Shegushe Bebeti: Gjithmonë i kam hyrë detit “më këmbë” dhe ia kam dalë

Shegushe Bebeti: Gjithmonë i kam hyrë detit “më këmbë” dhe ia kam dalë
Mbi 35 vjet në skenën e Teatrit të Kukullave, me mbi 100 role të suksesshme, me shumë projekte edhe jashtë vendit për fëmijët në nevojë dhe ata që fatkeqësisht ndodhen të sëmurë e në kurim, Shegushe Bebeti, është sot, një nga aktoret më të mira në një zhanër për të cilin, në Shqipëri, nuk ka një degë studimi dhe që do vite e sakrifica për ta zotëruar. Ky rrëfim i posaçëm për Albanian Free Press, vjen në një kohë kur aktorët ziejnë për situatën, ku edhe Teatri i Kukullave bën pjesë. Por Shegushe Bebeti ka optimizmin e një gruaje që ka luftuar për veten dhe profesionin, që në nisje.

Bisedoi me aktoren Shegushe Bebeti, Juela Meçani

Kisha disa vite që nuk e takoja “Borëbardhën”. Uhh, më falni, Shegushe Bebetin, aktoren që ka shënuar bukur fëmijërinë time! Zonja Bebeti është nga ato aktore që me personazhet e interpretuara prej tyre, kanë lënë disa gjurmë që i kanë rezistuar kohës. Aq sa, deri më sot, shumë aktore ikin e vijnë, vihen në skenë pjesë të ndryshme, por “Pinoku” e “Borëbardha” mbeten të pashlyera në kujtesën e disa brezave. E takova në një ditë me shumë shi e të ftohtë, gjetëm një skutë të ngrohtë me aromë druri dhe u ulëm shtruar. Kishte shumë adrenalinë me vete, edhe pas zhvillimeve më të fundit me “kryengritjen” dinjitoze të aktorëve dhe kineastëve kundër ndryshimeve ligjore. Shegushja nuk më zhgënjeu, kishte qenë aty, mes kolegëve, në mbrojtje të aseteve kombëtare të artit. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse gjithmonë e ka bërë këtë ndër vite, e në mesin e shumë ndërrimeve të qeverive, ajo me kolegët e saj, me “thonj” e me mund, kanë mbajtur në këmbë Teatrin e Kukullave. Jo vetëm aktivitetin e tij, por godinën në vetvete që, siç ajo më tregon, prej përmbysjes së diktaturës e deri më sot, janë përpjekur ta shkatërrojnë ose shndërrojnë në diçka tjetër, me turne qeverish e kryetarë bashkish. Një aktore që derdh djersën aty prej plot 35 vjet, është e pritshme ta quajë shtëpinë e dytë teatrin, me të cilin ka lidhur pjesën më të bukur të jetës. Elbasanllija Shegushe pashë që vazhdonte të ishte një zonjë e bukur, mollëza e buzë, sy e vetull. Më mirë moshën mos t’ia dini se, po ta shikoni nga afër nuk do ta besonit! Një grua bio, si ato që nuk e humbasin sharmin. Ndoshta puna mes fëmijëve, ka dhënë këtë rezultat.

“Unë kam lindur në Elbasan, te shtëpia e gjyshes time. Në atë periudhë, prindërit e mi sapo ishin vendosur në Tiranë, ishin pa shtëpi. Im atë ishte oficer në aviacion dhe kështu mami jetonte te gjyshja. Kuptohet që në momentin që do të lindja unë, ajo shkoi pranë të ëmës, ndaj linda në Elbasan. Elbasani me kulturën e gjerë si qytet, më ka ndikuar shumë. Ne vetë si familje, nga ana e babait më shumë, kemi qenë mjaft të lidhur me muzikën, me këngën dhe veglat muzikore. Babai ka qenë i dashuruar pas artit, vetë shkruante e ka botuar tre libra, edhe pse ishte inxhinier në aviacion. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndaj unë që fëmijë, u lidha fort me artin, sepse kudo më merrte me vete në organizime të ndryshme, në ato kohë. Dëshira e tij e madhe ishte të bëhesha violiniste, sepse kisha veshë për muzikë. Ishte kjo arsyeja që konkurrova për në shkollën e muzikës dhe që në klasë të parë fillore, kam ndjekur shkollën e muzikës, “Kongresi i Përmetit”, për katër vjet. Në klasë të katërt, pas një konkurrimi tjetër, kalova në Liceun Artistik për violinë, me profesor Jani Papadhimitri. Kam pasur një problem shëndetësor në ato vite, që më ndoqi gjatë gjithë fillores e deri në Akademinë e Arteve. Vuaja nga një alergji shumë e fortë në duar, prandaj ky ishte kusht shumë i fortë që unë më pas mos të vazhdoja me instrumentin. I kisha duart e sëmura e nuk mund t’i bija violinës. E kam përjetuar shumë keq këtë fakt, sepse është si një dashuri e humbur. Violinën e doja shumë, por dua të jem e sinqertë. Që në klasë të pestë, Radio Tirana ku realizoheshin emisionet e fëmijëve dhe ku shef redaksie ishte i madhi Reshat Arbana, më kontaktoi përmes Gaspër Gjonçaj, gjatë përzgjedhjeve në Liceun Artistik. Atëherë u zgjodhën disa fëmijë për emisionet e fëmijëve, njëri prej tyre isha edhe unë. Kështu nisi bashkëpunimi im me Radio Tiranën, ku gjatë gjithë kohës isha në kontakt me aktorët më të mirë të teatrit dhe aty më lindi dashuria për aktrimin. Kjo më ndihmoi të mos e vuaja shumë shkëputjen nga violina. Unë në Radio Tirana u rrita, sepse nga emisioni i fëmijëve kalova te Teatri në Mikrofon, më pas tek “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” dhe te “Leximi i tregimeve”.

Xhelil Aliu më ka mbajtur shumë afër e kështu kjo më ndihmoi shumë, plus që duart i kisha shumë të sëmura e përpara dhimbjes fizike, harrohet dhimbja e lënies së violinës. Gjimnazin e vazhdova te shkolla “Partizani”, ku bashkëpunova me Estradën e Shtetit, ku zhvilloheshin Koncertet e Majit. Kam qenë në orkestër me Luan Zhegun dhe Selim Ishmakun, ndihesha shumë mirë. Në këto shfaqje u angazhova shumë edhe me grupin e teatrit në disa role shumë të bukura e kështu që, në mënyrë natyrale, zgjodha aktrimin dhe konkurrova për aktrim. Konkurrimi ishte me dy faza; në fazën e parë që zhvillohej në studion e madhe të teatrit, përballë të mëdhenjve, Pirro Mani, Sandër Prosi, Viktor Gjoka, Prokop Mima, emra korifenjsh të artit. Pas një jave dolën të përzgjedhurit, që duhet të hynin në konkursin e fazës së dytë.”

Duke u nisur nga rolet plot humor të interpretuara prej saj, e pyes aktoren nëse ajo që në Akademi anonte nga humori.

“Jo, isha drejt roleve dramatike. Më kujtohet kur kam qenë në vitin e dytë në Akademi, me profesor Timo Fllokon. Vinim fragmente në skenë, profesor Timo më angazhoi te pjesa “Karnavalet e Korçës”, në rolin e Afrovitit. Unë i thashë se nuk e ndjeja veten në këtë rol. Profesor Timo më tha se aktori duhet ta provojë veten dhe se nuk kishte nga ta dija që nuk do të isha për këtë rol komik. Kujtoj që dolëm shumë mirë dhe u ndjeva mirë. Ndoshta çdo njeri e ka brenda vetes sensin e humorit, por një aktor, nëse nuk e provon, nuk arrin ta nxjerrë në pah.”

“Teatri i Kukullave erdhi direkt pas mbarimit të shkollës?” - e pyes, teksa pimë një çaj bliri.

“Pas mbarimit të studimeve në maj të vitit 1982, ne bënim një vit stazh në Teatrin Kombëtar e më pas bënim pjesën e diplomës. Kam punuar me shumë pasion te “Nata e dymbëdhjetë”. Kujtoj që i mora leje profesor Pirro Manit për këtë dhe e falënderoj edhe sot. Aktorja Yllka Mujo, sapo kishte lindur, dhe unë doja ta dubloja për ta pasur si shfaqje në mbrojtjen e diplomës. Kisha dhunti të këndoja si soprano, për të cilën kisha studiur në Lice, ndaj si rol më përshtatej mjaft. Kam punuar me dy të mrekullueshmit, Agim Qirjaqi dhe Fadil Kujovska. Profesor Pirro e pa dhe i pëlqeu shumë, por më këshilloi të paraqitesha për diplomë me një rol të mirëfilltë, rol kryesor, ku do të tregoja veten. Paralelisht, angazhohesha me grupin amator të Kombinatit të Autotraktorëve, që në ato vite ishin grupe tepër cilësore. Regjisorë ishin Edmond Budina dhe Vangjel Toçe. Kam luajtur aty rolin kryesor tek “Ajkuna”, një dramë e Shpresa Vretos, ku merrte pjesë edhe e madhja Margarita Xhepa. Me këtë dramë, mora çmimin e parë në festivalin e teatrove amatorë. Gjithashtu, po punoja edhe me një dramë të Dhimitër Xhuvanit në rol kryesor, me personazhin e Elsës, dublante isha me Marjeta Ljarjën. Dua të veçoj Marjetën, një grua tepër mendjehapur, e mrekullueshme! Edhe pse isha studente e re, ajo përpiqej shumë që unë të bëja më shumë prova. Me këtë pjesë mbrojtja diplomën. Pas diplomimit, Teatri i Kukullave kishte nevojë për një personazh me shtat të imët si unë, e më caktuan atje.”

“U mërzite? Mendoj që prisje të caktoheshe në Teatrin Kombëtar.”

Të them të vërtetën, u mërzita shumë! Si vajzë e re që isha, me ëndrrat e mia, nuk e ndjeja veten të vlerësuar. Për fatin tonë të keq, Teatri i Kukullave është anashkaluar, është quajtur gjithmonë një teatër i dorës së dytë, kur në të vërtetë ka pasur aktorë të mrekullueshëm që, vetëm për një cen në biografi, në atë kohë, i çonin aty, sepse nuk dukeshin në skenë, por ishin tek gropa ku qëndrojnë të fshehur aktorët të cilët manipulojnë kukullat. Kjo ndoshta ishte edhe arsyeja pse unë, me një cen të vogël në biografi, u luftova shumë që të mos caktohesha në Teatrin Popullor dhe përfundova aty. Kisha aq frikë se nuk do arrija të mësoja kukullat. Dua t’i falënderoj me shpirt, aktorët e vjetër të Teatrit të Kukullave, të cilët më kanë pritur me shumë dashuri! Jo vetëm regjisorja, Lavdie Toro, por edhe aktori Xhavit Xhepa, që më mbështesnin në çdo hap. Kujtoj Florinda Mazrekun, Mirketa Çobanin, Eva Pëllumbin, Mira Mingën, Pleurat Armiri, Zija Grapshi, Zef Kurti dhe kërkoj ndjesë që nuk i radhis të gjithë, por kam një mirënjohje të thellë për të gjithë! Unë isha e imët, bukuroshe dhe Lavdija, për herë të parë, më angazhoi me alternimin e kukullave me aktorët mbi skenë. Ky ishte fati im, sepse nga aty dolën rolet e “Borëbardhës”, “Pinokut” , “Bardhoshes”, “Kokë arrës” etj.”

Kërkoj të di nga Shegushja se, si e përjetoi kapërcimin e sistemeve politike në karrierë.

“Unë pata fatin që demokracia erdhi shpejt, pas fillimit të punës në Teatrin e Kukullave. “Borëbardha” është vënë në skenë më 1987 dhe era e demokracisë kishte filluar të ndihej paksa. Për herë të parë, kam shkuar në turne më 1989 në Austri, në Vjenë, me pjesën “Kur gëzohet Babaviti”. Ne merrnim pjesë për herë të parë në një festival; ftoheshim, por nuk shkonim. Për atë cen që kisha në biografi, janë shkruar letra anonime pa fund. Është bërë një rrëmujë aq e madhe, sa sot nuk arrij ta besoj. Në ato kohë, Shqipëria ishte ende e mbyllur e të gjithë donin të shkonin jashtë shtetit. Kjo nxiti të dilte ajo pjesa e ligë, që të gjithë nga pak e kemi, e plasi luftë e madhe, që unë të mos shkoja. Por ia dola të shkoja! Për mua ishte tronditje e jashtëzakonshme! Rruga ime e parë në Vjenë, një kolaps vendor. Kujtoj kur jam kthyer, babai im ishte i sëmurë. Ai kishte mbaruar shkollën në Moskë, në Shën Petërburg, kishte kryer specializimin në Kinë, kishte qenë në Europë; pra, kishte parë botë me sy. Përpara se të ikja, më tha të bëja kujdes, të mos shprehja jashtë atë që përjetoja brenda. Kur jam kthyer e gjeta me gjak të ngrirë. Mami më tha që kishte net që e gdhinte nga meraku. Ka qenë ora katër e mëngjesit, më pyeti si kalova.

- O, ba! Jeton ariu në pyll, jetojmë edhe ne këtu!

- Shshshshshsh, as vetes mos ia thuaj! - ishte shprehja e tij.

“Pra, erdhi demokracia shpejt, u harrua biografia dhe triumfoi talenti, kaq.”

Por Shegushe Bebeti nuk u ndal vetëm te teatri për fëmijë dhe puna me ta. E pamë në skenë edhe me dramë bashkëkohore. Kureshtare për këtë, kërkoj të di më shumë.

“E di si lindi kjo? Unë kam dhjetë vjet që bashkëpunoj me një regjisor italian, drejtor i Teatrit të Barit, “Casa di Pulcinella”, Paolo Comentale, - një nga regjisorët më të mirë në rang europian. Gjatë punës me të, më pyet se përse isha drejtuar vetëm drejt teatrit të kukullave, sepse ai shikonte tek unë edhe një potencial artistik më të gjerë.

Kështu, në vitin 2014, mendova se përse të mos bëja një pjesë dramatike me kukulla, me përmasa të mëdha. E kisha ndarë mendjen për “Katedralen e Parisit”. Doja shumë të tërhiqej drejt teatrit mosha e adoleshencës, aq shumë e lidhur me rrjetet sociale. Ishte një sipërmarrje me shumë risk, ndaj me gjithë kolegen time, Jorida Marsin, vendosëm ta ndërmarrim këtë hap. Kukullat u realizuan në Itali, me përmasa njerëzore. I bëra një ftesë aktorit Neritan Liçaj për një rol dhe fat ishte që pranoi. Neri pati një instinkt fantastik për ta mësuar kukullën dhe e ka interpretuar shumë bukur rolin e Kuazimodos. Salla u mbush plot, jo vetëm më adoleshentë e të rinj gjimnazesh, por edhe me universitarë. Fatkeqësisht u shfaq vetëm një javë, sepse nuk kishte sallë të lirë për të! Ishte një eksperiment që rezultoi me sukses e ku më lindi dëshira për të bërë edhe gjëra të reja. Në fund të vitit 2014, shkojmë në Tailandë në një festival botëror kukullash, ku u vlerësuam me çmimin më të lartë, atë të interpretimit më të mirë të valles folk.  Ishte çmim me vlerë të madhe për mua dhe dy kolegët e mi, sepse garuam mes 78 vendeve e nuk ishte pak. Kështu, ky sukses më bindi që mund të realizoja edhe një vepër “të rrezikshme”, delikate, si “Salome”, që duhet konceptuar dhe trajtuar me kujdes. Kështu, i them Paolos që do të gjeja sponsor privat, se kështu kam realizuar edhe “Katedralja e Parisit”. Një pjesë e “Salome” ishte teatër hijesh dhe kjo na dha shumë dorë. Dua të falënderoj me shpirt, Suela Konjarin që, në atë kohë ishte drejtuese e Teatrit të Metropolit, e cila na krijoi kushtet për prova, pa asnjë lloj rezerve!

Jehona e suksesit të kësaj shfaqjeje bëri që, në maj të vitit 2016, më bën një propozim regjisori, Altin Basha, për shfaqjen “Made in Albania” të cilin e pranova pa asnjë mëdyshje. Ishte tepër e hershme kjo dëshirë tek unë. Më kujtohen kohët kur drejtoreshë erdhi tek ne Elvira Diamanti dhe u vu në skenë “Ballkan Ekspres”, dramën e parë të Stefan Çapalikut, ku unë interpretoja një rol që edhe sot e dua shumë, atë të Dhisë, një sekretare partie e dhunshme. Në atë kohë, kemi dhënë 17 shfaqje të suksesshme, të cilat u ndërprenë, sepse unë pata një aksident dhe u detyrova të largohem. Për mua, shfaqja “Made in Albania” mbetet nga më të mirat dhe regjisori Alti Basha, për mendimin tim, është nga më të talentuarit që kemi! Kam mbresa mjaft të mira prej tij dhe e kam edhe sot mik të mirë! Por përsëri vazhdova të jem producente në një pjesë me risk, sepse fliste për pedofilinë. Një dramë disi elitare, që jo të gjithë mund ta kuptojnë, por shkoi në tërë Shqipërinë. Edhe këtë vit, dua të realizoj një projekt të madh, por duke u rikthyer te Teatri i Kukullave, në një muzikal për moshën 5-15 vjeçare.

Ndërsa jemi në një situatë delikate e po pres të qetësohen ujërat. Gjithmonë, e dashur, i kam hyrë detit në këmbë, si i thonë, por gjithmonë ia kam dalë, deri më tani! T’u shërbesh fëmijëve, është gjëja më e bukur që mund të bësh, sepse rritja dhe edukimi i tyre përmes artit, i bën më të vlefshëm për shoqërinë. I adhuroj fëmijët dhe puna me ta nuk më lodh kurrë, përkundrazi më jep kënaqësi! Ka plot fëmijë të varfër që nuk kanë mundësi të ushqehen, vishen e jo më të shkojnë të shohin një shfaqje teatri apo një film për fëmijë. Kjo është arsyeja që më bën të gjendem me shfaqje teatër kukullash, shpesh pranë tyre.”

Nuk mund ta mbyllja këtë bisedë, pa shlyer kuriozitetin mbi ecurinë e Teatrit të Kukullave, se përse nuk ka më premiera në të, si dikur, kur isha fëmijë.

“Dikur kishte mbi 5 ose 6 premiera në vit, plus që kishte një normë mujore shfaqjesh, mbi 500 shfaqje në vit. Më pas, pati një periudhë me shumë rënie, me 1 ose dy premiera në vit. Kujtoj që, me ardhjen e Elvira Diamantit në krye, u rikthye tempi dhe suksesi i teatrit. Sot, fatkeqësisht, kemi dy vjet që s’kemi vënë asnjë premierë! Punojmë me repertorin e vjetër. Kjo më bën të kem qenë shumë aktive, sepse repertori i vjetër ka plor role të miat. Fëmija nuk e ezauron shpejt një shfaqje teatri të kukullave, sepse i rikthehet disa herë, pa u mërzitur. Pra, kërkesa është shumë e madhe për shfaqje të reja. Ju jap shembullin e kësaj të diele. Ishte salla plot e përplot, ishte shfaqja “Kësulëkuqja” e vitit 2007, pra suksesi mbetet. Ndaj të vjen keq, ndihesh keq kur drejtuesja aktuale nxjerr pretendimin që vijnë regjisorë dhe kanë zgjedhur aktorë të tjerë e jo ne të vjetrit, mos të them se na quajnë pleq! E vërteta është krejt ndryshe. Regjisorët as që kanë zhvilluar audicione, kanë miratuar një listë që u është servirur. Pas kaq shumë vitesh aktivitet, duket absurde që unë të vihem në audicion. Teatri i Kukullave është mjaft specifik. Jo çdo njeri mund të bëjë lojë me kukulla, duhen të paktën katër vjet përvojë të mësosh kukullën. Nëse një drejtues nuk prezanton trupën të plotë përpara regjisorit, nuk mund të pretendojë që ka të drejtë. Unë këto ia kam thënë në sy titullares. Ne jemi në një rëndesë të plotë të atmosferës artistike, një gjendje nën presion të madh. Në momentin ku gjendja është kështu, aktori e ka tepër të vështirë të punojë. Nuk mund të punohet mirë, kur je gjithë kohën e tensionuar nga arroganca e titullarit! Nuk mund të vësh nën presion me ulërima aktorët, përpara shfaqjes live! Kjo ka ndodhur edhe këtë fundjavë e po përsëritet. Drejtuesit harrojnë që sot janë e nesër mund të mos jenë! Artistët mbeten, mbetet vepra e tyre, emri i mirë në shoqëri, kontributi i tyre në artin shqiptar!”

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: