Si lindi Teatri “Savoia”, sot Teatri Kombëtar

Si lindi Teatri “Savoia”, sot Teatri Kombëtar
Si u projektua në vitin 1938, qendra kulturore shumëfunksionale dhe Teatri “Savoia, sot Teatri Kombëtar

Nga Juela Meçani

Replikat dhe debatet mbi disa ndryshime në Ligjin për Artin dhe Kulturën, nuk kanë ndalur, dhe ekspozimi direkt i aktorëve të mëdhenj, kineastëve më në zë e shumë të interesuarve direkt në të, e kanë bërë edhe më të ndezur situatën. Zhvendosja e shfaqjeve të trupës së Teatrit Kombëtar, në Teatrin “Turbina”, ka sjellë më shumë debat mes ministrisë së Kulturës dhe shumë artistëve, të cilët e kundërshtojnë këtë vendim.

Ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, duket se është prekur më së tepërmi nga deklarata publike e një prej aktorëve më të mëdhenj të skenës dhe teatrit shqiptar, Robert Ndrenika. I emocionuar dhe i indinjuar, zoti Ndrenika, doli hapur në përkrahje të atyre që kundërshtojnë vendosmërisht këto projekte të reja të ministrisë së Kulturës, duke u fokusuar në spostimin e Teatrit Kombëtar diku gjetkë. Në një pjesë të deklaratës së tij, Robert Ndrenika u shpreh se:

“E kam thënë dhe e them se, gjithë kryeqytetet e Ballkanit që i kam parë, kanë Teatër Kombëtar, kanë godina me infrastrukturë të mrekullueshme. Teatri bëhet një herë në 500 vjet. Brezi juaj dhe imi, mund të mos dinë të interpretojmë, mund të thotë ndonjëri, epo ç’janë këta. Por nuk mendohet që Shqipëria të rrijë pa aktorë.

Godina e teatrit e Beogradit, e Bukureshtit, janë 500-vjeçare, 600-vjeçare, është monument kulture. Atë turbinën vajta e pashë me shokë, ajo ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën, ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, në fund.

Ajo fjala që i paskam thënë unë asaj ministreshës, që do të shtrihem atje, se do të shtrihem atje dhe ajo më ironizoi se le të vijë e të shtrihet e të interpretojë tek ajo turbina. Ajo fjalë paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër, pa e marrë vesh se çfarë do të bëhet me të.

Mos kini shumë shpresë tek këta analistët e mëdhenj, sepse në ca momente të caktuara, 20 vjet më përpara, ata u bashkuan me ministrin. Edhe na thoshin se ata donin atë ndërtesën e fashizmit, janë bërë gjyqet reaksionare, nuk thoshin kurrë që atje është krijuar teatri, opera, filarmonia, të gjitha institucionet kulturore. Të gjitha janë krijuar në atë vend, ai është edhe monument kulture. Prandaj, mos keni besim në ta, i vetmi që na ka mbështetur është Fatos Lubonja dhe Maks Velo.

Unë kam edhe të tjera, por më vijnë në mendje kur jam në krevat, në ëndërr. Tani e mbylla, por Tiranës i takon të ketë një teatër serioz dramatik.”

Por pas disa organizimeve nga artistët dhe intelektualët e shqetësuar, zonja Kumbaro, në cilësinë e ministres së Kulturës, replikoi pikërisht me zotin Ndrenika, duke përdorur rrjetet sociale. Përmes një statusi në Facebook, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka reaguar duke rënë pjesërisht dakord me qëndrimin e artistëve, por duke theksuar se degradimi i Teatrit Kombëtar duhej ndalur me kohë.

“Komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë, nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë, por jo artdashës”, - shkruan Kumbaro në Facebook.

Por ajo që më së shumti, edhe pse e shkruar në mes të radhëve, nervozoi jo pak artistët, ishte edhe një konstatim pezhorativ i zonjës Kumbaro, mbi godinën e Teatrit Kombëtar dhe funksionin e saj të vërtetë të dikurshëm.

“Unë mendoj njësoj si ju, që artistët dhe skena shqiptare e Teatrit, nuk mund të liheshin mbi 60 vjet në një godinë të ndërtuar për të rezistuar jo më shumë se 15 vjet, siç është ajo ngrehinë e ushtrisë musoliniane”, -u shpreh ministrja e Kulturës, duke hedhur kështu një tezë mbi arkitekturën fillestare të kësaj godine, që sigurisht kërkonte mirëmbajtjen e duhur ndër vite, por që, sipas saj, na paskësh qenë e ideuar e dizenjuar si një vend ushtarak e vetëm për një periudhë të shkurtër kohore. Kjo frazë sigurisht që nuk është hedhur ashtu kot në këtë reagim publik, sepse në një farë mënyre, përligj edhe prishjen e godinës si e tillë.

Por për të shpaguar një kuriozitet publik, bëmë një kërkim arkivor dhe e vërteta qëndron ndryshe. E projektuar në vitin 1938, kjo godinë mban emrin e arkitektit dhe inxhinierit të njohur italian, Giulio Berté, firmën e të cilit mbajnë deri në ditët tona, disa nga godinat më të bukura me vlera të mëdha arkitekturore, që i përkasin kohës së pushtimit fashist dhe që në pikënisje e ashtu si tani, ka pasur vetëm drejtim kulturor. Shoqëria kulturore italo-shqiptare, “Skënderbeu”, do të ishte pjesë e këtyre mjediseve shumëfunksionale, por pjesa qendrore, sigurisht, ishte Teatri “Savoia”.

Si shumë nga godinat e asaj kohe, pavarësisht se të projektuara në kohën e Mbretit Zog dhe me bekimin e Musolinit, kjo vepër mban vlera të padiskutueshme historike dhe kulturore, e mbi të gjitha, nuk mund të quhet me përbuzje, një “ngrehinë ushtarake” e as të cilësohet një afat kohor rezistencë e saj.

Kjo “ngrehinë” ka qenë e vendosur posaçërisht në një rrugë kryesore, e menduar me kinema dhe pishinë, për të qenë një qendër e kulturës së kohës. E tillë e me po atë vizion, ndoshta duhej ruajtur deri më sot.

*Materialet në foto janë marrë nga Doktoratura “Tracce dell’Architettura italiana in Albania” në Universitetin e Firences, nga Armand Vokshi nën kujdesin e Prof. Ulisse Tramonti. Teksti përmban foto origjinale arkivi, nga koleksioni privat i arkitektit, Giulio Berté dhe nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, Tiranë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: