Klasat e pesta provim në 25 maj, ja përmbajtja e testit

Publicitet
Klasat e pesta provim në 25 maj, ja përmbajtja e testit
Testimi nuk do të vlerësohen me notë, por do të shihet niveli i dijeve të 11-vjeçarëve, deri në atë nivel të shkollës

Sonila Isaku

Në 25 maj, të gjithë nxënësit e klasave të 5-ta do të testohen. Provimi do të përfshijë tri lëndë; atë të gjuhës shqipe, matematikës dhe lëndëve të tjera shkencore. Autoritetet e arsimit pohojnë se, testimi nuk do të jetë penalizues për përsëritjen e vitit për ata që do të marrin pikë minimale, por do të jetë një test për të parë nivelin e ciklit fillor.

Udhëzimi

Klasat e 5-ta në të gjithë vendin, do të testohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Testimi do të kryhet në datën 25 maj, dhe për herë të parë në këtë cikël, do të përfshijë vlerësimin në tri lëndë kryesore; gjuhë shqipe-lexim, matematikë dhe të lëndëve të tjera shkencore. Me anë të udhëzimit nr. 11 të nxjerrë nga Ministria e Arsimit tri ditë më parë, është parashikuar që ky testim të fillojë në orën 10:00 dhe do të zgjasë 1 orë e 30 minuta. Sa i takon nxënësve me aftësi të kufizuara do ta zhvillojnë këtë provim me anë të programeve të tyre të punës, duke parashikuar këtu veçoritë dhe standardin e tyre. “Me mbarimin e klasës së 5-të të bëhet një vlerësim për arritjen e njohurive të nxënësve në këtë nivel, i cili do të zhvillohet në 25 maj në 3 fusha, në matematikë, gjuhë dhe shkencë. Do të jetë një vlerësim, testet e të cilave do të hartohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) dhe do të korrigjohen nga AKP” - thuhet në udhëzim.

Provimi

Provimi i klasave të 5-ta nuk do të ketë nota dhe as penalitete për nxënësit do të dalin dobët në të. Rezultatet do t’i duhen Ministrisë së Arsimit për të parë nivelin e arritjes në përfundim të ciklit të fillore.

“Është një testim i cili nuk do të vlerësohet me notë, por do të jetë një vlerësim me pikë, i cili do të përcaktohet sipas tri fushave që do të jetë në ndihmë të Ministrisë së Arsimit, por edhe vetë shkollave: pohojnë burime zyrtare nga MAS. Sa i takon vlerësimit të përgjigjeve të nxënësve, do të bëhet me pikë, të cilat do të ekuivalentohen me notë, ku vlerësimi maksimal i testit është 50 pikë. Urdhri i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit parashikon procedura të rrepta, të ngjashme me testimin e Lirimit dhe të Maturës.

“Largësia përmes nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm; në mjediset e testimit nuk duhet të ketë postera; nxënësit ulen me fytyrë nga i njëjti drejtim dhe provimi mbikëqyret nga një administrator që nuk i takon shkollës ku po kryhet testimi” - thuhet në rregullore. Procedurat e zhvillimit të testit përfshijnë struktura arsimore si Agjencia Kombëtare e Provimeve, Institutin e Zhvillimit të Arsimit, Njësitë Arsimore Vendore, qendrën e vlerësimit të testeve në DAR/ZA, administratorë gjatë testimit, administratorë të sekretimit. Nxënësit duhet të paraqiten në mjediset e shkollës, një orë para nisjes së testimit.

 

PROCEDURA

Si do të vlerësohen testet?

- Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë.

- Vlerësimi  i   çdo   përgjigjeje  të   dhënë   nga   nxënësi   për   kërkesën   përkatëse, mbështetet në formatin e vlerësimit të përgatitur nga QSHA.

- Formati i vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës.

- Pas përfundimit të vlerësimit, publikohet formati i vlerësimit të testit në faqen e MASR dhe të QSHA.

- KVANAF përzgjedh vlerësuesit, të cilët duhet të plotësojnë këto kritere:

  1. a) Të kenë arsimin e lartë përkatës;
  2. b) Të kenë mbi 5 vjet eksperiencë pune në mësimdhënie në arsimin fillor;
  3. c) Të jenë të vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie;
  4. d) Të mos kenë konflikt interesi.

- Numri  i  vlerësuesve  të  testeve  është  në  varësi  të  numrit  të  testeve  që  vlerësojnë  dhe kohës së shpalljes së rezultateve.

- Vlerësimi i testeve realizohet në QVT, mjediset që përzgjidhen nga DARZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.

- Çdo përgjigje e testit i nënshtrohet një vlerësimi të dyfishtë të pavarur nga njëri-tjetri. Çdo vlerësues nënshkruan testin që vlerëson.

- Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për  të  njëjtat  kërkesa, kryetari  i vlerësuesve cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.

- KVAN ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim.

- Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas përfundimit të testimit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: