Provimet kombëtare të arsimit bazë, zbardhen datat e kriteret

Publicitet
Provimet kombëtare të arsimit bazë, zbardhen datat e kriteret
Nga data 11 qershor, deri në 22 qershor të këtij viti, të gjithë nxënësit e klasave të nënta do t’u nënshtrohen provimeve të përvitshme të tyre. Fjala është pikërisht për ato që zyrtarisht njihen si “provimet kombëtare të arsimit bazë”

Nga data 11 qershor, deri në 22 qershor të këtij viti, të gjithë nxënësit e klasave të nënta do t’u nënshtrohen provimeve të përvitshme të tyre. Fjala është pikërisht për ato që zyrtarisht njihen si “provimet kombëtare të arsimit bazë” dhe që sivjet, sipas një udhëzimit të posaçëm të ministrisë së Arsimit janë parashikuar të zhvillohen pikërisht gjatë kësaj periudhe. Konkretisht, sipas këtij udhëzimi, “siparin” e provimeve e hap ai i gjuhës së huaj, i cili do të zhvillohet më 11 qershor. Për të vijuar më tej, me provimin e gjuhës shqipe, më 18 qershor dhe me atë të matematikës më 22 qershor. Sakaq, brenda këtyre datave është i përcaktuar edhe një provim tjetër, por në të cilin nuk janë të përfshirë të gjithë nxënësit e klasave të nënta. Sepse janë vetëm ata të pakicave kombëtare, të cilët do të zhvillojnë provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën “Gjuhë amtare”, përkatësisht në datën 15 qershor 2018.

Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza për provimin në lëndën gjuhë amtare, përgatitet nga Drejtoria Arsimore e Gjirokastrës. Kurse për shkollat e pakicës kombëtare  maqedonase,teza për provimin në lëndën gjuhë amtare,  përgatitet nga Drejtoria Arsimore e Korçës. Nga ana tjetër, nxënësit me aftësi të kufizuara i zhvillojnë provimet  kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre. Duhet ditur gjithashtu se nxënësi mbetës në provimet kombëtare të  arsimit bazë ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

Gjithashtu, udhëzimi përcakton edhe kriteret dhe përzgjedhjen e mjediseve te provimit. “Mjedisi më i vogël të jetë i mjaftueshëm për të paktën 20 nxënës. Largësia ndërmjet tyre  të jetë jo më pak se 120 centimetra. Në ditën e provimit, në shkollë nuk zhvillohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Sipërfaqja që nxënësi ka në dispozicion për të  shkruar, është të paktën 40 cm x 60 cm”, cilëson gjithashtu udhëzimi. Duke përfunduar me faktin se lista e mjediseve dërgohet deri më 8 prill.  Ndërkaq, shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve bëhet me procesverbal. Teksa materialet pas përfundimit të testimit ruhen dhe arshivohen për gjashtë muaj.

 

Gjuhët e huaja, cilat do të jepen si provim i detyruar?

Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar janë anglishtja, italishtja, frëngjishtja e gjermanishtja. Kurse testi i gjuhëve të huaja hartohet në përputhje me gjuhën, e  cila në planin mësimor të arsimit  të mesëm të ulët,  trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në  nivelin gjuhësor”, cilëson më tej udhëzimi në fjalë. Ndërkaq, nxënësit e  klasave të IX-ta parapërgatitore për seksionet  dygjuhëshe  italiane, gjermane dhe franceze  janë të lirë të  zgjedhin midis  gjuhës së huaj të parë që kanë filluar në klasën e III-të dhe gjuhës së huaj të seksionit përkates të filluar në klasën e VI-të. Testi i gjuhës së huaj për  nxënësit e klasave  të IX-ta parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane,  gjermane dhe franceze, do të hartohet dhe do të korrigjohet në bashkëpunim me mësuesit e huaj dhe shqiptarë të këtyre seksioneve.

 

LISTA

Datat e provimeve, sipas lëndëve

  1. a)Gjuhë e huaj, më 11 qershor 2018

  1. b)Gjuhë shqipe, më 18 qershor 2018
  2. c)Matematikë, më 22 qershor 2018

  1. d) Gjuhë amtare, më 15 qershor 2018

 

PROCEDURAT

Si do të vlerësohen testet?

- Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë.

-  Vlerësimi i çdo përgjigje të dhënë nga nxënësi për kërkesat përkatëse në test, mbështetet në formatin e vlerësimit të përgatitur nga QShA.

- Formati i vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Pas përfundimit të çdo provimi, publikohet formati i vlerësimit të testit në faqen e ministrisë.

-  Numri i vlerësuesve të testeve është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë, si edhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit.

- Vlerësimi i testeve realizohet në mjedise që përzgjidhen në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.

- Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë të pavarur nga njëri-tjetri. Çdo vlerësues nënshkruan testin që vlerëson.

- Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 ditë pas çdo provimi.

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: