"(Nuk) Jemi Një!" Shqipëri-Kosovë, “beteja e heshtur” mes dy përfaqësuesve

Publicitet
"(Nuk) Jemi Një!" Shqipëri-Kosovë, “beteja e heshtur” mes dy përfaqësuesve
Shqipëria dhe Kosova po luftojnë në distancë njëra-tjetrën, duke mos iu përmbajtur dëshirës së tifozëve andej e këtej kufirit apo politikave të dy vendeve, për të pasur një Kombëtare parësore

Nga Aranit Muraçi

I lindur në Gjermani, me origjinë nga Kosova, talenti me origjinë shqiptare, Edon Zhegrova, është dëshmia më e fundit e përçarjes, Shqipëri-Kosovë. Thirrja e tifozëve kuqezi, “Një Komb, një Kombëtare”, duket se nuk po funksionon.

“I lumtur që do ta përfaqësoj vendin tim,” - ka qenë mesazhi i futbollistit të Gent në Belgjikë, Edon Zhegrova, i cili pret debutimin me Kosovën më 24 mars në Francë, ndaj Madagaskarit. Zhegrova sipas burimeve të “Albanian Free Press”, u kontaktua më herët nga stafi kuqezi, por nuk mori garanci për të luajtur titullar në miqësoren ndaj Norvegjisë. Është e njëjta situatë si me Milot Rashica e lojtarë të tjerë kosovarë, që kanë qenë apo kanë marrë ftesë nga stafi kuqezi, por i janë bashkuar më tej përfaqësueses së Kosovës.

Nga stafi i përfaqësueses kosovare, atyre u është dhënë premtimi për të qenë pjesë e vazhdueshme e ekipit A, çka i ka detyruar të refuzojnë kuqezinjtë. Pra, nuk bëhet fjalë për refuzim nga ana e lojtarëve që zgjedhin Kosovën para Shqipërisë, por moskoordinim mes dy ekipeve përfaqësuese, që për tifozët përfaqësojnë të njëjtin komb. Me të gjithë lojtarët kosovarë, të cilët nuk kanë vendin e sigurt në Kombëtaren shqiptare, ka ndodhur e njëjta dukuri, çka tregon edhe përçarjen dhe garën që ka lindur mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të tërhequr talentet kosovarë.

Në këtë situatë të pazakontë që dëmton dhe dobëson të dyja përfaqësueset, shihet dukshëm se po përfitojnë vende të tjera ku lojtarët shqiptarë kanë nisur karrierën. Kombëtarja shqiptare i premtoi një vend titullari vëllait të Arlind Ajetit, Albianit që luan me Basel, për ta pasur atë më 24 mars në miqësoren ndaj Norvegjisë. Përgjigjja e tij nuk ka qenë negative, por Panucci-t i ka munguar një përgjigje pozitive. Kosova nuk ka pasur ende shanse për t’i bërë ndonjë një ofertë, ndërsa Zvicra duket se e ka përfshirë në planet e së ardhmes. Për këtë arsye, Albian Ajeti pritet të jetë rasti i dytë kur dy vëllezër ndajnë edhe ekipet përfaqësuese, pas rastit të vëllezërve Granit dhe Taulant Xhaka. Zvicra ka rrëmbyer deri tani disa nga lojtarët më të mirë me origjinë shqiptare, si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami etj, vlera e kartonit të të cilëve në merkato nuk është arritur deri tani nga asnjë futbollit i Kombëtares shqiptare dhe asaj kosovare. Pra konkurrenca Shqipëri-Kosovë premton ndoshta që asnjëra prej tyre të mos ketë në ekip të konsoliduar dhe premtues.

Panucci rikthen Ergys Kaçen         

Trajneri Christian Panucci e ka listën gati dhe ka nisur të shpërndajë ftesat për miqësoren e 24 marsit. Priten disa rikthime si ajo e mesfushorit Ergys Kaçe, do të ketë risi, por edhe disa largime. Lojtarë që nuk kanë bindur me klubet e tyre gjatë muajve të fundit, apo lojtarë mbi 30-vjeç, pritet t’iu lënë vend futbollistëve të tjerë premtues të cilët do të testohen nga Panucci më 24 mars.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: