Rreziku nga PPP-të, FMN vjen në Tiranë: Do t’ju japim konsulencë

Rreziku nga PPP-të, FMN vjen në Tiranë: Do t’ju japim konsulencë
Në kulmin e debateve për koncesionet e formës së partneritetit publik-privat, që qeveria shqiptare ka vendosur të aplikojë për realizimin e shumë projekteve, Fondi Monetar Ndërkombëtar premton dhënien e konsulencës së tij, në mënyrë që të mos gabohet me zbatimin e tyre.

Kështu, vetëm pak ditë pasi institucioni i njohur financiar ndërkombëtar, në një raport të posaçëm për Shqipërinë, e përjashtonte këtë mënyrë për të realizuar punë publike, ka dërguar në vendin tonë, një delegacion të posaçëm, të kryesuar nga vetë zv/drejtori ekzekutiv i tij, Tao Zhang. Dhe në bisedimet me autoritetet e larta shqiptare, siç bëhet me dije zyrtarisht, ai ka prekur pikërisht edhe çështjen e përfolur të të ashtuquajturave “PPP” – koncesione të formës partneritetit publik-privat.

Konkretisht, në një takim që ai zhvilloi me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i ka përmendur atij rrezikun që i kanoset ekonomisë shqiptare nga aplikimi i një skeme të tillë. Dhe se kapacitetet implementuese janë shumë të rëndësishme për këto lloj koncesionesh.

“FMN-ja është e gatshme të punojë me qeverinë shqiptare, për të gjetur balancën e duhur mes asaj që ajo po bën për nxitjen e pjesë-marrjes së sektorit privat nga njëra anë dhe kontrollit të rreziqeve potenciale nga ana tjetër”, tha saktësisht ai gjatë këtij takimi, lidhur me një çështje të tillë. Sikundër, shtoi nga ana tjetër faktin, se Fondi Monetar Ndërkombëtar, është gjithashtu i gatshëm që ta mbështesë qeverinë shqiptare në vazhdimësi, edhe përmes asistencës së tij teknike, për minimizimin e rreziqeve potenciale që shfaqen në rastin e këtyre koncesioneve. “Ne mbështesim vendet tona anëtare që të përmirësojnë kapacitetet e tyre reale dhe të rriten në mënyrë të balancuar, në përputhje me këto kapacitete” – tha numri dy i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Teksa përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, ministri Ahmetaj i tha se ajo është e vetëdijshme për hapësirat fiskale dhe prandaj,  projektet e PPP-ve janë parashikuar në planin buxhetor afatmesëm. “Qëllimi kryesor është përmirësimi i infrastrukturës dhe konektivitetit, duke angazhuar kapital privat”, i shpjegoi ai të mirat e këtyre koncesioneve, para delegacionit të FMN-së.

 

SUGJERIMI

FMN: Jo Partneritet Publik-Privat për të ndërtuar rrugët

Në raportin e pak ditëve më parë, “Infrastruktura publike në Ballkanin Perëndimor: Një rrugë për të ardhura më të larta”, FMN-ja ka pohuar qartë se financimi për rrugët do të jetë i nevojshëm, si nga burimet vendore dhe ato të huaja. Duke përjashtuar mënyrën e koncesionit të partneritetit publik-privat, për realizimin e tyre. “Një plan i mirë për planifikimin dhe zbatimin e projekteve të inverstimeve publike është gjithashtu një domosdoshmëri”, thotë ky raport. Për të detajuar më tej konkretisht, se një nga rrugët kryesore si mund të gjenden paratë për rrugët, është “Investimi në investime”. Duke nënkuptuar me këtë investimet me paratë e buxhetit të shtetit për ndërtimin e rrugëve dhe krijimin e kushteve për të thithur financime nga donatorët. “E rëndësishme është që projektet e infrastrukturës të mos bien viktimë e politizimit”, argumentojnë ekspertët e FMN-së.

 

 

POROSIA

“Shqipëria duhet të vazhdojë të ndërmarrë reforma të reja”

Duke qenë se ekonomia globale po rritet me ritme pozitive, kjo është koha e duhur për Shqipërinë që të vazhdojë të ndërmarrë reforma të mëtejshme. Një këshillë të tillë, zv/drejtori ekzekutiv i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, ia ka drejtuar dje Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Sipas tij, ruajtja e ritmit të reformave dhe forcimi i institucioneve apo i mirëqeverisjes, kanë rëndësi të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit. Por në të njëjtën kohë, edhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri. Nga ana e tij, Guvernatori Sejko i prezantoi zyrtarit të lartë të FMN-së paketën e de-euroizimit, si një iniciativë kjo sipas tij, me mjaft rëndësi, e cila, nëpërmjet masave konkrete për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare, do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: