Papunësia zyrtare ulet, tek të rinjtë dyfishohet

Publicitet
Papunësia zyrtare ulet, tek të rinjtë dyfishohet
Nëse në Shqipëri papunësia zyrtare përllogaritet prej 13.4%, ajo për të rinjtë arrin deri 24.6%

Papunësia zyrtare në Shqipëri, raportohet se aktualisht është në nivelin prej 13.4%. Një shifër kjo, për të cilën ekspertët po tregohen në fakt entuziastë, teksa thonë se ajo është më e ulët në krahasim me periudhat e mëparshme. Por ajo që bie në sy është fakti se ndërsa kjo shifër vërtet mund të jetë vërtet e ulët, nga ana tjetër kemi një nivel mjaft të lartë të papunësisë tek të rinjtë.

Një kategori margjinale kjo e shoqërisë shqiptare, pikërisht shanseve të pakta për punësim që u jepen. “Në tremujorin e katërt të vitit 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart në tërësi, ka qenë në nivelin prej 13.4%”, pohojnë ekspertët e Institutit të Statisti-kave. Duke shtuar më tej se “shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është në nivelin prej 24.6%”. Por që gjithsesi sipas tyre, nga viti në vit, shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie.

“Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e katërt të vitit 2017 është -3.5% më e ulët. Kurse krahasuar me tremujorin e tretë 2017, ajo ka pësuar një rënie prej -1.4%”, vlerësojnë ekspertët e INSTAT-it. Por gjithsesi, krahasimi mes shifrave tregon një diferencë mjaft të madhe mes normës së papunësisë së popullatës në tërësi dhe asaj të të rinjve, afër-sisht dyfishi.

Sikundër, ajo rezulton më e ulët edhe për grupmoshën e viteve 30-64 vjeç. Po sipas të dhënave të INSTAT-it, kjo kategori ka një normë papunësie, e cila është vetëm prej 10.5% dhe që tregon se kjo në fakt është edhe shtresa më e motivuar e popullatës vendase, sa i përket aspektit të punës. Gjë që shpjegohet në fakt me faktorë të tillë si eksperienca e krijuar në vite, apo edhe si mosha më e qëndrueshme sa u përket marrëdhënieve të punës, si të tilla.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: