Vitore Matoshi: Femra, mos pranoni kurrë që dikush t’ju prekë të drejtën dhe dinjitetin!

Vitore Matoshi: Femra, mos pranoni kurrë që dikush t’ju prekë të drejtën dhe dinjitetin!
Këngëtarja e njohur e Tropojës shënon me qindra këngë në repertorin e saj, interpretime të cilat edhe sot pas shumë vitesh, ngrenë peshë shpirtin e artdashësve të muzikës së pastër popullore, ashtu siç këndohej dikur në festa e gëzime. Por zonja e hijshme e malësisë është edhe një arsimtare dinjitoze, që me mbështetjen e familjes, arrin të bëjë bashkë pasionin për këngën dhe dijen. Vjen në një rrëfim posaçërisht për Albanian Free Press, këngëtarja e njohur popullore, Vitore Matoshi.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni kënduar me dashuri këngën e Shqipërisë së Veriut për shumë vite. Por si erdhët deri tek kënga?

Kënga ka qenë dashuria ime që në fëmijëri pasi unë kam filluar të këndoj që në moshën  10 vjeçare, me interpretime në festivalin e fëmijëve.

Sot në muzikë ka rryma të reja, ritme të huazuara. Cili është mendimi juaj për këtë dukuri?

Personalisht, nuk jam aspak dakord për huazime nga muzika e huaj. Do më pëlqente të ishte shqip gjithçka, pasi jam lëvruese vetëm e muzikës shqiptare të pastër.

Koncertet dikur kishin mijëra spektatorë. Sot kjo duket gati e pamundur. Pse?

Kohët e fundit më shumë muzika po ndiqet në rrjetet sociale, prandaj edhe spektatorët janë përshtatur me këto dukuri. Klikimet në Yuotube sot janë kryefjala.

Në turnetë jashtë në diasporë ka më shumë atmosferë ndaj këngës popullore?

Vërtetë që në turnetë jashtë kufijve ka më shumë adhurues të muzikës popullore, të paktën kështu mendoj unë. Emigrantët mblidhen e kërcejnë deri në orët e vona, nën ritmin e këngës popullore.

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten?

Faktikisht jam këngëtare por edhe mësuese. Nëse  nuk do të isha këngëtare, e shikoj veten vetëm si mësuese pranë fëmijëve, të cilët janë një botë e pasur me shumë dashuri.

Moralisht jeni shumë e vlerësuar nga publiku. Po ekonomikisht ndiheni të shpaguar si duhet nga puna juaj?

Edhe moralisht edhe ekonomikisht vlerësohem mirë, sidomos në vitet e fundit. Kënaqshëm do ta quaja.

Ka miqësi në art? Keni hasur xhelozi ju mes këngëtareve në karrierën tuaj?

Sigurisht që ka miqësi në art. Por kjo varet plotësisht nga personat, por edhe xhelozia ekziston. Pa ambicie dhe xhelozi nuk ka shtysë përpara. Por e kam fjalën për xhelozi “të bardhë” hahahaha.

Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

Brezi i ri i këngëtarëve popullorë po shtohet edhe në vitet e fundit fuqishëm. Por, në këndvështrimin tim, e shohin më shumë si komerc, jo si talent e dhunti. Ka edhe nga ata që janë vërtetë të mirë e të talentuar, por fatkeqësisht, me një dorë para, bëhen këngëtarë sa hap e mbyll sytë.

Çfarë duhet të bëjnë më shumë institucionet për muzikën popullore?

Mendoj që institucionet duhet të hartojnë e të zbatojnë ligje në mbrojtje të muzikës popullore shqiptare, për ta mbrojtur atë nga huazimet, si një ruajtje e origjinalitetit kombëtar.

Ju këndoni live. A duhet të rikthehet më shumë të kënduarit live në trend?

Po, është e vërtetë që këndoj live Nuk mundem dot të këndoj me CD. Thjeshtë më duket false, nuk e përtyp dot këtë gjë. Në fakt aty duket aftësia e këngëtarit. Më pëlqen të këndoj live pasi vetëm ashtu arrij të transmetoj emocion.

Jeni gjithmonë e kuruar në skenë. Transmetoni qetësi dhe paqe. Kështu jeni dhe në jetë?

Përpiqem të jem e kuruar në skenë, kështu respektoj spektatorët dhe veten time. Në jetën e përditshme, në shkollë, e kudo jam më e thjeshtë, më sportive por kujdesem vazhdimisht për pamjen.

Sa ju ka mbështetur familja juaj në pasionin tuaj për këngën? A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Familja ime ka qenë përherë mbështetja kryesore për mua. Bashkëshorti ka qenë gjithmonë mbështetje pasi ja kam dalë që të rris bashkë me të tre fëmijë, t’i shkolloj, të mbaj dhe punën në arsim, të marr pjesë në koncerte e evenimente familjare. Vërtetë është e vështirë, por vetëm me mbështetjen e familjes ja kam arritur.

 

Si i keni përballuar vështirësitë në jetën tuaj?

Vështirësitë në jetë i kam përballuar me vullnet, besim në vetvete, besim tek familja dhe kryesisht me shumë punë.

Cilat janë planet në ardhmen e afërt në këngë?

Planet për një të ardhme të afërt sigurisht që janë disa, unë dua të bashkëpunoj me autorë tekstesh e kompozitorë të mirë për diçka të re. Por preferoj t’ja lë kohës, nuk dua flas përpara hahahaha.

Kush janë pasionet tuaja jashtë këngës dhe mësimdhënies?

Pasionet e mia jashtë këngës e mësimdhënies janë sporti dhe piktura. Më kanë pëlqyer gjithmonë.

 

Cili është misioni juaj më i shtrenjtë në mësimdhënie?

Misioni im më i shtrenjtë në mësimdhënie është të jap maksimumin e dijeve, të dashurisë, të ngrohtësisë tek nxënësit. Kur ata të rriten, të më kujtojnë me shumë dashuri e nostalgji.

 Cila është gjëja për të cilën do të luftonit më fort?

Do të luftoja që mos të më cenohet e drejta ime si femër. Do të luftoja fort për familjen, për karrierën time.

 Jeni një përfaqësuese e denjë e femrës shqiptare. Keni një mesazh për to?

Mos pranoni kurrë që dikush të prekë të drejtën tuaj, dinjitetin. Duajeni shumë vetveten nëse doni t’ju duan dhe të tjerët.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: