme gjatë 10 viteve të fundit. Peshëngritja, sporti që ka përfituar edhe buxhetin më të madh nga shteti deri tani, si sport prioritar, duke kapërcyer volejbollin e basketbollin, është goditur sërish nga skandali i dopingut. Mbi këtë dukuri, nuk ka asnjë përgjegjësi shtetërore deri tani. Asnjë prioritet, as diskutim nuk ka pasur para planifikimit të buxhetit të sportit apo rezultateve të pritshme nga sportet që përfitojnë më tepër, më pak, apo edhe për sportistë elitarë. Dy nga sportistët më të mirë të dy prej sporteve më popullore në vendin tonë, Endrit Hysenagolli dhe Ergysa Blloku, thanë për “Albanian Free Press” se, nuk dinë asgjë sa është buxheti për sportet që ata përfaqësojnë, përveçse dinin se kurrsesi nuk mjafton.

 

Volejbollistja e Partizanit dhe e Kombëtares

Ergysa Blloku me trofeun e kupës te Partizani

Ergysa Blloku: Misioni i një sportisti, më i madh sesa financimi ndaj nesh

Financimi ynë është shumë minimal për punën dhe pasionin që ne japim,” – thotë volejbollistja e Partizanit dhe e Kombëtares shqiptare, Ergysa Blloku për “Albanian Free Press”. Përse vazhdojnë ta ushtrojnë ende sportin sportistët tanë, kur të pakënaqur me vlerësimin janë edhe ata që përfaqësojnë kombin apo edhe më elitarët në vend.

“Ne sportin e kemi si “sëmundje” me thënë të drejtën dhe sikur të duan ne, nuk na lë sporti dhe pasioni,” – vijon më tej, Ergysa. Blloku pranon se, sporti që ajo përfaqëson, ashtu si të gjithë sportet e tjerë, janë lënë në harresë. “Gjithsesi, misioni i një sportisti është më i madh sesa financimi ndaj nesh. Në lidhje me federatën, besoj se ata kanë punuar goxha dhe duken qartë rezultatet që kemi pasur me Kombëtaren, ndërsa nga shteti mendoj se, jo vetëm volejbolli, por dhe sportet e tjera nuk kanë ndonjë mbështetje,” – thotë Ergysa Blloku.

Volejbollistja e Partizanit ishte pjesë e një suksesi historik me klubin e saj pak ditë më parë, duke ngritur trofeun e Kupës së Shqipërisë.

“Sa për finalen e para pak ditëve, ishte një kënaqësi e veçantë fitorja e asaj kupe, që arrihej pas 64 vjetësh. Ishte fitore e merituar, sepse puna dhe përkushtimi ynë, u shpërblyen me trofe. Falënderoj tifozët, ata që na kanë mbështetur dhe na mbështesin në rrugën që kemi nisur. Është fantastike të kesh njerëz që e duan volejbollin!”

Nuk është thjesht talenti, puna dhe pasioni që të çon te suksesi, por edhe fryma e një ekipi, që duket se funksionon më mirë, sesa ai i ndonjë drejtorie në Administratën Publike. “Jemi një ekip, një për të gjitha, të gjitha për një. Ky është themeli i një ekipi mendoj, që na ka çuar përpara,” - përfundon Ergysa Blloku.

 

Basketbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares

Basketbolistët e Tiranës, Endrit Hysenagolli dhe Redi Vogli

Endrit Hysenagolli: Buxheti i shtetit që shkon për basketbollin? Nuk e di

Basketbollist i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare, Endrit Hysenagolli, u shpall edhe një nga 10 sportistët më të mirë të vitit në vendin tonë për vitin 2018, nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. I kontaktuar nga “Albanian Free Press” lidhur me çështjen, nëse shuma që shkon në mbështetje të sportit dhe veçanërisht për basketbollin nga buxheti, është i mjaftueshëm për të zhvilluar sportin në Shqipëri, për ta rivitalizuar atë, Hysenagolli shprehet: “Jo, me thënë drejtën nuk e di, sesa është buxheti i shtetit që shkon për basketbollin.” Sportistët më të dalluar të këtij sporti nuk dinë asgjë pra, sesa pará akordohen në vit për basketbollin nga shteti shqiptar, sa shkojnë për sportet e tjera, dhe a janë ato të mjaftueshme, pa llogaritur transparencën, nëse paratë përfundojnë apo jo aty ku duhet.

Si mund ta dinë dashamirësit e sportit dhe publiku se, ç’politika dhe strategji shtetërore ndiqen për të zhvilluar sportin, kur në ministrinë përkatëse paguhen me dhjetëra specialistë nga taksapaguesit për këtë punë?

“Po, besoj se kjo është punë e federatës dhe e shtetit. Nuk di ç’të them më tepër,” – shprehet Endrit Hysenagolli.

 

Komisione dhe strategji për sportin, që ekzistojnë “në letër”

Viti i parë ndoshta dhe i fundit kur Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ka bërë publik buxhetin për federatat sportive, ka qenë viti 2014. Duke promovuar vazhdimisht “specialistë” dhe “ekspertë”, sportit shqiptar duket sikur i ngecur ora në vitin ’90. Në faqen zyrtare të ministrisë përkatëse për sportin, jepen hollësi të disa komisioneve apo strategjive që janë ngritur për të zhvilluar sportin në vend, të cilët duket sikur funksionojnë vetëm brenda mureve të ministrisë:

 Këshilli Kombëtar i Sportit është një organ këshillimor, i cili merr pjesë në hartimin dhe zhvillimin e politikave të shtetit për sportin, i cili funksionon pranë Ministrisë përgjegjëse për Sportin. Ministri përgjegjës për Sportin përcakton anëtarët përbërës të Këshillit Kombëtar të Sportit, si dhe miraton Rregulloren e Organizimit dhe të Funksionimit të këtij organi këshillimor.

Veprimtarinë kundër dopingut në Republikën e Shqipërisë e drejton Komisioni Kombëtar Antidoping, i cili është një strukturë këshillimore e Ministrit përgjegjës të Sporteve. Komisioni Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive rekomandon Ministrit përgjegjës për Sportin marrjen e masave të parashikuara ndaj personave, që përdorin ose nxisin përdorimin e dopingut.

Sporti Elitar merret me: “Zbatimin e politikave shtetërore për sportin në drejtimin, organizativ teknik dhe funksional të të gjitha forumeve shtetërore, qendrore dhe lokale të sportit, legjislacionin që rregullon marrëdhëniet shtet-institucione sportive, mbron dhe çon përpara arritjet sportive, duke patur si bazë përmirësimin cilësor të sporteve në vendin tonë.”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: