Rakipe Karaj: Politika, larg duart nga artistët, na vrasin shpirtërisht!

Rakipe Karaj: Politika, larg duart nga artistët, na vrasin shpirtërisht!
Me kënaqësi, morëm rrugën me disa kolegë të Albanian Free Press, drejt Fushë-Krujës. Kisha komunikuar disa ditë më parë me këngëtaren e njohur, që tashmë i përket asaj treve, Rakipe Karaj, dhe ajo po na mirëpriste me shumë dashuri. Këngëtarja me zë të rrallë e sytë si kristal, jeton në qytetin e vogël prej shumë vitesh, bashkë me bashkëshortin dhe dashurinë e madhe të jetës së saj, kompozitorin e mirënjohur, Ylli Kalaja. Kisha kohë që isha shkëputur nga karriera e saj, e cila, e shtrirë në tre plane, ka qenë me shumë suksese. Por artistja e njohur, ka shfaqur ndër vite, modesti të jashtëzakonshme. Në qendër të Fushë-Krujës e takoj, dhe u ndalëm të pimë një çaj bashkë. Nuk kishte ndryshuar shumë, nga koha kur ishim takuar, veshur me fisnikëri, flokët e verdhë pas veshi, teksa shumë shpesh, bashkëqytetarët e saj, e përshëndesnin me shumë respekt. Rakipe Karaj është nga të paktët artistë, që me punën e tyre, kanë ngritur lart prestigjin e këtij qyteti të vogël, por që ka nxjerrë e vazhdon të prodhojë, shumë talente në art. Jo rastësisht, këto talente vijnë nga “duart” dhe mësimdhënia e Rakipe Karaj.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju njiheni si Rakipe Karaj e Fushë-Krujës, por jeni me origjinë nga Librazhdi ...

Po. Unë kam lindur dhe jam rritur në Librazhd. Gjatë viteve të shkollës tetëvjeçare, u dallua menjëherë talenti im në të kënduar, duke qenë se merrja pjesë në aktivitetet që organizonte shtëpia kulturore e fëmijëve në atë qytet. Kam marrë pjesë në festivalet e pionierëve, që do t’i quaja një mrekulli, sepse aty spikasnin talentet! Mua për shembull më zbuloi drejtori i Shtëpisë së Pionierit. Por për të studiuar në shkollë të mesme, erdha në Tiranë. Babai im nuk dëshironte që unë të vazhdoja studimet për muzikë. Nuk e konsideronte degë të përshtatshme për një femër, që nesër do të ketë një familje. Nuk mund të them se ishte fanatik, por parapëlqente që të studioja për mjekësi ose farmaciste. Por pasioni im, ishte shumë i madh. Në ato vite, isha dhe shumë mirë me mësime, e kjo bënte që babai të ishte edhe më shumë kundër. Me vendosmëri i shpreha qëndrimin tim, se do të studioja për muzikë, por ishte e vështirë ta bindje.

Dhe si ia arritët të shkonit në Tiranë?

Kur e pashë të vështirë, i kërkova “ndihmë” drejtorit të Shtëpisë së Kulturës në Librazhd, që të më regjistronte pranë Seksionit të Arsimit që të konkurroja për shkollën e kulturës, si dhe të bisedonte me babanë. Ai arriti ta bindte, duke i thënë se pas studimeve nuk ishte e thënë të isha këngëtare, mund të isha edhe një arsimtare e mirë, e për një femër kjo gjë ishte e përshtatshme. Ndoqa shkollën e mesme të kulturës, sepse isha nga rrethet dhe ne të rretheve nuk mund të shkonim në Liceun Artistik, - vetëm Tirana dhe Durrësi. Sigurisht që, për të shkuar atje fitoje me konkurrim, mes disa kandidaturave, sepse ishe si një bursë studimi, jetonim në konvikt. Unë fitova mes tre të tjerëve dhe kështu që kalova 4 vjet në konvikt. Në shtëpitë tona shkonim vetëm për Vit të Ri dhe në verë.

Gjatë shkollës së mesme, ju i vazhduat angazhimet me këngën?

Sigurisht që po. Kam marrë pjesë në disa aktivitete, duke fituar edhe çmime të para. Por përsëri im atë, pavarësisht se bëra emerë të mirë në muzikë qysh në shkollë të mesme, më tha:

“Në rregull, e bëre këtë shkollë muzike, por në shkollë të lartë zgjidh një degë tjetër.” Por unë i thashë me vendosmëri se, aty ku e nisa, aty do ta bitisja dhe se do të vazhdoja për muzikë arsimin e lartë. Babai nuk e konceptonte dot fare e as e pranonte që të këndoja në opera. Doja të studioja për kanto dhe i shpreha mendimin tim babait, duke dashur ta bind, se të studioje për kanto, nuk do të thoshte me patjetër se do të bëhesha soprano, por se mund edhe të këndoja muzikë të lehtë.

Kështu që konkurruat për kanto?

Po, pata fatin të jem një nga nxënëset e para të Edith Mihalit. Në Akademinë e Arteve kalova tre vjet të bukura e plot përvojë, e më pas një vit stazh, siç ishte atëherë praktika, pranë Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ishin ato vitet ku njohët dashurinë e jetës, Yllin?

Laçi zhvilloi një festival kënge, udhëheqës artistik ka qenë Ruzhdi Keraj dhe në atë qytet, Ylli ishte mësues muzike në një shkollë 8-vjeçare. Ylli ishte fizarmonicist mjaft i mirë. E vërteta është se ne njiheshim qysh në shkollë të mesme, ku ishte disa vite më lart më studime se unë. Por aty ishim vetëm të njohur, thjeshtë shokë shkolle. Por në Laç, filluan shkëndijat e para. Unë, të them të drejtën, siç ishte dhe koha atëherë, kisha pretendime që të kisha pranë një djalë nga Tirana. Kur e mendoja që shtëpinë Ylli e kishte në Fushë-Krujë, punën në Laç... Por Ylli ia kishte vënë vetes detyrë që, pas ushtrisë, do të vazhdonte fakultetin e ndërkohë merrej me aktivitete të shumtë kulture. Kur studioja në Akademi, Ylli bënte mësim me Tonin Harapin. Kur ai mbaronte mësimin me të, unë i lija të gjitha për të shkuar pas tij. Profesoresha ime, Edith Mihali, vinte pas orës një për të bërë mësim me mua, pasi mbaronte punën si soprano e parë në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe herë-herë nuk më gjente për mësi, ha ha ha sepse kisha shkuar të takoja Yllin. Më kujtohet një ditë që, profesoreshë Edithi më bëri për një lekë, duke më thënë se nuk e kisha mendjen për mësime hahaha, Edhe sot e kam në mendje atë skenë. Meraku im ishte edhe a do t’i dilte Yllit, e drejta e studimit pas konkurrimit, sepse siç ishte mentaliteti në ato vite, nga familja pretendohej që të kisha një bashkëshort me shkollë të lartë, si unë. Nuk shihej me sy të mirë, kur burri ishte pa shkollë të lartë e gruaja me shkollë.

Nga këto që po më tregoni, shikoj që paska qenë një dashuri e madhe, si ato e filmave ...

Po, e vërtetë. Ne të dy na u puqën shumë gjëra që në fillim, e kjo vazhdon sot e kësaj dite, kompletojmë njëri-tjetrin. Ndoshta, kjo ka qenë edhe arsyeja që, në një farë mënyre, nga kjo vuajti karriera ime. Sepse në atë kohë, kisha shumë emër dhe po të kisha vazhduar me ato ritme, gjërat do të ishin ndryshe. Ardhja që të jetoja në Fushë-Krujë, më penalizoi disi, sepse këtu nuk kishte estradë profesioniste dhe unë kalova në arsim. Por bashkëpunimet me anketat muzikore, festivalet dhe mjaft aktivitete në ato vite, kanë qenë shumë të suksesshme dhe i kujtoj me nostalgji. Nuk duhet të harrojmë se, për ne këngëtaret e rretheve, nuk ishte njësoj si për këngëtaret nga kryeqyteti, veçanërisht për mua që vija nga një qytet i vogël si Librazhdi. Nuk është njësoj, të vish nga vende me tradita të mëdha, teatro dhe estrada të fuqishme, si Shkodra apo Durrësi. Kompozitorët zgjidhnin të bashkëpunonin me këngëtare me emër; si rrjedhim, edhe çmimet shkonin aty.

Bashkëpunimi juaj me grupin aq të njohur, “Pleqtë e Krujës”, është i vonë?

Bashkëpunimi ka qenë shumë më i hershëm, por finalizimi erdhi me dy këngët e fundit, që ishin krijime të reja. Repertori i këtij grupi, për shumë vite, mbeti në një kuadër linear, pa zhvillime, pa përpunime ose këngë të reja. Në mënyrë që të arrinin hapat e kohës. Krijimet e reja e sollën edhe këtë grup në një dritë të re, më afër publikut të të gjitha moshave.

Pse i keni ngadalësuar ritmet e karrierës në këto vite?

Këto pesë vitet e fundit keni të drejtë, ndihem e pezmatuar, e fyer. Kam anashkaluar ftesa dhe aktivitete të shumtë. E kjo ndodhi pas largimit tim të padrejtë nga puna, për motivacione absurde. Ndoshta nuk është mirë kjo që po bëj, ky reagim, por kam humbur disi dëshirën dhe vullnetin, sepse u ndjeva e goditur në dy fronte. Është dramë të hiqen nga puna të dy familjarët njëherësh! Ne jemi artistë, politika duhet të mbajë larg duart nga ne, sepse ne edhe vritemi shumë shpirtërisht, lëndohemi më shumë se të tjerët, i përjetojmë gjërat! Ndaluni pak e mendoni, se sa shumë vite i kemi dedikuar kulturës së këtij qyteti të vogël! Pa diskutim që këtu talente ka shumë, por ato duhen përkrahur, duhen mbështetur, nxitur. E nga puna jonë dhe dashamirësia e qytetarëve të këtij qyteti të vogël, kanë dalë talente të mëdha, që sot,më bëjnë aq krenare! Ne kemi lënë gjurmët tona në kulturën e kësaj zone. Shpesh herë mendoj se, drejtorët ikin e vijnë dhe pavarësisht padrejtësive, emri im do të mbetet, do të jetë në fonotekën e Radio Tiranës, në arkivin e RTSH-së, do të jetë në kujtimet e atyre fëmijëve që kanë qenë nxënësit e mi e sot janë në skenat prestigjioze ku po shkëlqejnë dhe shumë të tjerëve, që janë nxënësit e mi tani. Asgjë nuk arrihet kur goditen artistët! Kjo gjë duhet të ndryshojë patjetër, në të gjithë kohët dhe sistemet, artisti nuk duhet të preket nga politika dhe ndryshimet e saj!

Ju keni përjetuar një zhgënjim të madh, kjo ju ka demotivuar?

Të të largojnë nga detyra, pas kaq shumë vitesh kontribut, me motivacion qesharak “rikonstruksion”, është sa fyese edhe demotivuese! Por kjo nuk më ka penguar të vlerësoj edhe përkrahjen e mijëra vetëve, të njohur e të panjohur. Rrjetet sociale ishin të vetmet ku ne gjetëm lirinë të shprehnim indinjatën tonë. Aty u bë aq shumë zhurmë e bujë, për largimin nga puna të dy artistëve njëherësh. Me qindra e qindra njerëz, na kanë shprehur solidaritetin, por jo të gjithë haptazi. Në këtë rast, pashë se sa shumë frikë kanë njerëzit të flasin hapur, të shprehen lirshëm! Kjo në vitet që jemi, është gati absurditet. Kemi luftuar dikur aq shumë për lirinë e shprehjes, sa që sot të ketë ende frikë. Është e dhimbshme!

Nën kujdesin tuaj, shumë talente të reja, po shikojnë suksesin. Kjo ju jep krenari?

Kam mbi 25 vjet aktivitet dhe kam pasur fat të kem në duar elemente shumë të talentuar, prindërit e të cilëve më kanë besuar fëmijët. Ndihem mjaft e lumtur dhe krenare për ta dhe për këtë qytet të vogël, që është kaq i pasur me talente! Unë, për të lënë gjurmë në këtë qytet, do të punoj sa të kem frymë! Gjithashtu jam krenare që ne bashkëpunojmë fort edhe me Kosovën e Maqedoninë! Jemi në juri në shumë aktivitete që zhvillohen atje, çdo vit. Të them të drejtën, ka një seriozitet dhe vlerësim shumë të madh, nga ana tjetër e kufirit, për punën me fëmijët si e ardhmja e vendit.

Po familja juaj, sa krenare jeni për të?

Unë jam nënë e dy djemve të mrekullueshëm, si çdo nënë i adhuroj djemtë e mi e kam sakrifikuar për ta. Por mund të them që të gjitha sakrificat e mia e të bashkëshortit, ata m’i kanë shpërblyer deri në fund, Florjan Kalaja, djali i madh është një jurist i zoti, i cili edhe shkruan për jurisprudencën dhe që, kam shpresë se do të ketë një të ardhme të bukur përpara, e meriton. Djali tjetër, Auloni, është një djalë me një sens të fuqishëm të drejtësisë, është progresist dhe mjaft i ndjeshëm ndaj çdo shkeljeje të të drejtave të njeriut, ai është gjithmonë në linjë të parë kur bëhet fjalë për të mbrojtur lirinë dhe barazinë si dhe kombin. Si gazetar, sigurisht, ai ka edhe një sy vëzhgues dhe kritik më të hollë.

Ju i keni prekur të tria dimensionet: Muzikën lirike, muzikën e lehtë dhe atë popullore. Sot, si i shikoni ato?

Për muzikën popullore nuk ka më aktivitete. Ajo është në agoni e nuk ka ku të demonstrohen talentet e reja dhe krijimet ose përpunimet e reja. Dikur, pavarësisht sistemit të izoluar, kishte shumë përzgjedhje dhe kujdes ndaj këngës popullore. Shikoheshin gjërat në detaje për nga cilësia, kjo sot mungon. Kënga e lehtë, si të gjitha fushat, ka pësuar traumë, ashtu si edhe interpretimi lirik. Por vulën më të rëndë, e ka vënë ndërhyrja e politikës, në të gjitha fushat e artit. Artisti i vërtetë nuk e ndjen veten të vlerësuar, të respektuar, të shpërblyer. Detyrimisht, shumë artistë e shikojnë veten të detyruar të rreshtohen në beteja që nuk janë të fushës së tyre. Për artin nuk investohet nga institucionet. E para gjë që dëgjon kur prezanton një projekt për fëmijë, p.sh, është se ka me qindra probleme më të rëndësishme për t’u zgjidhur, se kultura e fëmijëve. Sa keq! Mendoj se nuk ka asgjë më me rëndësi kapitale për një komb, se sa arsimimi dhe pasurimi i shpirtit të fëmijëve me artin dhe muzikën. Kjo i bën ata më të mirë, më të dashur, më të qetë. Kur ke në dorë një fëmijë, e merr të vogël fare, si atë argjilën që bëhet më pas një vazo e bukur, duke e punuar. Kështu edhe unë lumturohem kur shikoj se, një filiz është bërë një artist, e aty, është edhe kontributi im! Ne mund të mos jemi sot kurrkush për administratën e ata që na drejtojnë, por vepra jonë, mundi, djersa, do mbetet amanet brezave!

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: