“Bananet që vinin nga Franca, i provonte dikush para se t’i hante Enveri”

Publicitet
“Bananet që vinin nga Franca, i provonte dikush para se t’i hante Enveri”
INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Ju tregoj se çfarë blija për Enver Hoxhën në Paris

Ai shkoi në Paris, kur u shpall prishja e PPSH- së me ish- kampin socialist, pas raportit të Enver Hoxhës në Kongresin e IV-t, nëntor 1961 deri në vitin 1968. Dhe ndërsa më parë, diplomatët tanë kishin ndihmesën e selive të vendeve mike socialiste, tashmë që u prishën edhe marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Francës dhe me shoqatën e miqësisë Francë-Shqipëri, që ishte nën tutelën e saj, ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, iu desh të kërkonte dhe të zinte miq të rinj. Teksa edhe prishja me Kinën krijoi tensione të reja me një pjesë të miqve dhe të shoqatës së re franko - shqiptare, por ai përjetoi vetëm fillimin, sepse u kthye në atdhe. Pikërisht, detaje interesante të atyre viteve mbërrijnë posaçërisht për “Albanian Free Press”, në një rrëfim të veçantë të tij. Gjithçka mbi dërgesat për ish-diktatorin komunist drejt Shqipërisë dhe si kontrollohej çdo gjë...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Z. Luçi, në kujtimet tuaja ju keni shkruar se kishit një njohje të veçantë me Sulo Gradecin. Si u njohe me të dhe çfarë komunikimi kishit me besnikun e Enver Hoxhës?

Me Sulo Gradecin u njoha mirë gjatë qëndrimit të tij në Paris, ku vinte shpesh si shoqërues i familjarëve të Enver Hoxhës. Shpejt e psikologjisa tipin e tij. Ai e kishte në majë të gjuhës fjalën “shoku...” për Enverin; rrallë thoshte “i madhi” apo  “shoqja...” për Nexhmijen. Çdo gjë e paraqiste porosi të tyre, duke treguar letra në duar, por që s’i lexoja dot, veç atyre që më shkruante me kërkesa të sakta kryesisht për Enverin dhe gjysmë-përçues e ndonjë gjë tjetër për Sokol Hoxhën. U njoha mirë dhe i shoqëroja gjithnjë edhe Ilirin e Sokolin me gratë e tyre. Suloja afrohej ngadalë dhe kishte zakon të bënte: “Hëm! ë?!” dhe kapte hundën me dorë, pastaj të fuste krahun dhe ecte për të biseduar në lëvizje, apo duke u ndalur në kafe. Rrallë bisedonte ndonjë gjë në banesat e Parisit apo në ambasadë, se i zbatonte rregulloret, dukej dhelpër e sekretit.

Ju ishit vartës i tij, apo kishit detyrë specifike?

Unë isha bërë një nëpunës i Sulos, sepse ai me miratim nga lart më kishte lënë një fond (rrallë merrja hua në arkën e ambasadës) dhe blija sendet e porosive që bënte, si libra, stilografë, këpucë, çorape, syze, copa stofi, ilaçe, etj.

Cilat ishin sendet dhe ushqimet më të spikatura që merrnit dhe si vepronit për t’i nisur, sipas porosisë. A kishit vështirësi në blerje dhe në dërgim?

Më vështirë e kisha me bananet, të cilat duhej t’i blija në vende ku mundësisht të mos njihesha nga shitësit, se kush isha dhe asnjëherë në të njëjtin dyqan frutash. Pastaj, direkt do shkoja në ambasadë, ku  t’i mbaja në frigorifer, t’i vulosja me dyllë të kuq dhe t’i dorëzoja në Tiranë me korrierët diplomatikë, apo me ndonjë diplomat nga ne, apo ata që kalonin tranzit në Paris, se porosia duhej të dërgohej me përparësi në kohë. Në Tiranë i provonte dikush para se t’i hante Enver Hoxha. Në dy raste, siç më thanë, nuk i kishte ngrënë, pse ishin o të pjekura shumë, ose ende të pabëra mirë dhe njëherë dyshuan se nuk qenë të rregullta. Por besoj se nuk u helmua asnjëri nga ata që i kullufitën. Hajde të gjeja peshën e farmacistit. Unë rrija me gjak të ngrirë për një kohë, jo se dyshoja te vetja, por shkoja nëpër mend rastësinë që bananet të ishin të sëmura nga Zoti, mundësinë që dikush mund të ndërhynte për keq dhe përgjegjësia më mbetej mua, më të voglit dhe më të largëtit. Shyqyr, nuk më ndodhi gjë me bananet, se drejtësia e punës sonë ishte legjendare dhe e pashpërblyer, kështu është edhe sot e kësaj dite. Ne kishim bindje dhe besim në të drejtën komuniste dhe nderin e gjakut të familjes, se ishim me ndërgjegjie të pastër, i shërbenim familjes, atdheut dhe kombit, virtyte që sot janë braktisur jo pak.

Si i merrnit porositë dhe cilat ishin ato që kishin rëndësi? Po ngjyrat dhe modelin kush e përcaktonte?

Për t’i blerë këpucë a çorape, më dërgonin edhe modelin e ngjyrën, të marra këto në revista mode, por pa shënuar as emrin e revistës, as datë e as në ç’vend qe modeli, por vetëm e prerë me gërshërë me kujdes. Kështu që nuk mund të gjeja të paktën dyqanet a firmat ku mund të qenë tregtuar. Bridhja dyqaneve e butikëve franceze me orë e ditë të tëra, por zor se gjeja të njëjtin model a ngjyrë se dukej qartë se u kishte ikur moda. Blija gjëra të përafërta. Vetëm njëherë nuk m’u pëlqyen një palë këpucë bezhë e hapur, ndofta sepse qenë majat e ngushta dhe këmba e shqiptarit me gunga. Më lehtazi gjeta stilografët e viteve ’30, markën “Parker” në dyqanet e rrethinave të Parisit, ku mbaheshin mallra antike nëpër depo, sidomos në pazarin e quajtur “Pazari i pleshtave”, ku gjeje çdo vjetërsirë kohe deri në 20 vjet e shumta. Edhe për syzet nuk kishte ndonjë vështirësi, se ato i porosisja te markat e mira të firmës “Lissac”, se për çmimin e kripur as bëhej fjalë. Disa herë pronari më ofroi syze falas mua si dhuratë, sigurisht jo të asaj cilësie që porosisja, pasi kudo kur blije herë pas here, të sajdisnin që të të mbanin lidhur si klient. Por atëherë druheshim të merrnim edhe dhurata, se krijuam bindje për këtë gjë dhe jo vetëm se duhej malli që s’na e mbante ta blinim me xhepin e shpuar, por edhe se dyshonim tek dhuratat, siç thuhet për grekët.

Nuk ke pranuar asnjëherë dhurata?

Vetëm njëherë mora një palë syze dielli të thjeshta që s’binin në sy, por ua bëra të ditur edhe shokëve, pasi këto blerje i bënim vetë i dytë dhe kësaj here isha së bashku me Bahri Zikon, sekretar i tretë. Duke qenë vetë i dytë bëhej plotësisht transparenca e blerjeve, siç thuhet sot. Njëherë që po blinim së bashku me mikun tim, dr. Pavllo Milon nga Vunoi,  mjek në klinikën e udhëheqjes, morëm dhuratë nga një këllëf të mirë se pronari i dyqanit ku blemë syza, më pa se ç’këllëf kisha, kur nxora syzet të lexoja faturat.

Vetëm në Francë i bëje blerjet?

Në  shkurt 1975 shkova në Zvicër për një porosi të Enver Hoxhës. Kisha kaluar tranzit me tren që në nëntor 1961, duke ndërruar trenin në Bazel, megjithëse kisha djalin 6 muajsh dhe bagazhet. Kalova edhe në 1965-ën me gruan e fëmijët dhe kësaj here patëm problem, se treni s’kishte ujë të nxehtë për t’i përgatitur vajzës 5-muajshe Rozetës qumështin, e cila e thithte shishen nga uria me pluhurin e tij për bebe të pabërë mirë, se gruaja nuk kishte gji t’i jepte. Kur bëmë ndërrimin e trenit, e patëm mjaft vështirë edhe kësaj radhe. Nga Parisi në Gjenevë shkova me avion dhe kësaj here mora gruan si shoqëruese, pasi shokët e tjerë qenë zënë me udhëheqësit që ishin për mjekim. Në Gjenevë mora veturë me qira dhe shkova në Lozanë, ku pasi lashë djathtas qytetin, u ngjita në male tek ndërmarrja “Kudelski-Nagra Recorders”, ku takova Urs Gallman, supervizor i shërbimit të eksportit,i cili më ndihmoi për blerjen e magnetofonit me pajisjet për Enver Hoxhën, i cili mesa mora vesh, mbeti i kënaqur. Ursi qe inxhinier zviceran që kishte studiuar në SHBA, më falënderoi që zgjodhëm për blerje këtë firmë dhe mbajti qëndrim të mirë ndaj vendit tonë, më pritën mirë dhe mbarova punë pa u vonuar. Por vajti vonë dhe zura hotel. Pasi darkuam në restorant, ku çmimet qenë të kripura për fjetje e ushqim, sa nuk më doli dieta e Parisit për të përballuar shpenzimet, kështu që shtova nga xhepi. Filloi të binte dëborë dhe kjo na shqetësoi, por fjetëm. Pasi hëngrëm mëngjesin përgatita veturën, se kisha edhe zinxhirë. Zbritëm ngadalë pa probleme në Lozanë, ku shëtitëm qytetin dhe bregun e liqenit. Gjatë rrugës për në Gjenevë, bëra fotografi duke ndaluar në vende të bukura. Këto fotografi janë nga më të bukurat që kam bërë, pasi ishte kohë e mirë me diell dhe pamjet zviceriane fantastike. Kur m’i pa dikush fotografitë më tha se me to mund të merrja pjesë në konkurse për fotografi artistike. Nuk e kam bërë këtë punë, megjithëse kam foto nga Moska, Parisi e Shqipëria etj. Pa mbërritur në Gjenevë, gjatë rrugës hëngrëm ca fruta dhe pa e ndaluar veturën plotësisht,iu afrova një koshi në anë të rrugës dhe hodha qesen e mbeturinave, por ajo ra jashtë kazanit të plehrave. Ndërkohë nga një pallat karshi, një grua e moshuar më bërtiti, duke bërë shenjë me dorë: “në kosh,zotëri, në kosh!”, dhe unë kështu bëra dhe e falënderova nga larg gruan qytetare,e cila më dha një mësim të mirë. Një qëndrim të tillë të kulturuar e kam ndeshur edhe në Vjenë, Berlin e Stokholm. Në Gjenevë qëndrova më gjatë, pasi avioni nisej vonë dhe bëmë shëtitje buzë liqenit e në qytet, ku patëm mbresa të pashlyera.

 

Porosia më e vështirë

“Ç’kam hequr t’i sillja makinën e shkrimit Enverit”

“Kam hequr keq me porosinë për makinën e shkrimit, që ma ngarkoi Haxhi Kroi në Tiranë kur isha me shërbim. Gërmat që kërkonte ai për Enver Hoxhën dilnin aq të mëdha, sa të bëhej një makinë shkrimi e stërmadhe, sa gërmat nuk mund të radhiteshin në tastierë. Pas disa këshillimesh, edhe me Sulon vendosëm t’i thoshim përfundimisht se qe e pamundur të gjenim ashtu siç duhej dhe ky ishte mendimi i tërë specialistëve që pyetëm. Duke u hequr edhe si budallenj, megjithëse ne thoshim: “na falni se ne nuk marrim vesh fare nga kjo punë, por a është e mundur të gjendet a të bëhet një makinë shkrimi me këto germa?!”. (dhe jepnim modelin e shkronjave). Kështu vuajtëm edhe për një palë syze në vitet e fundit dhe për të njëjtat arsye nuk u gjetën. E kështu, Enver Hoxha përdori lente zmadhuese e tjera metoda për lexim. Këtë punën e gjyzlykëve nuk e zgjidhi as prof. Iv Poliken, të cilin e takuam edhe para vitit 1979 kur e vizitoi vetë  Enver Hoxhën në Tiranë.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: