Strategjia, si do të vijnë më shumë turistë në Shqipëri

Strategjia, si do të vijnë më shumë turistë në Shqipëri
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, prezantoi dje Strategjinë për zhvillimin e Turizmit 2018-2020. Sipas tij, ky dokument përcakton rrugën nëpër të cilën do të ecë zhvillimi i turizmit në vend dhe se industria turistike do të shndërrohet në degën kryesore të të ardhurave në ekonomi.

Strategjia tashmë ka nisur të konsultohet me grupet dhe aktorët e sektorit dhe në takimin me përfaqësues të bashkive dhe tour-operatorët në vend.

“Presim që në vitin 2018 të kemi padyshim një rritje prej 15% deri në 20% të numrit të turistëve. Do të ishte shumë më mirë që ky 15% i vitit 2018 të ishte mbi shifra shumë më të larta nga këto që kemi. Por këto që kemi, na e bën të vështirë që të mendojmë se 15% i rritjes do të na ndihmojë që turizmi të kthehet në një forcë të madhe drejtuese, mbi të cilat të orientohen të gjitha politikat e institucioneve të tjera, për të pasur më shumë të ardhura në familjet shqiptare”, tha ai.

Gjithashtu, ai shtoi se strategjia përpiqet që të vërë në shina problematikat që ekzistojnë realisht në sektorin e turizmit në vendin tonë. “Në qoftë se ne duam që në 5-vjeçarin e ardhshëm, Shqipëria të shikohet si një destinacion i vërtetë turistik europian, ne duhet të menaxhojmë shumë herë më mirë fuqitë tona, burimet njerëzore, këtë rrjet që jeni këtu me njerëz që punojnë çdo ditë me turizmin, natyrisht me politikat që ndërton institucioni ynë. Dhe ky mendoj është edhe thelbi i strategjisë sonë. Sa të mundur e kemi që të ne të rakordohemi me njëri -tjetrin dhe të vendosim disa piketa në menaxhimin e biznesit të turizmit në Shqipëri”, nënvizoi Klosi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: