Çlirim Denaj: E pafalshme, muzika popullore s’tingëllon më si shqiptare

Çlirim Denaj: E pafalshme, muzika popullore s’tingëllon më si shqiptare
Kantautori, Çlirim Denaj, i përket një brezi këngëtarësh dhe artistësh të cilët, edhe pas ndërrimit të sistemeve, e gjetën veten mes muzikës dhe kulturës. Por me vështirësi në përshtatje me një treg muzikor të vështirë e të pashpirt. Prej mbi 20 vitesh, ai është pranë artistëve të Qendrës Kulturore Tirana, mes përpjekjeve për të ruajtur një muzikë popullore të pastër, por pa lënë mënjanë këngën e lehtë, romantikën që e ka karakterizuar, lirizmin dhe dëshirën për të guxuar dhe eksperimentuar. Pak rebel, shtatlartë, me vokal të ëmbël, Çlirim Denaj është me sytë nga një recital i mundshëm, ndoshta në mbyllje të një karriere të gjatë, por të bukur. Ky rrëfim posaçërisht për Albanian Free Press, është nga të rrallët që artisti ka bërë, por vjen edhe si një thirrje ndaj medias dhe shtetit, për të mbrojtur vlerat e artit shqiptar.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Keni mbi tre dekada mes artit, këngës, aktiviteteve artistike. Por rrënjët sa ju kanë ndihmuar për këtë?

Babai im ka qenë oficer, por i binte edhe fizarmonikës shumë bukur. Mbaj mend kur isha i vogël, ai luante me të dyja duart. Literatura ishte e pakët në ato vite, por babai kishte gjetur dispensa të tëra valsesh italiane dhe i luante aq bukur! Mamaja ishte edukatore në kopsht. Babanë e zuri lirimi në ushtri dhe i duhej të merrte një zanat tjetër. Mamaja nuk donte që im atë të vazhdonte për muzikë, si rrjedhojë e kësaj, ai zgjodhi studimet në degën e agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamzë.

Cila ka qenë dëshira e prindërve tuaj, mbi shkollimin dhe profesionin? Kur kujtoni fëmijërinë, çfarë ju vjen në mend?

Nga mosha 6-vjeçare më mori babai për dore dhe më çoi në rrethin e kursit të fizarmonikës në Pallatit e Pionieri. Meqenëse ai nuk mundi të bëhej me profesion muzikant, kishte dëshirë të ma trashëgonte mua. Atje shkoja rregullisht 2-3 herë në javë në prova .

Jo shumë njerëz e dinë që ju jeni marrë edhe me sport ... Na tregoni diçka më shumë, se si rrodhën ngjarjet.

Diku aty ngjitur me rrethin e fizarmonikës, ishte dhe një sallë ku zhvillohej rrethi i akrobacisë. Si të gjithë fëmijët e tjerë, e kisha me qejf akrobacinë, ndaj krahas fizarmonikës vazhdova edhe akrobacinë. Ecuria ime ishte shumë e mirë në akrobaci dhe gjimnastikë. Në kampionatin e shkollave 8-vjeçare të Tiranës për gjimnastikë, zura vendin e parë. Po kështu në Berat, në Kampionatin Kombëtar për akrobaci, zura vendin e parë me klubin e “17 Nëntorit” . Vazhdova akrobacinë deri në moshën 15-vjeçare; njëkohësisht u mora edhe me fizarmonikën. Qysh në fillore, aktivizohesha edhe me këngë dhe recitime me shkollën. Pas 8-vjeçares, më kërkuan të vazhdoja Institutin e Fizkulturës, por nuk donte im atë, sepse pretendonte që ai profesion ishte i rrezikshëm dhe mund të vritesha. Shkolla e mesme më doli për ekonomi dhe farmaci në Vlorë. Nuk pranova asnjërën nga këto. 

 Ju keni studiuar në Liceun Artistik e më pas për Gjuhë - Letërsi. Pse nuk vazhduat Akademinë e Arteve?

Në ato kohë, sapo ishte hapur shkolla e mesme në degën elektronikë, degë e re për kohën. Më tërhoqi si gjë e re, u futa njëherë në degën elektrike për të kaluar më tutje në elektronikë. Pra, dy vjet i humba kot në këtë shkollë, se t’ju them të drejtën, nuk po më pëlqente. Gjatë kësaj periudhe u mora me futboll, por babai nuk më ndahej. Ai donte të vazhdoja në art, sepse e shihte se isha më i përkushtuar ndaj artit. Atëherë vendosa përfundimisht, të vazhdoja Liceun Artistik “Jordan Misja”, derisa e mbarova.

Kur keni dalë për herë të parë në skenë?

Mbas ushtrisë, hyra në Ansamblin e Ushtrisë Popullore si këngëtar. Fillimisht në kor dhe fill pas një viti, konkurrova të merrja pjesë në Festivalin e RTSH-së dhe fitova të drejtën për të qenë pjesëmarrës në Festivalin e 21-të në RTSH, me këngën e Shaqir Kodrës, “Qyteza e Rinisë”.

Në Festivalin e 22-të, duke qenë se isha në korin e Ansamblit të Ushtrisë, më dhanë një duet me këngëtarin Kastriot Ago. Ishte një këngë marrsh, “Bora mbi mal” titullohej kënga. Këndova më tutje nëpër anketat muzikore ku, me njërën prej këngëve, mora çmimin e parë. Pak vite më vonë, Gazmend Mullai bëri një këngë enkas për mua, e cila titullohej “Dy gjysma molle”. Më rrinte shumë mirë si këngë, por në korridoret e radios, bëra një debat me një këngëtare tepër të njohur në atë kohë, i cili më kushtoi shtrenjtë. Pati pasoja. Rezultati i debatit ishte që të nesërmen qysh në mëngjes, - në provat që bënim me orkestrën, për përgatitjen e këngëve dhe të festivalit, - vjen drejtori i RTSH-së enkas për mua, sepse këngëtarja bukuroshe i kishte fryrë atij në vesh, nuk e di se çfarë. Ky drejtor ishte tepër i përkushtuar ndaj saj, me autoritet absolut në atë kohë , anëtar i Komitetit Qendror të Partisë; qysh të nesërmen, vjen në provat e orkestrës dhe pa u ulur mirë, tha: “Kush është një këngëtar i ri, që ka ardhur këtu, dua ta dëgjoj.” Unë isha ai këngëtar i ri, e kush tjetër. U çova dhe shkova pranë mikrofonit dhe, si i padjallëzuar në atë moshë, këndova me përkushtim. Bëra të ulesha për t’i lënë radhën një këngëtari tjetër. “Jo, mos ul, hajde këtu! Ti more djalë ke zë të ëmbël, por këndon si jugosllav”, – tha ai. Ishte një fjalë e rëndë në mes të të gjithëve, për kohën. Fillova të dridhem i tëri, emocione pa fund, ishte vërejtje mjaft e rëndë për atë kohë, sepse mund edhe të dënoheshe. E mora veten dhe guxova t’i them i bindur, këto fjalë: “Shoku drejtor i RTSH-së, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, edhe shoku Ramiz Alia të mi kishte thënë këto fjalë, do t’i thosha se unë s’kam të bëj fare nga ajo krahinë, që të mundem të këndoj si jugosllav. Jam nga Labëria me origjinë, jam familje dëshmori dhe punoj në një institucion ushtarak, ku këndojmë vetëm marshe. Që nesër do të shkoj të ankohem në Komitetin e Partisë!” Shtangën të gjithë, as një fjalë! Ai pa njëherë rreth e qark reagimin e të tjerëve dhe m’u përgjigj: “Unë jam drejtori, nuk jam specialist. Këtu ka specialistë, le ta gjykojnë këta! Këndoje dhe njëherë këngën!” Sigurisht që e këndova përsëri, me më tepër përkushtim dhe më i kujdesshëm. Me të qeshur më thotë të afrohesha tek ai dhe se unë kisha të drejtë, - nuk e kisha fajin unë, por e kishte kënga. Pyeti e kujt ishte kënga dhe urdhëroi të hiqej, sepse sipas tij, ishte me motive kosovare. Gjithë kjo u bë, sepse unë nuk duhet të isha në festival, pas debatit me mikeshën e ngushtë të drejtorit. Që atëherë, nuk mund të këndoja dot më. Këtë këngë e këndoi më vonë Robert Alia, nga vitet ‘90 më duket, në Koncertin e Pranverës. 

Një jetë mes artistëve. Ke ndonjë peng në jetë? Një ëndërr që nuk e realizove dot asnjëherë?

Në ato vite, u zhvillua Festivali i Këngës Rreshtore, që e organizonte Shtëpia Qendrore e Ushtrisë me korin dhe orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë, aty ku unë punoja. Sigurisht që sollën këngë korale kompozitorët më të mirë të kohës, por në saje të eksperiencës që kisha me korin, bëra edhe unë një kënge korale. Për çudinë më të madhe, mora çmimin e parë dhe kryetar i komisionit ishte Cesk Zadeja. Mbas ndarjes së çmimeve, u bë një banket ku merrte pjesë dhe ministri i Mbrojtjes i asaj kohe dhe profesor Zadeja më uroi në sy të të gjithëve dhe më pyeti çfarë arsimi kisha. I tregova se kisha mbaruar Liceun Artsitik dhe profesor Cesku më tha se, unë e kisha të fituar konkurrimin për degën e kompozicionit dhe më ftoi të vazhdoja studimet në Institutin e Lartë të Arteve. Unë nuk mundesha të vazhdoja dot shkollën në atë kohë kur isha familjar me dy fëmijë, sepse duhet të shkëputesha nga puna dhe vetëm kohë më pas mbarova Fakultetin për Gjuhë-Letërsi, pa shkëputje nga puna. Kështu që u mbarsa mirë me muzikën dhe gjuhën e letërsinë. Kjo është edhe arsyeja pse më pëlqen shumë folklori ynë. Ai është kaq i larmishëm, ndryshon jo nga krahina në krahinë, por nga pellgu në pellg. Dua ta them pa frikë dhe i bindur se, mund të jemi vendi i vetëm në botë, që kemi këtë larmi folklori dhe veshjesh të shumëllojshme e të shumëngjyrshme.

Kur kthen kokën pas, a ka një profesion tjetër që do t’kishe dashur të bëje?

Një jetë të tërë në art me muzikën, qysh në moshë të vogël, me skeçe dhe këngë... Shumëkush më thoshte se duhet të bëhesha sportist ose aktor, por në fakt muzika më tërhoqi më tepër dhe nuk jam pishman që u mora me muzikë.

Pas ndërrimit të sistemeve, ju u ngjitët në skenën e festivalit qysh në fillim të viteve ’90. Si i keni përjetuar ato vite ndryshimesh?

Sigurisht që, me ardhjen e demokracisë u hapën dyert për shumë e shumë artistë të tjerë, që u ngjitën në skenë - ndër ta edhe unë. Me këngët “Vjola”, “Pirati i zemrave”, “Ave Maria”, “Xhelozia”, “Ikje pa kthim”, etj., edhe sot kam një repertor të pasur, edhe pse shumicën e këngëve e kam të pareklamuar. Ato janë në sirtarin e shpirtit tim, por pamundësia ekonomike për t’i ekspozuar në treg, bën që të mbeten ashtu, por mbase do vlejnë një ditë për të realizuar një koncert recital!

Kënga, “Pirati i zemrave”, ka mbetur shumë në kujtesën e publikut. Si lindi ajo këngë dhe pse mendoni se edhe sot kujtohet kaq shumë?

Kënga “Pirati i zemrave” ka një histori mjaft interesante. Ishte koha kur vinte periudha e përgatitjes së festivalit, rrinim midis shokësh artistë, komentonim, merrnim dhe jepnim mendime me njeri-tjetrin për muzikën bashkëkohore, me orë të tëra. Një ditë, duke pirë kafe me shokët artistë, hodha idenë dhe mendimin që të më thoshin një titull kënge. E bëra si konkurs dhe u thanë gjithfarë lloj tituj këngësh. Besnik Kasa, bashkëshorti i Irma Libohovës, ka qenë nga miqtë e mi të mirë, - ai nuk jeton më, u prehtë në paqe! - hodhi idenë “Pirati i zemrave”. Më tingëlloi tepër e veçantë dhe në çast thashë: Ky do jetë titulli i këngës dhe konkursi vazhdoi më tutje, në hedhjen e vargjeve. Kështu, një nga një teksti mori formë. I angazhova të gjithë: Adrian Hilën, Jorgo Papingjin, Agim Doçin, Alqi Boshnjakun, sigurisht dhe unë që pata pjesën më të madhe të këtij teksti. Dikush edhe rrudhi buzët, se nuk i pëlqente ky titull kënge, por unë vendosa. Bëra muzikën dhe kënga u mori formë, e orkestroi Alfred Kaçinari. 5 minuta para daljes në skenë, inspektori më thotë të hiqja pallton dhe shallin. Pallton ia mora Shpëtim Saraçit, shallin ia mora Suzana Shuteriqit pa dijeninë e saj, e kishte varur në varëse, sepse shalli që unë kisha nuk ma mbushte mendjen. Erdhi çasti për të kënduar, inspektori i skenës tha hiqe pallton. Prit i thash, se do ta heq. Spikeret prezantuan këngën, hiqe pallton thërriti inspektori. Unë me vrap, dola në skenë pa e pyetur, ashtu siç isha, me pallto dhe mora duartrokitje pa kënduar akoma dhe një ouuuu e madhe në sallë nga spektatorët, sepse ju bëri përshtypje pamja ime.

Këngët tuaja, disa prej tyre, kanë trajtuar problematika sociale; shpesh kanë qenë provokuese, ngacmuese, ironike. Pse kjo zgjedhje juaja?

Pas kësaj kënge, unë këndova në koncertin “Kur vjen pranvera” si kantautor përsëri, me orkestrim të Shpëtim Saraçit, me këngën "Ave Maria" dhe më pas nuk mora më pjesë në festival. U kujtova dikur nga viti 2003, kur realizova një këngë me emrin “Putana”, po që u pranua me kusht që të ndërroja tekstin dhe ta hiqja emrin “putana”. E hoqa atë tekst dhe u bë një tekst tjetër. Unë mendoj se kënga m’u prish. Ajo këngë e kishte vlerën pikërisht te ajo fjalë dhe atë e orkestroi, Adrian Hila. Disa këngë i këndova te festivali, “Kënga magjike”, në fillimet e tij, të orkestruara nga Petrit Tërkuçi dhe Sokol Marsi.

Mund të isha dhe një sportist shumë i mirë, ndoshta dhe një aktor i mirë, por them se nuk bëra keq që u mora me këngën dhe muzikën, sepse aty brenda është aktrimi edhe sporti. Sot që flasim, kam mbi 20 e ca vjet që punoj në “Qendrën Kulturore Tirana”, ish-Estrada e Shtetit. Gjatë kësaj kohe kam bërë edhe këngë të tjera të pa dala në treg, i kam kënduar dashurisë, tradhtisë, atdheut, veseve të këqija që ka sot shoqëria, mashtrimeve, gënjeshtrave të politikanëve, por edhe femrës, trupit të saj, pikërisht pjesëve më të bukura, gjinjve, - ato pjesë nga kemi pirë dhe jemi rritur të gjithë. Ha ha ha Madje, kam pasur dhe kritika nga gazetarë mediokër, që ju dukej tabù në kohën kur i këndoja. Kam qenë nga të parët që e trajtova këngën me klipe moderne për kohën, pavarësisht nga teknologjia e vjetruar, si p.sh., klipi “S’ka gajle, ti mos u mërzit”, e cila u vlerësua me çmimin më të mirë të regjisë në konkurrimin e klipeve. Përveç këngëve të lehta, kam kënduar dhe këngë popullore shqiptare, pa e deformuar melodinë e këngës.

Ke bashkëpunuar me poetë shumë të njohur, si Jorgo Papingji, por ke preferuar t’i shkruash tekstet vetë, pse?

Mendoj se, në këtë profesion, bashkëpunimi është i domosdoshëm, por sigurisht dhe kur kam bashkëpunuar, kam ngulur këmbë të dalë ideja ime, sepse unë ia di vetes më mirë se çfarë më shkon dhe çfarë më duhet, për natyrën e vokalit dhe të sharmit tim.

Janë bërë plot 23 vjet që jeni me përgjegjësi mbi ish-Ansamblin Tirana, sot Qendra Kulturore e Tiranës. A kanë ndryshim vitet kur ju filluat dhe sot? Çfarë mendoni se ka të veçantë, aktiviteti i këtij ansambli artistësh?

Unë punoj në Qendrën Kulturore Tiranë dhe jam i vetmi nga artistët që ka mbetur këtu, në këtë godinë të këngës dhe të humorit, ku kanë kënduar këngëtarë të mëdhenj, ku humoristët më të mirë të vendit kanë performuar. Rrodhën një e nga një vitet deri më sot, kur jam me detyrën e shefit të ansamblit folklorik Tirana dhe Bandës së Tiranës (orkestra frymore). Nuk kemi lënë trotuar, lagje dhe sallë pa shkelur, duke frymëzuar qytetin në aktivitete, festa dhe përkujtimore, për të gjallëruar jetën artistike kulturore të Tiranës. E them pa frikë se, kemi një trupë me artistë me të cilët duhet të mburremi, staf dhe punë serioze me performanca të vlerësuara me çmime pa fund! Them me bindje se, kemi ansamblin dhe bandën më të mirë në Shqipëri, në trevat me shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, dhe më tutje. Jam shumë fanatik në ruajtjen të pastër të folklorit, të cilin e përcjellim nga brezi në brez, pa i shtrembëruar dhe pa huazime, - ashtu të pastra, siç na i kanë lënë trashëgim të parët tanë!

Jetojmë në ditë që kanë mjaft debat mbi artin dhe teatrin në veçanti. Ju vetë, si i keni parë këto debate?

Sot si kurrë ndonjëherë tjetër, ky vend ka nevojë për tu kombëtarizuar, sepse po na ikën muzika në drejtim të panjohur dhe kam mendimin se, një punë shumë të mirë, duhet të bëjë media dhe shteti! Arti do pasion dhe vullnet, por edhe kundërshtim. Kohët e fundit është bërë zhurmë e madhe nga disa aktorë, për disa pretendime dhe të drejta. Por në të shumtën e rasteve, të pajustifikuara. Me bindje them se, aktorët janë artistët më të privilegjuar të këtij shteti fukara. Pretendime kanë edhe muzikantët. Pse nuk ndihen muzikantët, valltarët? Sepse nuk kanë kohë të rrinë kafeneve. Dita atyre u shkon studim dhe stërvitje. Prandaj dhe unë i jam përkushtuar pikërisht këtij zhanri të artit, kësaj përgjegjësie që kam në punë dhe që më ka bërë të jem më i përkushtuar për këto grupe artistësh, se sa për jetën time artistike private. Sikundër mund të pohoj se, pak kohë të lirë kam të merrem me veten dhe familjen.

Je bërë baba shumë i ri. Sot je tre herë gjysh. Ke dobësi për nipërit e mbesën? Mendon se ndonjë prej tyre do të të ngjasojë në talentin për muzikën?

Unë kam dy fëmijë dhe një grua të mrekullueshme, të cilët janë përshtatur shumë mirë me jetën dhe mënyrën e perceptimit tim të jetës, pasi shpesh edhe nata, për mua është ditë. Ndaj, pa ndihmën e familjes, nuk do të isha dot ky që jam dhe ua di shumë për faleminderit, përkushtimit dhe përkrahjes së tyre karshi meje, gjatë gjithë jetës time artistike! Padyshim nuk mund të mohoj prindërit dhe motrën time. Një këshillë kam dhe për të gjithë ata që duan të merren me art, nëse nuk e kanë mbështetjen, përkrahjen dhe ngrohtësinë nga familja, mos bëjnë gabim të zgjedhin rrugën e artit, që vërtetë është kaq e bukur, por dhe kaq e vështirë.

Kam dy nipër dhe së fundmi edhe një mbesë. Asnjëri nga fëmijët e mi, djali dhe vajza, nuk kishte vullnetin për t’u marrë me art. Nipërit dhe mbesa janë engjëjt e mi! Më heqin stresin dhe lodhjen dhe i dua pa fund të tre! Më merr malli për ta, orë e sekondë!

Sot, mbi artin, jeni më shumë kritik apo aprovues? Për këngën e tabanit, atë popullore e kam fjalën, shpesh na merr malli. A nuk duhet të bëjnë më shumë artistët në mbrojtje të saj?

Ndihem ende në formë shumë të mirë për të kënduar, por ku të këndosh në këtë treg të çoroditur, në këtë treg me adresë të panjohur, me konkurrime false, ku vlerësimi dhe emërtimi i fjalës VIP, është bërë i zakonshëm! I janë vërsulur këngës për t’u bërë këngëtarë, pa bërë asnjë ditë shkollë muzike! Prandaj mendoj se, media ka përgjegjësi të madhe sot për muzikën! Nuk mund të bëhesh artist VIP, nëpër konkurrime gjenish apo ku di unë se çfarë konkursesh. Nuk të japin profesion as kurset që janë të shtirura dhe të manipuluara. Si mund të quhet shkollë me disa javë fryrje, çdo gjë nëpërmjet mjeteve moderne të kohës dhe kompjuterëve! Por nuk mund të mohoj kurrsesi që ka dhe talente të spikatura, prurje të mira në krijimtari dhe interpretim, sepse populli është vital dhe nxjerr talente në çdo fushë, por i mungon orientimi dhe drejtimi i duhur dhe sidomos kritika, që e ka humbur tërësisht rolin e saj edukativ, pothuajse është inekzistente. Mund të falen ata që lëvrojnë muzikën moderne dhe të lehtë, apo edhe ndonjë humor banal, por kurrsesi nuk falen ata që merren me muzikën popullore, sepse shpesh më duket vetja sikur jetojmë në Turqi apo Bullgari. Ka shkuar në drejtim të panjohur, në shumicën e rasteve, shpesh nuk tingëllon më shqiptare. Ka ardhur koha që media dhe shteti duhet të kenë rolin kryesor për të ndalur veprat bajate, që të paktën muzika popullore mos të degjenerojë!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: