Në botë po lëvizin edhe makina epoke, që i plotësojnë standardet

Publicitet
Në botë po lëvizin edhe makina epoke, që i plotësojnë standardet
INTERVISTA/ Flet për “Albanian Free Press”, kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj

Z. Aliaj. Teksa ka një nismë qeveritare për bllokimin e importit të makinave të para vitit 2009, ka edhe reagim nga ana e biznesit i cili fajëson cilësinë e karburanteve për ndotjen mjedisore. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

Kur flasim për karburante që nuk plotësojnë cilësinë, duhet të bëjmë dallimin nga ato që importohen dhe stacionet e shpërndarjes që i shesin ato të papërziera e që garantojnë cilësi si në gjithë Evropën. Ndërsa nafta që prodhohet ne vend nuk mundet kurrë të plotësojë standardin e kushtëzuar, kjo si nga teknologjia që ka në dispozicion, si nga lënda e parë që përdor. Është detyrë e inspektoriateve ta zgjidhë këtë problem, pastaj të mendohet për makinat. Sa i përket projektit për ndalimin e makinave me një moshë të caktuar, më duket i pavend, pasi mirë do ndalosh importin duke penalizuar shumë qytetarë të tutë, por ne jemi një vend i hapur dhe një numër edhe më i madh makinash vijnë me mallra e shtetas të huaj. Si do shpëtosh nga ndotja e tyre? Më e drejtë dhe demokratike është që shteti përcakton standardin sa lejohet lëshimi i ndotjes në ambient dhe makinat që e nuk arrijnë këtë standard të penalizohen. Kjo është e drejtë dhe nuk përmban klientelizëm. Në botë ka në lëvizje edhe makina epoke, ku në to investohet dhe ato plotësojnë gjithë standardet. Shteti normal vendos standarde dhe qytetari e zgjedh vetë rrugën e plotësimit të tyre.

Domethënë, sipas jush, karburantet që importohen në Shqipëri janë me cilësi, si në gjithë Evropën dhe nuk shkaktojnë ndotje në mjedis?

Jo e them unë, por kjo vërtetohet me origjinën nga ato vijnë dhe gjithë dokumentat që i shoqërojnë dhe verifikimet që bëhen periodikisht.

Sa është raporti i këtyre karburanteve me ato vendase, pra që nxirren në territorin shqiptar?

Për vitin 2017, në tregun shqiptar të karburanteve janë hedhur 402 mijë tonë karburant importi. Dhe 160 mijë naftë vendi. Por prodhimi vendas ka problemin se veç naftës që e nuk kap dot standardin, abuzohet edhe me solarin, verxhinen. Që shumë stacione e përdorin në përzierje naftën e importit, është kjo pjesë që e prish cilësinë, pra nuk është e drejtë të themi që i gjithë karburanti është pa cilësi. Pasi duke futur në një kategori gjithnjë pjesën e rregullt të tregut me abuzuesit, këta të fundit mbrohen. Prandaj inspektoriatet paguhen që veç penalizimeve, t’i bëjnë edhe publike këto subjekte dhe bashkë me median, të bëjnë që këto subjekte të braktisen nga konsumatorët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: