Mimoza Paraveli: Njeriu pozitiv është i aftë të përballet me realitetin

Mimoza Paraveli: Njeriu pozitiv është i aftë të përballet me realitetin
Ka rreth dy dekada, që është një nga përfaqësueset më të denja të këngës së bukur korçare. Mimoza Paraveli ka brenda ëmbëlsinë e atij qyteti romantik e me tradita, ia lexon në portretin e shkruar, ia dëgjon në zërin melodioz. Pas këngës së suksesshme, “Po udhëtoj”, ajo nuk ka reshtur së “udhëtuari” drejt këngëve të reja, pavarësisht se të bisedosh me të, nuk është shumë e thjeshtë. Mimoza Paraveli është mjaft e kërkuar në muzikën live. Me thjeshtësi dhe sharm, këngëtarja e njohur vjen në këtë rrëfim për Albanian Free Press, mbi fëmijërinë e saj të bukur dhe të ardhmen.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si do ta përshkruani fëmijërinë tuaj. Aty kanë rrjedhur fillimet tuaja në muzikë?

 

Fëmijëria ka qenë një prej kohëve më të mrekullueshme të jetës time, kështu do ta quaja. Plot lojëra, argëtim me fëmijë të tjerë. Aktivitetet e shumta që organizonim në shkollë, bënë që të binte në sy talenti im.

 

Sa të ka frymëzuar tabani? Çfarë arome dhe ngjyre ka vendi ku keni lindur?

Vendlindja ime është quajtur “Parisi i vogël”, qyteti i serenatave, qyteti i birrës, qyteti i dashurisë, i mikpritjes. Besoj të gjithë e kuptojnë se për cilin vend të Shqipërisë e kam fjalën. Një qytet i qeshur, plot jetë, që të fton ta vizitosh në çdo stinë, në bardhësinë e dimrit dhe në freskinë e verës. Me malin e Moravës dhe kodra, pyje e fusha. Do ta quaja një qytet magjik, që i frymëzonte artistët dhe poetët të shkruanin atë muzikë dhe ato vargje, si trashëgimi e kulturës për brezat dhe me serenatat, Korça është bërë e njohur dhe e dashur për të gjithë shqiptarët.

 

Ju kanë mbështetur prindërit , familja, në fillimet tuaja, për këtë pasion?

 

Sigurisht që po. Qysh fëmijë, mësoja nga ajo që shihja dhe dëgjoja. Daja im merrte kitarën dhe e gjithë familja, fillonte të këndonte. Nuk duhej të ishte domosdoshmërisht gëzim familjar, po ishin thjesht netë dimri, pranë zjarrit apo ditë vere në shëtitje. Nuk mund t’i shpreh me fjalë ato ndjesi! Më bënin të ndihesha e rëndësishme. Më kanë inkurajuar dhe vazhdojnë të më mbështesin me shumë dashuri.

 

A keni pasur ndonjëherë, vështirësi nga paragjykimet?

 

Çdo njeri mund të paragjykohet e të paragjykojë. Mendoj se kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me mjedisin ku rritemi dhe edukohemi, rrethin shoqëror. Krenaria e sëmurë, deliri i madhështisë, mendjemadhësia, i bën njerëzit paragjykues për atë shtresë njerëzish më pak të arsimuar ose të varfër. Njeriu kur është pozitiv, është dhe i aftë të dijë të përballet me mençuri me këtë realitet.

 

Kur je ngjitur për herë të parë në skenë? Si i kujton ato emocione?

 

Ka qenë festivali për fatosa dhe pionierë. Shumë e vogël, me një këngë të kompozitorit të ndjerë, Apostol Simoni. Duke qenë se bënim provat e përgjithshme, përpara se të shfaqeshim në publik, teatri gumëzhinte prej rreth 100 fëmijëve. Kënga ime shoqërohej nga kori i pionierëve dhe emocionet ishin tepër të mëdha pas perdeve. Por kur dola në skenë dhe pashë gjithë atë publik, më hynë të dridhurat. Ktheva kokën pas, vështrova korin dhe mora zemër. Unë nuk isha vetëm. Dhe ia dola me sukses. Pastaj, në çdo dalje, vazhdoj të kem dhe sot e kësaj dite, emocione të mira.

Ke pasur mbështetje gjate këtyre viteve nga kolegët dhe publiku? A ke pasur edhe njerëz që të pengonin?

 

Mbështetja nuk më ka munguar asnjëherë, si nga familja, njerëzit e mi më të dashur, shoqëria. Por edhe nga kolegët, me të cilët kam pasur gjithmonë bashkëpunim dhe mirëkuptim. Publiku është ai që më fal emocion dhe vlerësim nëpërmjet duartrokitjeve, pa të cilat artisti nuk do të quhej artist. Njerëzit që mund të më pengonin, s’kanë qenë pjesë në jetën time.

 

Kë do të kujtoje nga bashkëpunëtorët?

 

Kompozitorin dhe dirigjentin  e  estradës profesioniste të qytetit të Korçës, Adrian Jorgji. Kantautorin, Mihallaq Andrea... Këngën time të parë popullore, kënduar në festival fëmijësh, krijuar nga i ndjeri, Mjeshtri Pavllo Sholla, kompozitorëtn Edmond Rrapi, Klodian Qafoku, Shpëtim Saraçi ... Adrian Hila, Gramoz Kozeli dhe Arjan Brahimi.

 

Një zë brilant, por dhe një portret i bukur. Në fillimet tuaja, mendon se ju ka ndihmuar ?

Ju falënderoj për komplimentin. Mendoj se të jesh e bukur, ka avantazhe, por bukuria nuk triumfon përherë. Pika më e fortë është aftësia në profesion.

Sa merreni me veten? Si ka ndryshuar raporti me këtë aspekt, pra veshjen, grimin, krehjen, nga dikur deri me sot?

Jam po e njëjta. Më pëlqen të vishem thjesht dhe asnjëherë me veshje që nuk do ndihesha rehat, që tërheqin vëmendjen apo që japin një imazh të gabuar të identitetit tim. Gjatë ditës ndodh që, rrallëherë, të përdor taka, sepse kështu i çlodh këmbët prej mbrëmjes që jam në skenë. Grimohem lehtë. Flokët më pëlqen t’i mbaj natyrale. Këto janë standardet e mia. Veshja modeste tregon respekt ndaj vetes.

Sot, muzika popullore është në faza të reja. Si ju duket ajo?

 Muzika popullore është tabani i muzikës shqiptare dhe si e tillë, lëvrohet shumë nga artistët. Është merita e gjithsecilit prej krijuesve dhe debutuesve që çdo ditë dhe më tepër, në të gjitha trevat shqiptare, të zhvillojnë dhe të ruajnë traditat.

Sot, si po vazhdon karriera juaj?

 Kam punuar për nxjerrjen e dy videoklipeve gjatë muajve dhjetor dhe shkurt. I pari është kompozim i Arjan Brahimit dhe tekst i Olti Currit, "Po udhëtoj", i realizuar nga Maxproduction. Ndërsa i dyti, kompozuar nga Adrian Hila, realizuar nga studio Chill. Pres që së afërmi, të përfundoj këngën kushtuar Korçës, një serenatë e krijuar nga vetë poeti, Jorgo Papingji. Sigurisht që vazhdoj të jem shumë e pranishme në muzikën live.

 

Keni ndonjë pasion të veçantë, përveç muzikës?

Leximi është pasioni im. Prej fëmijërisë dhe sot, mami si dhuratë për ditëlindje, më blen një libër dhe shpesh këtë dhuratë ia bëj edhe vetes. Më  relakson dhe me fal kënaqësi shpirtërore.

 

Keni ndonjë ëndërr që ende prisni ta realizoni?

Çfarëdo që kam ëndërruar dhe kam dashur në jetë, mendoj se e kam realizuar.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: