SPAK-u, VETËM PËR TË GODITUR OPOZITËN? – ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

SPAK-u, VETËM PËR TË GODITUR OPOZITËN? – ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Hamendja ime dhe ndoshta edhe e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, është se rreth 90% e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar janë të korruptuar. Me fjalë të tjera, e kanë vendin në burg. Por në një demokraci, njerëzit nuk mund të shkojnë në burg bazuar në hamendje. Duhet që prokuroria të mbledhë fakte e prova, të cilat pasi të kalojnë në gjykimin e gjykatës, të provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se të akuzuarit janë fajtorë.

Në fakt, sipas sondazheve që u zhvilluan para fillimit të reformës në drejtësi, 90% e shqiptarëve donin një drejtësi të reformuar, e cila t'i jepte fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar, apo të lidhur me krimin e organizuar. Dhe ky rezultat i sondazheve u përdor vazhdimisht si një argument kryesor i diplomatëve perëndimorë, të cilët ishin edhe promotorët kryesorë të reformës në drejtësi. Sipas tyre, demokracia shqiptare nuk do të jetë e gatshme të bëhet pjesë e demokracisë së BE, në qoftë se nuk ndërtohet një shtet i fortë ligjor, që do t'i jepte fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë.

Francis Fukuyama ka shkruar dy vëllime me nga 500 faqe rreth kësaj teme (seria “Rendi Politik”). Përfundimi kryesor në të cilin arrin Fukuyama, pasi analizon shtetet e ndryshme në 3000 vjetët e fundit, është se demokracia mund të lulëzojë vetëm në vende ku sundon ligji, (por nuk sundohet përmes ligjeve) dhe ku administrata shtetërore është e ndërtuar në bazë të meritokracisë. Përndryshe, shkruan ai, demokracia s'është veçse një ndeshje mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për ta shfrytëzuar atë në favor të drejtuesve dhe të militantëve të partive.

Edhe Fareed Zakaria ka shkruar dy libra rreth kësaj teme (“Bota post-amerikane” dhe “E ardhmja e lirisë”). Ai arrin në përfundimin se mund të flitet për demokraci liberale vetëm kur sistemi i drejtësisë funksionon i pavarur nga pushteti politik dhe kur ai shërben si një kontrollues dhe balancues i ekseseve të ndryshme të politikës dhe të shoqërisë. “Përndryshe, - shkruan ai, - kemi të bëjmë me një demokraci liberale”.

Paddy Ashdown, ish-guvernatori de facto i Bosnjës, duke reflektuar mbi përvojat e Perëndimit atje, pas Marrëveshjes së Dejtonit, ka shkruar se Perëndimi shpenzoi shumë pará për të zhvilluar partitë, shoqërinë civile dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në Bosnjë. Dhe pati sukses në këtë drejtim. Partitë e OJQ-të u fuqizuan dhe zgjedhje të lira e të ndershme u zhvilluan disa, duke prodhuar rotacione pushteti, si në nivel qendror edhe lokal. Por korrupsioni dhe krimi i organizuar rritej nga viti në vit, së bashku me fuqizimin e partive dhe të OJQ-ve, si dhe me ndërrimet e pushtetit.

“Do të kishte qenë më mirë, - shkruan Ashdown, - që të kishim shpenzuar një fraksion të parave që shpenzuam, për të përgatitur 10 prokurorë e 10 gjykatës të aftë e të ndershëm, që të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë mënyrë do të kishim hedhur themelet për ngritjen e një demokracie liberale”.

Rreth kësaj teme jo vetëm është shkruar, por edhe është vepruar. Në shtete si Rumania, Kroacia, Bullgaria, Guatemala e Hondurasi, ku BE dhe/ose SHBA kanë interesa jetike për të ndërtuar demokraci liberale, Perëndimi ka ndihmuar fuqimisht për ngritjen e njësive speciale të hetimit dhe të akuzës, për të vënë pas hekurave figura shumë të larta politike, të korruptuara ose të lidhura me krimin e organizuar. Bazuar në këtë përvojë, SHBA dhe BE po ngulmojnë fort që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri.

Dhe bazuar në përvojat e sipërcituara, në Shqipëri do të ndërtohet struktura e re, e njohur gjerësisht me shkurtesën SPAK. Emri i gjatë është "Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar" dhe do të përbëhet nga Gjykata e Posaçme (me 10 gjyqtarë) dhe nga Prokuroria e Posaçme (me 10 prokurorë), si dhe nga Njësia e Posaçme Hetimore me emrin "Byroja Kombëtare e Hetimit" (me 80 hetues), në ndihmë/varësi të Prokurorisë së Posaçme.

Por kleçka është se gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut do të përzgjidhen përkatësisht nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dhe ndër anëtarët e këtyre dy këshillave të rëndësishëm, të zgjedhur nga Kuvendi me short (sepse nuk u bënë 94 vota për t'i zgjedhur me votë), ka njerëz të cilët ishin skualifikuar paraprakisht nga Operacioni i Monitorimit  Ndërkombëtar (OMN), ose që kanë marrë pjesë në procese politike në kohën e diktaturës komuniste.

Këto janë shenja se mazhoranca po shmanget nga rruga e parashikuar nga kanceleritë perëndimore, për ngritjen e strukturave të reja të drejtësisë. Ndërkohë, ka edhe shenja të tjera, që tregojnë se mazhoranca po i sheh ndryshimet në sistemin e drejtësisë si një shans për të goditur eksponentë të opozitës dhe për të mbrojtur eksponentë të mazhorancës.

Kështu, dëshmitari kyç në dosjen e Saimir Tahirit u ekstradua urgjentisht për në Itali, pa pyetur Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po punonte që ky dëshmitar i arrestuar prej saj "të kollitej" kundër Tahirit (ekstradimin e tij po e kërkonte me ngulm avokati i vet...). Nga ana tjetër, ekstradimi i personave të shumëkërkuar nga vende mike është zvarritur deri më sot, dhe shumë prej tyre shëtisin të lirë në Shqipëri.

Dhe ndërkohë që u ekstradua jashtë Shqipërisë dëshmitari që mund të çonte në burg Tahirin, u vendos me shpejtësi ekstradimi për në Shqipëri i Izet Haxhisë, dëshmitari që mund të çojë në burg Sali dhe Shkëlzen Berishën. Dhe ndoshta jo rastësisht, shteti turk vendosi ta ekstradonte atë (pas 12 vjetësh nga kërkesa e parë e shtetit shqiptar), pikërisht kur qeveria jonë ia dha koncensionin e aeroportit të Vlorës një konsorciumi turk, i njohur për lidhjet me birin e Erdoganit (në dasmën e të cilit, Edi Rama ishte i ftuar nderi).

Edhe arrestimet e fundit të ish-drejtorëve të rrugëve tregojnë se tehu i shpatës së drejtësisë "së re" është drejtuar kryesisht mbi ish-zyrtarë të opozitës dhe jo mbi ata të mazhorancës. Deri më sot, kanë përfunduar në burg zyrtarë fare të vegjël të mazhorancës, në gjuhën popullore, "cironka".

Siç e theksova në fillim të këtij shkrimi, 90% e shqiptarëve duan një drejtësi të reformuar, e cila t'i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar. Dhe të njëjtën gjë duan edhe të gjitha kanceleritë perëndimore.

Por të korruptuarit dhe të inkriminuarit nuk gjenden vetëm në radhët e opozitës...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: