Shën Valentini, ku kanë zgjedhur “të arratisen” të dashuruarit shqiptarë?

Shën Valentini, ku kanë zgjedhur “të arratisen” të dashuruarit shqiptarë?
Pushime “të nxehta” në akull, shqiptarët drejt vendeve nordike, për ditën e dashurisë

Nga Juela Meçani

Në ditën festive të Shën Valentinit, ajo që pjesa më e madhe e të dashuruarve adhurojnë, është që, brenda mundësive, të arratisen diku, në një vend turistik, në ndonjë qytet romantik, pranë një hoteli luksoz ose në ndonjë resort përrallor. Kjo besoj se është ëndrra e çdo çifti të dashuruar. Në vitet e fundit, janë shumë larg ironitë me çiftet e zëna dorë për dore, që shëtisin nga Liqeni Artificial, ku ajo mban një lule në dorë. Ky rit vazhdon ende të jetë epiqendër e çdo kronike lajmesh, në këtë ditë “të kuqe” flakë, por është zbehur shumë. Shqiptarët e presin me padurim, por jo për të qëndruar në shtëpi, as për të shkuar në restorant, por e presin për t’u drejtuar për në Rinas, ku i pret avioni drejt të magjishmit udhëtim. Por çfarë thonë specialistët e këtij sektori që gëlon? Cilat janë destinacionet më të preferuara për shqiptarët, në ditën e romancës?

Për Albanian Free Press, biseduam me Fiorida Zanin, një vajzë e re, por me shumë vite përvojë në sektorin turistik, si në tregun vendas, edhe jashtë vendit. “Destinacionet më të preferuara nga klientët shqiptarë këtë Shën Valentin, kanë qenë Parisi si destinacion kryesor, që mund të quhet si kryeqyteti i të dashuruarve, vjen menjëherë më pas Mali i Zi me resortet luksoze, me Mavrovën që ndodhet afër me territorin shqiptar dhe ofron shërbime cilësore, sa i takon akomodimit dhe shërbimit. Stockholmi, kryeqyteti i Suedisë, Kopenhageni qendra e Danimarkës, pra vendet nordike këtë vit, janë një risi. Për këto destinacione ka pasur shumë kërkesa; Stambolli oriental, por edhe europian, mbetet gjithmonë shumë i preferuar. Por as këtë Shën Valentin, shqiptarët nuk e kanë braktisur Italinë. Roma, Venecia, janë mbretëreshat. Barcelona dhe Budapesti janë kthyer në trendin e vitit, pasi ofrohet dhe linja direkte”, - më thotë Fiorida, nga zyra e saj, ku me vështirësi arrin ta shkëpusësh nga prenotimet e minutës së fundit.

“Të gjitha vendet e lartpërmendura do t’i sugjeroja, por ka dhe disa destinacione të veçanta, si për shembull ishujt Maldive, që do të ishin qershia mbi tortë. Nëse do t’i bënit të dashurit ose të dashurës së zemrës një dhuratë të tillë, vështirë se do ta harronte ndonjëherë në jetë”, - shton kur e pyes se ajo vetë, si eksperte, çfarë do të këshillonte për një udhëtim të paharrueshëm. Në vazhdim të bisedës e pyes Fioridën se, ku kanë zgjedhur të argëtohen e të dashurohen personazhet VIP shqiptarë këtë Shën Valentin.

“Disa nga këto personazhe kanë udhëtuar drejt Emirateve Arabe, të tjerë në Romë e Paris, Dubai ka qenë mjaft i kërkuar për këtë festë, nga personazhet publikë. Kryesisht, preferencat për këtë vit kanë qenë për pjesën e Europës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe vendet e rajonit. Të pakët në numër, por nuk mungojnë dhe rezervimet për vendet ekzotike si Tailanda.”

E pyes në fund të bisedës se, çfarë kërkojnë klientët në një paketë për Shën Valentinin, më shumë ka rëndësi vendi, romantika, kushtet ekstra, hoteli, darka ose gatimi?

“Klientët për Shën Valentin zgjedhin destinacionin e tyre të preferuar, shpesh vendin që e kanë ëndërr të shkojnë, por duan edhe komoditet. Në paketë përfshihet udhëtimi, akomodimi në hotel, kërkojnë shpesh që të ofrojë SPA-në, pishinën, sauna, banjo me avull etj. Darkën romantike të 14 shkurtit për festën e dashurisë, klientët preferojnë ta konsumojnë në hotelet më luksoze, se aty ku pushojnë zakonisht.”

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: