KRIMI DHE HAPËSIRAT NDAJ TERRORIZMIT – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
KRIMI DHE HAPËSIRAT NDAJ TERRORIZMIT – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ngjarja e djeshme në Tiranë, ku shpërtheu lëndë plasëse në një servis celularësh, ka ngritur dyshime tek organet e hetimit se, shpërthimi ka ndodhur ndërsa po përgatitej një minë e lidhur me celular. Kjo është një nga pistat kryesore që përmend policia, duke sqaruar dhe mundësinë se lënda plasëse të ishte vendosur në aparatin telefonik më parë, ndërsa ishte çuar për riparim. Ndërsa për hetimin e mëtejshëm dhe se si qëndron e vërteta, do të merren organet përkatëse në vijim. Rasti në fjalë rikthen edhe një herë çështjen e terrorizmit. Pra, që këtu ka një treg ku prodhohen dhe përdoren bomba, të cilat përdoren jo thjesht për një akt kriminal për larje hesapesh, por që shkaktojnë një dëm më të madh, edhe ndaj popullsisë civile. Rasti më i qartë ishte ajo çfarë ndodhi në Shkodër dy javë të shkuara, ku nga shpërthimi i lëndës plasëse u plagosën dhe gjashtë qytetarë, të cilët ndodheshin rastësisht  pranë vendit të shpërthimit.

Deri më tani, këto ngjarje janë trajtuar thjesht si raste kriminale, të larjes së hesapeve nga grupe të ndryshme me aktivitet të jashtëligjshëm, ose dhe si raste shpërthimesh nëpër mjedise biznesi për shkak të konkurrencës. Por në të gjithë botën, shpërthimet me lëndë eksplozive në të cilat rrezikohet jeta e qytetarëve të pafajshëm, etiketohen si rast terrorizmi. Dhe në këtë aspekt nuk ka rëndësi arsyeja apo motivi pse bëhet. Pra, mund të ketë motiv fetar, etnik, ideologjik apo dhe si konkurrencë mes grupeve mafioze, në të gjitha rastet këto ngjarje cilësohen si akte terroriste.

Ndër detyrat që BE-ja i ka caktuar Shqipërisë, si prioritet për t’u përmbushur ka qenë dhe “lufta ndaj krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe ... terrorizmit”. Në ligjëratat politike dhe mediatike janë përmendur shpesh çështjet e lirimit të organizuar dhe trafikut të drogave, por pak ose fare pak është përmendur dhe çështja e luftës kundër terrorizmit. Më së shumti, problemin e terrorizmit në Shqipëri e kemi pare të lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në Siri përkrah ISIS, dhe si një element që ka të bëjë më së shumti me propagandën që ushtrojnë këto rryma. Për këtë u bë dhe një gjyq ndaj një grupi imamësh e individësh si në Tiranë edhe në Kosovë, të cilët propagandonin dhe nxisnin pjesëmarrjen e qytetarëve të ndryshëm. për t’iu bashkuar ISIS në Siri. Po kështu. pati një reagim energjik dhe zhvendosje të ndeshjes Shqipëri- Izrael nga Shkodra drejt Elbasanit, pas informacioneve se mund të kish një akt terrorist në stadium. Në vijim, tema terrorizëm duket se është shuar nga leksiku mediatik në vend. Ndërkohë që dihet se, terrorizmi atëherë kur sulmohet, bëhet më i sofistikuar.

Nëse marrim raportet e policive të huaja, sidomos pas atentateve të ndryshme të terrorizmit nëpër Europë, vërehet një shqetësim i shtuar se, grupet që merren me trafikun e lëndëve narkotike drejt brigjeve europiane, bëjnë dhe transport armësh e lëndësh luftarake. Një dyshim i fortë në këtë rast, qëndron se këto armatime nuk janë thjesht për kontingjentin e krimit të organizuar jashtë, por që rrezik përdoren dhe nga grupet terroriste të cilët veprojnë në vendet europiane. Në këtë aspekt, vëmendja është e shtuar dhe trysnia mbi autoritetet shqiptare për të luftuar linjën e trafikut, nuk ka të bëjë thjesht me drogën, por dhe me armët që mund të përcillen përtej kufirit. Vetë ministri Xhafaj, në një intervistë të fundit në media, ndërsa paraqiste punën e policisë, veçoi dhe luftën që po bëjnë organet e rendit edhe në fushën e terrorizmit, pasi sipas tij, kjo çështje nuk përmendet shumë në media. Nga kjo mund të nxjerrim si përfundim se, sidoqoftë mbetemi një vend i rrezikuar, jo thjesht nga hasmëritë që zgjidhen duke përdorur eksploziv, por dhe nga aktet e mirëfillta terroriste. Deri më tani, terrorizmi është parë si diçka ekzotike që ndodh sidoqoftë larg nesh, diku nga orienti, dhe kujdesi ka qenë veç në rrezikun e futjes së ideve apo ideologjive të cilat mund të sponsorizohen nga jashtë. Dhe në fakt, nën zë, shumë portale janë të sponsorizuara nga paratë që vijnë prej vendeve ku terrorizmi është një realitet i prekshëm. Por tashmë nuk duhet të harrojmë se, jemi futur në kufi e në linjë të parë me konfliktin në Lindjen e Mesme. Që nga koha kur u vendos të pranoheshin në Shqipëri, rreth 3000 muxhahedinë që janë në opozitë me qeverinë iraniane, është vërejtur se kemi një interes të shtuar të vetë Iranit ndaj Shqipërisë, jo vetëm në subvencionim portalesh. Nuk jemi larg vatrave të ndezura, pra. Dhe kjo kërkon më angazhim të organeve përkatëse për të shmangur hapësirat që mund t’i krijohen këtu terrorizmit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: