Konkurrenca: Në Shqipëri monopole, abuzim me pozitën dominuese

Konkurrenca: Në Shqipëri monopole, abuzim me pozitën dominuese
Prej shumë vitesh, në Shqipëri ekziston një ligj për konkurrencën. Por dhe hetime të njëpasnjëshme nëpër tregje nëse po shkelen rregullat e caktuara prej tij. Por mesa duket, kjo nuk ka mjaftuar që në vendin tonë të zhduket njëherë e mirë praktika e abuzimit me pozitën dominuese e disa kompanive ndaj të tjerave. Ajo ende vazhdon të jetë e pranishme, duke çuar në prishje të rregullave të lojës dhe në një rrezik të shtuar të aktivitetit për sektorë të ndryshëm. E thënë ndryshe, situatat monopol të disa shërbimeve, kanë bërë që sektorë të caktuar të paraqesin probleme dhe për këtë arsyem ndaj tyre kanë nisur hetime dhe janë marrë masa konkrete për eliminimin e tyre. Kjo dukuri konfirmohet nga vetë Autoriteti i Konkurrencës në raportin e tij të fundit për vitin 2017. Kështu, brenda tij pohohet se nga 47 vendime të dhëna prej këtij institucioni gjatë vitit të kaluar, disa prej tyre kanë qenë pikërisht për abuzimet me pozitat dominuese të disa kompanive. Konkretisht, një e tillë është cilësuar situata e krijuar në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit në Portin e Durrësit. “Gjatë hetimeve, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se mund të ndodhej përballë një situate urgjence, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën, pasi mund të kishte shkelje të këtij ligji. Për këtë arsye, mori masa ndaj ndërmarrjes që kryente shërbimin e ngarkim-shkarkimit për nallrat rifuxho në terminalin lindor të Portit të Durrësit”, citohet saktësisht lidhur me këtë situatë monopoli që rrezikonte këtë treg. Për të vijuar edhe me atë të transportit ndërkombëtar detar në portin e Vlorës. “Duhen zbatuar kushte të barabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, që të vendosen në gjendje të favorshme konkurrence”, ishte përfundimi i hetimeve lidhur me shoqëritë e transportit rrugor që përdorin transportin detar nga ky port. Duke e vendosur këtë treg nën një monitorim të rreptë, deri në fillim të këtij viti. “Monitorim zbatimit të tarifave për secilin traget apo linjë, sidomos gjatë sezonit të lartë; sigurim i të dhënave të detajuara mbi të gjitha kostot reale për shërbimin që ofrojnë operatorët dhe monitorim për çdo biletë të shitur dhe shitjes së biletave nga ndërmarrjet që operojnë në treg”, ishin masat konkrete që morën ekspertët në një rast të tillë. Për të mos harruar këtu as edhe rastin e shfaqjes së filmave në kinema në Tiranë, i cili u vlerësua se ishte në situatë monopoli. “Çdo 6 muaj, përkatësisht brenda datave 10 prill dhe 10 tetor të çdo viti, të dërgohet informacioni mbi çmimet e shitjes së biletave dhe kostot përkatëse, si edhe pasqyrat financiare”, ishte urdhri që u dha në një rast të tillë prej Autoritetit të Konkurrencës, në mënyrë që ajo të shmangej. Që të gjitha këto, masa për të shmangur monopolet dhe abuzimet me pozitat dominuese, të cilat siç edhe pamë, qenkan të pranishme në tregjet shqiptare.

TELEFONIA

Celularët në marrëveshje të ndaluar, si rezultoi hetimi i tyre?

Tregu i telefonisë celulare në Shqipëri, është vlerësuar prej hetimit të Autoritetit të Konkurrencës nën marrëveshje të ndaluar, lidhur me çmimet apo paketat që aplikoheshin prej operatorëve që operonin brenda tij. Dhe në këtë kuadër,  atyre iu rekomandua të përmbushnin detyrimin “që për çdo ndryshim apo hedhje e paketave të reja në treg, e cila ka efekt të drejtpërdrejtë te konsumatori, të kërkohet transparencë çmimi për njësi, për çdo shërbim të ofruar (lekë/min, lekë/sms, lekë/MB) etj”. Sikundër, ata gjenden edhe nën një monitorim nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, për një periudhë 1-vjeçare, i cili ka filluar nga data 1 tetor 2017.

RISIA

Shkeljet, hetim dhe për të drejtat ekskluzive

Gjatë vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë në shqyrtim edhe tre raste të shkeljes së të drejtave ekskluzive. Për to, ky institucion ka kërkuar edhe vlerësim nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. “Sjellja e ndërmarrjes me pizitë dominuese EMS APO, duke vendosur kushte të padrejta tregtimi dhe refuzuar eksesin në lehtësitë e infrastrukturës që disponon ndaj ndërmarrjeve të tjera, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese, me pasoja të rënda për konkurrencën në treg”, ka qenë vlerësimi për njërin prej këtyre rasteve. Kujtojmë se fusha e zbatimit  ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, përfshin edhe ato ndërmarrje që vetë shteti u ka dhënë të drejta ekskluzive, ose të drejta të veçanta. Por që, gjithsesi, edhe për ato kërkohen të respektojnë rregullat e tregut, në mënyrë që ato të mos prishen, edhe pse mund t’i gëzojnë të drejta të tilla.

PËRQENDRIMET

Kontroll shitblerjeve të aksioneve prej kompanive

Edhe shitblerja e aksioneve prej kompanive të ndryshme në tregje të caktuara, është bërë objekt i hetimit prej Autoritetit të Konkurrencës. Mjafton të kujtojmë këtu atë të aksioneve të bankës “Veneto” prej “Intesa San Paolo”; të INSIG-ut prej kompanisë së sigurimeve Eurosig etj. Për këto raste, ky institucion i ka autorizuar të tilla blerje, duke i konsideruar si në rregull me ligjin. “Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar përqendrimet në tregun bankar, atë celular dhe të sigurimeve, pas disa blerjeve të bëra në këto të fundit”, cilësojnë ekspertët e këtij institucioni, lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar madje edhe vlerësime të bëra prej tij, për tregun e jashtëm, siç ka qenë rasti i blerjes së transaksioneve nga kompania “British American Tabacco”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: