Shtrenjtohen mallrat “Made in Albania”

Shtrenjtohen mallrat “Made in Albania”
Mallrat e prodhuara në Shqipëri, sa vijnë dhe bëhen më të shtrenjta. Jo vetëm ato që shiten në tregun vendas, por edhe ato të destinuara për eksport. Duke bërë kështu, që qytetarët shqiptarë të nxjerrin më shumë pará nga xhepat e tyre gjatë jetës së tyre të përditshme. Por në të njëjtën kohë edhe të huajt, teksa i blejnë prej tregtarëve tanë mallrat e markës “Made in Albania”.

Një dukuri e tillë konfirmohet nga ekspertët e statistikave, sipas të cilave, fundviti i kaluar, e gjeti vendin tonë me një rritje deri në nivelin prej 2% të çmimeve të prodhimit, në tërësinë e tyre. Një nivel ky më i lartë se ai i vitit pararendës, kur ky tregues ka qenë vetëm 1.7%. Madje, rritja e çmimeve për mallrat e eksportit, thuhet se ka qenë akoma edhe më e lartë, duke arritur deri në nivelin prej 4.6%. Gjë e cila i ka bërë mallrat shqiptare më të shtrenjta për tregjet e huaja se dikur, duke nisur nga veshjet dhe këpucët, deri tek mineralet.

“Rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 7.8%”, cilësojnë ata. Duke saktësuar, se brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe të gazit natyror, që ka arritur deri në nivelin prej 11.7%.

E thënë më thjesht, nafta dhe gazi që nxirren në territorin shqiptar, kanë patur një çmim më të lartë të tyre në treg. Sikundër, raportohet se më të shtrenjta kanë qenë edhe prodhimet e siguruara nga industria përpunuese si e tillë, rritja e të cilave në fund të vitit të kaluar ka qenë deri në nivelin prej 1.6%. Ku ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e “metalurgjisë”, deri në nivelin prej 6.2%, apo “prodhimi i produkteve minerale jo-metalike” me 4.5%.

 

Fasonët, veshjet dhe këpucët tani blihen më shtrenjtë nga Shqipëria

Veshjet dhe këpucët që prodhohen në Shqipëri, nën regjimin e njohur si “fason”, tashmë po blihen më shtrenjtë në tregjet e huaja se më parë. Kjo faktohet prej shifrave në rritje, nga viti në vit, i kostos së tyre të lartë të prodhimit, e cila ndryshon nga ajo e disa viteve më parë. E thënë më thjesht, të huajt po i blejnë me më shumë pará se më parë veshjet dhe këpucët e rrobaqepësive të ngritura në Shqipëri, ku ponohet me krah më të lirë pune. Kështu, referuar shifrave që paraqet vetë Instituti i Statistikave, rezulton se vetëm në fund të vitit të kaluar, çmimi i prodhimit të veshjeve “Made in Albania” ka pësuar rritje deri në nivelin prej 12%. Dhe vetë konfeksionimi i veshjeve si i tillë ka njohur një rritje prej 9%, nga 5% që ka qenë disa vite më parë. Nga ana tjetër, nëse shohim kurbën rritëse të këtij treguesi, ai rezulton me rritje të tij nga viti në vit, duke treguar kështu se sektori fason në Shqipëri nuk e ka më të lehtë se më parë për të prodhuar produkte me kosto të ulët.

 

Edhe duhani, letra apo kimikatet, me kosto në rritje

Të prodhosh duhan vendi, apo edhe letër, si edhe kimikate të ndryshme, në Shqipëri duket një aktivitet që nuk nxjerr më produkte aq të lira sa më parë. Por gjithmonë e më të shtrenjta, si për tregun vendas edhe për atë të huaj. Duke i bërë kështu ato më pak konkurrente ndaj mallrave të njëjta të importit, që hyjnë nga vende të tjera. Konkretisht, referuar duhanit, Instituti i Statistikave raporton se në fund të vitit të kaluar ka patur një shtim të çmimit të prodhimit të tij vendas deri në nivelin prej 13%. Duke e shtrenjtuar edhe më shumë atë që të gjithë e njohin si “duhan i hapur”. Për të vijuar më tej, me çmimin e prodhimit të letrës si e tillë, rritja e të cilit ka arritur në fund të vitit të kaluar, deri në nivelin prej 17%, krahasuar me një vit më parë etj.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: