Xhemal Imeri: Ndërlidhja, një radio atëherë peshonte sa 1000 celularë sot

Xhemal Imeri: Ndërlidhja, një radio atëherë peshonte sa 1000 celularë sot
INTERVISTA/ Flet ish-pedagogu i Akademisë për Ndërlidhjen, ish-kolonel Xhemal Imeri: Atëherë, kur nuk kishte celularë, thuhej se pas ushqimit (prapavijës) dhe pas zbulimit vinte ndërlidhja. Të fshehtat e Servet Xamas, radistit që punoi pranë Enver Hoxhës gjatë luftës

Ishte koha kur një radio peshonte sa 1000 celularë sot. Aparate kryesisht të prodhimit rus, ndoshta jo të sofistikuar, por të fortë dhe që kur hidheshin krahaqafë, peshonin deri 1.2 kg. Këto janë vetëm disa nga detajet që jep gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, ish-koloneli Xhemal Imeri, rreth mjeteve me të cilat kryhej dikur shërbimi i ndërlidhjes. “Aparaturat ndryshonin çdo vit. Ndoshta nuk kishin atë cilësi, por në kushtet e vendit tonë, për kohën ato ishin shumë, shumë të mira. Ato më modernet ishin aparatet radio-ndërlidhëse (radiostacione) të vendosur në Gaz 67 dhe Gaz 69, që ishin me tastierë dhe me foni. Ato përdoreshin në të gjithë Lindjen”, tregon ai....

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zoli

Z. Imeri, kur shikon sot celularët aq të vegjël që të lidhin me mbarë botën, si do t’i krahasoje me radiot e atëhershme?

Eh, koha ecën, koha sjell zhvillimin. Kur i shoh nuk më besohet, por dhe ne në atë kohë kishim aparatura jo të këqija, veçse ishin tepër të mëdha. Një radio e atëhershme, peshonte sa 1000 celularë sot...

Ishte koha kur uniforma ushtarake ishte shumë e kërkuar dhe shumë të rinj bënin çmos të shkonin skënderbegas apo në Shkollën e Bashkuar. Si vjen sot tek ju ëndrra e dikurshme për t’u bërë oficer?

Është e vërtetë. Ashtu ishte ajo kohë, kur sapo kishim dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Në atë kohë, çdo gjë ishte e lidhur me luftën. Uniforma ushtarake ishte prezente kudo, madje të gjithë udhëheqësit e asaj kohe rrinin të veshur me të. Për atë uniformë kishte një respekt të veçantë dhe si fëmijë kur shikoja një oficer me grada, i ngulja sytë për minuta të tëra. Kështu shkova në shkollën “Skënderbej”. Pra, kam qenë skënderbegas. Kisha shumë ëndrra.

E kishe dëshiruar të bëheshe ndërlidhës?

Pikërisht në këtë shkollë mendoja të bëhesha tankist, aviator, oficer marine dhe kurrë nuk e mendoja të bëhesha ndërlidhës, ose thënë troç, nuk e preferoja këtë degë. Ndërsa kur shkova për të studiuar në Kiev, e dashurova marrëzisht këtë shërbim, pasi e pashë veten ndryshe, pashë zhvillime interesante dhe mësimet i përpija. Këtu mendova se ky shërbim i duhej jo vetëm atdheut, por mbarë njerëzimit. Ne shpeshherë e ngatë-rrojmë ndërlidhjen e ushtrisë me ndërlidhjen në përgjithësi në të gjitha aspektet e jetës. Edhe kur lind fëmija, që qan apo bën “aaaaaa”, ai kërkon të lidhet me dikë, të lidhet me diçka. Kërkon gji dhe kur afrohet tek gjoksi i nënës gjen dhe komunikon me gjirin që kërkon. Fillesat e ndërlidhjes përkojnë që në kohën e Maratonomakut, që solli me pishtar lajmin e fitores. Realisht, ndërlidhja në Shqipëri ka lindur shumë vite para Krishtit, por në mënyrë simbolike kjo ditëlindje është më 22 qershor 1944. Ishte koha kur Ushtria Nacional-Çlirimtare dhe u bë lidhja e parë mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Divizionit që sulmonte në veri. Pas vitit 1992, me ardhjen e demokracisë data e lindjes u caktua 1932 kur Mbreti Zog kishte filluar organizimin e ndërlidhjes. Kur erdhi në pushtet, Zogu në vitin 1932 formoi një batalion xheniero-ndërlidhës, ku u krijua një kompani ndërlidhjeje duke marrë eksperiencën italiane. Në vitet 1931-1933, në Tiranë ka pasur një kurs 3-vjeçar, për radio-telegrafist, ku kishte mësuar ish-drejtori i ndërlidhjes, Kadri Brahimaj, Sali Ormëni, etj. Pra, këtu janë fillimet e këtij shërbimi.

Çdo armë apo shërbim ka një ditëlindje, ka një ditë inaugurimi...  

22 qershor 1944 është dita kur është bërë lidhja e parë e UNÇ midis divizionit të parë  që ndodhej me detyra luftarake në Dibër  dhe Shtabit të  Përgjithshëm që ndodhej në Vithkuq të Korçës. Radisti i divizionit ishte radisti i vjetër, Mufit Poçari, ndërsa në Shtab ishte Servet Xama, i cili shkëlqeu pas çlirimit si Komandant i Regjimentit të ndërlidhjes. Radiot e saj kohe ishin VERELES anglez ose TORRNOBI, gjermane. Këto ishin radiot më të përhapura dhe më të sigurta të asaj kohe. Ato u përdorën edhe pas çlirimit në regjimentin e parë të ndërlidhjes që u formua pas çlirimit. Çdo gjë më pas është zhvilluar dhe perfeksionuar me kohën. Edhe teknika, edhe drejtuesit, me kalimin e kohës u rritën në cilësi dhe në sasi. Por kryesorja mbetej përgatitja e kuadrove. Në fillimet tona, ne filluam të përdornim aparatura sovjetike. Më e përhapura ishte RBM, radio që u vu në përdorim në Luftën e Dytë Botërore. Njëkohësisht, kishim në përdorim dhe  radion A7A e përdorur po në luftë. Sikundër, kishim dhe një radiostacion të fuqishëm marrës-dhënës, që ishte instaluar në makina, shumë i fuqishëm për kohën. Në vitet 1952-1953 erdhi dhe teknika e re nga ish-Bashkimi Sovjetik. Këtë teknikë  e shoqëruan një kapiten dhe një toger, specialistë sovjetikë, të cilët ndenjën këtu tre vjet për të na mësuar përdorimin e tyre. Aparaturat e reja ishin R-104, telegrafike, R108,  R109, radioreleja, si dhe aparate te reja të telegrafonisë, që ishin me tastiera, BB. Njëkohësisht, erdhën dhe centrale të fuqishëm, mbi 40 numra. Në vitet e para instruktorët ishin të gjithë rusë, ku ne që kishim mbaruar shkollën, aty bënim përkthimin.

Si ishin aparaturat e asaj kohe? A krahasoheshin me të vendeve perëndimore?

Aparaturat ndryshonin çdo vit. Ndoshta nuk kishin atë cilësi, por në kushtet e vendit tonë, për kohën ato ishin shumë, shumë të mira. Ne u mësuam me to dhe ato nuk na lanë asnjëherë në baltë, madje mund të them se nuk kishim defekte të shpeshta.

Cilat ishin aparaturat më moderne?

Ishin aparatet radio-ndërlidhëse (radiostacione) të vendosur në Gaz 67 dhe Gaz 69, që ishin me tastierë dhe me foni. Ato përdoreshin në të gjithë Lindjen.

Kur u prishëm me ish-Bashkimin Sovjetik, ku i merrnim aparaturat?

Filluam t’i merrnim nga Kina. Por e gjithë teknologjia ishte ruse, e njëjtë, kopje. Madje shumë prej aparaturave ishin  të ngjyrosura, ndoshta të përdoruara në luftë në Vietnam apo Kamboxhia dhe na i sillnin neve. Por punonin mirë dhe ishin të mirëmbajtura. Më vonë filluan të na sillnin aparatura të reja të mira.

Cila ishte rëndësia e ndërlidhjes në atë kohë?

Atëherë nuk kishte celularë (qesh). Thuhej se pas ushqimit (prapavijës) dhe pas zbulimit vinte ndërlidhja. Pa prapavijë e pa ndërlidhje, nuk ka ushtri dhe fitore. Ka ndërlidhje të komandimit,  bashkëveprimit, lajmërimit, dhe ndërlidhje masive.

Po aparatet e telefonit çfarë tipi ishin?

Vetëm tek këto aparate mund të them se diçka stononte. Aparatet në përgjithësi ishin prodhim rus (TAI-43). Ishin prodhim i Luftës së Dytë Botërore, viti 1943. Në fillim ishin me kasë druri dhe më vonë me kasë ebaniti. Ishin shumë të fortë, nuk kishin defekte, por nuk ishin të sofistikuar. Ata hidheshin krahaqafë dhe peshonin 1.2 kg.

Cilat ishin radiot më të vogla?

Ishin radiot R-116, për togë-kompani. Njëherë, Beqir Balluku kërkoi së bashku me këshilltarin rus, gjeneral leitnant dy herë hero i Bashkimit Sovjetik, Radimçef, të shikonte funksionimin e këtyre radiove. Unë së bashku me tre nënoficerë bëja përkthimin. Ne përkthyem shumë mirë, dhe aparaturat funksionuan në rregull. Gjenerali rus, i thotë Beqirit, që “ju tani nuk keni nevojë për specialistët tanë, pasi tuajt përkthyen dhe shpjeguan shumë bukur”. “Jo, -i thotë Beqiri, - na duhen ende që të stërviten më mirë. Eksperienca ngelet eksperiencë”.

 

EPISODI

Si u bë radisti i Enver Hoxhës, kreu i brigadës së Ndërlidhjes

“Në vitet 1954, Regjimenti kaloi tek Rrapi i Treshit dhe më vonë kaloi në Brigadë të Ndërlidhjes. Komandanti i parë  drejtues i Brigadës ishte Servet Xama (radisti që punoi pranë Enver Hoxhës gjatë luftës, e që bëri lidhjen me Divizionin e parë). Këtë radist të shkëlqyer, Enver Hoxha e propozoi vetë të bëhej komunist që gjatë luftës kur ishte radist pranë tij. Dhe kur ka ardhur Enver Hoxha një vizitë në këtë Brigadë, na tha: “Keni një komandat trim dhe të zgjuar, ndaj vlerësojeni dhe mësoni prej tij. Ai na ka ndihmuar në situata shumë të vështira në luftë. Të tillë specialistë duam”.

 

HISTORI

Zanafilla e shërbimit të ndërlidhjes në Shqipëri

Ndërlidhja është një histori që në Shqipëri lidhet fillimisht me zyrat postare të administratës osmane dhe vazhdon deri në ditët tona. Mendohet se qysh në vitin 1878 kanë ekzistuar disa zyra postare të administratës otomane. Kurse në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në Shqipëri funksiononin edhe zyrat e dy shoqërive të lundrimit, asaj austriake të Llojdit dhe asaj italiane të Pulias, që kryenin detyra të shërbimit postar në Shkodër, Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë. Por vetëm me shpalljen e pavarësisë ne Vlore, në 28 nëntor 1912, qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, duke vlerësuar rëndësinë e komunikimeve, vuri detyrë organizimin e shërbimeve Post-Telegrafonike, duke filluar me krijimin e administratës së parë postare, Ministrinë e Post-Telegraf-Telefonave dhe emërimin e ministrit të parë, Lef Nosi, organizimin e ndërlidhjes sidomos ne Shqipërinë e Jugut, emetimin e pullës së parë Postare Shqiptare më 5 maj 1913 etj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: