“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet Analisti i Pavarur: Mosarsimimi tregon punën e mirë të qeverisë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet Analisti i Pavarur: Mosarsimimi tregon punën e mirë të qeverisë
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një tjetër lajm të mirë, ketë radhë nga fusha e arsimit. Sipas Eurostat, të rinjtë e vendit tonë, kanë nivelin më të ulët arsimor krahasuar me rajonin. Themi lajm i mirë pasi, imagjinoni sikur të kishim më shumë të rinj më shkollë të lartë ...!

Këtë fakt na e tha analisti i pavarur në bisedën që bëmë rreth këtij problemi.

Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Zoti Analist i Pavarur! Besoj se e lexuat artikullin që thoshte rreth arsimimit të ulët të...?

Analisti i Pavarur: Sigurisht që e lexova, se i takon një nga fushave të mia të analizës të cilën do e trajtoj sot në mbrëmje, në tre televizione.

Antena: Do mungoni në disa tv, d.m.th. Nejse. Keq kishin dalë, me ç'pashë të dhënat.

Analisti i Pavarur: E ke gabim! Kishim dalë më mirë se çdo vend tjetër i rajonit.

Antena: Më falni, por te ne vetëm 16.8% e 30-34-vjeçarëve është me shkollë të lartë, ndërsa në Mal të Zi, 31%. Ç'mirë zeza jemi??

Analisti i Pavarur: Le të marrim të mirëqenë sikur në Shqipëri, do të kishte më shumë të lartëshkolluar. E di ç'do të ndodhte?

Antena: Jo, nuk e di. Çfarë të ndodhte?

Analisti i Pavarur: Do të kishim më shumë studentë që do vinin të studionin në Tiranë. A ke ti kapacitete që t'i presësh?

Antena: Unë personalisht e keni llafin?

Analisti i Pavarur: Jo ti, or jo! Them shteti. A i ka këto kapacitete?

Antena: Po le t'i krijojë, nëse nuk i ka.

Analisti i Pavarur: Kështu thua ti?! Po e di ti se, çfarë do të sillte një rritje e numrit të studentëve? Kjo do të sillte rritje të çmimeve të apartamenteve me qira. A do donim neve si popull i thjeshtë, që të ndodhte një rritje e tillë?

Antena: Unë personalisht e keni llafin?

Analisti i Pavarur: Jo ti, or jo! Them në përgjithësi. Rritja e numrit të studentëve do rriste, sigurisht, numrin e aborteve, kryesisht atyre të jashtëligjshme. A do e donit ju një gjë të tillë?

Antena: Unë fëmijën e kam djalë...

Analisti i Pavarur: Jo ti, or jo, e them në përgjithësi. Pastaj le ta kesh djalë, lekët e abortit atij i takojnë t'i paguajë.

Antena: Nuk di çfarë t’ju them shoku analist. Ju të kapni në...

Analisti i Pavarur: E pra, gjërat janë kaq komplekse, sa duhen gjykuar më thellë. Tani të më falni se, po shkoj të marr ca lekë andej nga qeveria...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: