REVOLUCIONI NË SHTYPIN SHQIPTAR, NJË VIT ME “ALBANIAN FREE PRESS”

REVOLUCIONI NË SHTYPIN SHQIPTAR, NJË VIT ME “ALBANIAN FREE PRESS”
SPECIALE Gazeta më e re në Shqipëri mbushi një vit që plotësoi në tregun mediatik, boshllëkun shumëvjeçar të një të përditshmeje të pavarur, me balancë të admirueshme të raportimit dhe opinionbërjes. Opinionistët e gazetës “Albanian Free Press” të cilët shkruajnë që nga themelimi, ekskluzivisht për këtë të përditshme, flasin për njëvjetorin e medias më të re në Shqipëri. Urimet për vitin e parë që u mbyll dhe sugjerimet për vitin e dytë që sapo ka nisur

 Opinionistët e gazetës “Albanian Free Press” të cilët shkruajnë që nga themelimi, ekskluzivisht për këtë të përditshme, flasin për njëvjetorin e medias më të re në Shqipëri. Urimet për vitin e parë që u mbyll dhe sugjerimet për vitin e dytë që sapo ka nisur

 DY PYETJE – 8 PËRGJIGJE

  1. Gazeta “Albanian Free Press” mbush një vit nga botimi i saj. Cili është vlerësimi juaj për rrugëtimin e deritanishëm të saj? Çfarë ka arritur ajo sipas jush, që të sjellë për lexuesin gjatë kësaj periudhe?

  1. Cili është urimi juaj për vitin e dytë të botimit të “Albanian Free Press”? Parashikimet për të ardhmen dhe sugjerimet tuaja sesi ajo mund të jetë edhe më e suksesshme.

Revolucion në shtypin e shkruar shqiptar, ja vlerësimet e opinionistëve për “Albanian Free Press”

EDUARD ZALOSHNJA

LARMI OPINIONESH DHE NJË BALANCË E ADMIRUESHME E TYRE

1

Gazeta “Albanian Free Press” përbën një risi në tregun mediatik shqiptar, në sajë të modelit novator të biznesit. Ajo shpërndahet falas kudo, me synimin që të bëhet një gazetë sa më e lexuar. Dhe sa më e lexuar të jetë kjo gazetë, aq më e vlefshme mund të jetë për marketuesit, që duan të kenë një audiencë sa më të gjerë për reklamat e tyre.

Nga vëzhgimet e mia, kam konstatuar se kjo gazetë po lexohet gjerësisht edhe në bar-kafeteritë e lokalet e tjera shqiptare, dhe ndoshta ka arritur në fazën kur mund të tërheqë edhe marketues të rëndësishëm. Dhe ky sukses i atribuohet faktit se në faqet e saj gjen një larmi opinionesh, si dhe një balancë të admirueshme të tyre. Gjithashtu, kjo gazetë ofron informacione të bollshme nga politika dhe ekonomia, si dhe nga fusha e kulturës dhe sportit.

2

Uroj që gjatë vitit të dytë modeli i biznesit të kësaj gazete të fillojë të japë frutet e veta. Me fjalë të tjera, lexueshmëria e gjerë e saj të përkthehet në më shumë reklama nga marketuesit. Nga pikëpamja e përmbajtjes, kjo gazetë mbulon tema interesante për të gjitha moshat, por kam përshtypjen se shpërndarja e saj nuk e mbulon mirë moshën e re (që është me shumë vlerë për marketuesit). Ndoshta duhen gjetur mënyra të reja që gazeta ta arrijë në masë edhe këtë grupmoshë (meqenëse në përmbajtjen e saj ka tema që u interesojnë të rinjve).

EDISON YPI

GAZETË SERIOZE NGA PROFESIONISTË QË NUK E NJOHIN MANIPULIMIN

1

E kam parë “Albanian Free Press” edhe në duart e banorëve të katundeve të largëta. Nuk jam habitur. “Albanian Free Press” e ka arritur këtë përhapje sepse nuk është gazetë kafeneje ku kalemxhinjtë e shitur urojnë hipokrizisht njëri-tjetrin. "Ua sa brilant e kishe bërë shkrimin e sotëm", pa e lexuar aspak. “Albanian Free Press” është gazetë serioze që nuk përgatitet nga diletantë, por nga profesionistë që nuk e njohin manipulimin, respektojnë Etikën e komunikimit, etj. Në këtë 1-vjetor të saj, për “Albanian Free Press” asnjë kompliment nuk është i tepërt. Ta fikim kandilin në mes të tortës, duke i uruar të vazhdojë si e ka nisur.

2

Punët e vogla dhe mediokre janë të ngatërruara. Punët e mëdha dhe gjeniale janë të thjeshta. Leonardos i mjaftonte peneli dhe ngjyrat. Mikelanxhelos, dalta dhe çekiçi. Beethovenit një laps dhe një pentagram. Të vazhdojë të jetë e rëndësishme, e vlefshme, e dashur, e respektuar, Albanian Free Press-it i mjaftojnë profesionalizmi dhe humanizmi. Asgjë më tepër.

ROLAND QAFOKU

ATY KU JETON TË RENË, POR EDHE HISTORINË NJËKOHËSISHT

1

Kur iku një vit? Sa shpejt? Në morinë e portaleve dhe të mediave on line pa fund, “Albanian Free Press” është si mohikani i fundit që synon të mbesë përjetë me këtë status. Kur merr në dorë “Albanian Free Pres” të duket se jeton të tashmen por edhe të shkuarën njëkohësisht. Jeton të renë por edhe historinë njëkohësisht. Një gazetë e menduar mirë, me risi dhe mbi të gjithë në faqet e saj nuk ka asnjë lajm që e ka ndonjë gazetë tjetër. Është një peizazh i tillë sot në median shqiptare saqë në njërën anë kemi të gjitha gazetat që konkurrojnë me njëra tjetrën në forma nga më të ndryshme dhe në anën tjetër kemi “Albanian Free Press” që konkurron vetëm me veten. I takon merita stafit të gazetës edhe specifikisht kryeredaktorit të saj Edison Kurani që, në të shumtën e rasteve edhe me kokëfortësinë e fitimtarit, arriti atë që synoi: të veçantën dhe të lexuarën masive.

2

Me këtë që ka arritur unë nuk besoj se “Albania Free Press” ka nevojë për këshillën time. Ajo duhet të vazhdojë në këtë rrugë dhe suksesi do jetë i garantuar si tani. Ndoshta ndryshimet e teknologjisë janë diktuese por jam i bindur që “Albanian Free Press” do ti gjejë rrugët e saj. Sinqerisht i uroj jetë të gjatë kësaj gazete, e vetmja që mban ngjan mënyrën tradicionale të të bërit gazetari. Lajm dhe stil analitik I gazetës. Shumë urime Albanian Free Pres!

SONILA MEÇO

SHTYPI, ARMA MË AFATSHKURTËR PËR TË BËRË NDRYSHIMIN

1

Fatet e nismave shpesh parathuhen nga emrat e titujt e tyre. Me lirinë që ta sugjeron kjo e përditshme, përfitova edhe unë copëzën time të lirisë mediatike nga ku kam shkruar, analizuar, komentuar zhvillimet e një viti të vështirë. Ndaj në këtë një vjetor ndjehem krenare për rrugëtimin e përbashkët, gazeta e lajmit, gazeta qëmtuese e fakteve në kohën e ngutjes së farsës, propagandës e lajmit të rremë, gazeta e ideve, përballjes së tyre, gazeta që mbërrin kudo, gazeta që guxon, që nuk bie në banalitet, gazeta që shpjegon. Të mbijetosh në kohë kolere për shtypin, si në terma financiarë, ashtu edhe përmbajtësorë është një arritje, por të jetosh me vendin, njeriun, pulsin e damarëve të qytetit është mision i përmbushur.

2

Në ditë të vështira për shpresën, që ngjan e lodhur për të konkurruar fundin, shtypi mbetet arma më afatshkurtër për të bërë ndryshimin. Ndaj ia uroj guximin e vullnetin për të rezistuar në meritimin e titullit Free Press (shtyp i lirë), sepse liria nuk kufizohet dot pa u humbur.

FRROK ÇUPI

GAZETA ËSHTË SHENJTORE, PAVARËSISHT NGA DJAJTË QË SHKRUAJNË

1

Çfarë ka arritur?.... Gazeta është një frymë, asnjëherë nuk është një evidencë. Gazeta ka një fat të mirë dhe një fat të keq. Fati i keq se gazetën e paragjykojnë sipas asaj çfarë shkruajnë disa njerëz. Por gazeta, si frymë dhe si trup, është megjithatë ‘e mirë’. Sepse gazeta është shenjtore, pavarësisht nga djajtë që shkruajnë... Ndërsa fati i mirë i gazetës është kur e marrin në dorë njerëz profesionistë dhe të ndershëm deri në kufijtë e përcaktuar thjesht nga njeriu i kohës. Gazeta jonë “Albanian Free Press” i përket fatit të dytë. Ndjehem mirë që i vë shkrimet e mija në këtë gazetë, ku i çmoj autorët dhe principet e saj. Çmoj vërtet edhe themeluesin e saj, Spiros Sideris, të cilin e njoh si njohës të mirë të gazetarisë, çështjeve të rajonit, sidomos në Greqi e në Shqipëri.

2

Urimi?... Nuk mund të jetë një i vetëm. Ta urosh “jetë të gjatë”, si rëndom bëjnë njerëzit, nuk dua të vë në dyshim jetëgjatësinë e gazetës. Ajo vetëm ka lindur... Gazeta jeton sa shumë breza të njeriut. Kjo jona, me siguri.

Urim?... Në fakt kam një urim dhe një sugjerim. Dua që gazeta të takojë njerëz më të sjellshëm me të. Nuk dua ta shikoj as edhe një gazetë të hedhur përtokë veç pse “është for free”. Më duket se kujtoj fëmijërinë kur prindërit na thoshin: “Mos e hidh bukën përtokë”. Dua që gazeta të merret gjithnjë vesh sa më mirë me lexuesit: T’i kuptojë para se ata ta lexojnë, dhe lexuesit ta kuptojnë e çmojnë pasi ta lexojnë.

ALFRED PEZA

NJË FORUM I MENDIMIT TË LIRË PROFESIONAL

1.

“Albanian Free Press” hyri në tregun e medias së shkruar, atëherë kur të gjithë po dilnin, sepse mediat sociale dhe ato online, u duk se po u jepnin "shkelmin e fundit" mediave tradicionale të printit. Ishte një guxim i madh dhe mbi të gjitha, një sprovë me realitetin shqiptar. Ka qenë një rrugë e vështirë besoj, por shumë interesante, kur sheh një prurje të tillë të re, profesionale dhe anti-rrymë.

Ndaj edhe sfida ka qenë më e vështirë, por më speciale, sepse ka qenë më sfidë. Sfidat janë të bukura kur fitohen. Besoj se “Albanian Free Press” ia ka dalë që të thotë fjalën e saj, të ketë identitetin e saj dhe të jetë tashmë një realitet.

Besoj se kjo gazetë ka sjellë atë që u mungonte gazetave të informacionit, në kushtet e realitetit dhe konkurrencës agresive të mediave online. Të jetë një pasqyrë e opinionit, e analizës, e prognozës, një forum i mendimit të lirë profesional, një pasqyrë ku qartësohet me instrumente mediatike, agresioni i pafundësisë së lajmeve, detajeve dhe grimcave të mediave sociale. Kjo e ka shndërruar besoj këtë gazetë në një pikë referimi, në një tribunë të gazetarisë profesionale dhe të mendimit të lirë. Kjo besoj e bën këtë gazetë të mirëpritur çdo mëngjes nga mijëra lexues kudo nëpër Shqipëri.

2.

Urimi im është urimi që i bëhet një fëmije kur mbush një vjeç: Të rritesh sa më shpejt dhe të bëhesh sa më i shëndetshëm! Sepse 1-vjetori i një jete, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për startin e vargut të numrave që vijnë pas, por edhe për të kuptuar e parë më mirë, projeksionin e viteve dhe ditëlindjeve të tjera. Ndaj edhe për “Albanian Free Press”, uroj ta ketë jetën sa më të gjatë, duke u bërë gjithnjë e më e shëndetshme profesionalisht, për veten dhe lexuesit e saj të shumtë.

“Albanian Free Press” është shembulli se media e pritnit nuk ka vdekur as në Shqipëri. Se ajo ka të ardhme, pavarësisht konkurrencës reale me mediat online dhe ato të tjerat tradicionale tashmë. Ndaj edhe sugjerimi im, lidhet pikërisht me këtë sfidë të saj: “Albanian Free Press” të jetë gjithnjë në kërkim të rrugës që do ta bëjë atë një nevojë jetike për lexuesit, siç gazetat kanë mbi 400 vjet që kanë mbijetuar, për t’i informuar dhe argëtuar njerëzit.

PLATOR NESTURI

NJË FYTYRË E NDRYSHME DHE ORIGJINALE PËR LEXUESIN SHQIPTAR

1

Një vit nuk është shumë në jetën e një gazete, por viti i parë është ai që i jep formë të ardhmes së një media. Dhe “Albanian Free Press” ka ditur që në vitin e parë të rrugëtimit të vet t’i shpaloset me një fytyrë të ndryshme e origjinale lexuesit shqiptar. Një periudhë jo e lehtë për vetë momentet që po përjeton media shqiptare, ku besueshmëria është një mall aq i rrallë dhe ku mendimi alternativ e në interes të opinionit publik, është në zgrip të mbijetesës . Në këtë aspekt, ndihem i nderuar që kam dhënë kontributin tim modest tek “Albanian Free Press”, për atë çka i ka dhënë formë fytyrës si gazetë dhe ku jam ndjerë i çlirët për të dhënë opinionin tim. Vetë komentet e lexuesve janë një tregues i rrugës së mbarë të nisur, por edhe i veçantisë që ka përcjellë kjo gazetë.

2

E ardhmja ndërtohet, ndaj dhe gazetës “Albanian Free Press” i mbetet të ndjekë rrugën e vet, të nisur në shërbim të qytetarit. Në këtë drejtim do të sugjeroja për një dinamikë më të thelluar, si për lajmin, ashtu dhe për vijimësinë në temat që janë ngritur në këtë gazetë. Mund të vërehet se një pjesë e mirë e problematikave që shqetësojnë shoqërinë shqiptare janë përshfaqur fillimisht tek “Albanian Free Press”, për t’u marrë e përdorur më tej nga media të tjera. Efikasiteti i kontinuitetit për këto tema që kanë qenë domen i “Albanian Free Press” mund të jetë një synim, që do e sjellë më afër lexuesin dhe do t’i rrisë peshën ndikuese vetë gazetës. Sidoqoftë, jemi në rrugë të mbarë dhe çdo element i suksesshëm i një viti të mbyllur, mund të jetë një premisë për ta shtuar ecurinë dhe të ardhmen e gazetës. Uroj pra, një vijim të suksesshëm duke rritur standardet profesionale dhe të zërit të “Albanian Free Press”.

HELIDON TAHIRAJ

GAZETA MË KA FUTUR NË SHERR ME GRUAN, SEPSE...

1

Gazeta dhe rubrika që unë shkruaj, më ka afruar me komshinjtë. Ata e lexojnë përditë rubrikën time, aty te lokali ku unë pi makiaton e sabahut. Pas leximit, më japin edhe komplimentet e tyre, e ndonjëherë më japin makiato, qyl.

Gazeta më ka futur në sherr me gruan, e cila më thotë; ...shkruaje shpejt edhe dërgoje, se do merresh me djalin pastaj!". Nuk ia plotësoj dot dëshirën, pasi ato që shkruaj, dua që ata që do i lexojnë, t'i pëlqejnë edhe pas 50 vjetësh.

2

Urimi im për gazetën e shkruar është: Të rrojë, sa të rrojë letra!

Parashikim për të ardhmen e rubrikës time nuk kam, pasi ngaqë gazeta është falas, nuk them dot që do përpiqem që me cilësinë e rubrikës që shkruaj, të rris shitjet, për të rritur rrogën.

Sugjerimi im për gazetën është: Të përpiqet të fusë, investigimin!

Suksese në të ardhmen, në tregun e vështirë të gazetarisë, ku shumica e tyre e hapin me kriteret për rritjen e pensioneve, apo me listën e dëmshpërblimeve për të përmbyturit e 8 viteve më parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: