Dionis Delia: Ta ruajmë folklorin, pasurinë që na kanë lënë të parët

Dionis Delia: Ta ruajmë folklorin, pasurinë që na kanë lënë të parët
 

Prej mbi 20 vitesh, Dionis Delia, malësori me zërin e plotë e potent, është nja nga artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit, por, mbi të gjithë, ai është një nga artistët më aktivë në ruajtje të muzikës së tabanit, të perlave të folklorit tonë. Pavarësisht shumë dekadave në skenë, ai mbetet një zotëri i thjeshtë, me parime dhe dinamik, duke shëtitur tërë Shqipërinë në turne dhe duke udhëtuar me koncerte kudo ku ka shqiptarë.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si do ta përshkruanit fëmijërinë tuaj, aty kanë rrjedhur fillimet në muzikë?

 

Po fillimet e mia në muzikë janë që nga fëmijëria, kuptohet që në fëmijërinë tonë, mundësitë për të dëgjuar muzikë ishin të pakta, vetëm një radio kishte, por e dëgjonim me shumë  vëmendje dhe mundoheshim të mësonim këngët që na pëlqenin. Gjithashtu në aktivitetet që organizoheshin në shkollë, kam kënduar që në klasën e parë, për herë të parë në skenë jam ngjitur në klasën e gjashtë, në vitin 1978, në festivalin e fëmijëve, pra i bie 40 vite më parë.

 

Sa ju ka frymëzuar vendi i origjinës?

 

Vendi i origjinës, mendoj, ka rëndësi jo vetëm në frymëzimin tim por edhe në formimin e çdo artisti, natyra, rrethi, shoqëria, familja, të gjitha bashkë ndikojnë shumë.

 

Sa rëndësi mendoni se kanë rrënjët nga vjen një artist?

 

Çdo artist përfaqëson një zonë të caktuar, një trevë me zakonet, melodinë e saj, kostumet tradicionale e kjo normalisht pasqyrohet në krijimet e tij, në interpretim e në çdo paraqitje para publikut.

Ju kanë mbështetur prindërit, familja, në fillimet tuaja, për këtë pasion?

 

Po, gjithmonë prindërit më kane mbështetur, jo vetëm mbështetur por edhe kanë bërë sakrifica për të më bërë të mundur që unë të shkollohem për të qenë një artist profesionist.

 

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë? Si i kujtoni ato emocione?

 

E thashë edhe me lart që në skenë jam ngjitur në vitin 1978 në festivalin e fëmijëve, kujtoj se kam kënduar një këngë që titullohej “Porsi partizanët”, kuptohet atëherë as që njihej muzika playback, emocionet është e kuptueshme që ishin të mëdha, para se të dilja të këndoja natën e parë në festival, i thosha vetes, mbaroje këtë radhe e kurrë më. Këmbët më dridheshin por pasi mbarova këngën dhe mora duartrokitjet e para, u kënaqa e ndërrova mendje, thashë me vete, do të dal prapë në skenë e që atëherë kam vazhduar të këndoj.

 

Sa pjesë punë e sa talent mendoni se duhet të ketë një artist i suksesshëm?

 

Në rast se e ndajmë me 10 pjesë, unë them se nëqoftëse ke një pjesë talent, duhen nëntë të tjera punë.

Keni marrë pjesë në shumë evente të këngës. Më tregoni më shumë për këto bashkëpunime, keni ndonjë mbresë të veçantë?

 

Po, në këto vite kam marrë pjesë në koncerte, festivale, turne të ndryshme përveç herës së parë në skenë, që është më e veçanta, më ka ngelur në mendje hera e parë që kam dalë jashtë kufijve të Shqipërisë, në një koncert në Tetovë, isha student dhe morëm pjesë në një takim studentor me studentë nga Tirana, Prishtina e Tetova në vitin ’92. Pritja nga publiku ishte fantastike, gjithashtu edhe në turneun ku kam marrë pjesë në Kroaci një vit më vonë, më ka ngelur në mendje dashuria e pritja që na kanë bërë shqiptaret e Kosovës e Maqedonisë.

 

Keni pasur mbështetje gjatë këtyre viteve dhe a ke pasur edhe njerëz që të pengonin?

 

Në këto vite që këndoj, normale që ka shumë njerëz që të mbështesin, ashtu siç është normale që edhe këto xhelozitë ekzistojnë dhe në një mënyrë a një tjetër edhe të pengojnë, po themi se kjo është konkurrenca, por duhet te jete e ndershme.

 

Kë kujtoni me më shumë respekt e mirënjohje nga bashkëpunëtorët tuaj ?

 

Në fakt janë shumë por në fillim do të përmend tre profesorët e mi që nuk jetojnë më, Hysen Koçia, Ruzhdi Karai e Naile Hoxha të cilët më futën në rrugën e këngëtarit profesionist. Gjithashtu do të përmendja kompozitorin Edmond Zhulali, Kolë Susaj, Luan Dagestani e në fund do të përmend një koleg me të cilin kam kënduar shumë vite, që kur ishim në kursin nëntë mujor për këngën pop, në vitin ’90, Arben Delaj, i cili u nda nga jeta në nëntorin që shkoi, vdekja e të cilit më ka lënë një boshllëk të madh në jetën time. Me vdekjen e tij edhe muzika humbi një këngëtar shumë të mirë.

Keni një vokal të fuqishëm. Të ka avantazhuar kjo gjë?

 

Të kesh një vokal të fuqishëm e të bukur, është një bekim nga Zoti, plus edhe avantazh sepse vokali është kryesori për një këngëtar, sigurisht edhe pamja, por jo kryesorja.

 

Sa merreni me veten dhe me pamjen tuaj, si ka ndryshuar raporti me këtë aspekt, pra me veshjen, nga dikur e deri më sot?

 

Paraqitja skenike është e rëndësishme, sigurisht. Për ne meshkujt është më e lehtë se sa për këngëtaret femra, sidomos sot që ke mundësi të gjesh kostume apo rroba të bukura. Imagjinoni  në vitet e socializmit që duhej të visheshe e të mbaje flokët sipas modelit socialist dhe shumicën e herës sajoheshim me rroba të marra borxh nga shokët.

 

Sot muzika popullore është në faza të reja. Si ju duket ajo?

 

Si në çdo aspekt të tranzicionit, edhe muzika po kalon këtë periudhë ka shumë këngëtarë që dalin në treg me lloj lloj këngësh të reja e të vjetra, të kompozuara e të huazuara. Po them të huazuara që mos të them të vjedhura. Por me kalimin e kohës do të shkojë çdo gjë në vend, këngët më të bukura janë ato që i rezistojnë kohës. Në fakt diçka ka filluar të rregullohet pasi shumica e këngëtarëve tani bashkëpunojnë me kompozitorë domethënë nuk i bien shkurt t’i marrin të gatshme nga të tjerët, këtë punë mendoj se duhet ta rregullojë ligji për të drejtën e autorit.

Sot si po vazhdon karriera juaj?

 

Kariera ime vazhdon pranë Teatrit të Operës dhe Baletit ku kam 20 vite që punoj, përveç kësaj vazhdoj me këngën popullore në koncerte, turne dhe evente familjare, që në fakt janë të rëndësishme për mirëqenien ekonomike të ne këngëtarëve.

 

Keni ndonjë pasion të veçantë, përveç muzikës?

 

Përveç muzikës, të them të drejtën nuk është se kam ndonjë pasion tjetër të fortë sa këtë të fundit por më pëlqen shumë të udhëtoj, gjë që e kam të zgjidhur me turnetë që bëj, kjo më ka ndihmuar të vizitoj shumë vende, pra i kam paketë të dyja, muzikën dhe udhëtimin.

 

Keni ndonjë ëndërr që ende prisni ende ta realizoni në muzikë?

 

Nuk kam donjë ëndërr që pres ta realizoj por kam dëshirë të bëj një recital timin këtu në Tiranë, pasi në qytetin e Bajram Currit e kam bërë para shumë vitesh, në vitin ’95.

 

Sa e vështirë është për familje tuaj, për faktin se jeni vazhdimisht në turne?

 

Siç e thashë familja më ka mbështetur gjithmonë, normale që s’është e lehtë për ata e as për mua, por kur nuk mungon mbështetja, gjithçka është e lehtë.

 

Ku mendoni se qëndron sekreti i faktit që publiku ju ndjek e ju do?

 

Mendoj se sekreti është i thjeshtë. Muzika që përtypet kollaj nga publiku dhe thjeshtësia ime në skenë.

 

Ju jeni një këngëtar profesionist prej shumë vitesh. A ndiheni i kënaqur nga arritjet tuaja deri tani?

 

I kënaqur nuk mund të them sepse po u vetëkënaqe do të thotë se e ke mbyllur karrierën. Asnjëherë një artist nuk duhet të kënaqet me punën e tij, gjithmonë duhet të kërkojë më të mirën dhe të prezantojë gjëra të reja për publikun.

 

Cilat këshilla do t’i jepnit një këngëtari të ri që tenton në tregun muzikor?

 

Një këngëtari të ri do i këshilloja që të punojë shumë domethënë të studiojë muzikë të mirë, të zgjedhë repertorin dhe kryesorja, të mbështetet në tabanin kombëtar.

Ku do të jeni në vazhdim me karrierën tuaj?

 

Mendoj se vazhdimin e karrierës sime do ta bëj në SHBA pasi familjes tonë i ka dalë lotaria amerikane, besoj atje do kem një tjetër fazë të karrierës time.

 

Sa vlerë i jepni në jetën tuaj miqësisë?

 

Njeriu në jete ka nevojë për shumë gjëra e një nga këto është edhe miqësia, s’thonë kot, më mirë një mik se një çiflig, nuk jam i dhënë që të kem shumë miq por ata që i kam, t’i kem të saktë.

 

A keni një apel ndaj atyre që e duan folklorin shqiptar? Po ndaj institucioneve?

 

Për ata që e dua folklorin, edhe për ata që s’e duan, e sidomos ndaj institucioneve, bej apel që ta ruajmë si sytë e ballit folklorin tonë, sepse është pasuria që na kanë lënët parët tanë, është identiteti ynë, prandaj duhet ta mbajmë, ta forcojmë e ta pasurojmë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: