Zef Beka: E fillova dhe do mbaroj karrierën, me këngën popullore burimore

Zef Beka: E fillova dhe do mbaroj karrierën, me këngën popullore burimore
Përmbi Dri n´kulla prej guri

Faqebardhë Palçi i Mërturit

Kalojnë shekuj e kalojnë vite

Emni yt vjen tuj u rrite.

Nisen burrat si luana

Tuj ba gaz po shkojnë me dek

Pisket ora bjeshkëve të rana

Fetë Sadiku i ka dy jetë.

Thotë largomja pushkës tyten

Mos më prek por s´kuqja gryken

Se edhe qielli n´tokë me ra

Fetë Sadiku frikë nuk ka.

Janë këto disa vargje epike, mbi një nga figurat e ndritura të patriotizmit të Nikaj Mërturit, si dhe disa vargje të kënduara nga zëri i njohur i këngëtarit tropojan, Zef Beka. Me mbi 30 vjet karrierë, djali i Tropojës, sot i “adoptuar” me dashuri nga Lezha ku jeton me familjen, ka sjellë në publik një nga repertorët më të gjerë që njeh kënga popullore e zonave të Veriut. Me qindra këngë të vjetra të repertorit epik e me qindra krijime të reja, të cilat pasurohen çdo ditë. Pavarësisht se për këngën popullore ka mangësi të aktiviteteve dhe skenave, Zef Beka vazhdon karrierën e tij në gëzimet familjare dhe aktivitetet në diasporë, por si shumë interpretues të folklorit, në jetën e përditshme është fjalëpakë dhe i rezervuar me median. Por le ta njohim më tej bilbilin e këngës së Veriut dhe jetën e tij, jashtë artit.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Si do ta përshkruanit fëmijërinë tuaj, si kanë rrjedhur fillimet në muzikë?

 

Fëmijëria ime ka qenë si e çdo njeriu të brezit tonë, me të mirat e vështirësitë e atyre kohëve. Kujtoj me shumë nostalgji se, elementi më i bukur ishte që ne jetonim në familje të mëdha, ishim shumë vëllezër e motra dhe kushërinj, të gjithë së bashku. Kjo fëmijëria jonë është shumë larg fëmijërisë që kanë brezi i sotshëm, të cilët kanë më shumë kushte materiale e pasuri dhe më pak dashuri njerëzore.

Sa të ka frymëzuar tabani verior? Çfarë arome dhe ngjyre ka vendi nga ke origjinën?

 

Unë jam tropojan dhe normalisht që frymëzimi kryesor vjen nga muzika veriore që dëgjonim kur ishim të vegjël. Me ato këngë jemi rritur, por edhe sot për ne veriorët, pak gjëra kanë ndryshuar. Për çdo verior, edhe nëse dëgjon një këngë moderne dhe gjen një tel çiftelie apo ndonjë fyell të fshehur në këtë këngë, gjen aty një tjetër kënaqësi. Dhe sa i takon vendit ku jemi rritur, edhe pse larg tashmë, ai vend ka ngelur ne zemrën dhe mendjen tonë, me shumë kujtime të skalitura.

 

Alpet janë të shquara për natyrën e mrekullueshme. Sa i ka zbukuruar ajo këngët tuaja?

 

Alpet, malet tona madhështore, janë gjithmonë të mrekullueshme! Alpet janë aty, me kryet lart, edhe sot na thërrasin, pasi udhëtojmë me orë të tëra për t’i shijuar sërish e për të marrë frymëzim. Natyra të bën të ndihesh më mirë e të shëron kur je i mërzitur. Sigurisht që je i frymëzuar të krijosh dhe bukuritë e tyre të rralla, lenë gjurmë në këto krijime.

Ju kanë mbështetur prindërit, familja në fillimet tuaja, për këtë pasion?

 

Prindërit dhe familjen i falënderoj shumë, për mbështetjen e do t’u jem mirënjohës tërë jetën! Në hapat e mi të parë në muzikë, fatkeqësisht, u nda nga jeta im atë. Ai iku krenar nga kjo jetë, pasi kuptoi plotësisht talentin tim. Ishte pikërisht kjo që e bënte të ndihej mjaft krenar, në çdo aktivitet ku më shoqëronte. Dhe pas ikjes së tij nga kjo jetë, pjesa tjetër e familjes me mbështetën shumë, pasi koha ishte mjaft e vështirë dhe përjetimet e mia shumë të thella.

A keni pasur vështirësi në fillimet tuaja?

 

Në fakt, skenat tona kanë qenë shkallë-shkallë, pra karriera ime ka ndjekur hapat e duhur, ka dashur eksperiencën e vet. Unë kam marrë pjesë nga aktivitetet e vogla, duke u drejtuar drejt skenave gjithmonë e më të rëndësishme. Nuk mund të përshkruaj emocionet e para në skenë, pasi më duket se e gjithë jeta ime ka qenë në skenë, edhe pse në fillim ishin ato modestet përpara familjes apo fshatit tim.

Keni realizuar edhe shumë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë. Si ka qenë jehona e tyre?

 

Asht e vërtet që në karrierën time ka bashkëpunime me shumë kolegë e kolege. Të gjithë të dashur e të respektuar dhe talente të padiskutueshme në këngën popullore shqiptare . Unë mendoj se bashkëpunimet i bëjnë shumë mirë karrierës së një këngëtari, ato janë një fuzion i bukur artistik, mes artistësh të tipareve të ndryshme, i japin kolorit muzikës.

Kë do të kujtonit nga bashkëpunëtorët e këtyre viteve?

 

Këngëtaren që kam bashkëpunuar, me të cilën më ka bashkuar edhe studioja diskografike, shumë skena nëpër vende të ndryshme të botës, por më bashkon dhe miqësia, është Elizabeta Marku.

Keni një vokal shumë të veçantë. Ju ka avantazhuar kjo?

 

Sigurisht që jam favorizuar nga karakteristikat e vokalit tim dhe jam vlerësuar për këtë, në shumë skena dhe aktivitete, por mendoj se janë mjaft faktorë që ndihmojnë një këngëtar, përveç zërit, është edhe ndikimi që ka në publik, sjellja skenike, interpretimi.

Sot, si është jeta juaj e përditshme, ku dhe me kë jetoni?

 

Jeta ime e përditshme në këtë periudhë, ka një ritëm më të ngadaltë, se sa në verë. Por e shfrytëzojmë për krijimet e reja që do të sjellim gjatë stinës së verës. Kohën e lirë preferoj ta kaloj me familjen time.

Ka ndryshuar raporti me këngën nga rrymat e reja?

Jo, aspak nuk ka ndryshuar. Unë e kam filluar dhe do e mbaroj karrierën time ne këngën popullore burimore. Gjithsesi, gjërat ndryshojnë, por këto ndryshime le t’i bëjnë artistët e rinj.

Jeni një bashkëshort dhe prind. E duan ata muzikën?

 

Familja ime përbëhet nga pesë persona, unë me bashkëshorten time dhe tre djemtë, të cilët më mbështesin dhe më ndjekin gjithmonë e në çdo çast .

Sot muzika popullore është në faza të reja. Ritme e rryma të reja. Si ju duket ndikimi që ka në folklor?

 

Mes muzikës popullore dhe asaj moderne, mund të ketë ndonjë shkrirje dhe në disa raste ato kanë qenë të suksesshme . Por nëse vazhdimisht i përziejmë modernen dhe populloren, të dyja do humbin kuptimin.

*foto arkivë nga Ansambili i Tropojës

Sot, si po vazhdon karriera juaj? Hitet e reja, si janë pritur nga publiku?

 

Për momentin, karriera ime është e konsoliduar, ata që e duan Zefin si vokal, do ta duan vazhdimisht. Detyrimi ynë si këngëtarë profesionistë është ta mirëmbajmë karrierën, duke sjellë gjithmonë krijime të reja për ata që duan të na dëgjojnë dhe na ndjekin vazhdimisht.

Keni ndonjë pasion të veçantë, përveç muzikës?

 

Pasionet e mia janë kryesisht udhëtimet në zonat malore. Adhuroj të kaloj kohë të mirë me familjen dhe miqtë, dhe të dëgjoj muzikë.

Keni ndonjë ëndërr që ende prisni ta realizoni?

 

Sa i takon karrierës time, ndihem i realizuar dhe mendoj se i kam përmbushur ëndrrat e mia, por një artist nuk jeton dot pa aspirata, ndaj sigurisht që plane të reja në muzikë kam.

Kur jeni i lodhur, ku gjeni prehje më shumë?

 

Pushim normalisht absolut, për ne që punojmë dhe udhëtojmë shumë, është me rëndësi të jashtëzakonshme prehja në shtëpi, pranë familjes.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: