Dy infarktet e Hysni Kapos dhe si mjekët e fshehën deri në fund sëmundjen

Publicitet
Publicitet
Dy infarktet e Hysni Kapos dhe si mjekët e fshehën deri në fund sëmundjen
INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Atëherë, mjekësia franceze vepronte ndryshe nga mentaliteti shqiptar dhe i mjekëve tanë. Francezët e tregonin gjendjen reale dhe rrezikun për jetën, ndërsa tek ne mbahej sekret edhe pragvdekja...

(Vijon nga numri i kaluar)

Dy herë u godit nga infarkti Hysni Kapo, anëtari i Byrosë Politike të kohës së komunizmit dhe për të dyja këto herë, u drejtua në Paris. Sikundër, edhe për sëmundjen e rëndë të pankreasit, nga e cila do të pësonte dhe vdekjen e që mjekët, e mbajtën të fshehtë. Këto janë vetëm disa detaje që sjell  nga jeta e tij, në një rrëfim të posaçëm për “Albanian Free Press”, Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë. Shoqëruar edhe me shumë të tjera nga vizitat që ai kreu në këtë vend dhe takimet e përbashkëta, duke zbuluar kështu mjaft fakte rreth jetës së kësaj figure të njohur të kohës së komunizmit në Shqipëri...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Z. Luçi, ju në Paris keni pritur dhe përcjellë edhe shokun Hysni Kapo. Kur e ke njohur për herë të parë dhe çfarë kujtimesh ruan me të?

Hysni Kapon e kam njohur për herë të parë në korrik 1960, në Tiranë dhe në Vlorë gjatë shoqërimit që i bëra Moris Torezit, sekretar i parë i Partisë Komuniste të Francës, që erdhi në Shqipëri për bisedime me udhëheqjen e PPSH-së lidhur me divergjencat ideologjike në lëvizjen komuniste botërore. Takimet e radhës dhe shoqërimin e Hysni Kapos nga unë dhe shokët kanë qenë: shkurt 1967, shkurt 1968, janar 1972, prill 1974, nëntor-dhjetor 1975, gusht-nëntor 1977, qershor-nëntor 1978 dhe gusht-shtator 1979, kryesisht në Paris.

Ke pasur situata të vështira në takimet dhe shoqërimet me të?

Një ditë në mëngjes të shkurtit 1967 në Paris, Hysni Kapo doli nga banesa në korridorin e katit për të bërë një shëtitje, por nga grupi shoqërues i asaj dite, atë çast isha i pranishëm vetëm unë. Kërkova të tjerët, por më thanë se ishin në kafe.  Të dy zbritëm nga kati i 5-të në oborr të pallatit, por edhe në rrugë nuk pamë asnjë nga shokët tanë. Ai më tha: “Merr veturën dhe dalim së bashku”. Unë ia ktheva: “Rregullorja s’na e lejon këtë veprim në asnjë mënyrë, s’dalim dot pa grupin shoqërues dhe shoferin e autorizuar për lëvizjet me ju”. “Të urdhëroj unë, do shohësh se nuk do të ndodhi asgjë”, - tha ai. “99% jo them edhe unë, por 1% s’dihet dhe rrufeja bie mbi mua”, i thashë. “Jo, mbi mua që të urdhëroj”, - këmbënguli ai. “Unë jam i shurdhër për të dëgjuar këtë urdhër”, nxitova unë. “Hajde bëjmë një provë se grupi fle, ose bën pazar”, tha ai. U nisa me gjak të ngrirë në fillim dhe mendjen e kisha mos gaboja në drejtimin e veturës “Pezho 404” dhe jo te muhabeti. Duke ecur, më ra emocioni dhe thashë siç thonë francezët: “Në luftë, si në luftë!”. “S’u gabove, se je shofer i provuar,  veç trim”, - më ngacmoi ai. Duke shëtitur, më pyeti për marrëdhëniet franko-shqiptare, si i shikoja unë, pse s’ecin e pse ngecin. Pasi flisja sa më shkurt, ai këmbëngulte me pyetje pas pyetjesh. Unë flisja fare hapur, pa diplomaci, për të dyja palët, siç e gjykoja atëherë, se unë kaluar isha, politikën e bënin të tjerët. Por vija re se unë e intrigoja kureshtjen e tij me të gjykuarit e lirshëm, por me logjikë të ftohtë dhe arsyetime të qëndrueshme. Ndërkohë, biseda na u ndërpre nga grupi i nevrikosur që na rrethoi ne rebelëve që thyem rregulloren dhe na kapën në flagrancë. “Si na gjetët?”, -i pyeti Hysniu. “U pa njëri nga ne kur u larguat, kujtuam se vajtët në ambasadë, pastaj kaluam këndej”, na e kthyen. “Ja, për të na gjetur jini më të fortë, siç shihni jemi mirë, qiqër”, tha Hysniu. Qeshëm dhe vijuam shëtitjen. Përgjegjësi i grupit më tha me zë të ulët: “Po ti, i marrë je?”. “Urdhri është urdhër, paçka se bie erë hudhër”, ia prita unë. “Ti qofsh”, tha ai i nxehur. Nuk e ngava më muhabetin dhe ky rast mbeti në histori, po nuk ma përmendën në asnjë mbledhje zyrtare apo partie, por më vunë nofkën “kokëforti”.

Pasi u operua, si lëvizte në Paris për herë të parë shoku Hysni dhe kë merrte me vete?

Pasi u operua nga dora në shkurt 1968, Hysni Kapo filloi të bënte shëtitje, por vetëm ai i pari dhe me të drejtë, kërkoi që të merrnim edhe gratë e fëmijët meqë dilnim për shëtitje, se më parë kjo s’bënte vaki me udhëheqësit. Një ditë vajtëm në kopshtin e Versajës dhe unë mora edhe tre fëmijët e gruan. Ai filloi të bisedonte me ta dhe e pëlqeu gocën time të vogël, Silvanën, 2 vjeçe e gjysmë, qe shumë e imët, por e gojës dhe ne e nxitnim të fliste gjysma-gjysma për të bërë shaka. Ai e mori në krahun e shëndoshë se qe e lehtë si flutur dhe e pyeti se kush ishte ai. Ajo iu përgjigj seriozisht: “Xhaxhi miu”. “Kush, kush?!”, - e pyeti ai sërish. I pari ia plasi gazit vetë Hysniu dhe e puthi, kurse ajo iu hodh për qafe. Kështu mbeti edhe kjo histori dhe më vonë më pyeste kur takoheshim: “Si e kam Silvanën?”, me buzëqeshje. Kjo ndodhi u shoqërua me një tjetër. Kur i vumë të flinin në darkë, të dy motrat bënin muhabet, Silvana e Rozeta,më e madhja. Silvana i thoshte se ai ishte “xhaxhi miu”, kurse Rozeta i thoshte, “jo xhaxhi miu, xhaxhi Mao Ce Duni”. Kështu, Vera Malo që e dëgjonte këtë histori duke qeshur, thoshte se “edhe bebet tona u bënë politikane”.

Po në shtëpitë tuaja, a erdhi për vizitë shoku Hysni?

Gjatë këtij qëndrimi në Paris, Hysni Kapo bëri vizita në shtëpi të gjithë punonjësve të ambasadës. Kur vajti tek Nos Qosja, sekretari i dytë, ai vajti pa lajmëruar, se atë e njihte që në KQ të PPSh-së dhe i gjeti burrë e grua duke ngrëne bukë të shtruar si në fshat, pasi nuk kishin ende tavolinë ngrënie. Mbeti edhe kjo histori. Pasi i pa të gjitha familjet, ai më pyeti edhe mua, pse nuk kishim gjërat më të domosdoshme në shtëpitë tona për jetesë normale. I shpjegova se edhe ato pak fonde që kishte ambasada për pajisjet e banesave, titullarët nuk i shpenzonin,veç për të plotësuar banesën e vet e të këshilltarëve dhe ka pasur raste që fondet janë djegur siç bënë Dh.Lamani e K.Misha, duke relatuar edhe në MPJ se kishin bërë kursime lavdëruese. Ai u bind mirë se kështu s’mund të vazhdohej dhe urdhëroi të blinim menjëherë për ata që s’kishin tavolinë buke me 4 karrige, një palë kolltukë treshe e tavolinë mesi, sigurisht me çmime ekonomike. U gëzova dhe të nesërmen në mëngjes gjeta rastin dhe kaluam në një mobilieri afër hyrjes së pallatit dhe ia tregova mobilijet që ishin vërtet ekonomike sa s’kishte ku të shkonte më. Kështu, u bë fakt i kryer dhe ne i blemë menjëherë dhe shyqyr që na doli fondi, që kishim në arkë. Nga MPJ nuk pati asnjë vërejtje, pasi u dërguan shpenzimet, sesi duket ai e kishte trajtuar direkt çështjen me ministrin dhe ishte zgjidhur çështja e lëvrimit të fondit përkatës.

Kë tjetër nga shqiptarët e Parisit ka takuar shoku Hysni në atë kohë?

Në prill 1974 në Paris, së bashku me Jonuz Mersinin nga Vranishti, drejtor në MPJ, e shoqëruam Hysni Kapon për vizitë tek Mëno Ismaili, atdhetar nga Vranishti i Lumit të Vlorës, me të cilin kishte edhe lidhje familjare.

Këto tregojnë se Hysniu i kishte shumë qejf shëtitjet dhe takimet me mërgatën shqiptare në Paris?

E vërtetë. Në prill 1974, një ditë shëtisnim në Bua dë Bolonjë (pylli i famshëm në Parisin diplomatik) pa ambasadorin. Atje takuam prof. Hudarin, mjek i shquar, rreth të ‘70-ave. Nga përzemërsia e takimit të tij me mua, Hysniu kuptoi se ne ishim miq të vjetër. Unë i njoha pa thënë funksionet e Hysniut dhe pas përshëndetjeve të rastit u ndamë. Kjo gjë i bëri përshtypje Hysniut se zakonisht ambasadorët apo të ngarkuarit tanë me punë i ankoheshin për ne diplomatët e tjerë se nuk ishim në lartësi të detyrave, sidomos në punën me miqtë. Hysni Kapo e kuptoi se nuk ishte e lehtë të bëheshe mik me një profesor të tillë dhe më shprehu kënaqësinë e tij. Pas disa ditësh vajtëm tek ky profesor për ta vizituar si mjek dhe ai i foli më gjerë si mik i Shqipërisë e si miku im. Këtë, Hysniu ia tha edhe Javerit, duke i bërë edhe vërejtjen se duhet të jenë më të kujdesshëm me vartësit, jo me vërejtje në majë të gjuhës, por kur e meritojnë. Më vonë ai pyeti për miqtë e tjerë dhe i tregova edhe kartelat e tyre, të cilat i kisha plotësuar me të dhëna për ta dhe pa se ishin nga horizonte të ndryshme, jo miq të rëndomtë dhe jo me nivel më të ulët se ata të ambasadorit.

Kur u rëndua gjendja shëndetësore e Hysni Kapos?

Në gusht 1979, duke qenë me pushime në Pogradec Hysni Kapo u sëmurë rëndë dhe u dërgua me avion special francez Tiranë-Paris. Pasi u vizitua me urgjencë nga grupi i përbashkët mjekësor dypalësh, u vendos të operohej, pasi vizita ekografike zbuloi sëmundjen e pankreasit. Gjatë operacionit të pankreasit, u zbulua dhe iu hoq një metastazë në mëlçi. Operacioni vijoi 9 orë. Ndërkohë më thirrën dhe më 20 gusht shoqërova të bijën Vera Kapon për në Paris, nga kuptova se i ati nuk qe mirë, pasi u thirr urgjent atje. Na çuan me veturë në Qafë-Thanë, ku kaluam kufirin dhe mbërritëm në aeroportin e Ohrit, por avioni nisej pasdite për në Beograd. Kështu përfituam dhe shkuam për vizitë në manastirin e Shën Naumit pa qëndruar shumë atje. Në Beograd, na priti shoku im Mustafa Kadiu me gruan nga ambasada, të cilët na shëtitën në lagjen Avalla, ku kishte vilën Titua dhe në Kalamejdan, pastaj u nisëm e mbërritëm në Paris. Kur e vizituam në spitalin Bruse, Hysniu ishte i fashuar, i zbehtë, por çuditërisht i qeshur, reagoi me dashuri kur i vajta pranë dhe takuam duart, ku bëra kujdes mos t’ia shtrëngoja, se këtë gabim e bëra pas një operacioni në vitet ’60, por edhe atëherë ai reagoi me buzëqeshje. Gjatë bisedave të mjekëve atje, jo direkt, por aty këtu dëgjova dhe mësova se vuante nga kanceri i pankreasit dhe u operua, por prapë nuk e afronim të keqen.

Kush ishte me të në spital dhe kush qëndronte me të?

Vito Kapo, Vera dhe Pëllumbi me mua qëndronim bashkë në spital dhe me raste bënim ndonjë shëtitje, si miq të vjetër. Madje Vito më ftonte edhe në shtëpi për drekë apo darkë kur bënte ndonjë gatim fshati, hanim së bashku shpejt e shpejt dhe shkonim në spital. Këta familjarë qenë tepër të shqetësuar, se mjekët nuk u kishin treguar asgjë nga e vërteta. Këtë e kuptonim nga thëniet e tyre jo bindëse dhe të përgjithshme, pa hollësi dhe me fjalë mbyllëse: “do të përmirësohet”! Kështu si këta edhe ne të tjerët nuk kishim si t’i hiqnim shpresat, pasi ishte edhe në duart e një mjekësie të përparuar dhe më të specializuar, shkurt me famë botërore, siç ishte edhe shkolla e spitalit Bruse. Sidoqoftë, në ato vite mjekët tanë nuk ua thoshin të keqen as familjarëve, jo më të tjerëve, veç udhëheqjes, por njërin apo tjetrin edhe e tradhtonte fytyra apo mimika kur e pyesnim në ndonjë farë mënyre, jo direkt. Pas operacionit përmirësimi qe i përkohshëm dhe u përkeqësua, duke mos i bërë ballë temperaturës së lartë. U rihap sërish dhe ky operacion i dytë, siç nuhatëm, zbuloi përhapjen e sëmundjes në mëlçi. Nga shprehja e fytyrës së Vitos e Verës, që janë më shprehëse, se Pëllumbi është zakonisht si i ngrysur, kuptova se megjithëse nuk dinim gjendjen reale në ditët e fundit të gusht-shtatorit 1979, se mjekët nuk kishin hequr shpresat dhe i mbanin me shpresa reale, kuptova se gjendja nuk qe e mirë, sidomos nga pëshpëritjet e mjekëve kur rrinin më larg nesh. Por kur u thirra dhe m’u dha një letër për t’ia sjellë udhëheqjes në Tiranë, duke u nisur papritmas urgjentisht dhe pasi rivlerësova vajtjen urgjente edhe të Verës etj, etj. çështje që po hetoja vetv në ditët atje, nxora përfundimin se qenkëshim para ngjarjes fatale të jetës së Hysni Kapos. Atëherë bëra edhe krahasimin se në tërësi mjekësia franceze vepronte ndryshe nga mentaliteti shqiptar edhe i mjekëve: francezët tregonin gjendjen reale dhe rrezikun për jetën e njeriut deri te vdekja të afërmve, ndërsa tek ne mbahej sekret edhe pragvdekja. Ky problem hante dhe ha diskutim ende, pasi tek ne familjarët kapen në befasi edhe sot e kësaj dite, jo edhe ca më keq se të operojnë, duke ditur se do të vdesësh dhe të marrin edhe para të majme, që s’t’i kthejnë, pra një mafie e specializuar jo rrallë për qëllime përfitimi edhe nga vdekja, siç di mjaft raste sot. Kështu, e mora vesh në Tiranë se Hysni Kapo ndërroi jetë në Paris më 23 shtator 1979 në mbrëmje.

A i njihje mjekët e shokut Hysni?

Unë kam pasur miqësi me mjekët e tij, profesorët Fejzi Hoxha, Ylli Popa, Isuf Kalo, Dine Abazi, Sali Berisha, Ahmet Kamberi, Milto Kostaqi etj. Edhe në vitet 1978-1979 kam qenë me shërbime në Paris dhe jam takuar me ta, edhe gjatë shoqërimit të Hysni Kapos, siç shkrova më lart, në spital, duke qenë edhe në dhomën e mjekëve e shoqëruesve të tij përballë dhomës ku ai ishte shtruar, ku edhe kam hyrë për ta përshëndetur apo në apartamentin e ambasadës si dhomë qeveritare. Këta mjekë nuk pipëtinin gjë për sëmundjet e tij, por me raste kapja vëzhgime të tyre. Para se të ikja me letrën urgjente, pash fytyrën e dërmuar të Vitos, por edhe të Dine Abazit sidomos, por prapë nuk e besoja se vërtet fundi ishte kaq i shpejt. Ai respektonte shumë edhe mjekët, nuk ndodhte që t’u prekte personalitetin e tyre. Ai bënte shaka me kripë, duke u bërë bejte popullore, sidomos Dine Abazit dhe Sali Berishës, duke i përqasur ato si të shkurtrit me të gjatin.

Si flitej për Sali Berishën, i cili hyri si mjek te udhëheqja?

Njëherë i thashë buzagaz: “Shoku Hysni, çfarë e deshët Sali Berishën në klinikë?”. Ai u përgjigj po buzagaz: “Duhej një edhe nga Tropoja, more Hasan”. “Po, ja, boll ishte Dine Abazi shpirt njeriu”. Ai qeshi dhe ndërroi bisedën. Ndërsa njëherë tjetër, duke biseduar për revolucionarizimin e vendit, i bëra vërejtjen: “Rrufeja e parë duhet të bjerë tek mjekët, shoku Hysni”. (sesa kisha marrë vesh një ngjarje të hidhur me një mjek në Tiranë). Ai m’u përgjigj: “Po ata na kanë në dorë, more Hasan”. “Epo kështu s’bëhet gjë”, pohova unë seriozisht, por prej tij nuk mora asnjë reagim tjetër. Në Paris u takova edhe me Sali Berishën e dr.Lutfi Balili, mik i mirë, që bënin specializim me porosi të Hysni Kapos.... Në varrimin dhe ngushëllimin për Hysni Kapon, Xhelil Gjoni më dha cigare, të cilën e ndeza pas një kohe të gjatë, që e kisha lënë...

 

SËMUNDJET

I sëmurë, por ruante një qetësi dhe kurajo të çuditshme

“Në qershor 1978, Hysni Kapo bëri infarkt miokardi dhe u krijua një ekip kardiologësh deri në kapërcimin e krizës shëndetësore. Por ai vuante edhe nga diabeti. Po në nëntor 1978, bëri infarktin e dytë. U kërkua dhe mbërriti në Tiranë një grup kardiologësh e diabetologësh francezë dhe laborantësh. Në të dy rastet, me këshillime të përbashkëta u vendos mjekimi në Francë, ku bëri koronarografinë në spitalin Bruse, ku qëndroi dy muaj dhe u kthye e vijoi punën normalisht nën kujdesin e mjekëve. Në nëntor shkova me shërbim në Paris, e takova në spitalin Bruse dhe më vonë në qendrën e rehabilitimit në qytezën e Mezo Lafit afër Parisit, ku vajti, pasi kaloi fazën e ndërlikuar akute. Ruante një qetësi dhe kurajo të çuditshme, buzagaz dhe në vend ta pyesnim ne se si ishte e ndjehesh me shëndet, na pyeste ai ne. Pyeste edhe për punën e njerëzit tanë, që i njihte”.

 

VLERËSIMI

Cilësitë, nuk kam njohur njeri tjetër si ai

“Hysni Kapua e dëgjonte bashkëbiseduesin në qetësi të plotë, rrallë të ndërpriste, duke krijuar një klimë shoqërore e jo hierarkike dhe po në qetësi i zgjidhte çështjet apo jepte këshillat, vërejtjet, bënte propozimet pasi të merrte mendimin. Në biseda, ishte i butë si coha e kadifesë, i ëmbël si nënë dhe luftëtar si kapedan. Respektonte kërkesat e këshillat e njerëzve dhe jepte zgjidhje sado të ndryshme e delikate të ishin çështjet konkrete. Nuk kam njohur njeri tjetër si Hysni Kapo që punonte si sahat në jetën e tij të përditshme, ishte shumë i rregullt në jetë dhe në punë. Kjo ishte jeta e tij për shkak të karakterit, kulturës dhe edukatës së marrë në jetë. Ai nuk dilte jashtë  rregullave zakonore e të jetës normale të rregullt familjare e shoqërore. Ai i respektonte njerëzit dhe nuk ua prekte dinjitetin e tyre në çdo rrethanë, qe tepër i duruar dhe i ekuilibruar. Ai kishte karakter me vullnet burrëror dhe të qëndrueshëm. Sjellja e tij qe shembullore me çdo moshë të njeriut, takohej qetësisht me ta, veçanërisht tregonte kujdes për t’i njohur, për t’i dashur e mbajtur mend hallet e tyre, për t’i respektuar. Nuk dëgjova prej tij asnjë përgojim për ndonjërin. Ai punonte shumë dhe pa pushim. Ai nuk rrinte pa punë as në Paris, ku edhe me personelin e ambasadës përpiqej të informohej për punët e tyre, hallet familjare dhe t’u jepte këshilla e rrugëzgjidhje. Për këto arsye e kishin të vështirë edhe mjekët t’i këshillonin ditë pushimi apo ndonjë ndërprerje pune. Në këtë çështje ai arsyetonte thjesht: secili të bëjë punën e vet, u lejoj e më lejoni edhe unë të bëj punën time. Ishte tepër i zgjuar, me përvojë të rrallë jetësore, tradite popullore dhe për ta admiruar për sjelljet me njerëzit”.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: