Teatri Kombëtar, artistët: Duhet të jetë në qendër, përcjell historinë e artit

Teatri Kombëtar, artistët: Duhet të jetë në qendër, përcjell historinë e artit
INTERVISTA/ Teatri Kombëtar dhe debati rreth godinës së tij. Flasin për “Albanian Free Press”, artistët Margarita Xhepa, Mevlan Shanaj, Alfred Bualoti, Mark Topollaj, Genci Fuga dhe Neritan Liçaj

Para disa ditësh, artistët shqiptarë janë bërë bashkë në një protestë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. Kjo n ë fakt, nuk është hera e parë që artistët kundërshtojnë zërat për një prishje të kësaj godine. Vetë një ndër aktorët më në zë shqiptarë, ”Artisti i Popullit” Robert Ndrenika, e quajti si të patolerueshme prishjen e saj, duke thënë se është njësoj si të prishësh historinë. “Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu me komunitetin për një projektligj tjetër”, - theksoi ai. Ndërkaq, në protestë folën shumë aktorë, të cilët pas diskutimeve të gjata dolën në një vendim të përbashkët, të cilin e bëri prezent aktori Laert Vasili. “Ne kërkojmë: Të anulohet vendimi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe të bëhet transparenca e plotë mbi projektin e ndërtimit të teatrit të ri”. Sakaq, i menjë-hershëm ka qenë reagimi i ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila me anë të një letre të hapur, u ka kthyer përgjigje akuzave dhe dyshimeve të aktorit të madh, Robert Ndrenika, për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar.  Konkretisht, në letrën e saj, ajo qartëson se çfarë do ndodhë në të ardhmen me këtë godinë dhe zhvendosjen provizore të trupës së Operës në ambientet e Teatrit Kombëtar. Ajo, madje i përmend Ndrenikës edhe heshtjen e tij, sipas saj, gjatë kohës kur Teatri Kombëtar u kthye "në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës", si dhe kohën kur qeveria e mëparshme shpenzoi miliona euro për zhvendosjen e Teatrit te godina e ish-Piramidës. Dhe në lidhje me gjithë këtë debat, të zhvilluar gjatë këtyre ditëve, lindin disa pyetje: A është më mirë që të ndërtohet një teatër i ri modern i cili të përmbajë kushte normale, apo është më mirë restaurimi i teatrit ekzistues? A do ta donin aktorët një teatër të ri, në atë ambient, por me një ndërtesë shumëfunksionale? Po në botë si ndodh me ndërtimet e teatrove të reja? Rreth tyre, “Albanian Free Press” ka kërkuar mendimin e disa artistëve dhe aktorëve të njohur. Ja si janë shprehur ata:

 Intervistoi për "Albanian Free Press": Albert Zholi

Aktore, “Nderi i Kombit”

MARGARITA XHEPA:

Duhet gjetur gjuha e duhur në interes të teatrit shqiptar

Znj. Xhepa. A mund të na jepni një mendimin tuaj rreth debatit të fundit për godinën e Teatrit Kombëtar?

Ka disa ditë që ky problem diskutohet gjatë në media. Ndaj unë nuk mund të përcjell një mendim të saktë, kur ende nuk dihet se çfarë do bëhet. Ka shumë debate, por nuk dihet thelbi.  Pra çfarë do bëhet me godinën, do prishet apo do rindërtohet? Do të rikonstruktohet, apo do të prishet fare? Kam dëgjuar komunitetin e aktorëve, por kam dëgjuar dhe reagimin  e ministres Kumbaro. Ajo tha diçka tjetër. Unë them idenë time. Së pari, teatri duhet të jetë në qendër, pasi është zemra e kulturës së një kombi, është themeli i kulturës kombëtare. Të gjithë kryeqytetet e botës, teatrot i kanë në qendër. Edhe Teatri i ri Kombëtar i Maqedonisë, i riu, në qendër është ndërtuar. Aty ku gëlon arti. Ka vite që diskutohet për rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar, madje e di shumë  mirë që është hedhur si ide qysh në sistemin monist. Kanë ardhur shumë anëtarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, por që nuk u realizua dot në atë sistem. Ja, tashmë erdhi koha sot që të hidhet në diskutim. Në këtë situatë, unë mendoj se Teatri Kombëtar i vjetër mund të shërbejë dhe si muze, ku të vendosen foto qysh nga themelimi, qysh nga vitet e para të hapjes, foto nga shfaqjet, emrat e të gjithë aktorëve që kanë luajtur aty, që të ruhet dhe të njihet nga të rinjtë historia e tij.

Dhe si do të ishte më mira sipas jush në këtë situatë?

Më e mira do të ishte që në atë vend, të rindërtohej një teatër modern si ai i Maqedonisë, që të transmetohej historia. Nuk do isha dakord që në vend të tij të ngrihej një grataçielë, pa qenë aty Teatri Kombëtar. Jemi në debat e sipër. Asgjë nuk është konturuar qartë sesi do veprohet. Këto janë ide në ajër, për të  përcjellë një mesazh miqësor. Duhet gjetur gjuha e duhur në interes të artit kombëtar, në interes të teatrit shqiptar, në interes të kujtesës së brezave, në interes së historisë dhe të ardhmes.

Cili është mesazhi që ju përcillni në këtë situatë të krijuar?

Me kurajë dhe qytetari, me dialog dhe dëshirë të mirë, të bëhet ajo çka i nevojitet kombit dhe jo interesave të ngushta. Le të dëgjojmë të vërtetën dhe pastaj dhe të themi mendimin e pjekur.

 

Regjisor-aktor, “Mjeshtër i Madh”

MEVLAN SHANAJ: Duhet një transparencë për projektin, teatri vepër me vete unikale

  1. Shanaj, si do ta komentonin debatin e zhvilluar së fundmi rreth godinës së Teatrit Kombëtar?

Nuk flitet të mos prishet, por të mos degdiset së pari. Duhet një transparencë për projektin, që teatri të trajtohet si vepër më vete unikale, me një imazh sugjestisionues, për prestigj, si dhe për paraqitje estetike e vlerës së një kombi. Çdo vizitor merr si kujtime nga qyteti, apo aq më shumë nga kryeqyteti  elementët më shprehës, si për shembull monumentet, muzeumet, Teatrin e Operës dhe pa dyshim Teatrin Kombëtar. Atje ku është sot ai, është vendi më i përshtatshëm  për teatër.

Sipas jush, çfarë duhet bërë në një situatë të tillë?

Stop manipulimeve. Turp që mendojnë ta lëvizin dhe të sjellin operën në atë ngrehinë. Pra, cili do të ishte justifikimi i administratorëve që nuk dinë se ç’do të thotë Teatër Kombëtar? Që nuk kuptojnë klithmën Ndrenika apo rënkimet e Kadri Roshit, Naim Frashërit, Mihal Popit, Naim Frashërit, Sulejman Pitarkës, Marie Logorecit, Violeta Manushit, Pandi Stillut, Kujtim Spahivoglit, Mihal Luarassi, Andrea Malos,  Xhemal Mborjas dhe dhjetëra të tjerëve?!

 

Kino-regjisor

MARK TOPOLLAJ:

Para ndërtesës, të shohim trupën dhe nivelin e saj

Z. Topollaj. Cili është qëndrimi juaj mbi të gjitha debatet e zhvilluara ditët e fundit për godinën e Teatrit Kombëtar?

I kam ndjekur me vëmendje të gjitha debatet e zhvilluara ditët e fundit për godinën e Teatrit Kombëtar. Në mendimin tim, teatri është një pasqyrë e shoqërisë në të cilën jetojmë, ose thënë ndryshe, ai është një  lokomotivë udhëheqëse e shoqërisë në të gjitha kohërat. Në kushtet aktuale, pra në momentin që Shqipëria përpiqet për t’u pranuar si kandidate në Bashkimin Europian, teatri si trup profesioniste duhet të jetë në standardet europiane. Por në fakt, nuk është kështu. Para se të vijmë tek ndërtesa, duhet të shohim trupën dhe nivelin e saj, në mënyrë që trupa e Teatrit Kombëtar në mënyrë urgjente të arrijë standardet evropiane, në të gjitha këndvështrimet e perfomancës. Dhe që të arrihen këto standarde, duhen parë të gjitha pjesët përbërëse të kësaj trupe që ka qenë avangardë e kulturës shqiptare. Kur diskutojmë për ecjen me kohën, duhet të shikojmë si është infrastruktura, estetika dhe etika profesionale, administrata, niveli artistik, mesazhi dhe reagimet e fansave të kësaj gjinie kaq të bukur të artit. Vitet e fundit shikoj me keqardhje se teatrot e qyteteve janë drejt shpërbërjes pasi aktiviteti artistik i tyre është i vakët, në rënie, madje edhe në kryeqytet. Thënë më qartë, në Shqipëri, organizimi teatror nuk është në nivelin e kërkesave të kohës dhe teatri duhet të ridimensionojë strategjitë artistike. vizionin teatror. Duhet të ndryshojë kursin me një fryme globale përtej shikimit kombëtar. Por jo, që të arrihet deri aty sa drama shqipe, temat shqiptare, të mos jenë prezentë në Teatrin Kombëtar, pasi duhet një i dramaturgjisë së madhe botërore me pjesë shqiptare.

Të vijmë tek ajo çka po debatohet...

Gjithmonë jeta është në evolucion, është në përmirësim cilësor, si në art, po ashtu dhe në mënyrën e të jetuarit. Është e domosdoshme të ruhet historia, si në teatër, ashtu dhe në artet e tjera të vendit. Thuajse sa herë dal në Tiranë, gjithmonë puna ma sjell të kaloj dhe para teatrit tonë. Një teatër tashmë i vjetër, i amortizuar dhe pse ka një histori të tërë brenda. Për mendimin tim, së pari ne duhet të sqarohemi se çfarë do të behët me teatrin e vjetër dhe më vonë të reagojmë. Që ai teatër duhet të restaurohet, kjo tashmë nuk është një dëshirë por realitet. Për më shumë se 28 vite në atë teatër me emër, nuk mund të shohësh shfaqje normale, si në dimër, po ashtu dhe në verë. Në verë pëlcet, në dimër dridhesh nga të ftohtit. Pra, të kemi koshiencë se teatrit i ka ardhur koha që të restaurohet. Ndaj mendoj se ministrja Kumbaro së pari duhet të sqarojë komunitetin  e artistëve se çfarë do bëhet me teatrin e vjetër? Do shembet për të ndërtuar një të ri, apo për të ndërtuar një grataçielë? Po teatri tjetër i ri, me çfarë parametrash do të ndërtohet? Ku do të ndërtohet dhe sa funksional do të  jetë? Po në truallin e teatrit të vjetër çfarë do ndërtohet dhe a do jetë pjesë e ndërtimit të ri dhe teatri i ri?

Pra, ju mendoni se kur të zgjidhen këto pyetje, duhet reaguar?

Po. Për mendimin tim, kur të zgjidhet enigma e këtyre pyetjeve ne duhet të qartësohemi dhe më pas të reagojmë. Nëse tek ai truall do bëhet një ndërtesë shumë funksionale, ku midis tyre do të jetë dhe teatri, shumë më mirë. Nëse nuk do të jetë dhe do ndërtohet nj teatër i ri shumë më funksional dhe shumë modern, atëherë s’ka pse na vjen keq që po ndërtohet diçka e re. Unë në principet e mia jetësore udhëhiqem nga thënia e Steven Spielberg, “ Për ndryshimin”: “Të gjithë ne, çdo vit, jemi persona të ndryshëm. Nuk mendoj se jemi personi i njëjtë gjithë jetën. Mënyra sesi e krijoni një të ardhme më të mirë është duke studiuar të kaluarën. Zëvendësoni frikën me kuriozitet’’.

Aktor, regjisor

ALFRED BUALOTI:

Duhet një Teatër Kombëtar modern, në përputhje me standardet e kohës

Z. Bualoti, si do ta sqaronit ju situatën në të cilën ndodhet debati për godinën e Teatrit Kombëtar?

Po, unë në radhë të parë dua të sqaroj situatën reale në të cilën ndodhemi. Pra, do të rikonstruktohet Teatri Kombëtar, apo do të prishet për një destinacion tjetër. Pra, ai do rikonstruktohet apo do të ribëhet, apo do të bëhet një godinën tjetër në një vend tjetër, që mund të jetë më i madh, atëherë nuk ka asgjë të keqe. Nëse në këto kushte, Teatri Kombëtar shkon përkohësisht tek “Turbina”, kjo është një situatë normale. Unë kam lëvizur shumë në Europë dhe në botë e kam parë shumë zhvillime të tilla. Për analogji, unë do t’ju them se Teatri Nacional Shqiptar i Shkupit (jo Teatri Kombëtar i Maqedonisë që u inaugurua parvjet dhe kushtoi 34 milionë euro, pasi në Maqedoni ka 3 teatro kombëtare sipas komuniteteve, ku i treti është Teatri Nacional Turk) ka mbi 5 vjet që po rikonstruktohet dhe në këto 5 vjet teatri Nacional Shqiptar i Maqedonisë është atashuar pranë Teatrit të Satirës së Shkupit. Aty punojnë , aty bëjnë prova, atu e kanë si ambient normal, derisa të përfundojë teatri i tyre. Pra, shqiptarët e Maqedonisë do të shkojë në teatrin e tyre pas përfundimit të këtij rikonstruksioni. Atëherë, Teatri Kombëtar do të rikonstruktohet? A mos vallë do të bëhet një godinë e re? Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që derisa të bëhet rikonstruksioni apo një ndërtesë e re, Teatri do shkojë tek “Turbina”, një godinë e cila nuk është shumë, shumë funksionale, por do të jetë e përkohshme. Pra, në këto kushte  artistët kanë se ku dhe si të punojnë dhe pse në kushte jo shumë të favorshme, por do jenë në aktivitet.

Atëherë, ku qëndron problemi sipas jush?

Problemi që duhet të zgjidhet është se nëse qartësohet se në vend të Teatrit Kombëtar do ndërtohet një i ri, ose ai ekzistues do të rikonstruktohet, ose mbi të do ndërtohet një ndërtesë shumëfunksionale, ku TK do të jetë po aty, atëherë nuk përbën asnjë problem. Kjo, pasi sipas mendimit tim, çdo ndërtim i ri, duhet të jetë shumë më i mirë se ai ekzistues. Kryesore është që Tirana të mos mbetet pa Teatër Kombëtar. Pra, janë dy-tre variante që kjo punë mund të bëhet shumë më mirë. Kryesore është që mos të mbetemi pa teatër dhe të mos rrimë ende me një teatër të amortizuar. Nëse “Turbina” do të jetë një zgjidhje e përkohshme, atëherë është më se normale që puna të vazhdojë aty, deri në përfundimin e teatrit të ri. Unë jam i mendimit që teatri i ri të ndërtohet në ambiente e Muzeut Historik Kombëtar, apo në një terren mes Rrugës së “Durrësit” dhe asaj të “Kavajës”. Sigurisht që janë në qendër. Një vend i shkëlqyer është të ndërtohet edhe pranë Hotel “Dajti” ku për vite të tëra është mbushur me ferra. Me pak mend dhe me pak qetësi, mund të arrihet që të kemi një teatër shumë modern dhe shumë funksional e nuk kemi pse të mbetemi peng i një ndërtese tejet të amortizuar.

Po për nivelin artistik të aktorëve, çfarë mund të na thonit?

Po. Dua të ndalem edhe tek niveli artistik i aktorëve. Ka kërkesa për ndërtesën, por duhet të ketë kërkesa dhe për aktorët, që në shumë raste nuk janë në nivelin e duhur. Në teatrin e ri me audicion, të hyjnë vetëm ata aktorë që e meritojnë, që të na përfaqësojnë denjësisht. Se ne mund të ndërtojmë një Teatër të ri Kombëtar modern, por ai nuk duhet të stonojë me cilësinë e artistëve. Kjo është shumë domethënëse. Madje, sugjeroj që aktorët të cilët do jenë pjesë e Teatrit Kombëtar, të mos jenë vetëm nga Tirana, por të zgjidhen dhe të merren në audicion edhe ata nga Shkodra, apo Korça që premtojnë shumë në të ardhmen. Pra, duhet reformuar edhe trupa e Teatrit Kombëtar. Nëse do t’u lësh brezave një gjë që të respektohet, atëherë të presim si do ndërtohet Teatër Kombëtar i ri dhe e gjithë trupa të punojë edhe tre vjet tek “Turbina”, vetëm dhe vetëm që të ndërtohet një i tillë modern. Le të presin artistët dhe të reagojnë kur duhet, por reagimi duhet të nisë edhe për vetë nivelin e tyre artistik. Teatri Kombëtar nuk është një ndërtesë dosido, ajo do kohë, do projekt dhe do pritshmëri. Ajo nuk është pronë e askujt. U takon gjithë shqiptarëve. Kudo në Ballkan dhe në vendet perëndimore, godinat janë të reja, të rikonstruktuara dhe që janë tepër koherente. Por kanë edhe aktorë që kalojnë në vrimë të gjilpërës në audicione. Si përfundim, unë jam i mendimit që duhet një TK modern, qoftë i rikonstruktuar, qoftë i ri fare, në përputhje me standardet e kohës, pavarësisht se ku do bëhet. Vetëm Shqipëria të mos ngelet pa Teatër Kombëtar.

Aktor

GENC FUGA:

Dakord për një Teatër të ri, në po të njëjtin vend

“Jemi dakord për një Teatër të ri, në po të njëjtin vend, të siguruar nga projekti dhe buxhetet apo afatet. Do të jetë e pranueshme çdo dakordësi me bazë të gjerë të komunitetit artistik. Në fund të ditës, kërkojmë një dialog me institucionet e art-kulturës”.

Aktor

NERITAN LIÇAJ:

Nuk kemi një propozim konkret nga askush që të dimë të reagojmë

“Ne ende nuk kemi një propozim konkret nga askush, që të dimë të reagojmë. Nuk na thonë asgjë, prandaj ne duam ballafaqim, që të kemi diçka të themi zyrtare:.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: