Rrëfimi i Topallit për “Virgjëreshën e përbetuar”: Pse bënte jetë burri

Publicitet
Rrëfimi i Topallit për “Virgjëreshën e përbetuar”: Pse bënte jetë burri
Flet Nerim Topalli, nipi i Nafije Pllumbit,  “Virgjëreshës së përbetuar”, vajzës që zuri për dekada me radhë vendin e burrit në krye të familjes. Vdiq 96 vjeçe dhe iu bë varrim madhështor. “Vetëm me pasaportë njerëzit mund ta besonin se ishte grua...”

Dr. Sulejman Muça

“Virgjëreshat e përbetuara” në Shqipëri kanë përshkruar traditën që zgjati me qindra vite. Kjo traditë ka lindur në mënyrë që familjet pa trashëgimtar mashkull të ruante pasurinë familjare, të mbanin në  këmbë familjen, trungun, mbiemrin, të ruanin trashëgiminë familjare, kështu që vajza duhej të  rritej si djalë. Por, femrat mund të bëheshin “virgjëresha” edhe pas prishjes së ndonjë lidhjeje fejese,  apo hasmërie ku shtëpia nuk kishte më mashkull, por duke hequr dorë përjetësisht nga e drejta për t’u martuar. Virgjëreshë e përbetuar’ është termi që i jepet femrës biologjike në Ballkan që zgjidhet, zakonisht në moshë të re, të marrë përjetësisht identitetin social të mashkullit. Tradita daton me qindra vite, dhe kjo ishte e domosdoshme në shoqëritë që kanë jetuar brenda klaneve fisnore, të ndjekur nga Kanuni, kodi arkaik i drejtësisë, dhe që mbahet si një rregull shtypës mbi gjininë femërore. Kanuni thotë se të gjitha gratë janë pronë e burrave”, -thotë Jill Petters. E drejta për të votuar, e drejta për të ngarë makinën, të marrë punë ose fitojë të holla, të pi duhan, të mbajë revole ose pantallona, në Shqipëri dekada më parë u ka takuar tradicionalisht meshkujve. Vajzat e reja ishin të detyruara shpesh në martesat me ndërmjetës, të bëheshin pronë sidomos për meshkujt që banonin në fshatra të largëta. Alternativa për tu bërë burrë sipas Kanunit  ishte që të bëhej ‘virgjëreshë’ apo burrneshë, status që ia mundëson femrës të gjitha të drejtat dhe privilegjet e popullsisë mashkullore. Për ta mbajtur traditë, këto gra shkurtonin flokët, vishnin rroba mashkullore, pinin duhan me llullë, pinin raki, kërcenin si mashkull, mbanin revole, apo armë dhe shpesh i ndërronin dhe emrat. Me vendosjen e sistemit komunist ky zakon, traditë, apo ligjësi e kanunit u prish.

Pse e mori këtë rol Nafija?

Nafije Ymer Pllumbi është nga fshati Fullqet, Bashkia Klos, rrethi Mat. Ajo ka lindur në vitin 1924 dhe ka pasur dy vëllezër dhe një motër. Nëna e Nafijes quhej Gjyle ndërsa babai Ymer. Në moshën 18 vjeç Nafijes i vdesin të dy vëllezërit, brenda tre ditësh. Ajo në atë kohë ishte 18 vjeç. Vëllezërit ishin më të mëdhenj se Nafija. Në këtë kohë si më tregonte vetë ajo, Nafija ishte një vajzë me flokë të gjata dhe shumë e bukur, ku ishte në kohën kur po i kërkohej dora për fejesë këtu në fshat.  Pasi i vdesin të dy vëllezërit, Nafija ngaqë babi i kishte vdekur dhe nuk kishte më mashkull në shtëpi vendos të bëhet mashkull dhe të bëhet burrë i shtëpisë me qëllim që të mos shuhej trungu familjar, të ruhej trashëgimnia e mbiemrit të babait, të ruhej pasuria dhe emri i shtëpisë.   Ajo u betua  para bajrakut të fshatit, pleqësisë se unë do bëhem mashkull, do bëhem burrë në konak në vend të babait.

Cili ishte reagimi i familjes që i kishte kërkuar dorën për fejesë?

Reagimi i familjes që i kishte kërkuar dorën për djalin në fillim ishte jo i mirë, ngelën qejfprishur, por me kalimin e kohës  duke parë evadimin dhe pranimin e pleqësisë i dhanë shumë të drejtë për vendimin e marrë. Më vonë ata  e kanë respektuar më shumë se kushdo, pasi e njohën nga afër karakterin dhe vendosmërinë e saj në bazë të Kanunit për të mbajtur hapur derën e babait. Ajo po sakrifikonte rininë, gjininë, ëndrrat, për nj qëllim të madh që e njihte Kanuni.

Pas këtij vendimi dhe nisme kaq të madhe çfarë roli ka luajtur Nafija në derën e babait, për të mbajtur konakun hapur?

Menjëherë pas marrjes ë vendimit dhe pranimit nga bajraku, pleqësia e fshatit, ajo u qeth shkurt si burrat në prezencë të pleqësisë. Atë ditë që u mor vendimi. U vesh me rroba burri, bleu kuti metalike Fakfoni, duhani ku brenda mbante eshkë. Veshi rroba tradicionale të zonës. Pa asaj dite ajo rrinte me burra, pinte raki me burrat. Këto zakone nuk i hoqi deri në vdekje. Për çdo lloj problemi, për çdo lloj gëzimi, hidhërimi, për çdo lloj diskutimi ajo ishte pjesë e odës së burrave dhe i dëgjohej shumë fjala. Ajo nuk qëndroi kurrë me gratë por pinte raki me dolli dhe fund dhe kërcente si burrat në çdo dasmë.

Çfarë roli ka luajtur Nafija në kohën e Luftës N-Ç?

Në kohën e luftës Nafija ka luajtur një rol të madh për ta ndihmuar me të gjitha mundësitë luftën. Madje ka luajtur rol shumë të madh në fshat dhe më tej. Ka shërbyer edhe si korrierë edhe si lajmëtare, edhe si bazë strehuese. Shtëpia e saj u kthye bazë lufte, pasi ajo tashmë ishte kryefamiljare. Njëherë kur do rrethohej një shtëpi në fshat ajo ka dalë mes italianëve sikur do merrte ujë në çezmë dhe ka lajmëruar njerëzit të largoheshin. Shtëpia e saj ka qenë baza më e madhe e luftës deri ën çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ajo nuk kurseu asgjë për luftën dhe pse ishte çdo ditë e rrezikuar.

A ka marrë vlerësim pas çlirimit për këtë rol që ka luajtur?

Po. Pas çlirimit nga Këshilli Popullor i rrethit u miratua pllaka përkujtimore që do vendosej në shtëpinë e saj si Bazë e rëndësishme e luftës. Motivacioni: “Kjo shtëpi, gjatë gjithë luftës N-Ç ka qenë një nga bazat më të rëndësime të zonës, ku strehoheshin partizanët”. Drejtori i Muzeut Historik Mat, Vladimir Barhani,  Kjo shkresë mban datën 31 tetor 1976. Me Vendim të posaçëm. Pra kjo shtëpi ka qenë shtëpia më e rëndësishme në zonë si bazë e luftës. Madje dua të thekson se shtëpia e Nafijes u kthye në depo furnizimi me ushqime, por edhe për veshmbathje. Të gjitha nga zona ndihmat  me ushqime dhe me veshmbathje i sillnin në shtëpinë e saj.

Me ardhjen e sistemit komunist, njerëzit e fisit çfarë i besonin Nafijes?

Ajo luante rolin e një  kryefamiljari me pushtet të plotë. Pra ajo kishte shtëpinë e saj, dhe gëzonte po ato të drejta që gëzonin kryetarët e familjeve të tjera të fisit Pllumbi, pra trajtohej si burrë dhe asnjëherë si grua. Madje duke pirë duhan, duke pirë raki, duke u qethur shkurt,  duke u veshur si burrë ajo kishte marr pamjen e një burri të vërtetë. Në të gjitha martesat, fejesat, gëzimet, hidhërimet, takimet e ndryshme, ajo mirrte pjesë si burrë madje e vlerësonin më shumë se një burrë për zgjuarsinë dhe karakterin e fortë. Në të gjitha këto që thamë, ajo luante rolin e xhaxhait apo ët dajës në raport me çka kishte fisi. Dhe pse në pasaportë figuronte me emrin Nafije, ajo ishte në jetën e përditshme një burrë zakoni. Vetëm me pasaportë njerëzit mund ta besonin se ishte grua.

Pse pikërisht Nafija qëndroi me ju, pse nuk qëndroi me fëmijët e tjerë të fisit tuaj? Kur erdhi në shtëpinë tuaj? Ju çfarë e kishit në të vërtetë Nafijen?

Unë quhem Nerim Ramiz Topalli dhe Nafijen e kam pasur teze, pra motrën e nënës time. Kur Nafija shkoi rreth 58-vjeç kërkoi që të qëndroi me mua se nuk mund ta linim vetëm në shtëpinë e babit të saj. Ishte vetë vendimi i saj  që të qëndronte me mua. Pasi i vdiqën vëllezërit  dhe babai i kishte vdekur më parë, ndërkohë që dhe nëna u martua për herë të dytë, Nafija vendosi të kthehej në burrë. Pra ishin disa  shtysa të kohës, ngjarje të njëpasnjëshme që e detyruan të marrë këtë vendim.  Në shtëpinë e saj ajo qëndroi dreri ën vitin 1982 vit në të cilin ishte paksa e plakur dhe nuk mund të qëndronte vetëm në shtëpinë e të parëve. Dua të theksoj se unë që i vogël rrija në shtëpinë e saj dhe ajo më trajtonte si fëmijën e saj. Isha në klasë të tretë fillore kur prindërit më thanë të shkoja të rrija në shtëpinë e Nafijes. Pra unë u largova nga shtëpia e saj kur u martova dhe në vitin 1982  kur ishte 58 vjeç erdhi për të ndenjur në shtëpinë time përfundimisht. Pra në këtë moshë la shtëpinë e babait dhe erdhi të banojë tek unë. Ne i lamë një dhomë me vete (hap dhomën e pastër) ku ajo ndenji deri sa ndërroi jetw plot 28 vjet.

Çfarë pune ka bërë Nafija?

Nafijen nuk e lënin të bënte punë fizike,. Ka pasur shtat të shkurtër dhe duke qenë se ishte pjesëmarrëse në luftë, duke qenë se ishte shtatshkurtër dhe pa ndonjë përkrahje sistemi i kohës nuk i jepte punë të rënda krahu. Ajo shkonte u çonte bukën traktoristëve, bënte rolin e postieres, diku pastronte pasi të gjithë e donin dhe nuk e linin të lodhej.

A e pranoi sistemi në këtë mënyrë që të ndërronte gjini?

Po, e pranoi. Ajo njihej ën gjithë zonën dhe nuk mund të ndryshonte në moshën 26-vjeçare sërish. Ajo kishte marr të gjitha zakonet e burrave dhe ashtu ishte pranuar. Askush nga partia apo këshilli i asaj kohe nuk i tha gjë. Ajo vazhdonte jetën e saj normale si burrë dhe pse ishte femër. Pra me ardhjen e një sistemi të ri ajo gëzoi po të njëjtin status atë të burrit. Nuk pati reagime nga askush në atë kohë.

-Në atë sistem e paragjykonin që ishte kthyer në burrë? A mundoheshin ta tallnin apo njerëzit e shikonin si me përçmim për këtë ndryshim?

Askush nuk e ka paragjykuar. Askush nuk e ka fyer dhe në atë sistem dhe pse ai sistem kishte rregulla të qarta. Për sjelljen e saj, për urtësinë, karakterin, mirësinë, ndihmën që u jepte të gjithëve  atë e pranonin kudo ashtu siç ishte. Në fshat dhe në lokalitet gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm. Të gjithë ku e shikonin, ku e takonin, kudo që kërkonin ndihmë atë thërrisnin të parën. Edhe për punë pleqësie për të dhënë mendim të pjekur më shumë thërrisnin Nafijen. Të mëdhenj dhe të vegjël e donin të gjithë deh ajo kurrë nuk ka bërë sherr me njeri, kurrë nuk ka ofenduar njeri, kurrë nuk ka lënduar njeri, kurë nuk ka përtuar për të qarë hallin e çdo kujt. Ajo ishte aty ku ishte halli i njerëzve. Ajo ishte shumë e zgjuar dhe pse ka pasur katër klasë fillore. Në kohën që ka bërë shkollën i kishte notat të gjitha 1 pra 10 me kohën e sotme.  Ose më mirë 1 me yll. Por ajo kishte një zgjuarsi natyrore të paparë. Ta merrte fjalën nga goja. Të lexonte me shikim. Në sistemin komunist lexonte libra, gazeta dhe çdo gjë që i binte në dorë. Ajo u bë nënë e dytë për të gjithë vëllezërit dhe motrat e mi, pasi babai na vdiq shpejt. Ndërsa nëna e Nafijes ka vdekur në vitin 1976 në derën tonë. Kur erdhi gjyshja (nëna Nafijes dhe nënës time) në shtëpinë tonë, pasi ishte plakë, unë shkova në shtëpinë e Nafijes.

Në çfarë moshe ka vdekur Nafija?

Nafija ka vdekur në moshën 96-vjeç.  Në shtëpinë time ajo ka ndenjur plot 28-vjet. Ka vdekur në vitin 2010. Varrimi i saj u bë madhështor. Erdhën nga e gjithë zona. I madh dhe i vogël, pasi e quanin njeri shekullor. Ai varrim ka qenë i rrallë. Të gjithë filluan ta ndjejnë mungesën e saj pasi ajo ishte dhe berbere e fshatit.

Berbere?

Po, po, berbere. Fshati ynë nuk ka pasur berber dhe të gjithë burrat, fëmijët por dhe gratë e fshatit vinin dhe qetheshin tek Nafija. Madje ajo si merrte lekë askujt. Por fshatarët nuk ja linin borxh, i çonin çfarë të mundimin ,por ajo kurrë nuk kërkoi një lek. Ja dinin të gjithë për nder. Kur ajo ngeli e verbër të gjithë psherëtinin se s’kishin ku të qetheshin. Ishte mjeshtre ne të qethur. Kishte gërshërë të mira dhe një makinë qethëse dore, jo me korrent. Me ato i qethte të gjithë ku gjithkush gëzonte për dorën e saj të lehtë.  Pra si kur ishte te shtëpia e babait të saj Pllumbi edhe kur erdhi në shtëpinë tonë, ajo filloi të qethte në shtëpinë tonë. Madje kur kishte  burra apo gra të moshuara, ajo shkonte dhe i qethte tek shtëpia.

Ka vuajtur nga sëmundje Nafija?

Asnjëherë. Edhe pse pinte duhan dhe raki ajo nuk e njihte spitalin dhe ilaçet. Ajo pati vetëm një sëmundje se ngeli e verbër dy vitet e fundit. Në fillim u verbua nga një sy dhe pas një viti edhe nga syri tjetër. Ajo ka dalë në pension kur ishte 55-vjeç dhe mori pension kooperative.  Ishte shumë shumë e pastër. Ishte maniake në pastërti. Çdo gjë në shtëpinë e saj ndriste. Një gjë që mendoj un se ka pasur jetë të gjatë është se ajo lante çdo ditë, çdo ditë, verë dhe dimër kokën me ujë të ftohtë. Me ujë çezme edhe në borë. Madje e lante te çezma e fshatit. Ajo për pastërtinë ishte një farmaci me vete. Nuk mund të ketë sot një grua aq të pastër.

Duke qenë femër  e bërë mashkull, a e ngacmonin meshkujt?

Absolutisht jo, përkundrazi kishin një respekt të paparë. Mund të bënin ndonjë shaka të vogël dhe aq dhe ajo nuk keqkuptohej me shakanë. I pranonte shakatë dhe bënte bisedë me çdo njeri edhe me fëmijët të cilët i donte shumë. Kujdesej për çdo fëmijë po ta gjente në rrugë duke qarë.

Në këtë zonë a  papasur dhe gra të tilla virgjëresha të përbetuara?

Në fshatin tonë ka qenë i vetmi rast, por në zonën tonë ka pasur 4 të tilla. Një ishte në fshatin Bein, një në fshatin Gurra, dhe një në Plan të Bardhë. Pra katër gjithsej. Unë i kam njohur të katërt pasi ata takoheshin vazhdimisht për çdo të diel në Klos. Pra në Klos për çdo të diel bëhej pazari i madhe dhe ato shkonin për pazar por dhe takohesh. E kishin kthyer në domosdoshmëri takimin.  Mua më merrte gjithmonë me vete Nafija, gjithmonë, që kur isha në klasën e tretë që kisha shkuar në shtëpinë e saj.

Nafija të kishte birësuar ty?

Jo, me letra nuk më birësoi mua. Jo! Me kalimin e kohës ajo birësoi djalin tim në vitin 1991. Pra mua më kishte djalë  shpirtëror, dhe djalë me letra me rregulla bëri djalin tim të madh. Pra ja dhuruam ne si prindër Nafijes djalin. Djali e ka emrin Robert Topalli dhe tani quhet djali i Nafijes. Roberti tani është në Greqi. Pra djali u birësua me dëshirën e Nafijes me vendim Gjykate. Unë kisha dy djem dhe djalin ja dhurova Nafijes. Unë kam katër fëmijë dy djem dhe dy vajza dhe e bëra këtë me dëshirën e Nafijes por dhe me dëshirën e djalit. Dua të them se shtëpia ime ishte bërë çerdhe dhe kopsht. Në këtë shtëpi janë rritur fëmijët e vëllezërve të mi, madje dhe nipërit dhe mbesat e mi. I ka rritur të gjithë Nafija që ata e thërrisnin nënë.  Katër fëmijët e mi dhe pesë fëmijët e vëllezërve i ka rritur Nafija. Madje edhe fëmijët e fëmijëve. Ata më shumë donin Nafijen pasi kurrë nuk u tha një fjalë të keqe kurrë nuk i ka qëlluar, kurrë. Vëllezërit e mi quhen Besnik Topalli, i dyti jam unë, Haki Topalli, Ferik Topalli plus kishim dhe dy motra. Të gjithë fëmijët e tyre i rriti Nafija zemërmadhe.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: