RRUGËTIMI VAZHDON… EDITORIAL NGA EDISON KURANI

RRUGËTIMI VAZHDON… EDITORIAL NGA EDISON KURANI
Nga Edison Kurani

Kryeredaktor i “Albanian Free Press”

Plot një vit më parë, nisi rrugëtimin e saj në tregun mediatik shqiptar, gazeta më e re në vend, “Albanian Free Press”. Një gazetë, si asnjë tjetër deri më sot, duke sjellë revolucion në shumë drejtime.

“Albanian Free Press” diti të jetë krejtësisht e pavarur, larg politikës së ditës dhe zhurmës artificiale që rëndom gëlon në median jo vetëm shqiptare. Rol kyç në këtë sukses ka pa asnjë mëdyshje, pronësia e kësaj gazete nga Independent Balkan News Agency, një grup mediatik i drejtuar nga gazetari Spiros Sideris, ku përfshihen agjencia e lajmeve të Ballkanit në anglisht dhe gjuhët e këtyre vendeve, gazeta “Albanian Free Press”, e përditshmja “Nezavizen Dnevnik” në Maqedoni, etj.

Në përditshmërinë e saj të një viti që kaloi dje, kjo gazetë vuri në jetë si asnjëherë më parë parimin e paanësisë në raportim.

Në 12 muaj, u raportuan zhvillimet kombëtare dhe rajonale, pa maninë e bujës së fryrë, por ashtu siç ndodhën. Jo vetëm kaq, “Albanian Free Press” shoqëroi zhvillimet e ditës me opinione, komente, analiza dhe intervista.

Opinionistët absolutisht më të mirë, u bënë pjesë e gazetës sonë, duke ofruar një ekuilibër të paparë deri sot në shtypin shqiptar. Emrat më të njohur të OP-Ed, të konsolidua prej shumë vitesh më kolumnat e tyre, u bënë menjëherë pjesë e një gazete që siç e parashikuan që në fillim dhe e vërtetuan më vonë, ka një balancë të admirueshme të këndvështrimit politik të ndjekur nga pavarësia editoriale.

Gazeta, me tirazh 10 mijë kopje në ditë dhe po aq shkarkime në versionin PDF, shpërndahet pa pagesë në të gjitha pikat e shitjes së shtypit në kryeqytet dhe pikat e Postës Shqiptare në të gjithë Shqipërinë.

“Albanian Free Press” gjendet kudo në Tiranë në të gjitha institucionet shtetërore dhe selitë diplomatike, OJF vendase dhe të huaja, zyrat e ndryshme. Po ashtu, ajo gjendet në mjaft biznese si dhe aty ku “forca e zakonit” e shqiptarëve është goxha e përqendruar, në baret dhe kafeteritë ku shijohet falas bashkë me kafen e mëngjesit.

Me një përfshirje të gjerë të të gjithë sektorëve të jetës, përditshmëria e “Albanian Free Press” përfshin që nga opinioni, intervistat, ekonomia, e deri te dossier-i, kultura, sporti, e padyshim suplementi javor, “Extra” që i dedikohet jetës kulturore dhe shoubizit.

Intervistat ekskluzive me emrat më të njohur të politikës, aktualitetit, kulturës, artit, sportit dhe plot të tjerë, janë një tjetër pikë e fortë e të përditshmes “Albanian Free Press”.

Me më shumë se 500 opinione dhe analiza e po aq intervista, gazeta jonë ka thyer rekorde prodhimi ekskluziv në median shqiptare.

Viti i dytë, sapo ka nisur dhe rrugëtimi vazhdon bindshëm.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: