10 MIJË USHTARË, PO TË TJERËT? - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

Publicitet
10 MIJË USHTARË, PO TË TJERËT? - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pse qenkan 10 dhe jo 11 mijë ushtarë, ose 21 mijë?... Këta të Partisë Socialiste në pushtet, kanë shpallur “600 mijë” ushtarë, ose nganjëherë edhe 3 milionë e ca, aq sa janë gjithë banorët e Shqipërisë. Kush është në pushtet mendon se i ka të gjithë njerëzit “ushtarë” ose edhe “miza” që mund t’i shkelë me këmbë. Por kjo është një marrëzi, që ka mbetur e “pastër” prej periudhës së diktaturës komuniste ...

Flasim për “ushtarët” e partive politike që janë të lidhur ngushtë me përfitimet, me ofiqet, me mëkatet, me votën dhe me luftën pas njërës nga partitë. Për shembull, Partia Demokratike ka humbur në zgjedhjet e kaluara “200 mijë ushtarë” dhe prapë ka aq shumë, saqë po bezdisin dynjanë ...

Po atëherë, pse përmenda shifrën “10 mijë” ushtarë?!

Më erdhi në mendje një ese e Franz Kafkës, shkrimtarit dhe filozofit unik, i cili i quante ushtarët e partive “idiotë” të dëmshëm. Ushtarët e partive politike këto ditë, janë angazhuar më ethshëm se kurrë në mbrojtje të liderëve. Këto ditë ndodhi “hyrja” e ushtarëve në kështjella, sepse këto janë ditët kur ka shpërthyer më keq se kurrë, skandali i kryer prej liderëve.

Kështjella e ushtarëve të PD-së

Sapo kryetari i PD-së, Basha, u kap nga mediat amerikane në afera shumë të ulëta dallaveresh me lobingje dhe transferta parash, që në atë moment, “ushtarët” lëshuan kushtrimin: Të gjithë në kështjellë, të mbrojmë kryetarin! Vetë kryetari Basha lëshoi alarmin alias- totalitarizëm, kur tha se “kundërshtarët nuk duhet të sulmojnë kryetarin”. (Vetëm Kim i Koresë së Veriut ka mbetur deri këto ditë në mesin e llojit të liderëve që “mëkat të sulmohen”). Pas tij u renditën të tjerë në bedenat e kështjellës së PD-së. Një nga deputetët iu sul revistës Amerikane, “Mother Jones”, dhe e quajti “Nëna Neta”. Me këtë shigjetë, deputeti ushtar vriste dy armiq: median amerikane që ka atakuar kryetarin dhe kryetarin e ushtrisë armike të Socialistëve, Edi Ramën, që ka nënën me emrin “Neta”. Lufta është e egër për të mbrojtur liderin - ky është tmerri i shoqërive të okupuara nga politika të ndyra ...

Shqipëria politike nuk prodhon as ide, as projekte, as punë, as të ardhme ..., vetëm prodhon ushtarë në mbrojtje të liderëve. Shoqëria po ha veten.

Kështjella e ushtarëve të PS-së

Këta paguhen mirë, prandaj janë edhe më mospërfillës në luftë. Këta të marrin gjak në vetull. Kryetari i deputetëve të PS-së, një djalë i ardhur nga Librazhdi, trimërinë për mbrojtjen e liderit, e ka pasurinë më të madhe në jetë. Këta, në shenjë mbrojtjeje për liderin e tyre, u kanë sulmuar liderin demokratëve, duke e kallëzuar penalisht në Prokurori për “mashtrim financiar” dhe “tradhti ndaj atdheut”, duke bashkëpunuar me rusët për shitjen e interesave të vendit ... Edhe këta të marrin gjak në vetull, kur vjen puna te kryetari ...

Përveç skenave me kështjella

Çështja është shumë serioze, jo si në luftën e stisur me ushtarë partish politike. Çështja është se “ushtarët” që mund të mbeten në fushën e betejës “për liderët”, në fakt rrënojnë popullin, jo armikun.

1.

Lufta mes dy palëve është luftë civile

Kësaj here, “lufta civile” zhvillohet në heshtje dhe pa gjak. Nuk do të vriten njerëz, por po vritet demokracia, po vritet e drejta për të pasur qeverisje normale, po vritet e drejta e popullit për të gëzuar frytet e kontributit të vet, në vend që t’ia vjedhin liderët. Herën e parë, lufta civile e përmasave reale, është zhvilluar në vitet e hyrjes barbarisht të regjimit komunist. Mund të sjell vetëm imazhin e betejës ku ranë “Heronjtë e Vigut”. Të pesë djemtë, të mashtruar nga regjimi, luftuan në emër të liderit komunist kundër fshatarëve të tyre në Mirditë. Të pestë ranë “të lumtur” pse mbrojtën Partinë. Mirëpo, Partia kurrë nuk ishte e zonja që t’i mbronte, as pas vdekjes. Kurrë nuk i shpalli “dëshmorë”, sepse ligji nuk lejonte të shpallësh “dëshmorë” të rënët në luftë civile. Ata mbetën vetëm “heronj” ose rapsodi ...

As ushtarët e PD-së dhe PS-së, që po japin jetën sot për liderët, nuk do të kenë nderim nga lideri dhe as nga partia. Edhe këta do të shkojnë për ... rapsodi.

2.

Lufta mes ushtarëve po mbulon varre

Varret më të egra të shoqërisë sonë janë krimi, korrupsioni dhe qeverisja e keqe. Shqiptarët mbetën njerëzit më të varfër të kontinentit, të paktën edhe për një dekadë tjetër. Të gjithë e dinë se varfëria vjen nga vjedhja që kryejnë liderët, megjithatë duartrokasin ushtarët e liderëve. Aq sa mëkatar është kryeministri në krim, aq është edhe opozitari i PD-së që kërkon të bëhet kryeministër. Lufta e ushtrive kundër njëra-tjetrës, nuk është luftë “çlirimtare”, por luftë për të na vënë mbi krye pushtimin e vjedhjes dhe të krimit shtetëror: “Ik nga njëri, shko me tjetrin”.

Si nuk është një njeri mes ushtarëve, me sy në ballë dhe me mendje të kthjellët, që të thotë: “Kryetari im është po aq i inkriminuar sa edhe tjetri përballë ... Unë luftoj kundër kryetarit tim!”... Në fakt, ka pasur edhe raste që ka ndodhur edhe kjo gjatë kësaj periudhe “demokratike”. Por ku janë “heronjtë” që denoncuan liderin?

O në varr, o në varfëri përballë klasës së vet të pasuruar; o të dëbuar nga shtëpia, pse “ti nuk ishe i zoti të vidhje si shokët”; o të telendisur në popull si “tradhtar”... Shikojini ku i kanë hedhur. Ju flisni përditë rreth tyre..., ndoshta i urreni pse ju kanë sulmuar liderin ...

... Ca e quajnë këtë veprim vetëm një “idiotësi”, siç e quante vetë Franz Kafka; por nuk është vetëm kaq e lehtë ...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: