"Si shpëtuam nga tragjedia tek Shkolla e Bashkuar”

"Si shpëtuam nga tragjedia tek Shkolla e Bashkuar”
INTERVISTAFlet ish-oficeri Shefqet Saliu (Përmeti): Akuza për puç ushtarak ishte komedi. Si e dënoi ajo ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi me 5 vjet burg; komisarin e Shkollës se Lartë të Oficerëve, Ksenofon Çoni me 4 vjet dhe komandantin, Arseni Stroka me 3 vjet

Rrëzimi i përmendores së ish-diktatorit Enver Hoxha në datën 20 shkurt 1991 nga sheshi “Skënderbej” në kryeqytet, u shoqërua me një sërë ngjarjesh. Njëra prej tyre ishte edhe akuza që u ngrit ndaj ushtrisë, e cila u akuzua hapur se po bënte një “puç ushtarak”. Tashmë, pas kaq vitesh shtrohen pyetjet: A ishte e vërtetë kjo? Dhe a kishin mundësi reale ushtarakët për të bërë një puç? Cili do të ishte objekti i tij? Dhe kë do të rrëzonin, e kush do ta merrte pushtetin? Cili ishte burimi i të dhënave që dispononin ata që ngritën gishtin dhe akuzuan, duke pretenduar se po përgatitej një juntë ushtarake? Nëse jo, atëherë përse u bë gjithë ajo zhurmë dhe cili ishte skenari i atyre njerëzve që ngritën zërin dhe akuzuan ushtarakët e sfilitur për një puç? Rreth gjithë këtyre dilemave e ngjarjeve që shoqëruan fundshkurtin e vitit 1991, flet posaçërisht për “Albanian Free Press”, ish-oficeri Shefqet Saliu (Përmeti). Një rrëfim i veçantë që zbardh shumë detaje të atyre ditëve të largëta, të ngarkuara me mjaft tensione...

 Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Z. Shefqet, si do t’i komentonit ju akuzat e ngritura për një “puç ushtarak” në funs të shkurtit 1991?

Po ta analizosh fenomenin në mënyrë të paanshme dhe në realitetin konkret, në thelb nuk del të ketë pasur gjasa për një puç ushtarak. Nuk kishte asnjë individ, grup apo grupim, që të pretendonte ta merrte pushtetin me mbështetjen e ushtrisë. Nuk ka patur platformë, nuk ka deponime, nuk ka fakte, nuk ka gjurmë; mungonte baza ideologjike, politike, ekonomike edhe ushtarake. Së fundi, nuk u bë as dhe një kallëzim penal për një veprim të tillë. Ushtria në vetvete ishte squllur, kuadrot e ushtrisë ishin dhe ndjeheshin vërtet të përçmuar, ndër ta nuk kishte nga ata që të pretendonin se e kishin autoritetin për t’u bërë liderë. Rreth 90% e ushtrisë përbëhej nga ushtarë dhe oficerë rezervistë, të cilët tashmë ishin të çoroditur, të ndarë në shumë grupime; vendi ishte në krizë ekonomike, mbështetja ndërkombëtare mungonte absolutisht. Populli kishte të tjera halle dhe mbi të gjitha, mëria e akumuluar, zemërimi i masave popullore kërkonte ta ndryshonte atë sistem, kërkonte përmbysjen e tij, ndërsa ushtria shihej si pjesë e së kaluarës. Pra, nuk mund të kishte asnjë grupim në popull, që mund të mbështeste një forcë ushtarake në pushtet.

Puçi ushtarak mund të bëhet vërtet nga gjeneralët, nga një grup kolonelësh. Por cilët do të mund të ishin ata?!

Historia botërore tregon se oficerët madhorë mund dhe kanë bërë puçe ushtarake. Kështu ndodhi me puçin ushtarak të vitit 1967 në Greqi, i cili njihet me emrin “Kolonelët e Zinj” ose “Junta Ushtarake”, ku në mëngjesin e 21 prillit 1967 atje u krye një puç ushtarak. Ndërsa në ushtrinë shqiptare që mbërriti në vitet ’90, as që i shkonte mendja njeriu për puç. Gradat u hoqën në maj të 1966-ës, ndërsa në 1974-ën kuadrot e lartë të ushtrisë, që nga ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe drejtori Politik u akuzuan se: Kishin krijuar një kastë ushtarake të rrezikshme për partinë, shtetin e atdheun; se ishin kundër heqjes së gradave, kundër rolit udhëheqës të partisë në ushtri, kundër Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, si bashkëpunëtorë të armiqve të jashtëm e të brendshëm; se kishin punuar sistematikisht për komplot dhe se ishin gati të bënin puç ushtarak për të përmbysur pushtetin popullor dhe për të marrë pushtetin duke rrethuar KQ të PPSH-së dhe organet shtetërore me tanke. Protagonistë kryesorë të akuzës ishin E. Hoxha, M. Shehu, H. Kapo dhe mbështetësit e tyre. Rasti në fjalë dhe argumentet e sjella nga autorët e akuzës janë të dyshimta, por sidoqoftë ato përfunduan me një “gjyq”, ku trupi gjykues dha pushkatimin e tre drejtuesve më të mëdhenj të Ushtrisë Popullore: ish-ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku; ish-shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dume dhe ish-drejtorin Politik, Hito Çako. Ndërsa pothuajse tërë kuadrot e tjerë madhorë të quajtur “kasta e ushtrisë” u futën në burgje, u internuan dhe pjesa tjetër u liruan nga ushtria. Masat e marra në ushtri atëherë lanë gjurmë të thella tek çdo oficer, ato ishin të freskëta edhe në vitet ’90, sepse ata që kishin mbetur gjallë nga masat drastike të ’74 -ës dhe ’82 –it, dolën nga burgjet dhe u kthyen nga internimet në vitet ’90-‘92. Prandaj kuadrove që ishin në krye të ushtrisë, as u shkonte ndërmend për puç ushtarak.

Po atëherë e përse u bë gjithë ajo zhurmë?

Ndoshta Presidenti u frikësua nga ajo që i ndodhi në aparatin e ministrisë, ndoshta krerët e partive e lexuan atë ndodhi si fillimin e një puçi, por më tepër ka të ngjarë ta ketë patur skenari dhe dikujt i duhej ta bënte atë presion që të sigurohej se nuk do të ndodhte gjë, siç i ndodhi Gorbaçovit. Ngjarja e ish-BS-së, siç duket kishte lënë gjurmë dhe kishte bërë të ishin të kujdesshëm, Alia dhe forcat e djathta, të cilat kishin shumë nevojë akoma për mbështetjen e tij. I frikësoheshin një mundësie të tillë dhe për të penguar atë fenomen, u hodhën në sulm, sipas parimit: “mbrojtja më e mirë ishte sulmi”. Ata kërkuan dhe mbajtën në dorë iniciativën, duke u bërë dirigjuesit e rrjedhës së ngjarjeve të atyre viteve, duke dashur të kontrollonin edhe ushtrinë. Në atë kohë, forcë e vetme ushtarake e organizuar ishin shkollat ushtarake, sidomos Shkolla e Lartë e Oficerëve “Enver Hoxha”. Pikërisht asaj i frikeshin dhe aty u bë presion i skajshëm, deri në tentativa për gjakderdhje dhe eliminime fizike. E djathta synoi të depërtonte me shpejtësi edhe në shkollat ushtarake, por rezultati ishte simbolik. Ajo mundi të rekrutonte pak oficerë, si Bujar Mehmeti (Nishani) etj, ndërsa studentët merrnin kontakte me shokët dhe të afërmit, çka ndikoi te njëri-tjetri. Në një mëngjes të atyre ditëve, toga e zbulimit nuk pranoi të merrte lopata xheniere të brezit dhe u përjashtua nga shërbimi atë ditë; kur studentët e Universitetit “Enver Hoxha” të Tiranës ishin në grevë urie dhe në konviktet e Universitetit u bë një miting i madh. Shkuan atje edhe studentët ushtarakë të togës së prapavijës. “Kisha vëllanë atje dhe kisha merakun e tij”, tha dikush prej tyre kur u pyet. Po kishte edhe prej tyre që shkuan për gallatë e kuriozitet. Shkolla e Lartë e Oficerëve “Enver Hoxha”, Akademia Ushtarake dhe Shkolla Ushtarake “Skënderbej”, në atë vit kishin një efektiv të konsiderueshëm djelmoshash, prej 2500-2600 vetash. Prandaj, megjithë rezultatet e dobëta, forcat e reja politike nuk hoqën dorë nga synimi i tyre për t’i bërë për vete me hir ose me pahir ato kontingjente, veç ndërruan taktikë dhe po prisnin rastin. Gjithmonë ka një pretekst, rasti erdhi, më saktë ai u gjet.

Si u gjet?

Para godinës së Akademisë Ushtarake, në oborrin e bukur të hyrjes plot lule, kishte mbi 40 vjet që ishte vendosur shtatorja e Enver Hoxhës, ushtarak. Ai monument u bë “shkak” për realizimin e një plani, pjesë e skenarit të përgjithshëm. Të nesërmen e rrëzimit të përmendores së Enver Hoxhës në qytetin e Tiranës, u përhap thashe-themnaja se “efektivat e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e tij, atë që ndodhej në oborrin e shkollës”. Që më 21 shkurt 1991, shkollat ushtarake u vunë në shënjestër; jashtë mureve të saj u organizua një demonstratë për ta hequr statujën e Hoxhës. Demonstruesit hidhnin parulla dhe qëlluan me mjete të forta në drejtim të territorit të shkollave, pa marrë në konsideratë se po sulmonin një repart ushtarak tepër të organizuar dhe të armatosur. Komandat e shkollave dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë i përcillnim me kujdes ato situata. Efektivat e shkollave ruajtën qetësinë, ndërsa turmat u shpërndanë vetëm kur u detyruan nga reparti i ndërhyrjes së shpejtë i ministrisë së Brendshme.

Protestat e turmës në post-blloqet dhe muret e shkollave ushtarake nuk ishin spontane, të paqëllimshme, pa drejtues dhe pa objektiva apo detyra konkrete. Ditën tjetër, më 22 shkurt, grupi i demonstruesve ishte më i madh e më i dhunshëm. Si edhe një ditë më parë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë i shpërndanë, por këtë ditë mbeti i vrarë një polic. Duhet të jetë i pari ndër ata që u vranë në ato ditë. Demonstruesit ishin të dhunshëm, policia korrekte. Kjo gjendje e tensionoi situatën edhe brenda mureve të shkollave ushtarake. Duhej punë e madhe të neutralizoje atë revoltë të brendshme të studentëve ushtarakë me një unitet të admirueshëm.

Si prevaloi situata?

Më 22, duke u gdhirë 23 shkurti, një “Komision Nismëtar” doli me një “Projekt Peticioni” ultimativ.

Ky Komision ishte rrjedhojë e revoltës, apo i nxitur nga jashtë?!

Sipas Arseni Strokës, ish-komandant i Shkollës së Lartë të Oficerëve, “nuk mund të thuhet se kujt i lindi ajo ide edhe sot e kësaj dite”. Të gjithë ishin me një mendje. Komisioni në krye kishte oficer Bajraktarin, një akademist nga Tropoja. Po në përbërjen e tij kishte edhe oficerë të Shkollës së Bashkuar, bile edhe zv/komandantin e saj për shkencën. Ata u dhanë komandave të shkollave projektin dhe u thanë t’ua lexonin gjithë efektivave të studentëve, të cilët duhej të jepnin mendime dhe të solidarizoheshin me të. “E lexova, ishte tepër ultimativ”, kujton Stroka. U tha atyre që ia çuan se nuk ishte dakord me të, sepse ishte radikal. Stroka u propozoi anëtarëve të komisionit që projekti “të ripunohej, në atë grup nismëtarësh duhet të kishte kuadro të pjekur dhe me horizont, bile u propozova konkretisht për Xh. Çelën’’.  Projekti i tyre u ripunua dhe duke marrë formën e përshtatshme, u lexua me tërë efektivat e Akademisë Ushtarake, studentët e Shkollës së Lartë të Oficerëve, në 2-vjeçaren e Zall-Herrit, si dhe me skënderbegasit. Të gjithë u solidarizuan.

U publikua?

Por, me gjithë presionin, ai nuk u lexua në TVSH. Televizioni mbikëqyrej direkt nga KQ i PPSH dhe jo kushdo mund të diktonte. Shkuan në Presidencë, ku i priti direkt Ramiz Alia dhe u përpoq ta zbuste gjendjen; shkuan në Kryeministri, shkuan edhe në mistrinë e Mbrojtjes. Atë ditë, komanda e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nxori një urdhër për mbrojtën e territorit saj nga sulmet e jashtme, ku përcaktohej armatosja me armë e gjithë efektivit, u caktuan sektorët e mbrojtjes dhe detyrat konkrete për çdo fakultet, për të mos lejuar shpërthimin e mureve rrethuese dhe as futjen e të huajve nga avllitë në territorin e ambientet e shkollës. Shkolla e Bashkuar e Oficerëve armatosi rreth 2200 studentë, shkolla Ushtarake “Skënderbej” vetëm vitin e katërt, 300-400 skënderbegas, ndërsa oficerët e Akademisë Ushtarake u pajisën vetëm me pistoleta. Komisioni nismëtar dhe Peticioni i tyre vuri në lëvizje gjithë forcat politike, qeverinë dhe kreun e shtetit. Në atë pasdite shkuan në Akademinë Ushtarake dhe u pritën në zyrën e Komandantit të saj, Kostaq Karoli, përfaqësuesit e forcave politike. PD përfaqësohej nga Neritan Ceka, PR nga Sabri Godo, kurse Ramiz Alia dërgoi ndihmësin e tij dhe ministria e Mbrojtjes, shefin e Shtabit Përgjithshëm, Halim Abazi, sikundër në mbledhje ishte edhe grupi nismëtar i Peticionit.

Çfarë ndodhi nga kjo mbledhje?

Ajo mbledhje nuk pati asnjë përfundim. Beteja vazhdoi edhe ditën e nesërme. Madje ajo ditë, 23 shkurti, nga protagonistët e ngjarjes ishte caktuar si dita e betejës vendimtare. Forcat ishin shumëfishuar, ishin më agresive dhe më këmbëngulëse, më të papërmbajtura. Ishte planifikuar një sulm nga çdo anë për t’u futur në shkollat ushtarake me çdo kusht dhe për t’i neutralizuar “planprishësit”, pa marrë parasysh armatosjen e studentëve dhe oficerëve. Demonstruesit që në orët e para të mëngjesit me një shtyllë centrifuge gjuajtën disa herë murin rrethues në krah të portës kryesore të Shkollës së Lartë të Oficerëve. Ai ishte me tek tullë dhe diku, afër postbllokut, u shemb. Turma filloi të futej brenda territorit të shkollës si fitimtare, por menjëherë studentët hapën zjarr me breshëri në ajër. Nga ata që ishin futur brenda murit, në territorin e shkollës, 10-15 veta ranë barkas, të tjerët u kthyen mbrapsht dhe u zhdukën sa hap e mbyll sytë. Të shtrirët nuk guxonin të ngriheshin më në këmbë. Ushtarakët ndërprenë zjarrin menjëherë, por nuk lëvizën nga pozicionet. Po atë paradite, por pak më pas, në lindje të Shkollës së Lartë të Oficerëve, afër klasave të teknikës së tankeve, disa demonstrues tentonin të shembnin murin rrethues dhe mundën të hapnin një vrimë të madhe në formë guve. Një nga tanket e shkollës lëvizi e shkoi e mbylli me trupin e tij të blinduar atë zgavër. Turma e ndërpreu prishjen e murit rrethues e frikësuar nga tanku. “Dhashë urdhër, - kujtonte komandant Stroka (një njeri i rrallë), - dhe nxora në patrullim një nga transportuesit e blinduar, që na kishte dërguar Shtabi i Përgjithshëm atë ditë. Shkatërrimtarët u larguan menjëherë nga frika”. Atë paradite ,në shkollë shkoi edhe një grup përfaqësuesish të PD-së, me pretendimin se ishte hapur fjala se “kishte konflikte dhe komanda e shkollës kishte bërë seleksionime dhe izolime”. Kur ata ndodheshin në zyrat e komandës u rrëzua muri afër postbllokut nga protestuesit. Dikush u kujtoi dhe i ftoi të shkonin e të shikonin se çfarë bënin njerëzit e tyre. Por, ata nuk e pranuan duke thënë se “këta nuk janë njerëzit tanë”. Të hutuar u larguan pa pretenduar të vazhdonin verifikimet.

Kur e arriti kulmin e tij agresiviteti?

Agresiviteti i asaj dite vazhdoi edhe natën. Në mbrëmjen e 23-24 shkurtit nga jashtë shkollës u hodhën shishe me lëndë djegëse, një e tillë ra në katin e dytë, te biblioteka dhe shkaktoi zjarr. Oficeri i rojës, një specialist i mirë, mori masa të menjëhershme për kufizimin dhe izolimin e tij. Efektivat të ndihmuar nga një fikëse, e neutralizuan zjarrin, pa u përhapur në dhomat e tjera. Sulmi për të pushtuar shkollat ushtarake me demonstrues dhe djegien e tyre, dështoi edhe kësaj here. Ditën e nesërme, më 24 shkurt, në ditën e katërt të luftës, vihet në skenë një variant i ri, ai i kohës së mesjetës, i kështjellave. Ishte vendosur t’u pritej uji dhe buka mijëra djelmoshave, që ishin në gjendje të hanin hekurin me dhëmbë.

Përse? …

Për t’i detyruar të dorëzoheshin! Apo u hodhën dorashkën të dilnin nga llogorja dhe të luftonin si të barabartë në fushë të hapur? Ku e gjenin këtë kurajë drejtuesit e turmave të rrezikshme që po luftonin me zjarrin, që kishin rrethuar një repart të zgjedhur ushtarak? Kreu i shtetit, Ramiz Alia i cili ishte i vetmi njeri me pushtet, heshtte. Nuk i mblodhi asnjëherë krerët e partive politike, që drejtonin atë operacion dhe t’u kërkonte të ndërprisnin agresivitetin. Për fat të mirë, shkollat ushtarake në ato vite furnizoheshin me ujë të pijshëm nga dy rrjete, në dy drejtime, ishte linja e vjetër e ujësjellësit, e cila nuk mbahej mend sa kohë kishte që ishte ndërtuar dhe linja e re që furnizonte me ujin e Bovillës. “Mos u shqetëso, komandant, më thanë specialistët e prapavijës, -kujtonte Stroka, -se do të bëjmë furnizimin e efektivave me linjën e dytë. U ndjeva sikur rilinda”. Furnizimi me bukë ishte më i vështirë. Shkollat nuk dispononin rezerva mielli, as furra buke. Ato furnizoheshin nga qyteti. Për zgjidhjen e situatës, ndërhyri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe furnizimi u bë me helikopter. Atë ditë dogjën edhe shtëpinë e komandant Arseniut. Mendohet që kryesori të ketë qenë një student i përjashtuar më parë nga shkolla. Ishte dëgjuar afër postbllokut që kishte thënë se “do ta shikojë se çfarë do t’i punoj unë Strokës!”. Hodhën shishe me benzinë.

Si reagoi komanda e shkollës dhe Arseni Stroka?

Në komandën e shkollës, më 25 shkurt në mbrëmje, shkuan disa njerëz si përfaqësues të lagjes. “Kemi ardhur si përfaqësues të lagjes se kemi shqetësime për ato ç’ka po ndodh në lagjen tonë”, i thanë komandës. Në fakt, studentët gjatë atyre netëve edhe zbraznin armë në ajër. U garantuan nga komanda, që efektivat e shkollës nuk merreshin me heqje e vënie bustesh dhe nuk dalin jashtë mureve të shkollës, por as nuk lejojnë njeri të futet brenda. “Miqtë e paftuar” ua kërkuan me shkrim këtë deklarim. Atëherë “bëra një deklaratë, -kujton Stroka, -ku shkrova se efektivat e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nuk merren me heqjen dhe vënien e busteve. Ato nuk dalin jashtë territorit të shkollës dhe nuk do të kryejnë asnjë aktivitet jashtë mureve të saj, por njëkohësisht, ato nuk do të lejojnë askënd të futet brenda territorit të shkollës. Kushdo që do të tentojë të futet në Shkollën Ushtarake të Oficerëve, do të kthehet në kërmë. Ne jemi të gatshëm për vetëmbrojtje!”. Deklarata u bë me shkrim dore. E firmosi komandanti dhe komisar, Ksenafon Çoni dhe ua dhanë atyre që e kërkuan. Deklarata u bë vetëm në një kopjo, se kjo ndodhi ishte në mbrëmje vonë.

EPILOGU

“Gjithë ajo akuzë, përfundoi me një gjyq qesharak”

E gjithë ajo akuzë përfundoi me një gjyq qesharak, i cili akuzoi se nga armët e zbrazura në shkollë, ishte plagosur një vajzë në shtëpi, paçka se ndodhej tre-katër pallate më në veri të shkollës; kishte vdekur një burrë diku andej nga ndërmarrja kimike dhe ishte plagosur një oficer brenda në shtëpi, afër stacionit të trenit. Gjyqi, për “neglizhencë në kryerjen e detyrës, për armatosjen e oficerëve, për mosshmangie të zbrazjes së armëve dhe plagosjen e dy vetave e vdekjen e një të treti”, dënoi me burg: ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, 5 vjet; ish-komisarin e Shkollës se Lartë të Oficerëve, Ksenofon Çoni, 4 vjet; ish-komandantin, Arseni Stroka, 3 vjet; ish-shefin e shtabit, Aleks Andoni, me kusht. Për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit ata shkuan ilegalisht në Greqi, provuan jetën e emigrantit dhe u kthyen kur u shpall amnistia e përgjithshme në vitin 1997. Ja, kështu u mbyll kjo tragjedi komike, kur turmat sulmuan Shkollën e Bashkuar të Oficerëve”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: