Kelly: Muzika një xhungël, luanët jashtë mode, lepujt mbretërojnë

Publicitet
Publicitet
Kelly: Muzika një xhungël, luanët jashtë mode, lepujt mbretërojnë
Për shumë vite, Kelly, këngëtari me zë të plotë, ishte shumë i pranishëm në skenat shqiptare, por edhe mjaft i angazhuar në jetën e natës së kryeqytetit, ku ishte ndër të parët që promovoi edhe karaoken. Sot këngëtari i njohur është ngjitur në një dimension më lart, ai është tashmë një producent i njohur me një shtëpi produksioni të vetën, por më i kompletuar edhe në jetën personale. Pas një dashurie të madhe me vajzën që i rrëmbeu zemrën, pak ditë më parë Kelly u bë edhe baba i një djali që, siç ai e quan, është dhuratë nga Zoti. Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë Kelly ka realizuar shumë këngë, disa prej të cilave sot janë hit-e.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Duke qenë se është lajm i fundit, një gëzim të madh po jetoi këto ditë, erdhi në jetë djali juaj, fëmija i parë. Si ndiheni në rolin e babait?

Fillimisht dua t’ju falënderoj për intervistën. Të qenit baba qenka një ndjesi e mrekullueshme që nuk di si ta shpjegoj, në të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi e madhe pasi gjithë jeta jote, pak a shumë ka marrë një drejtim të ri.

Një artist i përjeton këto ngjarje shumë më thellë. Do e frymëzojë më tepër ky eveniment i rëndësishëm krijimtarinë tënde?

Absolutisht po, por akoma nuk jam ulur për  të  shkruar diçka që sigurisht do të jetë shumë speciale dhe do të përcjellë shumë emocion.

Ky beb i bukur është fryt i një dashurie të madhe, por si lindi ajo? Sa e kompleton një mashkull dashuria e vërtetë?

Liam erdhi si një bekim  i Zotit dhe  dashurisë së pafundme që kemi unë dhe  Enisa. Duket sikur çdo ditë është hera e parë që jemi takuar.

Një kuriozitet, Kelly është emër arti, si lindi ky emër? Sepse tashmë të gjithë ju njohin vetëm kështu.

Emri Kelly është një nofkë nga adoleshenca, pasi dëgjoja pa fund këngëtarin shumë të njohur amerikan R.Kelly dhe nuk kishte moment që nuk këndoja  këngët e tija, më pas më mbeti si emër nga miqtë e mi dhe kur nisa aktivitetin si këngëtar, si emër në skenë.

Por si erdhët deri këtu, pra, si lindi Kelly këngëtar e më pas producent?

Unë jam marrë me muzikë që i vogël, duke marrë pjesë  nëpër festivalet e fëmijëve. Në moshën 11 vjeçare  kam  kompozuar  këngën  time  të  parë dhe  më  pas, duke  vazhduar  pjesëmarrjet  nëpër  festivalet e ndryshme. Çdo gjë e kam nisur nga hiçi për  të  qenë dikush.

Kur kujton fëmijërinë tënde, si ka qenë ajo?

Ka qenë  një  fëmijëri e bukur dhe e qetë. Por patjetër me çapkënllëqet e moshës por kam qenë një fëmijë i dashur me të gjithë.

Sa të lidhur keni qenë me familjen dhe sa jeni përkrahur prej saj në pasionin për muzikën?

Me familjen jam shumë i lidhur, ata më përkrahin në çdo hap që hedh dhe në  çdo vendim që marr. Në  familjen time  nuk është  marrë askush me muzikë  kështu që  dhe ata e kanë  pasur të vështire  ta  kuptonin  në  fillim nisjen  e karrierës time, pasi si çdo muzikant  dhe  këngëtar  duhet  të  kisha  një  kapital  fillestar për  t’u  bërë  dikushi. Por nuk kam lënë pas dore studimet dhe arsimimin tim kështu që ata nuk e kanë parë si pengesë faktin që jam marrë me muzikë që në moshë të hershme. Jam përpjekur që të vetëfinancoj karrierën time në muzikë që në hapat e parë, e këtë e kam bërë duke kënduar live nëpër klube të ndryshme në Tiranë dhe jo vetëm.

Keni kënduar solo por edhe në bashkëpunime me këngëtarë të tjerë. Kur jeni ndjerë më të suksesshëm?

Në  këngët solo je më komod pasi e shpreh më  qartë  atë se çfarë do të transmetosh nëpërmjet këngës  tënde tek publiku, ndërsa  bashkëpunimet  janë  më specifike, duhet të përshtatesh më shumë me personin që do të bashkëpunosh, më mënyrë që produkti final të jetë ai që duhet e të mirëpritet nga publiku.

Këngëtaret femra avantazhohen nga pamja e jashtme. Po këngëtarët meshkuj?

Nuk di të them në përgjithësi për këngëtarët meshkuj, por unë gjithmonë  avantazh  kam pasur  zërin dhe besoj gjithmonë  do evidentohen nëpërmjet zërit kudo  që  dal  dhe  në  çdo radio  që  dëgjohen  këngët  e  mia. Sigurisht  që edhe  pamja  e  jashtme  ka të  bëjë  shumë dhe është një plus i madh por mendoj që mbetet vetëm një impakt i shkurtër tek publiku.

Bën pjesë tek ata që i japin pamjes së jashtme rëndësi?

Kohët e fundit  kam filluar t’i kushtoj pak më tepër rëndësi edhe unë, sepse kam filluar të jem më aktiv në tregun vizual dhe patjetër që një artist duhet të jetë i kuruar.

Kelly tashmë një producent i njohur. Është terren i vështirë?

Muzika  është  xhungël  më  vete  këtu, ku luanët  kanë  dalë  jashtë  mode dhe lepujt janë IN dhe mbretërojnë. Është bërë e vështirë  në  pjesën  e produksionit, muzika  e  vërtetë ka filluar të prodhohet më rrallë, mos të them që ka  humbur  dhe është  zëvendësuar me një  lloj mixi (mishmash) midis shumë  rrymave. Shumë artisët, për të qenë pjesë e tregut, janë të pajtuar me "rregullat e vendosura" duke prodhuar muzikë turbo-folk apo një përzierje që nuk dihet çfarë është. Edhe publiku po edukohet me këtë lloj muzike dhe kjo është ajo që më shqetëson më tepër.

Cilën quan nga këndvështrimi yt, një këngë të bukur?

Një  këngë që  të emocionon, një këngë që ka një mesazh, tekst dhe muzikë të bukur, një  këngë  të cilën nuk lodhesh duke e dëgjuar disa herë.

Festivalet janë sigurisht një trampolinë suksesi. Por sa nga suksesi yt u dedikohet vërtetë atyre?

Festivalet  kanë  qenë vërtetë një  trampolinë për  mua, pasi ishin mundësia e vetme e promovimit në atë kohë, në  skenat  shqiptare.

Kur nuk merresh me muzikë, me se merresh?

Përveç muzikës, kam angazhime të tjera. Bashkë  me Enisën, bashkëshorten time,  kemi  hapur  një  kompani  punësimi  dhe  rekrutimi për  Shqipëri  dhe  jashtë  Shqipërie.

Po nëse nuk do të ishe artist, cili mendon se do të ishte profesioni yt?

Ky që  kam  tani, menaxher burimesh njerëzore pasi kam fituar një eksperiencë të mirë në fushën e HR.

Këto kohë ke ndonjë material muzikor të ri në duar?

Kam disa projekte me të cilat po merrem në studio, të  cilat do të  shoqërohen  me videoklip, më sakte dy  nga  këto  janë  gati  dhe njëri prej tyre po xhirohet.

Sa rëndësi ka për një artist reklamimi i punës së tij? Mendoni se e bëni këtë sa duhet?

Në të  gjithë  botën janë  firma  reklamimi  që  merren  me  artistët,  duke  bërë  promovimin e  punës  së  tyre, ndërsa  këtu  në Shqipëri  këngëtari  duhet të  merret  me  çdo gjë, në shumicën e rasteve. Ka edhe  menaxherë të mirë por janë  pak në  proporcion me  artistët që  janë  në  treg. Ndonjëherë e mendon si risk të menaxhohesh nga dikush që nuk është i duhuri, pasi mund të të dëmtojnë më tepër se të ndihmojnë në pjesën e reklamimit.

Ka treg muzikor Shqipëria, sipas teje?

Vështirë ta thuash që Shqipëria ka  treg të mirëfilltë muzikor. Ka një rrëmujë që   shoqërohet me muzikë jo cilësore dhe ajo që më duket jo e drejtë është që media e mbështet shpeshherë këtë lloj fenomeni.

Ke bashkëpunëtorë në art ndaj të cilëve je mirënjohës?

Sigurisht  që  kam bashkëpunëtore në art dhe do të jem  gjithmonë  mirënjohës  për  çdo  kontribut  që  ato  kanë  dhënë në  karrierën  time. Aktualisht jam  duke  bashkëpunuar  me  një  nga  producentët e rinj më të  mirë në  Shqipëri,  Anxhelo Koçin, po  punojmë  disa materiale që  besoj  se  do  vijnë ndryshe  këtë  herë.

Më thuaj një pikë të fortë dhe një të dobët në personalitetin tënd...

Jam i durueshëm....por ndonjëherë dhe shume nevrik

Ku e gjen prehjen Kelly kur i vjen në majë të hundës?

Te djali  dhe  Enisa,  janë  të vetmit  që  ma  largojnë  stresin  e  çdo  dite.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: