Mukades Çanga: Sot ka shumë këngëtarë të pasur, artistët e mëdhenj në fukarallëk

Mukades Çanga: Sot ka shumë këngëtarë të pasur, artistët e mëdhenj në fukarallëk
Në Shkodrën me shi dhe erë, me disa kolegë, morëm rrugën për të takuar një këngëtare që mund ta quaj pa doreza, këngëtare të madhe. Që fëmijë i mbaj mend këngët e saj. Ajo nuk devijoi për asnjë moment, e nuk ndryshoi as stil, as zhanër. Iu dedikua tërë jetën, këngës qytetare shkodrane. Por pa bujë, pa reklamë të madhe, me thjeshtësi, siç ka qenë jeta e saj. Por publiku shkodran dhe jo vetëm, ia njohu dhe vlerësoi meritat. Me një zë të ëmbël dhe buzëqeshje që nuk i largohet asnjëherë nga portreti i bukur, Mukades Çanga, e ka marrë me të drejtë sot emrin, “Zonja e Këngës Qytetare Shkodrane”. 70 premiera me trupën profesioniste të “Teatrit Migjeni”, mbi 100 këngë të incizuara, repertor me mbi 650 këngë nga të gjitha trevat shqiptare, por kryesisht këngë shkodrane, tre koncerte recitale dhe me mijëra koncerte brenda e jashtë vendit, Mukades Çanga është nga asetet më të çmuara të folklorit tonë. Dramaturgu i njohur, Fadil Kraja, do ta vlerësonte kështu: “Për ditët e sotme, Mukades Çanga është një pikë referimi për këngën popullore qytetare shkodrane, që nis nga ajo e më pas vazhdon me këngëtarë të tjerë, të cilët për fat, i kemi me shumicë.” Ndaj kur e pashë nga larg, teksa më afrohej nën shiun e rrëmbyer, me thjeshtësi të jashtëzakonshme, mendova se është një rikonfirmim se, artistët e mëdhenj janë edhe ata më të thjeshtët e njerëzorët. Kjo intervistë ekskluzive që ajo dha për Albanian Free Press, ishte dhe një takim i bukur në një qytet me tradita, që vazhdon të mbetet dhe ruhet i tillë nga zonja shkodrane, si Mukades Çanga.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Mukades, gëzohem që të takoj pas kaq vitesh. Nuk ke ndryshuar fare, si ia ke dalë?

Juela, shumë faleminderit që erdhe të më takosh, je shumë e mirë! Mua mendoj se më mban gjallë kanga shkodrane. Është aq e bukur, sa më jep energji dhe forcë! Pasioni për kangën dhe kulturën shkodrane, për njerëzit e saj aq të dashuruar pas artit, më bën ta kaloj lehtë çdo vështirësi që has në jetë.

E ke nisur shumë e vogël, 9-vjeçare. Por a ishte traditë në familjen tuaj, kënga?

Unë jam puro shkodrane, kam lindur në Shkodër dhe familja ime është këtu prej shumë brezash. Ishte një familje thjeshtë e punëtore, familje e shquar drejtuesish të besimit mysliman. Ne banonim në lagjen “Parrucë”, lagje e cila për më shumë se 200 vjet, ka udhëhequr xhamitë në Parrucë e Fushë Çelë. Është kjo familja e madhe, nga dolën Tofik Çanga e Salo Halili, dy Heronjtë e Popullit. Veç besimit dhe trimërisë, familja ime dallohej edhe për pasionin për artin dhe sportin. Xhevat Hafizi dhe Hafiz Xhemal Çanga kanë qenë ndër bylbylat e kangës shkodrane, ma ka këndu baba im Zija, axha, gjyshërit. Ndërsa Sait dhe Rauf Çanga kanë qenë futbollistë të shquar të ekipit të Vllaznisë dhe të kombëtares. Pra, e dashur, unë nuk mund të isha larg trungut të familjes, ndaj e dashurova që e vogël kangan dhe artin.

E kujton këngën tënde të parë?

U dallova që në shkollën fillore për zërin, nga profesori im. Kujtoj se u dallova unë dhe Myfarete Laze me zërin e saj brilant, se bashkë kena kenë. Ne merrnim pjesë në festivalet lokale të fëmijëve. Ishin vite kur aktivitete kishte shumë, e gjithë Shkodra gëlonte nga aktivitetet artistike. Falënderoj Zotin që jam ndjerë gjithë jetën e vlerësume nga publiku! Ishin vite kur me të vërtetë ndiheshe speciale, shumë e vlerësuar. Kanga e parë ka qenë, “Mori drandofillja e vogël”, nën drejtimin e violinistit të njohur, mjeshtrit Mark Kaftalli. Isha vetëm 9 vjeç, por e ndjeva emocionin e skenës dhe vlerësimin e specialistëve të muzikës. Në atë kohë, kishte një veçanti, Juela, nuk mund të këndonte gjithkush, jo si sot. Këtë e them me keqardhje! Shqipëria e tanë ka shumë talente, por jo të gjithë mund të jenë këngëtarë. Sot ka këngëtarë të shumtë dhe të pasur, ndërkohë që artistët e mëdhenj janë ende me divane 9 mijë lekësh, jetojnë disa në fukarallëk, por ata mbeten të mëdhenj! Ne këndonim për shpirt, për pasion, por përzgjedhja ka qenë shumë e rreptë, sepse ishte çdo gjë e gjallë, pra live. Publiku, veçanërisht ai shkodran, ishte dhe është mjaft kërkues, e njeh këngën e nuk të fal, nëse nuk ishe për skenë.

Po sot gjërat kanë ndryshuar?

Sot gjërat janë më ndryshe. Por mund të them se, këtu në Shkodër, ende ka pasion për muzikën, teatrin, pikturën e sportin. Publiku shkodran, nëse të do, të do përjetë e të mirëpret, e sallat mbushen plot me njerëz që këndojnë bashkë me ty. Është magji arti në Shkodër.

Si rrodhi më pas aktiviteti juaj?

Pas aktivizimit në pallatin e Pionierëve, rreth vitit 1973, unë vazhdova të këndoj në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, aty ndesha Jetmir Barbullushin, punuam bashkë. Pas ikjes së tij, erdhi Bardh Luka, që sot jeton diku jashtë Shqipërisë. I kujtoj edhe sot sakrificat e mëdha për të përpunuar një material burimor të trevave të Shkodrës, me ato pak mjete që kishim. Me shumë zor ia dolëm me shirita, të incizonim një kangë. Nga bobinat e vjetra e hidhnim në kasetë, që ta studionim e ta këndonim, ashtu siç e kishin lënë amanet të parët tanë. Ishte viti 1974, kur unë nisa debutimin pranë trupës profesioniste të “Teatrit Migjeni” si këngëtare. Kishte mjaft bashkëpunim në ato vite, edhe me Filarmoninë e Shkodrës dhe Shtëpinë e Kulturës. Por siç ishte edhe koha, unë caktohem të punoj në Fabrikën e Tisazhit, që më vonë u kthye në Fabrikën e tekstil-Trikotazhit në Shkodër, sepse dihet, për arsye biografie m’u mohua e drejta e studimit, madje edhe shkollën e mesme e kam kryer natën.

Ju ka mbetur peng që nuk vazhduat studimet?

Pak po, por ma shleu disi kursi njëvjeçar që kreva më 1978, pranë Ansmablit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve në Tiranë, sepse aty pata fatin e madh të kisha pedagogë mjeshtra si Luçie Miloti, Ramadan Sokoli, Xhevdet Hafizi, Naile Hoxha, Ibrahim Tukiqi, Abdulla Grimci, Tonin Zadeja, Tish Daia e shumë të tjerë, të cilët i kujtoj me shumë mirënjohje e përulem përpara tyre me respekt të madh, sepse më dhuruan linjat e dashura të këngës shkodrane, disa ngjyrime e detaje që sot, nuk t’i jep kush dhuratë e ato të vlejnë tanë jetën!

Ju vazhduat ndërkohë të ishit shumë e pranishme në skenën shqiptare me ansamblin “Rozafa”. Kur keni dalë jashtë kufijve për herë të parë?

Kujtoj se ka qenë viti 1989, kur unë mora pjesë në turneun e parë jashtë shtetit. Atë mbrojtësin e partisë së punës e kishim me vete, por ha ha ha, ishte i butë. Kishin filluar të ndryshonin pak gjërat. Ne ndenjëm në turne 45 ditë dhe ishim katër këngëtarë, isha bashkë me Bashkim Alibalin, Bujar Qamilin dhe Enriketa Kuqanin. Kujtoj se, kaluam një komision që u përzgjodha dhe kujtoj suksesin e madh në atë turne ku u përfaqësuam me këngë shkodrane, kosovare, këngë epike, që u pritën jashtëzakonisht ngrohtë. Ne, e dashur, jepnim nga 20 shfaqje në muaj në ato kohë, pallati i sportit mbushej plot! Kemi shëtitur në të tërë Shqipërinë.

Erdhi demokracia, ju si e përjetuat?

Faleminderit Zotit që erdhi! Ishim për t’u qarë me lot, të varfër sa më s’ka! Nuk mund ta imagjinosh sa kemi vuajtur! Laja teshat me dorë, se lavatriçe nuk kisha e më pas duket të bëja shfaqje. As telefon nuk kishim, asgja. Shkonim në punë me bukë në dorë. Shyqyr që erdhi kjo ditë, që fëmijët tanë të kenë të tjera kushte! Ishin dhe vitet kur unë nisa punën si këngëtare profesioniste pranë “Teatrit Migjeni”, ku vazhdoj edhe sot.

Ju me bashkëshortin jeni të pandarë, por si jeni njohur?

Bashkëshorti më ka njohur duke kënduar. Erdhi në Shkodër regjisorja Vera Grabocka për të bërë regjistrimet e para, me ansamblin “Rozafa”. Zgjodhi disa këngë shkodrane, edhe unë kisha dy këngë: “E para pemë çel qershia” dhe “Ishin mbledhë lulet në baçe”. Doli një koncert i bukur me ato filmimet e para. Bashkëshorti me ndiqte kudo, e gjeja dhe e shikoja kudo. Unë nuk e dija që ne ishim kojshi në lagjen “Parrucë”. Me humor, kujtoj Bujar Qamilin që më thoshte se, ky djalë që vinte shpesh, e kishte me mua e tash ai po e ndalonte t’i fliste se ishte djalë i mirë. Do i them, më thoshte Bujari, që nuk guxon me lujt me ty, se je vajzë e mirë. Mua më pëlqeu shumë si njeri e deri më sot nuk jemi ndarë; jetojmë bashkë, në të mirë e në të keq. Unë e them me plotë gojën se, kam pasur fat! Nuk është e lehtë për një artiste kur ka një bashkëshort që nuk e kupton dhe e mbështet. Pse i thonë bashkëshort, pra të ndash një short, një fat. Kur ndodh që të kupton dhe vlerëson, për një femër, është gjë e madhe. Ne kemi edhe dy vajza, si dy sytë e ballit!

Vajzat nuk ju kanë ndjekur në art?

Vajzat e mia kanë ndjekur rrugë të tjera. Jam tepër krenare për to, sepse u shkolluan në Tiranë! Njëra inxhiniere dhe tjetra ekonomi financë. Sot kanë jetën e tyre, shkoj e i shoh, vijnë e më takojnë, por kanë marrë rrugën e tyre në jetë. Pra, për një prind është vlera më e madhe, që sakrificat t’i shpërblehen nga fëmijët. Zoti të mi ruajë!

Sa i takon repertorit dhe pjesëmarrjeve në festivale, jeni nga më aktivet në skenën shqiptare...

E vërtetë; shumë punë, por edhe shumë vlerësim. Kam marrë pjesë në mbi dhjetë Festivale të Gjirokastrës, në 15 festivale të Këngës Qytetare në Elbasan, në festivalin shqiptar në New York më 1992, në festivalet në Kosovë, si “Kënga jonë”, Polifest Prishtinë, Në Gjakovë, në Ferizaj, kam marrë pjesë në disa festivale të këngës popullore në Turqi, etj., pa harruar pjesëmarrjen në Maratonën e Këngës Popullore për shumë e shumë vite rresht.

Pashë disa filmime të koncerteve tuaja, pashë një publik në këmbë. Si ndjeheni kur ndodh kështu?

Edhe sot, pas kaq shumë vitesh karrierë, më rreh zemra fort. Kemi një publik të mrekullueshëm që na mbështet dhe na do! Ndaj mendoj se, e kemi mision të mbrojmë me fanatizëm muzikën e pastër popullore.

Jua njohin, në fakt këtë rol. Ju kanë quajtur “Zonja e Këngës Popullore Shkodrane”...

Një vlerësim i madh ky! Kam pasur nderin të vlerësohem me shumë tituj në jetë, por titullin që e kam më për zemër, është ai nga njerëzit e mi më të dashur, nga qyteti im i shtrenjtë, “Mirënjohja e Qytetit Shkodër”, më 2006. Sepse unë çdo arritje ia dedikoj këtij qyteti. Por vlerësoj edhe titujt “Mirënjohja” nga ministria e Kulturës, më 2011, nga Malësia e Madhe më 2016, “Nderi i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar” në vitin 2009; sigurisht, vlerësimin nga Presidenti i Republikës si “Mjeshtre e Madhe” në qershor të vitit 2017. Për një artist, vlerësimi më i madh janë duartrokitjet e publikut dhe kur ai e kërkon në skenë. Kur jam në një koncert, nëse sapo fillon muzika e këngëve të mia, publiku nuk fillon e rreh shuplaka, pra nuk më mirëpret, unë nuk e nisi kangën. Por nuk më ka ndodhur asnjëherë deri më sot, e për këtë jam shumë e lumtur!

Besoj se keni pasur mundësin të ikni nga Shkodra, për një jetë më të mirë ekonomikisht. Pse nuk e keni bërë?

E kam vujt shumë edhe kohën kur ikja me muaj, larg familjes për koncerte! Jashtë kufijve nuk më kanë munguar ofertat dhe e kam menduar shpesh, se aty më prisnin boll të mira materiale. Por shpirti im është këtu, unë kam mall për Shkodrën edhe kur iki për pak ditë. Vendi yt mbetet vendi yt. Sa herë vajzat, ndoshta të mërzitura nga vështirësitë, më thonë: Mam, nuk jetohet këtu. Sigurisht që ato mund të ikin e ta provojnë. Por e them edhe që unë nuk do kisha qenë kjo që jam, por të kisha ikur nga Shqipëria. Jam shumë e lumtur që kam ndejtur këtu, jam e lumtur me gjithë hallet e dertet që nuk po i mbarojnë kurrë! Mbetëm në tranzicion.

Ende sot, ju interpretoni jashtë kufijve...

Po. Përpara pak kohësh isha në Gjermani p.sh., kam shumë oferta, por nuk është se ngutem shumë të shkoj kudo. Është fatkeqësi, e dashur mike, sepse ne u themi shumë për faleminderit turneve jashtë kufijve, sepse i kemi të domosdoshme për të jetuar me dinjitet. Paga është dinjitet për një artist, e unë me pagën që marr në teatër, nuk mundem as me hangar bukë, sepse janë qesharake, të ulëta, aq sa ndihesh keq shpesh. Aa, sa marr, as që nuk dua të ta diftoj, sepse do habiteshe. Mos harroni, ne edhe investojmë, vetëm veshjet skenike të mendosh sa kushtojnë, grimi, incizimet e këngëve. Të gjitha, ne artistët i paguajmë vetë.

Pse Shkodra ka nxjerrë kaq shumë talente?

Është atmosfera që ka Shkodra, aroma e këtij qyteti, geni që ka sjellë zëra kaq të bukur, pasioni për jetën e të bukurën. (E nis e këndon për ne vargjet e këngës “Shkodra iliriane” që sa herë interpretohet, publiku ngrihet në këmbë.)

“Oh, moj Shkodra iliriane/ oh, flamur me shumë nishane / nëpër shekuj dallgë tërmeti / flakë e kuqe në breg të detit / oh, fllad i bukur n’at veri / daç pranverë e daç stuhi / oh, qysh në kohën e Ilirisë / oh, nderi e besa e shqiptarisë / Nëpër shekuj ke rrit namë / Shkodër locja kot s’kanë thanë / n’troje tuja legjendare / demokrate e besimtare / oh kralja e mbret e pashallarë / e kanë lanë t’shkrume nji fjalë / oh e ke vindin në histori / oh se pa Shkodër s’ka Shqipëri!”

Kur nuk këndon, Mukades, si e kalon ditën, ku qetësohesh?

Qetësi më jep vetëm shtëpia ime e vogël, por plot me dashur. Nga ana tjetër, Shkodra të ofron çdo gjë. Ne kemi lumin, liqenin, kemi detin, kemi mrekullitë e maleve shumë afër. Marr biçikletën e shëtis në Shirokë, ose edhe në këmbë. Lëviz vetëm me biçikletën time, e kam shoqen më të mirë! Kështu mbaj edhe formën fizike, sepse skena, mushkritë, duhen mbajtur e trajtuar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: