Ajdareviç: Tronditëse, presidenti i PAOK lëviz gjithnjë me armë

Publicitet
Ajdareviç: Tronditëse, presidenti i PAOK lëviz gjithnjë me armë
Futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe i AEK, Astrit Ajdareviç, tregon detaje nga incidenti

Presidenti i PAOK u fut në fushë dhe kërcënoi gjyqtarin me armë, në ndeshjen e së dielës kundër AEK Athinë. Kampionati grek u pezullua, pasi Ivan Savvidis u përpoq të konfliktohej me gjyqtarin, i acaruar në minutat e fundit kur skuadrës së tij iu anulua një gol. Mesfushori shqiptar i ekipit grek, Astrit Ajdareviç, tregon për ngjarjen.

“Njerëzit u tronditën. Është tronditëse, sepse ai shkon edhe në aeroplan me armë,” - tha Ajdareviç. Në minutën e fundit të takimit mes PAOK dhe AEK Athinë, pas incidenteve, ndeshja u ndërpre pa përfunduar koha e rregullt. Një ditë më pas, qeveria greke njoftoi se, e tërë liga është pezulluar, për një periudhë të pacaktuar. Futbollisti kuqezi i AEK, Astrit Ajdareviç, nuk ishte në atë ndeshje, por tha se i pa skenat e shëmtuara në TV, nga shtëpia.

“Në fakt isha në shtëpi, por pashë gjithçka në TV. Ishte e trishtueshme të shihje atë që ndodhi! Kishim stërvitje sot (një ditë pas ndeshjes) dhe aty mësova pak më shumë për atë që ndodhi në ndeshje”, - tha mesfushori. Çfarë mësoi nga lojtarët e tjerë të AEK?

“Ishin të tronditur. Ata kurrë nuk kishin përjetuar ngjarje të tilla. Ishin ngjarje që nuk i shkojnë për shtat niveleve të tilla, si këto.”

Ajdareviç thotë se, pas kësaj ngjarje ka disa teori konspiraconesh, sesi do të përfundojë kampionati grek. Ai thotë se, ngjarja ka tronditur opinionin publik, pasi “edhe gratë dhe vajzat shikojnë dhe lexojnë mbi ndeshjen. Është një situatë e tillë absurde.”

Përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s kanë mbërritur në Athinë, për ngjarjet e fundit. Lidhur me faktin sesi është e mundur që një president klubi futet me armë në fushë dhe mban një të tillë edhe kur udhëton me avion, mesfushori shqiptar thotë se:

“Është e qartë, është shumë e rëndë! Armën di që e mbante për arsye sigurie, edhe për shkak se ka pasur kërcënime, sepse është një njeri me profil të madh këtu.”

AEK shpreson ta fitojë ndeshjen në tavolinë pas ngjarjes, çka do ta ndihmojë të fitojë titullin kampion në Greqi.

Ajdareviç shprehet i kënaqur që ka luajtur shumë këtë sezon dhe ka bërë edhe gola.

“Kemi ecur mirë në ligë, jemi në gjysmëfinale të kupës dhe kemi luajtur edhe në Europa League,” – thotë ai, teksa shpreson që me ekipin e tij, AEK të luajë sezonin tjetër në Champions.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: