8 Marsi, gratë: Përballemi ende bindshëm me burrat!

8 Marsi, gratë: Përballemi ende bindshëm me burrat!
FORUM/  Flasin për 8 Marsin, Ditën e Gruas, figurat e njohura femërore në Shqipëri: Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”; Alida Hisku, këngëtare; Zhuliana Jorganxhi, poete; Ela Tase, sportiste dhe Natsha Lako, poete, skenariste

 Inkurajimi dhe veprimet e grave të thjeshta, kanë luajtur, ndër  dekada, një rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave në mbarë botën. Dhe pikërisht atyre, u është dedikuar një ditë e veçantë e vitit, jo vetëm për t’i përkujtuar, por edhe për t’i patur si një motiv për të ardhmen e çdo gruaje. 8 Marsi, e njohur si "Dita Ndërkombëtare e Gruas" dhe që përkujtohet edhe në Shqipëri si e tillë, sjell në vëmendje pikërisht problemet e saj, si edhe sfidat për një jetë më të mirë dhe dinjitoze përkrah burrave, pa dallime apo hendek gjinor. Po çfarë mendojnë rreth saj figura të njohura të gjinisë femërore në këtë vend? Cilat janë pritshmëritë e gruas shqiptare në të ardhmen e saj, por edhe të përditshmen, ku ajo ndeshet ende me mendësi të së shkuarës? Flasin posaçërisht për “Albanian Free Press”, rreth 8 Marsit, Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”; Alida Hisku, këngëtare; Zhuliana Jorganxhi, poete; Ela Tase, sportiste dhe Natsha Lako, poete, skenariste...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

“Nderi i Kombit”

MARGARITA XHEPA: Gruaja shqiptare, një grua që përballet bindshëm me burrat

Znj. Xhepa, çfarë sinjifikon për ju dita e 8 Marsit? Dhe si do ta vlerësonit gjendjen aktuale në të cilën gjendet gruaja shqiptare sot?

8 Marsi, një festë e bukur, një ditë e veçantë. Nënat, burimi i jetës, mirësisë, ndjeshmërisë, vigjilencës, sakrificës, bujarisë dhe krenarisë. Për të arritur në këtë ditë që janë sot, gratë shqiptare për të fituar të drejtat e tyre kanë kaluar nëpër kalvare vuajtjesh dhe sakrificash. Dikur me ferexhe, pa të drejtë vote, me të drejta shumë të kufizuara, sot shohim një grua shqiptare të emancipuar, civilizuar, e shohim deri edhe zv/kryeministre, kryetare Kuvendi, deputete, ministre, etj. Pra, një grua që përballet bindshëm me burrat në çdo aspekt të jetës shoqërore.

Si është historia e kësaj dite në vendin tonë?

Për herë të parë, 8 Marsi në Shqipëri u kremtua në vitin 1942, në grupe të vogla grash. Në fillimet e shtetit shqiptar, nuk ka ekzistuar e drejta e grave për të zgjedhur e as për t`u zgjedhur. Në ligjin për “Zgjedhjen e deputetëve” i datës 5 dhjetor 1920, në nenin 6, theksohej: “gjithë ata burra që  kanë moshën 20 vjeç e përpjetë, paguejnë a s’paguejnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrë zgjedhjeje për zgjedhje të dytë”. Për herë të parë në Shqipëri, e drejta e votës për gratë është njohur në vitin 1945. Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, në kapitullin “Të drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 14 theksohej: “Të gjithë shtetasit,  pa  ndryshim seksi, kombësie, race, besimi shkalle kulturore ose banimi dhe që kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet e pushtetit shtetëror”. Ndërkaq, gjatë viteve të komunizmit, 8 Marsi në Shqipëri u kremtua si festa e Nënës, teksa në mbarë botën mijëra gra bashkoheshin për të kërkuar të drejtat e tyre. Me hapjen e vendit pas rrëzimit të sistemit diktatorial, 8 Marsi filloi të merrte kuptimin e vërtetë në teori, sepse në praktikë ende sundohet nga lule, dhurata dhe dreka mes grave, duke u shndërruar në një ditë feste dhe jo në ditë apeli për të drejtat e tyre.

Po si duhet të shërbejë në të vërtetë sipas jush kjo ditë?

Për mendimin tim, kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada. Por padyshim, që kjo ditë mbart në vetvete edhe falënderimin dhe nderimin për gjithçka gratë japin në shoqëri, në rolin e nënës, motrës, mikeshës, apo në profesionin e tyre. Në këtë ditë të veçantë, femrat janë në qendër të vëmendjes e marrin dhurata, jo vetëm nga partnerët, por edhe nga fëmijët apo të afërmit. Në vend priten aktivitet të ndryshme në nderim të gruas, por këto aktivitete nuk duhet të jenë vetëm një ditë në vit për gruan, jo! Ato janë shëmbëlltyra më e mirë e ideve të Zotit në tokë, pa të cilat bota nuk do shumëfishohej, por përkundrazi do ishte më e egër dhe më problematike. Gëzuar 8 Marsin, nëna, motra shoqe kudo në botë!

Poete

ZHULIANA JORGANXHI: Me nënën nis jeta!

Znj. Jorganxhi. Pas mendimit që dhatë për ditën e 7 Marsit, “Albanian Free Press”, kërkon prej jush të bëni një vlerësim edhe për ditën e 8 Marsit. Çfarë sinjifikon për ju ajo?

Me nënën nis jeta! Ndjej dhimbje të madhe, në këto kohë "moderne" kur shoh braktisje të nënave. Rruga e emancipimit të vajzës dhe gruas shqiptare është shumë e gjatë dhe e mundimshme. Në çdo 8 Mars kujtoj dhe përulem me nderimin më të madh para heroinave dhe dëshmoreve, që me gjakun e tyre shkruan fjalën "Liri" në altarin e saj. Por edhe para gjithë vajzave dhe grave, që vuajtën kalvarin e gjatë të internimeve dhe persekutimeve. Sikundër, edhe të gjitha artistet e skenës dhe ekranit tonë.

A është e emancipuar sipas jush sot grua shqiptare?

Emancipimi nuk është vetëm të ndjekësh modën në veshje etj. Emancipim do të thotë shumë. Me dijet, punën tënde të tregosh se je e barabartë me kolegun tënd dhe shumë herë t'ia kalosh atij. Tek ne ka pasur dhe ka shumë maskilizëm. Gruaja ende ndodhet e nënshtruar ndaj burrit dhe kur ngre pak zërin, ose kokën, ndodhin dhe tragjedi, të cilat të tronditin shpirtin. Vajza dhe gruaja shqiptare sot për mendimin tim bën shumë, por shumë e shumë më tepër duhet të bëjë shteti dhe shoqëria për të. Vajzat tona sot ngrejnë nderin e Shqipërisë nëpër botë në shkencë, në art, etj. Mendja sa herë vjen 8 Marsi, më shkon edhe tek ato vajza dhe nëna në fshat, të cilat çdo ditë hahen me tokën, u plasariten duart nga cikna e dimrit dhe dielli i nxehtë i verës. Ato duhet te luftojnë për zbutjen dhe zhdukjen e kësaj varfërie.

 

Këngëtare  

 

ALIDA HISKU: Kjo është dita e gruas dhe jo e nënës

Znj. Hisku, çfarë duhet të jetë sipas jush dita e 8 Marsit?

Dita e 8 Marsit, duhet të jetë dita kur gratë duhet të mendojnë për veten dhe gratë e tjera. Por edhe të reflektojnë mbi faktin se pa marrë parasysh se cilës kulturë, nacionalitet, apo familje i takojmë, jemi gra dhe jemi të njëjta. Unë jetoj prej vitesh në Gjermani dhe po e shoh sesi respektohen dhe çfarë vlerash kanë sot gratë më këtë vend. Gjermaninë prej afro 15-vjetësh e drejton një grua, Merkel, një zonjë e madhe, fisnike që ka pasur besimin më të madh në shoqërinë gjermane. Por sot në Gjermani ka dhe shumë të tjera si Merkel. Kurse në vendin tonë, pozicioni i gruas ende nuk është aty ku duhet. Kemi jetuar në një shoqëri ku femra nuk ka qenë, por dhe ende nuk është e barabartë me mashkullin, në të gjitha poret e jetës. Kishim një shoqëri ku femrës i imponohej edhe mënyra e të jetuarit, mënyra e veshjes, daljes, qëndrimit dhe shprehjes se mendimit të lirë. Dikur femra nuk ka gëzuar të drejtën e shkollimit, apo nuk i mundësohej ajo. Kemi pasur një shoqëri ku femra nuk ishte e përfaqësuar në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore. Sot janë marrë hapa konkretë në drejtim të barazisë gjinore në Shqipëri, por ende rruga është e gjatë.

Për ju, është festa e nënës, apo e gruas në përgjithësi?

Këto ditë nëpër rrjete sociale kam parë që kanë filluar të urohen nënat, por në fakt duhet të urohen gratë. Është dita e gruas dhe jo e nënës. Në 8 Mars, duhen uruar nënat, motrat, gjyshet, e dashura, tezja dhe të gjitha gratë. Është dita e tyre! Meqenëse te ne kjo ditë shënohet në mënyrë solemne si në shtëpi ashtu dhe në shoqëri, duhet një dhuratë, jo domosdoshmërisht e shtrenjtë, duke përcjellë urimin e të gjithë neve për më të dashurat tona. Dhuratat, e kam mësuar nga familja ime, nuk duhet të jenë të shtrenjta, në kuptimin financiar; dhurata duhet të jetë nga zemra, e menduar mirë dhe me përkushtim, sepse kjo e bënë më të vlefshme. Gëzuar festën gratë vetëmohuese të Shqipërisë dhe gjithë botës.

 

Poete

NATASHA LAKO

“Që një grua të gjejë forca në veten e saj, i duhet të ketë mbështetje te paraardhëset e saj të heshtura. Ato i japin më shumë forcë se llafollogjitë e sotme”.

 

Sportiste, “Mjeshtre e Madhe”

ELA TASE: 8 Marsi, një vlerësim më shumë për nënat e vajzat

Znj. Tase, çfarë sinjifikon për ju Dita e 8 Marsit?

8 Marsi për mua ka qenë dhe është thjesht një vlerësim më shumë për nënat e vajzat, për t’u mbledhur në forma të ndryshme të gëzimit apo protestës, por gjithmonë për të kujtuar e ndërgjegjësuar respektin dhe madhështinë e nënës si figurë e rëndësishme për të gjithë. Unë jam rritur në një rreth familjar e shoqëror që nuk e kam ndjerë problemin e vështirësive apo emancipimit. Që në moshën 14-vjeçare jam rritur me grupin e vajzave në sport dhe me lojën tonë kemi shëtitur ne gjithë qytetet ku kishte ekip dhe na ndiqnin edhe femrat ne ndeshje. Jemi ndjerë të emancipuara në realizimet tona në shkollë e profesion, pa patur paragjykim si femra.

 

Ndoshta sepse jetonit në kryeqytet?

Po ndoshta Tirana ishte më e emancipuar me femrat dhe nuk e kemi ndjerë robërinë apo pengesa, por kemi patur vetëm mbështetje nga familja. Me ferexhenë nuk kishim njohje fare dhe nuk u edukuam me fenë në asnjë moment.

 

HISTORIKU

Si u kthye 8 Marsi, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas?

Në përputhje me deklaratën e Partisë Socialiste së Amerikës, dita e parë Nacionale e Gruas, u festua në SHBA më 28 shkurt 1909. Deri në vitin 1913 kjo ditë vazhdoi të festohej të dielën e fundit të shkurtit. Më pas, ajo u vendos të festohej për herë të parë në 19 mars, në AustriDanimarkëGjermani  dhe Zvicër, ku miliona burra dhe gra morën pjesë në organizimet kushtuar kësaj dite. Gratë kërkonin të drejtën e votimit, të qeverisjes, të punës, të edukimit, si dhe ndalimin e diskriminimit në punë. Por vetëm pak ditë pas këtij vendimi, në 25 mars, një zjarr tragjik në Nju Jork,vrau mbi 140 vajza gjatë orarit të punës. Kjo ngjarje pati një rëndësi të madhe në vendosjen e ligjeve të reja në lidhje me kushtet e punës. Në 1913 gratë ruse festuan Ditën e Gruas, të dielën e fundit të muajit shkurt si pjesë e manifestimeve për paqe. Ndërsa në pjesë të tjera të Evropës në 1914 kjo ditë filloi të festohej në 8 mars, shoqëruar me mbledhje dhe manifestime kundër Luftës së Parë Botërore. Si rrjedhojë e humbjes së mbi 2 milion ushtarëve rusë gjatë Luftës së Parë Botërore, gratë ruse të dielën e fundit të shkurtit të 1917-ës, u bashkuan në greva urie kushtuar "Bukës dhe Paqes". Katër ditë pas fillimit të këtyre grevave, Cari u detyrua të jepte dorëheqjen dhe qeveria e përkohshme u dha grave në Rusi të drejtën e votës. Kjo ngjarje ndodhi në 23 shkurt me kalendarin Julian, i cili përdorej në atë kohë në Rusi. Sipas kalendarit Gregorian i cili përdorej kudo në botë, kjo date bie në 8-të mars. Që prej asaj dite "Dita Ndërkombëtare e Gruas" morri dimensione të tjera, dhe filloi të festohej në mbarë botën.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: