Anemia gjatë shtatzënisë, ushqimet që duhet të konsumojmë

Anemia gjatë shtatzënisë, ushqimet që duhet të konsumojmë
Gjatë periudhës së shtatzënisë, shumë prej femrave vuajnë nga anemia, pasi trupi ka nevojë për më shumë hekur. Por çfarë është e rëndësishme dhe këshillat që duhet të ndiqen në mënyrë që, shtatzënia të ecë mbarë dhe bebi të lindë i shëndetshëm. Mjekja gjinekologe, dr. Kozeta Mustafaraj, shpejgon për “Albanian Free Press” këshillat që duhet të ndjekin ato gra shtatzëna, të cilat kanë probleme me hemoglobinën përgjatë nëntë muajve.

“Gjatë shtatzënisë ndodhin ndryshme të mëdha në organizmin e gruas, që përfshijnë ndryshimet hormonale, metabolike, me gjithë efektet e tyre në organet dhe sistemet e organizmit. Fillimisht, ka një mbajtje të sasisë së ujit në organizëm. Nga ana tjetër, ka rritje të kërkesave për hekur, që është përbërësi i hemoglobinës, proteinës së rruazave të kuqe të gjakut që mbartin oksigjenin. Kjo rritje e kërkesës është për nënën, për bebin që po zhvillohet si dhe placentën, sidomos në tremujorin e dytë dhe të tretë. Nëse hekuri në organizëm nuk është i mjaftueshëm për të përballuar këto kërkesa, do të zhvillohet anemia. Kjo është më e shprehur, nëse shtatzënia shoqërohet me të vjella, nëse barra është binjake, nëse gruaja ka patur cikle me fluks të shtuar më parë”, - pohon mjekja Mustafaraj.

Nevoja ditore e një gruaje shtatzënë, është 18 deri 27 mg në ditë, por duke qenë se kjo sasi nuk mund të merret në ushqim, rekomandohet marrja e suplementit ditor në 30 mg hekur. Anemia gjatë shtatzënisë mund të zhvillohet dhe nga mungesa e acidit folik ose vitaminës B12, apo nga çrregullime të gjakut të trashëguara, si dhe prania e sëmundjeve kronike. Por cilët janë faktorët favorizues, si ta kuptojmë që kemi anemi, si ta kurojmë atë? Mjekja Mustafaraj tregon të gjitha hapat që duhen ndjekur.

Faktorët favorizues

Faktorët kryesore të shfaqjes së anemisë gjatë periudhës së shtatzënisë, janë dieta e varfër me hekur e vitamina. Po kështu, një tjetër ndikim të madh kanë edhe çrregullimet të ndryshme, por edhe sëmundje të aparatit tretës, ndërhyrjet kirurgjikale etj. Mjekja thekson se, ato femra të cilat kanë cikle menstruale me fluks të shtuar, që zgjasin për një kohë të gjatë, janë të favorizuara për të patur anemi gjatë shtatzënisë. Po kështu, dhe sëmundjet e rënda të mëlçisë apo veshkave, janë shkaktare të shfaqjes së saj, sikurse edhe format e trashëguara të anemisë, sëmundjet autoimune.

Shenjat

Sa i takon shenjave dalluese të sëmundjes, ato kanë të bëjnë me lodhje, lëkurë të zbehtë, zbehje të mukozave, dobësim të thonjve, vështirësi në gëlltitje, ndryshime në humor dhe përqendrim, çrregullime të rrahjeve të zemrës, shpeshtim të tyre, shkurtim në frymëmarrje, këputje, duar dhe këmbë të ftohta. Po kështu, shenja të tjera shoqëruese të anemisë në shtatzëni, janë edhe dhimbjet e kokës (megjithëse këto janë dhe shenja shoqëruese të shtatzënisë). Studimet e kohëve të fundit, kanë treguar një lidhje midis formave të rënda të anemisë nga mungesa e hekurit dhe një dëshirë të madhe për ngrënien e akullit, letrës apo argjilës. Çdo grua shtatzënë, në fillim të shtatzënisë, i nënshtrohet ekzaminimit të gjakut për matjen e hemoglobinës, hematokritit, sideremisë dhe morfologjisë së gjakut.

Mjekimi

Mjekimi jepet në varësi të anemisë që konstatohet. Pra, nëse bëhet fjalë për anemi nga mungesa e hekurit, merret suplement hekur 60 deri 120 mg në ditë Nëse merret në formën e ferri sulfat 325 mg (60mg hekur) ose ferrous glukonat 300 mg (34 mg hekur), ferri fumarat 325mg tb (106 mg hekur). Për t’u përthithur më mirë, duhet marrë me vitaminë C, lëng portokalli, qitroje, lëng domateje me stomak bosh, por asnjëherë nuk merren me qumësht dhe me kafe apo çaj apo kalcium. Marrja e hekurit shoqërohet me efekte anësore të tilla, si: kapsllëk, djegie të stomakut, të përziera, të vjella.

Si ndikon anemia te bebi ?

Përgjithësisht, bebi kujdeset vetë për nevojat e tij për hekur, duke marrë nga nëna, por anemia e nënës mund të ndikojë në hekurin e depozituar, çka rrit rrezikun për zhvillim të anemisë më vonë gjatë fëmijërisë. Anemia nga mungesa e hekurit, lidhet me rritje të rrezikut për lindje para kohe dhe lindje të fëmijëve me peshë të ulët. Në raste më të rralla të formave ekstreme, mund të çojë në vdekje të bebit në mitër apo pas lindjes. Efektet te nëna, nëse gruaja do të jetë anemike, ajo do të jetë e këputur, ka mungesë të energjive, trupi e ka më të vështirë për të përballuar infeksionet, do të jetë më vështirë për të përballuar lindjen, shtohet mundësia për të patur hemorragji pas lindjes, rritet risku për të kaluar depresionin post partum.

Parandalimi

Ajo që mjekja këshillon, është dieta e shëndetshme e pasur me ushqime që përmbajnë hekur. Në këto produkte përfshihet mishi i kuq që është edhe burimi më i mirë i hekurit, por nuk përjashtohen mishrat e tjerë, peshku apo burimet joshtazore, sikur: bathët, thjerrëza, rrushi i thatë, kumbulla, fik, patate me gjithë lëkurë, kajsi, brokoli, perimet e gjelbra, drithërat, arrat, farat e ndryshme. Kujdes duhet bërë me mëlçinë! Është më mirë ta shmangni në shtatzëni! - pohon mjekja Mustafaraj, - pasi përmban sasi vitamine A jo të sigurt, çka mund të sjellë defekte të lindura të bebit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: