FORUM NË “ALBANIAN FREE PRESS”: A NA DUHEJ PËRPLASJA ME RUSINË?

Publicitet
Publicitet
FORUM NË “ALBANIAN FREE PRESS”: A NA DUHEJ PËRPLASJA ME RUSINË?
Përplasja me Rusinë, opinione pro dhe kundër në “Albanian Free Press”

Dy diplomatë rusë që ushtronin aktivitetin e tyre në Shqipëri, para dy ditësh janë shpallur si persona “non grata”. Argumenti zyrtar i autoriteteve shqiptare: Veprimtaria e tyre nuk përputhet me statusin diplomatik. Një vendim ky që nga ministria jonë për Evropën dhe Punët e Jashtme u mor duke iu bashkuar SHBA-ve, disa aleatëve të NATO-s, por edhe të Bashkimit Evropian, për të dëbuar disa diplomatë rusë nga vendet e tyre, në kuadrin e çështjes “Skripal”, e cila ka në thelb të saj pikërisht helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britaninë e Madhe. Duke krijuar kështu një situatë të nderë në aspektin diplomatik të vendit tonë, e cila është shoqëruar me reagime të ndryshme. Në këtë kuadër, gazeta “Albanian Free Press” u ka drejtuar dy pyetje të posaçme opinionistëve të saj, për të mësuar se cili është qëndrimi i tyre rreth vendimit të lartpërmendur të palës shqiptare...

Dy pyetjet për analistët tanë

1.Si e komentoni vendimin e fundit të qeverisë shqiptare për dëbimin e dy diplomatëve rusë, nën argumentin se veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin diplomatik? A e gjeni me vend solidarizimin e Shqipërisë në një rast të tillë me shumë vende të tjera të NATO-s dhe BE-së, që morën një vendim të ngjashëm, në kuadrin e çështjes “Skripal”?

2.Çfarë rrezikon Shqipëria pas një vendimi të tillë? A cenohen sipas jush marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe nëse po, çfarë do humbnim realisht prej tyre?

PLATOR NESTURI: Besim ndaj partnerëve evropianë, edhe me çmimin e ftohjes me Rusinë

1.Vendimi i Shqipërisë për dëbimin e dy diplomatëve rusë nga Tirana bëhet në shenjë solidariteti me vendet e tjera të BE-së dhe të NATO-s për rastin “Skripal”. Pavarësisht se vendi ynë është shumë larg epiqendrës së përplasjeve të kohëve të fundit midis vendeve të Perëndimit me Rusinë, ky është thjesht një akt simbolik që Tirana zyrtare kërkon të përcjellë ndaj partnerëve të vet, aq më tepër kur tashmë jemi në një fazë delikate që ka të bëjë me çështjen e integrimit në BE. Presim të marrim lejen për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim me BE, ndaj së paku ky është një akt politik i përkatësisë midis kampeve. Por nuk mund të lihet mënjanë edhe fakti se ky vendim merret dhe pas debatit të brendshëm politik, ku vetë kryetari i opozitës akuzohet për ndërhyrje ruse në pagesat për lobimin në SHBA. Gjithsesi, vendimi i MEPJ drejtohet më së shumti si një akt besnikërie ndaj partnerëve dhe nga ky shkak, edhe vetë opozita nuk e kundërshtoi këtë vendim, por deklaroi se ka të bëjë me interesat strategjike të Shqipërisë.

2.Vendi ynë nuk ka marrëdhënie të ngushta dhe një fluks të madh ekonomik me Rusinë. Importet dhe eksportet me të janë në nivele shumë të ulëta dhe nga kjo anë, nuk ka si të ketë pasoja që mund të ndikojnë në interesat ekonomike. Me Rusinë thjesht kemi mbajtur marrëdhënie të miqësisë, por duke u shprehur qartë se orientimi i vendit është drejt NATO-s dhe BE-së. Natyrisht që ky vendim mund të sjellë si pasojë një ftohje të mëtejshme midis dy vendeve, por gjithsesi, në kandarin e interesave, Tirana ka parë se më me rëndësi për të ka qenë të japë një shenjë besimi ndaj partnerëve evropianë, qoftë edhe me çmimin e ftohjes së marrëdhënieve me Rusinë.

ROLAND QAFOKU: Më rëndësi ka aleanca me NATO, BE dhe SHBA, sesa problemet me Rusinë

1.Vendimi i qeverisë shqiptare për dëbimin e atasheut ushtarak rus, Vladislav Filipov dhe të sekretarit të parë të ambasadës rusë në Tiranë, Nikolaevich Balashov nuk është një vendim personal i Shqipërisë. Dëbimi i 2 diplomatëve nga 28 të tillë që Rusia ka në Tiranë është një vendim brenda kuadrit të NATO-s dhe BE-së, e nuk ka vend për të treguar gjoksin dhe ta kthejmë Shqipërinë në lajmin e botës. Në të vërtetë, ai është lajmi i parë i botës bashkë me NATO-n dhe BE-në, më saktë, akoma me SHBA-të, sepse janë 23 shtete tashmë që kanë dëbuar 137 diplomatë rusë nga ambasadat e Rusisë në këto shtete. Ajo që vlen të përmendet, është se ka shumë paqartësi në vendimin dhe deklaratën e ministrisë sonë të Evropës dhe të Punëve të Jashtme. Është vetëm një fjali me 58 fjalë. Dhe sqarimi i vetëm është me artikulimin standard diplomatik: “veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”. Por nuk sqarohet nëse kjo veprimtari që nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik, ka lidhje me helmimin direkt të ish-agjentit Sergey Skripal dhe vajzës së tij, Julia, apo me veprimtari antiligjore në dëm të Shqipërisë. Natyrisht, që më shumë gjasa ka e para, por përsëri mungojnë të dhënat dhe lihet vend për shumë hamendësim. Të mos harrojmë se presidenti aktual, Vladimir Putin ka qenë shef i KGB-së së famshme dhe kryente veprimtarinë e tij në Gjermani, si agjent i fshehtë, i punësuar si gazetar i agjencisë së lajmeve shtetërore. Në këtë kuadër, ky vendim është mëse normal, i drejtë dhe pa asnjë dyzim. Çdo qeveri e majtë apo e djathtë nuk do hezitonte të merrte një vendim të tillë. Këtu ka vetëm një lidhje, me skandalin e të ashtuquajturit “financim i fushatës së PD”, që kryeministri Rama e trumbetoi me të madhe. Lajm i saktë apo jo, ai ishte një parathënie e lajmit të dëbimit të diplomatëve dhe kështu merr trajta besimi. Kryeministri e ka shfrytëzuar jo pak këtë, si njeriu që ka më shumë informacione në vend dhe bëri jo pak politikë kundër Partisë Demokratike, për të bindur opinionin se “financimi i fushatës së saj justifikon rrezikun ruso-sllav për Shqipërinë”.

2.E rëndësishme është aleanca e Shqipërisë me NATO-n dhe BE-në dhe sidomos me SHBA-të, sesa problemet që mund të kemi me Rusinë. Rusia ka të vetmin synim, që të ndikojë sadopak në rajonin e trazuar të Ballkanit dhe këtë synim, ajo kërkon ta arrijë me shumë mënyra. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë qenë kurrë aleatë të Rusisë në asnjë rast në histori, përjashtuar disa vite gjatë komunizmit, që solli një aleancë ideologjike. Por edhe ajo aleancë u prish dhe që nga viti 1961 deri në vitin 1991 ne nuk kemi patur fare marrëdhënie diplomatike, e as marrëdhënie formale me Rusinë ose Bashkimin Sovjetik të asaj kohe. Interesant është fakti që i vetmi kryeministër shqiptar në historinë e këtyre marrëdhënieve, që ka vizituar Moskën në një takim të nivelit të lartë pas rrëzimit të komunizmit, është Aleksandër Meksi, në vitin 1995, në takimin me homologun Viktor Çernomerdin dhe fjalimi i tij në gjuhën ruse, sot ngjan piktoresk. Por ne nuk kemi qenë dhe as nuk jemi aleatë me Rusinë. Ne duhet të kujdesemi të mos dëmtojmë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, pasi pa Rusinë nuk kemi asnjë pasojë as ekonomike madje, sepse shkëmbimi i mallrave është i papërfillshëm. Vetë aleanca e NATO-s është mburoja më e mirë.

EDUARD ZALOSHNJA: Lëvizja e qeverisë shqiptare, thjesht për propagandë në “tregun e brendshëm” politik

1.Po aq pak rëndësi sa pati pjesëmarrja e Shqipërisë ne koalicionin perëndimor që sulmoi Irakun në vitin 2003, aq rëndësi ka edhe futja e saj në grupin e 23 vendeve që dëbuan diplomatët rusë, në kuadrin e çështjes “Skripal”. Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare ka thjesht vlerë propagandistike në “tregun e brendshëm” politik, në kohën kur Basha akuzohet nga mazhoranca, se është përdorur rusët para zgjedhjeve të vjetshme.

2.Qysh prej largimit të nëndetëseve ruse nga Pashalimani në vitin 1961, influenca ruse ka qenë dhe do mbetet e dobët në punët e Shqipërisë, pavarësisht nga piruetat e qeverive shqiptare, të ngjashme me këtë të fundit…

EDISON YPI: Që marrëdhëniet të cenohen, duhet së pari, të ekzistojnë

1.Reagimi i diplomacive perëndimore pasi e keqja ndodhi, ardhur sipas parimit "pasi na dogji qulli, i fryjmë kosit", ishte një gjest i vonuar dhe rrjedhimisht, i palavdishëm i Perëndimit pasi Rusia e bëri baltë. E gjitha vjen era myk hollivudian, nga koha kur letrat shkruheshin me penë e bojë. Globalizmi nuk kishte trokitur. Interneti nuk ishte shpikur. Facebook nuk kishte. Selfie nuk bëheshin. Perëndimi, ku jetohej mirë, ishte një bablok i pasur dhe i dhjamur, jo fort i vëmendshëm, të cilit ia hidhje kollaj, sepse spiunët nuk i kishte idealistë, por rrogëtarë. Lindja ishte një fukareshë e shkathët plot me burgje dhe gulage, që me anë të spiunëve heronj idealistë të betuar për të mos iu ndarë spiunllëkut deri në pikën e fundit të gjakut, Perëndimit të ngathët në kësi punësh i vidhte teknologjinë e tij dhe i përçante diasporën e vet. Asokohe, në Shqipëri qarkullonte ideja se CIA ishte një trutrashë që na kishte halë në sy, ndërsa KGB-ja ishte spiunazhi më i fortë në botë. Për të mos mbetur asnjë dyshim se edhe Sigurimi ynë, plot me heronj të heshtur rrugaça dhe kopila, marrë nga rruga dhe jetimorja, nuk mbetej prapa, adhurimin mbarëpopullor për KGB-në lavdiplotë nuk e pengonte, por e inkurajonte. Si pasojë, çfarë po ndodh sot me spiunë, helmime, qeveri që refuzojnë diplomatë, përveçse e trishtë, është edhe e kuptueshme, pse jo dhe normale. Çfarë në këtë mes është aq anormale, sa të bën ta therësh fytin tënd me bishtin e lugës, janë adhuruesit e Sigurimit nëpër gazeta dhe televizione, të cilët simpatinë për KGB-në e kanë të shkruar në ballë.

2.Luçiferrët ende gjallë të KGB-së në Tiranë dhe të Sigurimit në Moskë, garantojnë sesa kohë Edi Rama ngjan me Pjetrin e Madh, Sali Berisha me Napoleon Bonapartin, Teatri Kombëtar me Balshoi Teatrin, sa kohë Pushkini lexohet, Kalinka dëgjohet, Kazaçoku vallëzohet, nëndetëset janë shitur për skrap, me dy apo më tepër diplomatë më pak, Shqipëria dhe Rusia nuk humbin as fitojnë, marrëdhëniet nuk cenohen. Që marrëdhëniet të cenohen, duhet së pari të ekzistojnë.

FRROK ÇUPI: Vendimi për dëbimin e diplomatëve rusë, me motive të paqëndrueshme

1.Motivet ku bazohet qeveria shqiptare për dëbimin e diplomatëve rusë më duken të paqëndrueshme, ndërsa vendimi ka një hapësirë tjetër. Motivet janë tre. Motivi i parë: Me anë të këtij vendimi, qeveria bën propagandë dhe show para aleatëve perëndimorë, duke u “distancuar” nga Rusia. Kryeministri kishte krijuar “gropa” të mëdha, si për publikun brenda, edhe për opinionin jashtë vendit se “nëse BE nuk plotëson kërkesat tona, ne jemi gati të shkojmë me Rusinë”. Kjo krijoi kosto të lartë për qeverinë socialiste me origjinë ish-komuniste. Duke dëbuar diplomatët rusë, kryeministri nxjerr duart: “Çe baba duart!... Kam unë lidhje me Rusinë?”

Motivi i dytë, përsëri propagandistik, por vetëm për brenda vendit: Duke dëbuar dy diplomatë rusë, kryetari i PS-së “distancohet” nga kryetari i PD-së në opozitë. Basha, kohët e fundit është kapur në një aferë të dyshimtë financimesh nga Rusia. Kupola e PS-së në qeveri, ka kaq kohë që i shërben distancimit nga “PD-ja Ruse”. Me aktin e dëbimit të diplomatëve i thotë publikut: “Ja kush janë sovjetikët, nuk jemi ne të Partisë Socialiste”. Në fakt, është një ndërmarrje shumë thuajse e pamundur, sepse vështirë të besohet se antikomunistët e PD-së janë më shumë me Rusinë, sesa trashëgimtarët e Partisë Komuniste. Motivi i tretë: Qeveria shqiptare tenton të bëjë tym para Shtëpisë së Bardhë. Qeveria jonë, në muajin dhjetor votoi kundër Shteteve të Bashkuara, duke e renditur Shqipërinë mes vendeve “jo mike me Amerikën”. Sanksionet e këtij fataliteti qeveritar, tashmë kanë nisur, p.sh., për shqiptarët nuk hiqet sistemi i vizave nga SHBA-të. Duke dëbuar diplomatët rusë, qeveria shqiptare mendon se lajkaton Shtëpinë e Bardhë.

2.Në çdo marrëdhënie mes shtetesh, aleatë ose jo aleatë, diplomacia e një vendi bën llogaritë, çfarë humb dhe çfarë fiton. Asnjëherë një vend jo vetëm humb, as vetëm fiton. Por cila është më e rëndësishme në balancë? Të shtrëngojmë marrëdhëniet me Rusinë dhe t’i kthejmë shpinën Perëndimit?... Ky nuk ka qenë kurrë interesi i kombit shqiptar. Plus që kjo nuk është e natyrshme. Kombi ynë nuk mund të ketë dilema mes Lindjes dhe Perëndimit, aq më tepër mes vendeve të autokracisë shtetërore dhe vendeve të lirisë. A cenohen marrëdhëniet me Rusinë? - thoni ju. Cilat janë marrëdhëniet? As flasim atë gjuhë, as kërkojmë punë në Rusi, as kërkojmë bursa për fëmijët, as presim grande financiare ‘magnifico’. Edhe sikur të arsyetonim në këto nivele interesash, përsëri nuk kemi çfarë humbim. Sikur të mos mbajmë anën e partnerëve perëndimorë, së pari ndaj Amerikës, atëherë humbim shumë: Humbim drejtpeshimin, interesin dhe mbrojtjen kombëtare, humbim radhimin e natyrshëm dhe të gjetur tashmë drejt Qytetërimit Perëndimor... Atëherë, kush do ta diskutonte më tej?

SONILA MEÇO: Kremlini shënjestrohet si ujku që i pret Kësulkuqes Shqipëri rrugën për në BE

1.Shqipëria është në listën e vendeve të NATO-s dhe po të shohësh me kujdes vendet që i janë bashkuar thirrjes së Uashingtonit, janë anëtare të saj, të BE-së, ose të të dyjave bashkë. Një lëvizje en block, që nuk i lë Shqipërisë shanse të reagojë përndryshe. Ky është një akt solidariteti dhe jo një kundërpërgjigje dhe si i tillë, nuk mbetet shumë për të analizuar në vendimmarrje. Gjithsesi, kjo është kriza më e fortë diplomatike me Rusisë dhe Perëndimit,  që pas ngjarjeve të Krimesë. Në një nga analizat në televizionin rus, një akademik e krahasoi situatën me një pikturë të Breughel “I verbri, që udhëheq të verbrin”, sepse një vend si Britania tërheq të tjerët, pa një motiv të qenësishëm. Unë e mendoj ndryshe, në skakierën gjeopolitike janë lëvizje strategjish, ku Shqipëria jo vetëm nuk ka ‘ushtarë’, por edhe është në radhën e fundit të spektatorëve. Në analiza përmendet Lufta e Ftohtë, por nuk duhet të harrojmë se Rusia nuk është Bashkimi i dikurshëm Sovjetik, me një super-mobilizim, një lojtar global me një ideologji të konsoliduar. Më shumë se të prekë axhenda globale, Rusia sot e ka ndikimin tek vendet pranë saj dhe deri në Siri. Fuqia e saj nuk është e dikurshmja, por ajo di si të trazojë ujera nëpërmjet sulmeve kibernetike, vjedhjes së informacioneve, apo mbështetjes së partive ekstremiste në vende të ndryshme. Çdo vendi i takon të mbrohet, të edukojë shoqërinë mbi problematikat e reja të ndërhyrjeve nga jashtë dhe nëse kjo mund të konsiderohet valë e re ndërgjegjësimi, rasti “Skripal” e ndezi atë. Shqipërinë nuk e shoh faktor në këtë  skenë gjigande gjeopolitike. E vendosur në një situatë të kushtëzuar nga prezenca në NATO, me statusin e kandidatit në BE, në pritje të çeljes së negociatave, e brishtë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare e me aleanca të deklaruara strategjike, solidarizimi i saj është logjik. Pavarësisht se nuk jam eksperte në fushën e diplomacisë, në një lexim të përgjithshëm e mbi informacionet që kemi, Shqipëria ka ndjekur një vendim të aleatit të saj më të madh strategjik, në kuadër të angazhimeve që ka me të. Të jemi të saktë, Rusia për Shqipërinë evokon kohën e Bashkimit Sovjetik, daljen e bujshme nga Traktati i Varshavës dhe ndikimin tek fqinjët, me të cilët ndan trashëgimi historike, kulturore e fetare. Nëse ariu rus i ka hesapet me Perëndimin, krekosja e Shqipërisë për të trembur me të BE-në, në rast se nuk e integron, është sikur ta ngacmojë vetë për ta bezdisur dhe zgjuar. Deklaratat e kryeministrit shqiptar për një implikim të Rusisë në rajon, nëse ky lihet jashtë portave të BE-së ngjajnë më shumë përpjekje për ta çarë ‘murin’ që na ndan me shkelma, duke mos pritur hapjen e merituar të derës. Raportet zyrtare mbi implikimin e Rusisë në demokracitë europiane nuk e përfshijnë Shqipërinë. Sepse nëse ka fakte për implikim, duhet të bëhen me dije, ashtu sikurse veprimtaria agjenturore e dy diplomatëve rusë, të saposhpallur të padëshiruar.

2.Në këtë histori ka dy nivele, i pari i një raporti të ri gjeopolitik forcash, në një botë, ku po ndryshojnë boshte ideologjikë dhe financiarë. Këtu Shqipëria nuk ka asnjë rol, asnjë ndikim e implikim. Përveçse një fabul për kryeministrin shqiptar për ta shitur në ekranin që drejton e menaxhon vetë, si forma e vetme për të mbuluar përmbajtjen blozë në përmbushjen e rekomandimeve për integrimin në familjen europiane. Niveli i dytë është ai lokal, tejet provincial ku na çon me siluret e tij kryeministri qitjelargët. Të shënjestrosh Kremlinin si ujku që i pret Kësulkuqes Shqipëri rrugën për në BE, ta përdorësh si “gjyshe” për të trembur kundërshtarët politikë brenda vendit e për të ndërtuar një përrallë të tërë si legjendë për të mbajtur pushtetin, na bën të gjithëve kolopuçë, nëse e besojmë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: