“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Bepe Grillo: Ja pse jam shqiptar

Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Bepe Grillo: Ja pse jam shqiptar
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë nga fusha e lundrimit, që është bërë e mundur falë qeverisë. Banorët e zonës në Shkodër, kanë nxjerrë nga shtëpitë e tyre edhe këtë herë, varkat, pasi tokat ju janë përmbytur.

Shprehim keqardhjen për këta njerëz! Por vetë shkodranët e kuptojnë se lajmi është i mirë, pasi qeveria ka menduar që edhe këtë herë, varkat mos të zënë pluhur, por të vihen në punë. Kjo nuk do ishte bërë e mundur pa punën e të gjitha qeverive, që asnjëherë s'i kanë lënë varkat të pluhurosen!

E meqë ra llafi te varkat, ne po sjellim sot dikë, që të parët i janë larguar me varkë, drejt Italisë. E kemi llafin për shokun Beppe Grillo, drejtuesin në hije të lëvizjes politike, "Pesë Yjet". Ne biseduam me të në telefon.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, Bepe! Urime për fitoren! Na falni që nuk e flasim mirë italishten!

Beppe Grillo: No ka problem! Flas unë skip!

Antena: Flisni ju shqip?! Sa mirë! Ku e keni mësuar? Apo me ndonjë çupë shqiptare?

Beppe Grillo: No me çupa! E kam mësuar te shtëpia ime, nga gjyshja. Ajo ka folur skipe. Ishte arbëreshe.

Antena: Po thoni që jeni arbëresh?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për ne! Edhe Toto Rino para se të ikte nga kjo dynja, na tha që ishte shqiptar.

Beppe Grillo: Si, arbëreshi jam. Nga Dhërmiu. Kam akoma të afërmit e mi atje, me mbiemër Grillo. Nuk e shikon nga flokët, që jam shqiptar.

Antena: Nuk ju kuptoj? Doni të thoni që ADN-ja e qimeve të flokëve, tregon që jeni shqiptar?

Beppe Grillo: Ma che ADN! E kisha llafin te modeli i flokëve. I kam siç i kishin më parë arbëreshët. Flokë të gjatë. Për hir të tyre, i mbaj akoma leshrat e gjatë.

Antena: Po ata, përse i mbanin të gjatë?

Beppe Grillo: Me ç'më ka theshtur gjyshja, i mbanin të gjatë se s'kishin kohë që t'i prisnin. Ishin gjithë kohën në luftë me osmanët, ndaj.

Antena: A ju ka thënë gjyshja, se kur u larguan të parët tuaj nga Dhërmiu?

Beppe Grillo: Si, si, më ka theshtur. U larguan disa kohë pasi u vendosën osmanët në Skipëria. Erdhën me varkë. Nuk ju pëlqeu jeta nën pushtimin osman apo siç thuhet tani, në administrimin osman, e u nisën drejt Italia. Ka qënë muaji mars, si tania.

Antena: Me fat paskan qënë, vërtet! Të udhëtosh në gjithë atë det!

Beppe Grillo: Sykyr që nuk hasi ndonjë anije italiani rrugës, që ta godiste varkën e të parëve të mi, se s'do kisha lindur una!

Antena: Eh, fati i shqiptarëve të gjorë ...!

Beppe Grillo: Paguan ryshfet te ushtarët e doganës, që ata t'i lejonin. Kam marrë vesh nga gjyshja që, ai që mblidhte paratë, më vonë u bë me pushtet në Stamboll.

Antena: Edhe tani te neve, kemi shumë ish-punonjës doganash që janë bërë deputetë.

Beppe Grillo: Lo so. E di, e di.

Antena: Si shpjegohet që, megjithëse të parët tuaj kanë qënë emigrantë, siç po thoni, ju jeni kundër emigrantëve?

Beppe Grillo: Kështu është jeta, derman! Historia ka treguar se, më shumë kundër diçkaje, janë ata që vetë i përkasin asaj diçkaje. Ja p.sh., ai italo-afrikani që u bë senator në Italia. Njeriu, për t'u dukur që i takon një komuniteti, sulmon ish-komunitetin që i përkiste. Shiko shqiptarët që votuan ne Italia, p.sh.; shumica e tyre votuan partitë që s'duan emigrantët.

Antena: E vërtetë më duket ky gjykim. Desha t'ju pyes. A do bëni koalicion dhe me kë? Bie llafi, me Berluskonin. A do pranoni që ...?

Beppe Grillo: " Ma che" thua! Berluskonin e telefonova dhe nuk ma hapi. Është fshehur, se ka frikë. Po e kërkojnë dhe s'po e gjejnë?

Antena: S'po e gjejnë?! E çuditshme!

Beppe Grillo: Ka frikë se mos e sjellin më Skipëri. E ke parasysh që doli ajo vajza me ato gjokset e vogla ku kishte të shkruajtur: "Berluskoni ka skaduar!"

Antena: Po, e pashë si lajm. Ç'lidhje ka kjo me zhdukjen e Berluskonit?

Beppe Grillo: Ka frikë ai tani, se e di edhe vetë që është mall i skaduar. E çdo mall i skaduar italian, përfundon më Shqipëri...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: